CH-Ballkani

Arrestohet në Rinas gjakovari i deportuar nga Zvicra

Një 31-vjeçar nga Gjakova është arrestuar në Aeroportin e Tiranës “Rinas”, pasi ishte shpallur në kërkim për vjedhje me dhunë nga autoritetet e Kosovës.

Policia shqiptare bën të ditur se Astrit Th., ishte kthyer në kategorinë deportiv nga autoritetet policore zvicerane, pasi kishte kaluar afatin e qëndrimit, përcjell albinfo.ch.

Ai dispononte si dokument identifikimi një pasaportë biometrike shqiptare në emër të një shtetasi tjetër nga Shqipëria, por me fotografinë e tij, pasaportë që e kishte bërë në Shqipëri në vitin 2011, kundrejt shumës prej 2000 euro.

“Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, pasi Gjykata e Gjakovës e kishte dënuar në mungesë me 4 vite e 6 muaj burg për veprën penale ‘Vjedhje me dhunë’”, njofton Policia Shqiptare.

Astrit Th., u transferua në PKK Morinë tek autoritetet kosovare për veprime të mëtejshme, thuhet më tutje në njoftim.