Shkurt.ch

Marina italiane shpëton edhe 2000 refugjatë afrikanë

Gjatë ditëve të Festës së Pashkëve, në kuadrin e operacionit për shpëtim “Mare nostrum”, ishin gjetur rreth 1100 refugjatë në detin e hapur në Mesdhe

Marina italiane ka shpëtuar nga deti 1500 refugjatë nga Afrika Veriore që i ishin afruar me barka bregut të detit në Sicili. Ndërkaq, bashkë edhe me aksione të tjera, llogaritet se deri të shtunën do të vijnë në brigjet siciliane rreth 2000 persona, kanë bërë të ditur autoritetet italiane të premten.

Gjatë ditëve të Festës së Pashkëve, në kuadrin e operacionit për shpëtim “Mare nostrum”, ishin gjetur rreth 1100 refugjatë në detin e hapur në Mesdhe, të cilët ishin sjellë me anije ushtarake në brigjet e Italisë.  

Ky operacion, i quajtur sipas emërtimit antik romak të Detit Mesdhe, kishte filluar së zbatuari në vjeshtën e vitit të kaluar. Ai ishte nxitur nga katastrofat e rënda të refugjatëve që kishin ndodhur në brigjet e Lampeduza-s, me ç`rast brenda pak ditëve kishin humbur jetën në det më shumë se 400 refugjatë nga Afrika e Veriut.

Gjatë zhvillimit të operacionit, qeveria italiane është ankuar shpeshherë se Bashkimi Evropian “e ka lënë në baltë” Italinë, e cila, sipas saj, po ballafaqohet e vetme me fluksin e madh të refugjatëve.