Lajme

Përparim i madh drejt vaksinës kundër kancerit të lëkurës

Rezultatet e fazës së fundit të provave klinike për një vaksinë eksperimentale kundër kancerit të lëkurës, të zhvilluar nga Moderna dhe Merck, janë vlerësuar si një hap i rëndësishëm në trajtimin e kësaj sëmundjeje.

Kompanitë farmaceutike amerikane Merck dhe Moderna kanë njoftuar rezultate pozitive nga faza e tretë dhe përfundimtare e provave klinike për vaksinën e tyre eksperimentale me teknologjinë mRNA kundër kancerit të lëkurës.

Ekspertët i kanë cilësuar rezultatet si një “përparim të madh”, veçanërisht në trajtimin e melanomës, një prej formave më agresive të kancerit të lëkurës.

Trajtimi i ri, i quajtur intismeran autogene, bazohet në teknologjinë e ARN-së lajmëtare (mRNA), e cila është përdorur edhe në zhvillimin e vaksinave kundër COVID-19. Studiuesit kanë punuar prej vitesh për zhvillimin e trajtimeve kundër kancerit të bazuara në këtë teknologji.

“Ky është njoftimi i parë për rezultate pozitive të fazës së tretë për një terapi kundër kancerit të bazuar në mRNA”, deklaruan Merck dhe Moderna në një komunikatë të përbashkët.

Trajtim i personalizuar për çdo pacient

Terapia e personalizuar, e kombinuar me imunoterapinë Keytruda të Merck, ka përmirësuar në mënyrë statistikisht të rëndësishme kohën pa rikthim të sëmundjes te pacientët me melanomë në stad të avancuar, të cilët më parë i ishin nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.

Rezultatet u krahasuan me pacientët që morën vetëm Keytruda.

Vaksina është e personalizuar për çdo pacient dhe krijohet duke u bazuar në mutacionet specifike të tumorit. Ajo synon t’u “mësojë” qelizave të organizmit të prodhojnë proteina që nxisin një përgjigje imunitare.

Qëllimi është aktivizimi i sistemit imunitar në mënyrë që ai të njohë dhe të sulmojë qelizat kancerogjene.

“Vaksina projektohet mbi bazën e një tumori të hequr plotësisht dhe të analizuar gjenetikisht, në mënyrë që të njohim anomalitë dhe mutacionet specifike që e karakterizojnë atë”, shpjegoi Solange Peters, drejtoreshë e Departamentit të Onkologjisë në CHUV.

Shpresë e re për imunoterapinë

Rezultatet konsiderohen të rëndësishme jo vetëm për pacientët me melanomë.

Onkologu Marco Gerlinger, profesor në Barts Cancer Institute në Londër, i përshkroi ato si një “provë të konceptit se vaksinat e personalizuara kundër kancerit funksionojnë”.

Edhe onkologu dhe profesori asistent në Universitetin e Oksfordit, Lennard Lee, i cilësoi rezultatet si “shumë inkurajuese”, por theksoi se duhet të publikohen të dhënat e plota të provave klinike përpara se të nxirren përfundime përfundimtare.

Solange Peters tha se rezultatet e bëjnë atë optimiste për të ardhmen e kësaj fushe.

Sipas saj, ato mund t’i japin shtysë zhvillimit të vaksinave kundër formave të tjera të kancerit dhe të forcojnë më tej rolin e imunoterapisë në trajtimin e sëmundjeve tumorale.

Provat përfshinë 1,137 persona

Provat klinike u zhvilluan me pjesëmarrjen e 1,137 pacientëve.

Merck dhe Moderna planifikojnë t’i prezantojnë të dhënat në një konferencë të ardhshme mjekësore dhe më pas të nisin procesin për marrjen e autorizimeve rregullatore për përdorimin e trajtimit.

Megjithatë, mbeten të hapura pyetjet lidhur me çmimin dhe qasjen e pacientëve ndaj kësaj terapie.

“Zvicra do të jetë në gjendje ta përballojë mbulimin e saj, por do të jetë shumë e shtrenjtë”, paralajmëroi Solange Peters.

Rezultatet e reja shënojnë një hap të rëndësishëm në kërkimet për vaksinat e personalizuara kundër kancerit, por përdorimi i gjerë i trajtimit do të varet nga vlerësimi i plotë i të dhënave klinike dhe nga miratimet e autoriteteve shëndetësore.