E-Diaspora

Propozohet krijimi i një Dhome të Tregtisë dhe mbi Fondin për Diasporën

U fol gjithashtu për planet e krijimit të një Dhome të Tregtisë dhe mbi Fondin për Diasporën

Mes takimeve që po zhvillojnë Dardan Gashi dhe Pandeli Majko në SHBA, i një rëndësie të veçantë ishte edhe ai me Shoqatën APEN në New York.

E krijuar 11 vite më parë, Shoqata ka si qëllim bashkimin dhe promovimin e shqiptarëve profesionistë, të tillë si sipërmarrës apo artistë të rinj, shkruan albinfo.ch.

Në qendër të aktiviteteve të APEN është brezi i ri. Ndërsa i përgëzoi përfaqësuesit e Shoqatës së drejtuar nga Etrita Ibroci për punën e tyre, Majko theksoi rëndësinë e organizimit të aktiviteteve vjetore ku të trajtohen tema të rëndësishme që prekin komunitetin shqiptar në SHBA.

Kjo sipas ministrit Majko, do të ishte një mënyrë efikase për konsolidimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me diasporën e saj. Ai foli për stadet e vështira në të cilat ka kaluar diaspora shqiptare, duke përmendur edhe sfidën e ruajtjes së gjuhës tek brezat e rinj.

Majko bëri thirrje për një koordinim më të mirë, duke u kërkuar përfaqësueseve të Shoqatës të propozojnë projekte konkrete që do të mund të diskutohen gjatë tryezave të zhvilluara në Tiranë ose Prishtinë. Krijimi i një rrjeti të studentëve jashtë vendit, do të përfaqësonte sipas tij, një hap konkret drejt konsolidimit të bashkëpunimit.

U fol gjithashtu për planet e krijimit të një Dhome të Tregtisë dhe mbi Fondin për Diasporën.

Drejtuesja e APEN, Etrita Ibroci e vuri theksin tek rëndësia e organizimit të një samiti ku do të diskutohej për projekte konkrete për diasporën. Ministri Majko tha se ishte e nevojshme përfshirja më e madhe e të rinjve, të cilët mund të parashtrojnë idetë e tyre mbi zhvillimin e komunikimit të drejtpërdrejtë.