Jeta në Zvicër

Gjenevë: Protestë proizraelite, kundër Hamasit

Në këtë demonstrim ka folur edhe imami Rachid Birbach nga qyteti francez Auxerre, i cili ka mbrojtur politikën e Izraelit

Në kohën kur kudo në botë, edhe në Zvicër, protestat për dhunën në Gaza drejtohen kryesisht kundër politikës izraelite, të mërkurën në Gjenevë ka ndodhur e kundërta. Rreth 200 deri 300 veta kanë mbajtur një manifestim pro Izraelit, i pari i këtij lloji në Zvicër që nga fillimi i ofensivës së Armatës Izraelite në Rripin e Gazës, para tri javësh.

Manifestimi ka pasur një rrjedhë të qetë, shkruan srf.ch. “Ne duam të sjellim një mesazh paqeje, çdo i vdekur është i tepërt”, ka thënë Pierre Weiss, kryetar i Shoqatës Zvicër-Izrael, i cili e ka organizuar këtë manifestim demonstrues.

Është interesante se në këtë demonstrim ka folur edhe një imam. Është fjala për imamin Rachid Birbach nga qyteti francez Auxerre, i cili në fjalën e tij ka dënuar Hamasin islamik. “Izraeli ka të drejtë të mbrohet”, ka thënë ai.

Ngjashëm me të ka folur edhe përfaqësuesi i Izraelit në selinë e OKB-së në Gjenevë, Eviatar Manor.