E-Diaspora
Artani shkon hapave të Federerit me shokë
Ka hyrë në mesin e tetë më të mirëve në Kampionatin Zviceran në kategorinë e tij. Pritej që Artan Sadriji të dilte më i miri por e pengoi lëndimi i këmbës
Jo të gjithë çunat shqiptarë në Zvicër duan të bëhen si Ronaldo, si Messi apo ai Shaqiri. Janë edhe disa të cilët ëndërrojnë që kur të rriten të bëhen për shembull si Federer, si Wawrinka ose si Nadal, të merren me tenis. I tillë është Artan Sadriji, djaloshi 11 vjeçar që jeton në Spreitenbach (AG).
Artani, me pjekurinë e tij jo të zakonshme dhe me njohuritë e gjithanshme, të bën të harrosh se po flet me një 11 vjeçar. Është shumë serioz për moshën që ka, e di saktësisht se çfarë dëshiron dhe sa larg guxon të synojë. Dhe ai në fakt synon shumë: të mbërrijë diku në dhjetëshen e më të mirëve të tenisit botëror.
Vënia e një caku të tillë mund të ngajë si i ekzagjruar, por jo edhe për Artanin. Ai, ditë më parë ka arritur në çerekfinalen e Kampionatit Zviceran të Tenisit që është mbajtur në Kriens, në kategorinë e tij deri në moshën 12 vjeçare. Kështu, shqiptari ambicioz ka hyrë në mesin e tetë më të mirëve të kategorisë së tij. Në fakt fare lehtë mund të kishte zënë ndonjë vend më të lartë, pse jo edhe të parin, sikur të mos e lëndonte këmbën në luftën e fundit, më 14 janar.
“Kam më pak se tre vjet qe merrem me tenis dhe deri tash kam fituar në më shumë se 20 turne”, thotë Artani, i cili para se të zgjidhte tenisin kishte ushtruar futboll, ku po ashtu kishte qenë më i miri ndër moshatarët. “Pasi që tenisi më dukej më pak i ashpër se futbolli dhe pasi që luhet individualisht, u përcaktova për tenisin”, thotë ai.
Idhulli i tij është, kush tjetër, pos tenisti zviceran, më i suksesshmi në botë i të gjitha kohëve, Roger Federer. “Atë e adhuroj sepse ka qenë më i riu kur ka fituar një grand slam, gjithsej 17 vjeç”.
Pastaj Artani na shpjegon me durim ne si laikë të tenisit që jemi, shkallët e hierarkisë së tenisit, për të na e bërë të qartë se ku qëndron ai dhe në cilën shkallë është një yll si Federeri ose Wawrinka. “Nga R9 ku janë fillestarët deri R1, unë bëj pjesë në R5. Ndërsa në një kategorizim tjetër, superior, nga N4 deri në N1 bëjnë pjesë aset e përmendur më lartë.
Artani, pas lëndimit të pësuar që e pengoi të arrinte shkëlqimin e plotë, ka shans që brenda gjashtë muajve të arrijë atë që i mbeti peng më 14 janar. “Por atëherë më duhet të garoj me tenistë më të moshuar, deri në 14 vjeç… dhe kjo e bën punën pak më të komplikuar. Megjithatë pres të kem sukses edhe në atë konkurrencë”.
Si të gjithë tenistët e rinj edhe Artani përkrahjen shumë të madhe, ose të vetmen, së paku atë materiale, e ka nga prindërit. “Siç e dini, tenisi është sport shumë i shtrenjtë. Këtu hyn pagesa e ushtrimeve, e trajnerit, blerja e pajisjeve mjaft të shtrenjta etj”, thotë ai. Duke qenë në mesin e tetë më të mirëve, Artani e ka fituar të drejtën të sponsoret nga organizata Swisstenis. Nëse gjatë tërë vitit do ta ruajë ose avancojë këtë pozitë, ai do të vazhdojë te sponsorohet. Megjithatë barra më e madhe bie mbi supet e familjes. Por, siç thotë babai i tij, Abdusamedi (“Dussi”), “me hyrjen e tij në çerekfinale, kanë filluar të paraqiten edhe sponsorë privatë”.
“Sidoqoftë, me ose pa sponsorë, derisa ai të ketë këtë vullnet që e ka sot, unë do ta përkrah me kënaqësi. Ajo që më gëzon është se Artani ka si vullnetin ashtu dhe ambicien dhe seriozitetin për të qëndruar në rrugën e suksesit”, shton Dussi.
Pos në Zvicër, ai ka marrë pjesë edhe në gara tenisi në Kosovë, ku është vlerësuar lartë. Verën e vitit 2012, si 9 vjeçar, ka fituar vendin e parë në kategorinë A11 në Prishtinë, në turnirin Prishtina Open. Ai thotë se kishte tenistë mjaft të mirë edhe atje.
Artani jeton në të njëjtin shtet me yjet si Federer dhe Wawrinka, por deri më tash nuk ka pasur rastin t`i shohë ata duke luajtur live. Megjithatë, thotë se ka qenë në një turnir të madh “Swiss Indoors” në Bazel, ku luajnë edhe tenistë të huaj të nivelit botëror. Fundja, në Zvicër nuk ka grand Slam, turnire ku luajnë Federer me shokë.
Sadriji bën pjesë në klubin “TC Spreitenbach”, të qytetit me të njëjtin emër. Por, si më i miri në kategorinë e tij në kantonin Aargau, ai është pjesë edhe e grupit “Kader Aargau”, në Brugg që është diçka si përfaqësuese e kantonit, ku janë vetëm më të zgjedhurit. Ai na zbulon se edhe vetë Federer në fillim kishte ushtruar në këtë grup. Me vullnetin dhe ambicien që e dallojnë dhe me pak më shumë përkrahje, Artani mund të bëhet, pse jo, një pasardhës i denjë i yllit të përmendur të tenisit. B.SH.
Të tjera nga E-Diaspora
E-Diaspora
-
Gjermani
Lionela Jakaj në finalen e “The Voice Kids”, 14-vjeçarja shqiptare synon fitoren në Austri Finalja e madhe zhvillohet të premten më 3 prill në ora 20:15, ku fituesi do të... -
Suedi
Muaji i Frankofonisë në Stokholm shënohet me aktivitete kulturore nga Ambasada e Kosovës -
Spanjë
Orkestra “Amadeus” triumfon në Spanjë, fiton çmimin kryesor “Grand Prix” -
Londër
Hapet shkolla e dytë shqipe në Manchester -
Presidentja Osmani i ndan mirënjohje gazetarit veteran, Rexhep Rifati
Jeta në Austri
-
Gjermani
Lionela Jakaj në finalen e “The Voice Kids”, 14-vjeçarja shqiptare synon fitoren në Austri Finalja e madhe zhvillohet të premten më 3 prill në ora 20:15, ku fituesi do të... -
Afër Pashkëve, 8,300 lepuj ngordhin në trafikun rrugor në Austrinë e Poshtme -
Edhe Austria ndalon Rrjetet Sociale për fëmijët nën 14 vjeç -
Austri
Në Parlamentin e Austrisë, të premten mbahet konferenca „Kosova në BE“ -
Tragjedia e Vjenës: I lënduari është Nazmi Muharremi – flet vëllai që ia shpëtoi jetën













