Jeta në Zvicër

Rrëzohen nga banesa burri me vajzën tetëvjeçare

Sipas asaj që për TeleM1 përshkruan fqinji Ikmet Dini, në momentin që kanë arritur ekipet e shpëtimit, burri ka qenë pa vetëdije. Ai ka qenë duke pirë një cigare në ballkon, kur ka ndodhur aksidenti

Mëngjesin e së enjtes, nga dritarja e një banese të katit të katërt, në Grenchen janë rrëzuar një burrë dhe një vajzë tetëvjeçare. Me këtë rast, që të dy janë lënduar dhe me helikopter janë dërguar në spital.

Aksidenti ka ndodhur në një godinë banimi në rrugën “Bielstrasse”. Sipas policisë Kantonale të Solothurnit, pak pas orës 07.00 kanë ardhur informata se një person dhe një fëmijë gjenden të shtrirë përtoke.

Policia dhe ekipet e shpëtimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë hasur në dy persona të lënduar rëndë, shkruajnë mediat zvicerane, përcjell Albinfo.ch.

Ata janë dërguar menjëherë në spitalin e Bernës me helikopter. «Sipas hetimeve të para, një burrë 40-vjeçar dhe një vajzë tetëvjeçare janë rrëzuar nga një dritare e një banese në katin e katërt, në lartësi prej dhjetë metrash», ka komunikuar Policia Kantonale e Solothurnit.

Sipas asaj që për TeleM1 përshkruan fqinji Ikmet Dini, në momentin që kanë arritur ekipet e shpëtimit, burri ka qenë pa vetëdije. Ai ka qenë duke pirë një cigare në ballkon, kur ka ndodhur aksidenti. «Papritmas e dëgjova një zhurmë të jashtëzakonshme dhe kur vështrova, burri më gjendej i shtrirë përtoke», e përkujton atë moment Ikmeti. Pas kësaj, ai menjëherë e ka alarmuar policinë.

Se për të lënduarit bëhet fjalë për babanë me të bijën, siç mund të dëgjohet gjithkah nëpër lagje, policia nuk ka dhënë informata. Gjithashtu, ajo nuk komenton nëse të lënduarit gjenden në rrezik jete apo jo.

Mbetet ende e paqartë se si ka ardhur deri te aksidenti dhe për këtë, Policia Kantonale e Solothurnit i ka filluar hetimet.