Kosova
Fondi rezervë i Kosovës, pa asnjë cent
Qeveria në largim e Kosovës tashmë ka shpenzuar më shumë se 6 milionë euro nga Fondi rezervë i buxhetit për këtë vit. Ky Fond, sipas ligjit mund të shpenzohet vetëm në raste urgjente dhe të paparashikuara. Vlera më e madhe e shpenzimeve, sipas të dhënave të publikuara nga qeveria, përfshin çështje të cilat nuk kanë të bëjnë me destinimin e këtij fondi.
Fillimisht, 4.8 milionë euro ishte vlera e ndarë nga buxheti i Kosovë për rezerva shtetërore, por Ministria e Financave, në fund të muajit nëntor, vendosi t’i bartë edhe 500 mijë euro në Fondin rezervë. Këto mjete, më pas, sipas një vendimi të Qeverisë së Kosovës u ndanë në kuadër të ndihmave për Shqipërinë pas tërmetit që la pas më shumë se 50 viktima në njerëz, rreth 1 mijë të lënduar dhe dëme të mëdha materiale.
Ndërkaq 800 mijë euro të tjera, mjete të buxhetit, në këtë fond janë bartur javën e kaluar, duke arritur kështu shpenzimet në mbi 6 milionë euro, përcjell albinfo.ch.
Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit në detyrë të Financave në Qeverinë e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se tashmë llogaria e Fondit rezervë është zero.
Në mbledhjen fundit të mbajtur më 17 dhjetor, Qeveria në detyrë e Kosovës nga Fondi rezervë ka ndarë 390 mijë euro për shoqatat e dala nga e lufta e UÇK-së, 70 mijë euro për nevojat e Koordinatorit Nacional për Rini dhe Kulturë, kurse pjesën e mbetur në Fondin Rezervë prej 350 mijë eurosh, qeveria ka marrë vendim ta kalojë në buxhetin e zyrës së kryeministrit.
Por, kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur se nuk ka informacione për vlerën dhe për cilat kategori janë ndarë.
“Hyni dhe gjeni vendimet e qeverisë, të gjitha janë transparente, i gjeni shumat e ndara, sepse nuk i di detajet. Kryetari i qeverisë nuk i di detajet, e dinë nga ka ardhur kërkesa, kush e ka mbështetur, por në finalizim janë mekanizma tjerë ata i dinë detajet”, ka thënë Haradinaj në një konferencë pas mbledhjes së qeverisë.
Por, zyra e kryeministrit të Kosovës nuk ka dhënë ndonjë përgjigjeje lidhur me ndarjen e këtyre mjeteve, konkretisht lidhur me bartjen e 350 mijë euro nga Fondi rezervë në zyrën e kryeministrit të Kosovës.
Në anën tjetër, njohës të kësaj çështjeje, konsiderojnë se shpenzimi i mjeteve nga rezervat buxhetore për qëllime joemergjente është abuzim me paranë publike.
Ish-drejtori i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, tha se shpenzimi i këtyre mjeteve është joligjor.
“Vetë emërtimi i Fondit tregon që këto para nuk duhet të preken, duhet të qëndrojnë si rezervë, si Fond i zi, të cilin shteti mund të përdorë vetëm në raste të jashtëzakonshme, në raste të paplanifikuara. Kosova ka buxhetin e planifikuar për aktivitete të planifikuara dhe si një pjesë që duhet të qëndrojë rezervë dhe të shpenzohen për gjërat të cilat nuk planifikohen, por mund të ndodhin. Kështu që çdo prekje e atij buxheti është joligjor, johuman dhe jo i drejtë”, tha Preteni.
Nga 6,1 milionë eurot e rezervave shtetërore, Qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro për realizimin e aktiviteteve të shënimit të 11-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, 300 mijë euro për Delegacionin shtetëror të Kosovës për procesin e dialogut me Serbinë, 143 mijë euro mbështetje për ekipin olimpik të Xhudos “Ippon” në Pejë dhe 112 mijë euro për rregullimin e këndit të fëmijëve dhe Parkut të Paqes në Preshevë.
Po ashtu, janë ndarë 115 mijë euro për punën e Komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, pastaj 171 mijë euro për kompensimin e shtesave dhe stimulimin financiar për vitin 2019 prokurorëve specialë, kurse për themelimin e Qendrës Përkujtimore në Bllacë, qeveria ka ndarë 100 mijë euro.
Kurse vlera nën 100 mijë euro u janë ndarë për shoqata apo organizata të ndryshme.
Sipas ligjit përkatës, organizatat përkatëse buxhetore mund të aplikojë në ministri për fonde shtesë, por që në aplikacion duhet të shpjegojnë arsyen pse këto fonde nuk kanë mundur të parashikohen.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Itali
Tragjedi në Itali, fqinji rrëfen si u gjetën të pajetë katër anëtarët e familjes shqiptare Helmimi me gaz në Porcari, dëshmia e fqinjit shqiptar për momentet e para... -
Kompania shqiptare mbulon Forumin në Davos me mbi 100 vetura luksoze -
Kosovë
Veshja tradicionale e Hasit të Prizrenit synon mbrojtjen nga UNESCO -
Amerikë
Shqiptarja hyn në histori me emërimin në administratën e lartë të SHBA-së -
Amerikë/Shqipëri
Talent shqiptar nga Amerika që po sjell ventrilokizmin në skenën shqiptare
Jeta në Austri
-
Raporti i Eurostat: Çmimet e shtëpive në BE janë rritur me 53% që nga viti 2010 Botimi i Eurostat-it “Strehimi në Evropë – Botimi 2025” tregon ndryshime të mëdha në kostot e... -
Austri: Këto cigare po bëhen më të shtrenjta -
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale -
Vjena planifikon shtëpi të mbyllura në grup për shkelësit e përsëritur nën moshën 14 vjeç












