CH-Ballkani

369 milionë euro rënie të investimeve për 7 vjet

Kosova ka shënuar rënie drastike të investimeve të huaja prej 35 për qind nga viti 2010 deri më tani. Nëse e përkthejmë në euro, Kosova ka humbur jo më pak se 369 milionë euro të investimeve kapitale.

Nga 400 mijë vende të reja të punës, Kosova në pesë vjetët e fundit ka krijuar rreth 50 mijë vende. E, këto shifra jo të mira për vendin kanë ndodhur pikërisht për shkak të jostabilitetit politik në vend. Kështu thuhet në raportin vjetor të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, të prezantuar në Dubrovnik ditë më parë.

Sekretari gjeneral i kësaj organizate, Goran Svilanoviq, i ka thënë gazetës “Zëri” në Prishtinë se stabiliteti është i nevojshëm për t’i dhënë hapësirë qeverisë, e cila zgjidhet për të treguar se çfarë mund të bëjnë.

Sipas raportit të Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (RCC), që u prezantua në Dubrovnik të Kroacisë, nga viti 2010 në Kosovë ka një rënie drastike të investimeve të huaja, edhe atë prej 35 për qind, apo një humbje investimesh prej rreth 369 milionë euro.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten sfidat kryesore të shteteve të Ballkanit, e që po ndikojnë keq qoftë në krijimin e vendeve të reja të punës apo edhe në investimet e huaja.

Të gjitha shifrat dhe sondazhet tregojnë se korrupsioni është shqetësimi numër një në shtetet e Ballkanit. Kjo u bë e qartë edhe në raportin e fundit të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal.

E korrupsioni mbetet njëra nga shqetësimet më të mëdha të qytetarëve të Kosovës. Mbi 60 për qind e qytetarëve, të cilët janë pyetur në sondazhin e RCC-së në Kosovë, thonë se korrupsioni është shqetësimi i tyre kryesor.