Një grup personash të panjohur, natën në mes të mërkurës dhe të enjtes, në Mont-sur-Lausanne kanë plaçkitur një transportues të hollash. Vozitësit e transportuesit janë kërcënuar me kalashnikovë, ndërsa plaçkitësit janë arratisur me një shumë të hollash.
Për shumën e të hollave, policia e Kantonit Vaud nuk ka dhënë informata në komunikatën e saj të cilën e transmeton Albinfo.ch.
Plaçkitja ka ndodhur rreth orës 01:00 pas mesnate. Më pas, plaçkitësit ia kanë vënë flakën automjetit, si dhe dy furgonëve e një veture tjetër të vjedhur.
Grupi, për të cilin policia nuk ka të dhëna se prej sa personash ka qenë i përbërë, është arratisur nga vendngjarja me disa vetura. Përkundër mobilizimit të menjëhershëm të policisë për gjetjen e tyre, ata kanë mundur të arratisen. Dy vozitësit e transportuesit kanë kaluar pa lëndime, por të tronditur nga ngjarja.
Në Kantonin Vaud, vitin e kaluar ishte kidnapuar për në Francë një transportues të hollash në mënyrë spektakolare dhe atje është plaçkitur. Plaçkitësit e dyshuar kishin marrë rreth 40 milionë franga, por pas një kohe të shkurtër janë arrestuar.