Diaspora dhe pavarësia: mes shpresave dhe iluzioneve
17 Shkurti u shënua me ekspozitë arti dhe koncert festiv
Krijimet e nëntë artistëve shqiptarë nga Zvicra, Gjermania e Kosova janë ekspozuar në foajenë e sallës së hotelit Töss. Aty pastaj është mbajtur koncerti festiv në organizim të Ansamblit “Trojet” nga Winterthuri
Një ekspozitë e arteve pamore, ndonëse e vogël, ka bërë dallimin në programin festiv të mbajtur në Winterthur për 17 Shkurtin. Kjo për faktin se manifestimet e diasporës sonë kushtuar ditëve të shënuara zakonisht kufizohen në koncerte të muzikës, kryesisht valleve folklorike.
Pas përshëndetjes nga nikoqiri, kryetari i shoqatës “Trojet”, Zeqir Gashi, hapjen e ekspozitës dhe një prezantim të shkurtë të autorëve që ekspozonin e ka bërë Dan Kosumi, kryetar i Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë në Zvicër. Si i ftuar për këtë rast nga niloqirët, ai ka përgëzuar nismën për një ekspozitë si kjo dhe është zotuar për një bashkëpunim të ngushtë me krijuesit dhe me subjektet që promovojnë artin.
Në vazhdim kanë marrë fjalën edhe artistët që ishin pjesë e ekspozitës, si Mal Myrtaj, Gani Bytyçi dhe Arsim Berisha ndërsa një fjalë përshëndetjeje e ka mbajtur edhe koreografi i njohur Xhemali Berisha.
Në këtë ekspozitë, punimet e tyre i kanë prezantuar: Idriz Berisha, Mal Myrtaj, Gani Bytyçi, Arsim Berisha, Drita Kengji, Marigona Toma, Bashkim Beqiri, Agron Bajrami dhe Abetare Berila. Shumica e punimeve ishin piktura ndërsa dy nga krijuesit (Mal Myrtaj dhe Bashkim Beqiri) kishin sjellë këtu vepra në skulpturë dhe Agron Bajrami, në pirografi.
Skulptori Mal Myrtaj duke marrë fjalën njohu publikun në pika të shkurtra me historinë e artit ndër shqiptarët, duke synuar sensibilizim më të madh të masave me artin pamor. Ndërsa piktori Gani Bytyçi foli në lidhje me veprat e ekspozuara, lajtmotiv i të cilave, sipas tij ishte etja për dritë dhe liri.
Hapjen e ekspozitës e pasuroi me një pikë simpatike të ekzekutimit në piano, artistja e re Flutura Bytyçi, e cila do të ishte aktive pastaj në gjithë rrjedhën e programit festiv, si moderatorë, këngëtare dhe valltare.
Ndërsa edhe aktori dhe regjisori Adem Kicaj recitoi me këtë rast poezinë “Poçari” të poetit të ndjerë shqiptar Dritëro Agolli.
Programin festiv para një publiku të madh në numër, e ka hapur kryetari i shoqatës “Trojet”, Zeqir Gashi. Pas tij, fjalën e ka marrë edhe përfaqësuesi i Ambasadës së Kosovës në Bernë dr. Sali Sefa. Ai me këtë rast ka përgëzuar shoqatën dhe aktivistët tjerë për mbajtjen gjallë të frymës kombëtare te brezi i ri, përmes aktiviteteve sikur ky dhe ka inkurajuar ata për punë të mëtejme. Po ashtu dr. Sefa u ka uruar 17 Shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës të gjithë të pranishmëve, duke kujtuar me këtë rast se pavarësia ka ardhur si rezultat i sakrificës së madhe të popullit dhe luftës së UÇK-së.
Në emrin e familjeve të dëshmorëve ka përshëndetur Agim Pajaziti, vëllai i heroit Zahir Pajaziti. Ai ka apeluar te politika në Kosovë për më shumë angazhim dhe vigjilencë si dhe ka përkujtuar se kjo festë është gjysmake për faktin se po mbahen në arrest ose po keqtrajtohen disa nga krerët e luftës. Rasti më i freskët është ai i mbajtjes së Ramush Haradinajt të bllokuar në Francë, nën akuzat serbe.
Në vazhdim, në kuadër të programit, grupet e ndryshme të ansamblit “Trojet” interpretuan një numër vallesh nga treva të ndryshme shqiptare. Më impresive ishte sigurisht “Vallja e Pavarësisë”, e njohur tashmë, por e freskuar me disa risi. Koreografi i ansamblit “Trojet”, Arsim Berisha kishte realizuar bashkë me valltarët edhe një numër vallesh tjera.
Po ashtu pati edhe recitime nga fëmijët, anëtarë të shoqatës ndërsa Flutura Bytyçi edhe njëherë shkëlqeu, duke interpretuar këngën shumë të vështirë për moshën e saj “Baresha” të Nexhmie Pagarushës. Flutura po ashtu krahas Adem Kicajt ka bërë edhe moderimin e mbrëmjes.
Përveç ansamblit nikoqir, në programin kushtuar 17 Shkurtit, është paraqitur edhe ansambli “Arbëresha” nga Sirnach-u. Ky ansambël ka prezantuar valle të përgatitura nga mjeshtri Xhemali Berisha, Arsim Berisha dhe Ndue Ukaj.
Me këngë gjatë programit janë prezantuar edhe Nikollë Shtufi, Berat Shala etj. të cilët janë pëlqyer nga publiku i shumtë në numër.
E-Diaspora
-
Kosova do të jetë pjesë në Javën Evropiane të Kulturës në Gjermani Kosova në Kryeqytetin Evropian të Kulturës 2025...
-
Vetëm 7 votues nga diaspora kanë denoncuar se s’kanë marrë fletën e votimit
-
U gjet e pajetë e lidhur pas pemës, detaje nga vdekja e shqiptares në Itali
-
Ekuipazhi i ‘Wizz Air’ akuzoi gabimisht pasagjerët për vjedhjen e telefonit të rojes së sigurisë
-
Po kërkohej nga Austria, arrestohet në Morinë shtetasi i Kosovës
Jeta në Austri
-
Gjithçka që ndryshon në Austri nga muaji maj Nga rritja e çmimeve postare dhe rregullat e reja të banesave në Vjenë te rritja e...
-
Austri: 2500 vende të rezervuara për punëtorë sezonalë nga Ballkani Perëndimor
-
Vjenë: Illyrian Brains organizon event për profesionistë të rinj shqiptarë
-
Çmimet më të larta dhe dërgim më i ngadaltë: Çfarë po ndryshon në postën austriake nga maji 2025
-
La Austrinë për të jetuar e punuar në Kosovë