Jeta në Zvicër

Ministrat e Diasporës takohen me familjarët e ish-ushtarëve të Batalionit ‘Atlantiku’

Dy ministrat vizituan familjen Bytyçi, tre pjesëtarë të së cilës u vranë nga forcat serbe në vitin 1999

Ministri i Diasporës për Shqipërinë, Pandeli Majko dhe homologu i tij në Kosovë, Dardan Gashi, u takuan të hënën me familjarë e ish-ushtarë të Batalionit ‘Atlantiku’, të cilët gjatë luftës së viteve ’90-të në Kosovë, lanë familjet, shtëpitë dhe punën që kishin në SHBA, për t’u bërë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Dy ministrat vizituan familjen Bytyçi, tre pjesëtarë të së cilës u vranë nga forcat serbe në vitin 1999.

Takimi me familjarët u pasua nga homazhe në varrezat ku prehen tre vëllezërit Bytyçi.

Ministrat vendosën kurora lulesh dhe mbajtën një minutë heshtje në nder të tyre. Ish-ushtarët e Batalionit ‘Atlantiku’ që veprojnë si pjesë e Shoqatës “Atlantiku”, parashtruan kërkesën për ngritjen e një obelisku në Tiranë dhe Prishtinë, ku të shkruhen emrat e të rënëve në luftë.

Ministri Majko propozoi organizimin e një aktiviteti të përvitshëm për të përkujtuar themelimin dhe betimin e ‘Batalionit’ të Atlantikut.