Shkurt.ch

Gjermania do të votonte si Zvicra, për kufizimin e numrit të të huajve

Sondazhi është bërë pas votimit të mbajtur të dielën e kaluar në Zvicër për iniciativën "kundër migracionit masiv". Siç dihet, iniciativa ka arritur një fitore prej 50.3%

Sikur të kishin mundësi të shpreheshin për një iniciativë që do të kufizonte numrin e të huajve, edhe gjermanët do të votonin ngjashëm me fqinjët e tyre zviceranë. Një sondazh i realizuar nga instituti për hulumtimin e opinionit publik infratest me porosi të magazinës televizive “Politik Direkt” të DW, ka arritur në konstatimin se 48% të gjermanëve janë pro kufizimeve. 46% do të ishin kundër. Në sondazh kanë marrë pjesë 1001 gjermanë të moshës mbi 18 vjeçare.

Sondazhi është bërë duke iu referuar votimit gjithëpopullor të mbajtur të dielën e kaluar në Zvicër për iniciativën “kundër migracionit masiv”. Siç dihet, iniciativa ka arritur një fitore të ngushtë prej 50.3%.

Në “variantin gjerman” të iniciativës, më së shumti mbështetës ajo do të kishte nga organizata me qëndrim kritik ndaj politikës evropiane “AfD (Alternativa për Gjermaninë). 84 për qind të mbështetësve të saj janë pro “iniciativës”. Në mesin e ithtarëve të CDU-së, 51% do të votonin sikur zviceranët ndërsa te të gjelbrit kjo përqindje do të ishte 29%.

Dallimet janë të theksuara jo vetëm në mes të partive por edhe në mes të regjioneve. Kështu, në republikat lindore (ish DDR) për kufizimin e numrit të të huajve janë shprehur 56% të të anketuarve ndërsa në ato perëndimore, 45%.