Shkurt.ch
Fqinjët e Gjermanisë kundërshtojnë taksën e autostradës
Shtetet fqinjë me Gjermaninë duan të ngrenë padi në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë kundër taksës për përdorimin e autostradave
Pa ardhur ende ajo është kthyer në një temë për mosmarrëveshje politike mes fqinjëve: taksa gjermane për veturat e huaja, të cilat shfrytëzojnë autostradat nëpër Gjermani.
Planet e marrëveshjes për koalicion mes CDU/CSU dhe SPD janë vërtetë kryesisht një koncesion për kreun e CSU-së Horst Seehofer, sepse ky ua kishte premtuar një taksë të tillë të detyrueshme për veturat e huaja zgjedhësve të tij.
Por tani Austria kërcënon se do të ngrejë padi në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë dhe edhe Holanda po e mendon një hap të tillë.
“Kjo do të ishte një shkelje e ligjit të BE-së, gjë që Austria do ta luftojë me forcë,” shprehet e indinjuar në një deklaratë ministrja austriake e Transportit, Doris Bures.
Edhe homologia e saj holandeze Melanie Schultz van Haegen tha se nuk ishte “aspak e lumtur” me planet gjermane.
Qeveria e ardhshme gjermane planifikon të fusë një taksë për përdorimin e autostradave gjermane për të rregulluar me këto para rrugët dhe urat e dëmtuara.
A kemi të bëjmë këtu thjesht me një zemërim apo një pakënaqësi të justifikuar që përdorimit falas të autostradave gjermane po i vjen fundi?
Kush udhëton nga veriu në jug të Evropës, ose nga lindja në perëndim, kalon pothuajse gjithmonë nëpër autostradat gjermane.
Deri tani për autostradat gjermane nuk paguhej taksë për përdorimin e autostradave, si ndodh në vendet fqinjë si Franca, Austria apo Zvicra.
Ministri i Transportit Peter Ramsauer (CSU) mendon, pavarësisht kritikave masive, se kjo taksë është e justifikueshme sepse krijon barazi me vendet e tjera që e aplikojnë atë.
Kërcënimet e Austrisë dhe të Holandës për padi ai i sheh gjakftohtë.
Dallimi në taksën për përdorimin e autostradave si aplikohet kjo në Francë, Austri, Itali apo Zvicër dhe si parashikohet të aplikohet në Gjermani është se këtu kjo taksë pritet të aplikohet vetëm ndaj veturave të huaja.
Eksperti i së Drejtës Evropiane Volker Boehme-Nessler shprehet mjaft qartë: “Me taksën e vetëm planifikuar për të huajt Gjermanët do të bien në kundërshtim me të Drejtën Evropiane.”
Në një rast të tillë do të kishte një trajtim të pabarabartë, gjë që është e ndaluar në parim prej neniz 18-të të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian.
Pra do të kishim diskriminim të drejtpërdrejtë. Sipas mendimit të juristit Boehme-Nessler edhe ideja gjoja e mençur e shefit të CSU-së Horst Seehofer, që taksa të paguhet edhe për veturat me targa gjermane, dhe që kjo taksë të kompensohet me një ulje të taksave vjetore për makinën, nuk është në pajtim me të Drejtën Evropiane.
Një gjë e tillë do të ishte diskriminim i fshehur, thekson Volker Boehme-Nessler.
Prej vitit 2005 për kamionët në Gjermani aplikohet një taksë për përdorimin e autostradave, pavarësisht nëse janë me targa gjermane apo të huaja.
Edhe atëherë Gjermania donte të mblidhte taksa vetëm për kamionët e huaj, kurse kompanitë gjermane të transporteve t’i lehtësonte duke ua kompensuar tarifën e taksës për përdorimin e autostradave me lehtësime të tjera tatimore.
Ky marifet nuk funksionoi, sepse Gjykata Evropiane e hodhi poshtë këtë model duke e shpallur si në kundërshtim me të Drejtën Evropiane.
Kjo histori mund të përsëritet tani sërish me taksën për veturat, mendon shefi i Klubit Automobilistik Gjerman ADAC, Ralf Resch.
Por si do që të vendoset në Gjermani apo në Bruksel, fakt është që për mirëmbajtjen e infrastrukturës rrrugore në Gjermani nevojiten sipas të dhënave të ADAC-së 7,5 miliardë euro.
Në rast se do të aplikohej taksa për veturat e huaja, kjo do të sillte vetëm 260 milionë euro në vit, sepse vëllimi i automjeteve të huaja në numrin e përgjithshëm të përdoruesve të autostradave gjermane përbën vetëm 6%.
/dw & albinfo.ch/
E-Diaspora
-
Würenlos: Dy të rinj shqiptarë aksidentohen duke ikur nga policia Një 28-vjeçar dhe një 33-vjeçar shqiptar u arrestuan në vendngjarje. Njëri prej tyre kishte pësuar plagë... -
Agon Sejdiu – piloti shqiptar që i dha krahë ëndrrës së fëmijërisë -
E zë gjumi në pompën e benzinës, me motorin ndezur – i merret patenta kosovarit -
Aksident tragjik në Itali, humbin jetën dy të rinj shqiptarë -
Një urë mes rrënjëve dhe integrimit, një shtëpi e përbashkët e besimit dhe kulturës
Jeta në Austri
-
Vjena ul emetimet e CO₂ me gati 6% brenda një viti Vjena ul emetimet e CO₂ me 5.8%, duke tejkaluar mesataren e Austrisë. Politikat e forta për... -
Vjenë
Hapen tregjet e Krishtlindjeve në Vjenë -
Rita Ora gati ta ndezë atmosferën në hapjen e sezonit dimëror në Austri -
Nëntë në dhjetë familje austriake përballen me vështirësi në kostot e energjisë -
Austri: Debatohet zgjatja e limitit prej 200 eurosh për orët shtesë pa taksa










