Shkurt.ch

Ticino: “Berna na ka lënë vetëm përballë fluksit të refugjatëve”

Qyteti Chiasso ka vetëm 7800 banorë ndërsa vitin e kaluar është dashur të bëjë zgjidhje për 4549 refugjatë të paraqitur në qendrën e këtushme të azilit.

Kantoni më jugor i Zvicrës, Ticino, ankohet se “është lënë në baltë” nga Berna. Sipas autoriteteve të atjeshme, “Zvicra i ka lënë plotësisht vetëm” përballë fluksit të madh të refugjatëve që shfrytëzojnë kufirin e hapur për të hyrë nga Italia. Kështu ankohet në veçanti kryetari i Ciasso-s, Moreno Colombo nga partia FDP. Ai thotë se detyrohen që për të gjitha problemet të gjejnë vetë një zgjidhje, ndërsa ndihmë nuk kanë as nga Italia.

Qyteti i vogël  Chiasso ka gjithsej 7800 banorë ndërsa vetëm vitin e kaluar është dashur të bëjë zgjidhje për 4549 refugjatë të paraqitur në qendrën e këtushme të azilit. Për 8 muajt e këtij viti ka pasur mbi 2500 azilkërkues. Për këtë arsye Colombo kërkon që së pari në kantonin e tij dhe pastaj edhe në gjithë Zvicrën të bëhet një ndarje më e drejtë e refugjatëve. Por, është ankuar ai, qeverisë në Bernë i mungon vullneti për një gjë të tillë.

Kryebashkiaku ankohet se rojat e kufirit nuk mjaftojnë për të përballur një fluks kaq të madh të refugjatëve që nga Italia ia mësyjnë Zvicrës.ata mund të kryejnë kontrolle të gjera dhe rigoroze vetëm dy deri në tri herë brenda vitit. Pakënaqësia e popullatës është e madhe ka thënë ai, shkruan sonntagsblick.

Për të zbutur problemin me numrin e madh të refugjatëve që sillen rrugëve dhe shkaktojnë pakënaqësi te popullata, Colombo ka zhvilluar një projekt interesant. ”Në Chiasso kemi krijuar 50 vende pune të përkohshme për veprimtari humanitare. Ata që punojnë fitojnë nga 30 franga në ditë, por ato mund t`i marrin vetëm pasi të kenë lëshuar Chiasso-n. Kjo ka bërë që gjatë ditës të ketë më pak burra nëpër qytet”.

Komuna po ashtu ka bërë një ndalim të plotë  e rigoroz të konsumimit të alkoolit nëpër parqet publike. Ndërsa paratë e xhepit (3 franga në ditë) që u takojnë azilkërkuesve u jepen në formë të triskave. Dhe me to nuk mund të blejnë birrë ose pije tjera alkoolike.