Jeta në Zvicër

Sot votohet në kantonin Valais

5 nga gjithsejtë 6 kandidatët në garë do të zgjidhen në funksionin e ministrave në raundin e dytë të votimit në kantonin Valais

Në garë do të zgjidhen vetëm pesë nga gjashtë kandidatët në konkurrencë balotazhi: tre kandidatë të partisë PDC-CVP, si dhe  nga një kandidatë të partive PLR-FDP, PS-SP si dhe SVP-UDC.

Gjatë raundit të parë, kandidati i UDC-SVP, Oscar Freysinger, ishte plasuar më së larti në raundin e parë, duke fituar 53’178 vota. Pas tij radhiten kandidatët e PDC-CVP, Jean-Michel Cina (50’256), Jacques Melly (47’589) si dhe Maurice Tornay (46’728). Socialistja Esther Waeber- Kalbermatten e kishte zënë vendin e pestë me 35’491 vota, para ish-kandidatit Christian Varone, i cili i fitoi vetëm 32’422 vota.

Pas raundit të parë, Christan Varone u tërhoq nga gara dhe në vend të tij, Komitetit drejtues i PLR-FDP,  e ka propozuar unanimisht për kandidat të raundit të dytë, avokatin Léonard Bender.

Léonard Bender, i cili është nënkryetar i shoqatës albinfo.ch, si dhe një personalitet jo i panjohur për shqiptarët në Valais, në Zvicër dhe më gjerë, ka pasur shumë pak kohë për të zhvilluar fushatën, mirëpo mediet zvicerane theksojnë se ai ka qenë shumë energjik gjatë ditëve të kaluara.

Rezultatet e para të raundit të dytë priten të dihen që nga pasditja e së dielës.