KF „Bashkimi“ nga Siebneni, model i integrimit dhe solidaritetit

Këto ditë përfundoi gjysmëstinori i garave të futbollit. KF “Bashkimi”- Siebnen gjendet lartë në kreun e tabelës, në Ligën e katërt, edhe pse për shkaqe të motit, i ka dy ndeshje minus e që i japin shpresë që deri në fund të stinorit të dalë kampione dhe në stinorin e ardhshëm të rangohet në Ligën e tretë.

KF „Bashkimi“- Siebnen i kantonit Schwyz, është themeluar në vitin 2007 dhe që në stinorin e parë ka qenë kampion dhe është ngjitur një ligë më lartë. “Vitin e kaluar kemi qenë nënkampion, kurse sivjet jemi lartë në kreun e tabelës dhe deri në fund të stinorit shpresojmë të dalim sërish kampion dhe të kalojmë në Ligën e tretë, për çka mendojmë se është një rezultat tejet i lakmueshëm për një skuadër e cila funksionon me vetëfinancim dhe me angazhim vullnetar të lojtarëve dhe udhëheqësisë së klubit.

Duke parë seriozitetin tonë në lojën e futbollit, kohëve të fundit, kemi ftesa nga ligat më të larta zvicerane për ndeshje miqësore. Herën e fundit në fillim të nëntorit 2010 patëm një lojë miqësore me një skuadër të Ligës së tretë të Zvicrës. Për dallim nga klubet e shumta në Zvicër, në klubin tonë të gjithë janë shqiptarë, me prejardhje nga troje të ndryshme”, thotë

– Kush merr karton të kuq, suspendohet nga klubi!

Pyetjes përse klubi përbëhet vetëm me lojtarë shqiptarë, kryetari i KF “Bashkimi” nga Siebneni, Feti Demolli përgjigjet: „që të dëshmojmë suksesin, bazuar në forcën tonë dhe, meqë në Lachen me rrethinë ka shumë futbollistë shqiptarë, kemi dëshiruar që të përfshijmë sa më shumë të rinj, duke synuar një integrim të shëndoshë në shoqërinë zvicerane dhe një dëshmi para organeve zvicerane se trajtimi i barabartë është një shans më shumë për suksese në integrim. Këtë e kemi dëshmuar, gjithsesi, thotë Feti Demolli.

“Ndonëse futbollistët luajnë vullnetarisht për skuadrën e „Bashkimit“ disiplina e tyre  është në nivel të lartë. Çdo lojtar e di se sjellja brutale në lojë dhe shkaktimi i kartonit të kuq ndëshkohet me suspendim nga klubi. Ky nivel i disiplinës, ka sjellë edhe shumë shikues në lojërat e KF „Bashkimi“-Siebnen”, thotë trajneri i klubit, Besnik Thaqi. Tashmë edhe tifozët e „Bashkimit“ janë të rregullt dhe identifikohen me shenjën dalluese „Dardanët“, të cilët udhëhiqen nga tifozi i flakët, Mejdi Memishi.

KF „Bashkimi“ nga Siebneni sivjet ka bërë një gjest që duhet të jetë shembull edhe për klube të tjera sportive jashtë Kosovës. „Bashkimi“ ka zhvilluar lojë miqësore në Kosovë me KF „Gjilani 95“ në Gjilan dhe me KF „Tomorri“ nga Berati, me ç`rast lojtarët janë mirëpritur edhe nga strukturat udhëheqëse të komunave respektive.

Sporti dhe humanizmi

Ky klub për më tepër ka ofruar ndihma materiale për fëmijët bonjakë të fshatit „SOS Kinderdorf“ në Prishtinë. Lojtarët e „Bashkimit“ dhuruan po ashtu edhe pajisje sportive për futbollistët e Gjilanit, të Beratit dhe të fshatit Karaçevë të komunës së Kamenicës. Me mirënjohje u nderuan edhe nga vetë kryetari i Federatës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri dhe kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa.

Feti  Demolli (majtas), kryetar dhe Besnik Thaqi, trajner i KF „Bashkimi“ – Siebnen

“Ne kemi një organizim të mirëfilltë brenda kryesisë së klubit, duke filluar nga kryetari Feti Demolli, sekretari Afrim Muji, anëtarët e kryesisë Destan Kurtishi (edhe kapiten i skuadrës), Ramadan Rexhepi dhe Faton Limani”, thotë trajneri Besnik Thaqi, i cili është shpirtërisht i lidhur me këtë klub. Ai thotë se KF Bashkimi “është pasqyrë edhe për gjeneratën e futbollistëve të vegjël, të cilët shpesh na kontaktojnë dhe shprehin dëshirën që sapo të rriten të jenë pjesë e „Bashkimit“.

Një kontribut të madh për këtë klub po e jep edhe donatori i përhershëm „Armafix GmbH“ me pronar Jeton Korbën. Interesimi për të kontribuar në KF „Bashkimi“ sa vjen e shtohet. Këto ditë vullnetin për t´u bërë pjesë e klubit e paraqiti edhe ish lojtari i njohur i FC Zürich dhe FC Kosova, Adnan Jashari, të cilin KF „Bashkimi“ e mirëpret me kënaqësi.

KF „Bashkimi“ tashmë është i njohur edhe për strukturat e larta të rajonit. Kështu, kohë më parë, SC Siebnen (në kuadrin e të cilit vepron KF “Bashkimi”) pati marrë një shpërblim në emër të  KF „Bashkimi“-Siebnen si skuadra më e disiplinuar, kampione dhe model për integrimin e bashkësisë së shqiptarëve në Siebnen dhe rrethinë. Atë shpërblim e pati ndarë Federata e Futbollit të Rajonit të Cyrihut (FVRZ).

. Feti  Demolli (majtas), kryetar dhe Besnik Thaqi, trajner i KF „Bashkimi“ – Siebnen

Illyrian, ekipi i vetëm shqiptar në botë që luan „Beach Soccer“

Shqiptarët në Zvicër nuk janë të suksesshëm të luajnë futboll vetëm nëpër fusha të gjelbra dhe me ekipe favorite, por edhe në ato me rërë, siç i quajnë „Beach Soccer“,  sport shumë i njohur në SHBA dhe tashmë edhe në Evropën Perëndimore.

Illyrian quhet ekipi i vetëm tash për tash shqiptar në botë që këtë sezon synon të sfidojë ligën e parë profesionale në Zvicër, e quajtur  „Suzuki Beach Soccer“, e cila sponzorizohet nga kompania më e njohur e automobilave „Suzuki“.

Dy vëllezërit, Selami dhe Rabit Rexhepi nga Kamenica e Kosovës, të cilët e formuan ekipin Illyrian në vitin 2009 në Zvicër,  nuk pretendojnë vetëm të zmbrapsin kampionin aktual zviceran „Havanna HotShoots Aarau“,  por edhe synojnë të arrijnë që në të ardhmen në garat ndërkombëtare të futbollit në rërë „Beach Soccer“ të përfaqësojnë vendlindjen e tyre, Kosovën.

„Plani tjetër në një afat më të gjatë kohor është të kontaktojmë Federatën e Futbolli të Kosovës dhe atë të Shqipërisë për të vetmin qëllim, përfaqësimin e tyre në garat ndërkombëtare të futbollit. Në Kosovë dhe në Shqipëri duhet edhe shumë kohë për të zhvilluar këtë lloj sporti.

Selami Rexhepi

Ne kemi këtë mundësi të pëfaqësojmë vendin tonë në „Beach Soccer“,  është shprehur me entuziazëm njëri nga tranjerët dhe futbollistët e ekipit Illyrian, Selami Rexhepi.

Ai ka thënë për albinfo.ch se pa asnjë problem, me një përgatitje dhe përkushtim të madh të ekipit, vitin e kaluar kanë qenë ndër më të mirët në ligën e dytë zvicerane, në një garë të fortë, në mesin e 30 ekipeve.

Ekipin Illyrian e përbëjnë kryesisht futbollistë shqiptarë nga të gjitha viset shqiptare, e që për tranjerin janë vise ilire dhe, për këtë arsye, ai thotë të jetë pagëzuar me këtë emër klubi.

Një përjashtim e bëjnë futbollisti italian, Davide Sodano dhe ai zviceran, Andreas Gloor, të cilët pas asnjë paragjykim dhe me shumë dëshirë stërviten dhe luajnë bashkë me futbollistët shqiptarë.

„Për mua nuk është problem të luaj me shqiptarët, përkundrazi në këtë ekip e kam gjetur veten dhe po ndjehem mirë si një familje. Mua po më duket sikur po luaj me bashkëkombësit e mi italianë. Me rëndësi është të jemi kampion“, thekson Sodano.

Në ekip vërehej se ka një harmoni në mesin e lojtarëve.

„Një sport i tillë është risi jo vetën në Zvicër, po edhe në vendet e tjera, se ne jemi njëri prej ekipeve të para që luajnë futboll në rërë, dhe duhet të tregojmë se jemi më të mirët. Ekipin tonë e përbëjnë shumica lojtarët shqiptarë, por megjithatë mbretëron harmoni e theksuar në mesin tonë“, shprehet studenti Orhan Spahiu.

Rabit Rexhepi

Rabit Rexhepi, i cili me një angazhim të madh ka arritur që klubi i tyre Illyrian të jetë  i regjistruar në ligën e parë zvicerane „Suzuki Beach Soccer 2011“,  ka  thënë se vazhdimisht janë në stërvitje në sallën e sportit në Dietikon, që kur të nisë sezoni në maj të jenë sa më të pëgatitur për kampionatin zviceran, në të cilin garojnë 16 ekipe.

Të gjitha lojrat e futbollit në rërë do të luhen në Zvicër dhe do të transmetohen nga televizionet e njohura sportive zvicerane.

„Futbolli në rërë  „Beach Soccer“ dallon nga futbolli normal, nevojitet teknikë dhe kondicion i madh dhe luhet pa patika dhe çorapa “, sqaron Selamiu.

Dy vëllezërit Rexhepi, njëri projketues në ndërtimtari të lartë dhe tjetri inxhinier i makinerisë, kanë kryer kurse të shumta për të qenë sa më të suksesshëm në krye të ekipit të tyre.

Ekipi i tyre numëron 18 lojtarë, ashtu e kërkon lloji i këtij sporti, që duhet të ndërrohen me njëri-tjetrin për shak të lodhjes nga vrapimi në rërë. Por, nuk do të thotë që nuk kanë nevojë edhe për futbollistë të tjerë.

„Ne jemi të hapur edhe për lojtarë të rinj“, ka thënë Selamiu.

Drejtuesit e Illyrian po bëjnë plane që kët vit të formojnë edhe Ekipin B, me të cilin do t’iu mundësohet lojtarëve të rinj të provojnë shkathtësitë e tyre edhe në futboll me rërë.

Madje është paralajmëruar formimi edhe një ekipi për femra, por e gjithë kjo sipas tyre do të varet nga paraqitja e sponzorëve.

Anëtar nderi i klubit është futbollisti i njohur kosovar, Milaim Rama.

„Ai e viziton shpesh klubin për t‘i motivuar lojtarët tanë“, tregon tranjeri Rexhepi.

Futbollisti tjetër, Besnik Thaçi, kishte braktisur ekipin e tij në ligën e dytë zvicerane në futboll për t‘iu bashkangjitur ekipit Illyrian.

Ai është zgjedhur golashënuesi më i mirë në vitin 2010, me 14 gola të shënuara.

„Futbolli në rërë më pëlqen më shumë, sepse bëhet lojë „Fairplay“ dhe tashmë më është bërë pasion, me gjithë stërvitjet e rregullta dhe intenzive“, e arsyeton braktisjen e futbollit Thaçi.

Për lojë “Fairplay”, vitin e kaluar,  klubi BSC Illyrian, ka zënë vendin e tretë në mesin e 20 ekipeve tjera zvicerane.

Megjithatë këkohet shumë eksperiencë në futboll, thonë lojtarët.

„Përveç kondicionit, eksperienca në futboll në rërë duhet të jetë më e madhe në krahasim me futbollin normal, ngase topi vazhdimisht është në ajër“, ka thënë futbollisti tjetër me përvojë disavjeçare, Afrim Danaj.

Drejtuesit e klubit BSC Illyria në prag të kampionatit po ballafaqohen me problemin e sponzorizimit të aktivitetit të ekipit, që për fillim është i pjesërishëm. Deri tash mbështetje kanë gjetur vetëm nga kompanitë Striker Beer në Meilen dhe EMS BAU nga Winterthuri.

Vëllezërit Rexhepi shpresojnë që para fillimit të kampionatit të lehtësohet edhe kjo barrë e klubit.

Për më shumë për ekipin shqiptar në botë në „Beach Soccer“, BSC Illyrian mund të vizitoni faqen e internetit: www.illyrian.ch

Arjeta Krasniqi, në mes kombëtares shqiptare dhe modelimit në Gjermani

Futbollistet e kombëtares shqiptare për femra, janë fare të reja në fushë. Skuadra e tyre është formujar vetëm para një viti, dhe, në dy ndeshjet e deritashme ato kanë shënuar dy fitore, kundër Maqedonisë, me rezultatin një me zero, si vendëse dhe 4 me 1 si mysafire.

Kjo na bën të fortë. Ne tashmë kemi mbështejen dhe vetëbesimin e nevojshëm. Ndeshja e ardhshme për kombëtaren, lirisht mund të vijë”, thotë Arjeta Krasniqi.

Kjo vajzë 22 vjeçare është lojtare mesfushore në kombëtaren e Shqipërisë ndërkohë që në Gjermani luan në Ligën e katërt për skuadrën DJK St.Hubert. Krasniqi jeton në Gjermani që nga mosha 3 vjeçare, kur familjarët e saj kishin kërkuar këtu strehim  si refugjatë. Aktualisht Arjeta është duke kryer një kualifikim për ndihmëse të dentistit. Këtu ajo e ndjen veten në shtëpi të sajën. Shqipen mezi e flet.

Në fitoren me rezultat 4:1 në Maqedoni, Arjeta kishte ndeshjen e saj debutuese. Një mik i babait të saj ia kiushte rekomanduar atë trajnerit nacional, Altin Rrakllit. Ish profesionisti Shqipërisë dhe i Gjermanisë, i cili veç tjerash kishte luajtur për Hertha BSC Berlinin, ka mbrojtur 63 herë ngjyrat e kombëtares së Shqipërisë, shkruan spox.com.

Pas kthimit në Shqipëri, Rraklli iu kushtua futbollit të femrave. Ai themeloi skuadrën Tirana AS, me të cilën fitoi në një turnir testues edhe titullin e kampionit në sezonin 2009-2010. Sot, në ligën e femrave luajnë tetë skuadra, në mesin e të cilave Rraklli hulumton me përkushtim talentet e reja. Vitin e kaluar ai u bë edhe trajner i kombëtares.

Fillimi i suksesshëm, shto këtu edhe fondet mbështetëse nga FIFA dhe UEFA për ngritjen e futbollit të femrave, përcaktojnë edhe planet e ish futbollistit tashmë 41 vjeçar. Rraklli ka hulumtuar shumë futbolliste shqiptare jashtë vendit dhe ka gjetur. Në Norvegji, në Suedi dhe këtu, në Niederrhein të Gjermanisë.

“Trajneri është një super tip dhe tepër cool. Shumë i butë, por njëkohësisht edhe shumë i disiplinuar dhe profesional. Është i tillë që e di saktësisht çfarë dëshiron dhe që i njeh mirë kufijtë në mes të shakasë dhe punës”, thotë Arjeta, e cila, paralelisht punon edhe si modeliste.

“Jam futbolliste edhe pse nuk dukem si e tillë”, shkruan në kartën e saj. “Kështu mbaj kondicionin”, thotë ajo. “I gëzohem që tash ndeshjes së ardhshme për kombëtaren”, shton Arjeta. Dhe kjo duhet të jetë diku në fillim të vitit . Ka mundësi që kundërshtare do të jetë Greqia.

“Ne duam që të bëhemi skuadra më e fortë në Ballkan”, thotë shqiptarja ambicioze.

Alban Rexha, margaritari i hokejit mbi akull

Në mesin e një morie boksierësh e futbollistësh shqiptarë,  të suksesshëm e më pak të suksesshëm, në Zvicër është vetëm një lojtar  “për hasret” që kultivon sportin shumë të popullarizuar këtu, hokejin mbi akull.

Alban Rexha quhet 19 vjeçari nga Langnau i kantonit të Bernës, i cili luan për SCL Tiger të po këtij qyteti, skuadër që bën gara në ligën e parë të Zvicrës (NLA). Vitin e kaluar,  kur Albani qe angazhuar si 18 vjeçar në ekipin e parë të SCL Tiger, ka qenë shqiptari i parë që ka luajtur ndonjëherë në ndonjë ligë evropiane të hokejit .

Në botë, para tij, ka qenë vetëm i famshmi Tahir Tie Domi, i cili njihet për lojën e tij “të fortë” në ligën e hokejit kanadez.

Ekspertët e hokejit e quajnë Albanin “margaritar”, nga i cili pret shumë  jo vetëm SCL Tiger por i gjithë sporti i hokejit mbi akull i Zvicrës.

Më 2 tetor fillon sezoni i këtij sporti, që në sallat e Zvicrës mbledh shikues pothuaj sa futbolli. E pikërisht më 2 tetor të vitit të kaluar Rexha pati luajtur ndeshjen e parë me ekipin e tij, me ç`rast kishte shënuar edhe golin e parë.

Siç e patën regjistruar edhe mediet zvicerane atëbotë, ishte ky “goli i parë i shënuar nga një shqiptar-kosovar në hokejin zviceran” e më gjerë.

Albani është lindur dhe rritur në Langnau. Këtu ai nga fëmijëria e hershme ka ndjekur me pasion ndeshjet e hokejit. Kështu, angazhimi dhe ngritja e tij në fushën e akullt ka ardhur krejt natyrshëm.  Ai ka luajtur tashmë me të gjitha grupmoshat hokej mbi akull dhe ka kaluar nëpër të gjitha sprovat që duhet të kalojë një lojtar i ri i këtij sporti interesant.

Tash është koha që ai shpalosë gjithë talentin dhe fuqinë e tij. Ai gëzon edhe simpatinë dhe përkrahjen e publikut të Langnaut dhe të Zvicrës. Tash e tutje, edhe të atij shqiptar.

Shqiptarja, kampione në makina me energji alternative

Fundjavën e kaluar me Ecorally San Marino, Qyteti i Vatikanit mbaroi kampionati botëror i organizuar nga Federata Internacionale e automjeteve i rezervuar për automjetet e ushqyera nga energji të rinovueshme.

Në garë u rendit në vendin e gjashtë shqiptarja Desara Muriqi, e cila me këtë rezultat shënoi një seri rekordesh, pasi është në fakt, pilotja e parë shqiptare që arrin të marrë pikë në klasifikimin botëror FIA, dhe është femra që ka arritur vendin më të lartë në historinë e Kampionatit Botëror për Energji Alternative.

Desara Muriqi, lindur në Shkodër në vitin 1985, jeton në Itali – Sansepolcro, Toscana – që nga shkurti i vitit 2002. Ajo është shembull perfekt integrimi, shkruan gazeta “Shqip”.

E diplomuar në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Sienës, flet rrjedhshëm pesë gjuhë, është aktore teatri dhe nxënëse e profesorit Andrea Merendelli. Në garën e fundit të Kampionatit Botëror FIA, Desara, pilote e skuadrës Imega – ka nisur një Jeep kineze ‘Gonow GA200′. Pranë saj, duke përbëre një ekip kozmopolit, ndodhej si co-pilote ukrainsja Yulia Lutsyk.

Me këtë vend të gjashtë, pilotja shqiptare është demonstruar veçanërisht e aftë, duke mundur kampionin italian Vincenzo Di Bella i cili aktualisht është zëvendës kampion botë, po ashtu dhe francezin Raymond Durand, kampion në vitin 2009 dhe 2010.

“Shpresoj që ky rezultat i rëndësishëm- tha gjatë ceremonisë së dhënies së çmimeve Desara Muriqi- të ndihmojë në përhapjen e kulturës ambientaliste dhe ekologjike në Shqipëri. Një hap i parë në Shqipëri do të ishte përhapja e përdorimit të energjisë së pastër si gazi”.

Geldona Morina, ylli shqiptar i radhës në futbollin gjerman

Geldona Morina, ylli shqiptar i radhës në futbollin gjerman.

Pas Afërdita Podvoricës, Afërdita Kamerajt dhe sidomos Fatmire Bajramajt, futbollin gjerman do ta stolisë edhe një shqiptare tjetër. Fjala është për Geldona Morinën. Për të shkruajnë mediet gjermane si për një talente të dalluar. Ka vetëm 18 vjet dhe premton shumë.

Klubi SG Essen-Schönebeck i bundesligës së parë gjermane në futbollin për femra i ka marrë rivalit të tij FCR 2001 Duisburg futbollisten Geldona Morina. 18 vjeçarja me rrënjë kosovare ka luajtur gjatë sezonit të kaluar në skuadrën e Ligës së dytë, por është inkuadruar për një kohë të shkurtë edhe në atë të ligës së parë.

Në Essen ajo ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare që skadon më 30 qershor 2014.

Geldona Morina bën pjesë në kuadrin e zgjeruar të kombëtares gjermane për femra, në kategorinë U19. Ndërsa në Essen asaj i është besuar që në sezonin që vjen të ketë pozitën e saj të titullares në ekipin e parë.

Besnik Bekteshi kalon në basketbollin profesional

Basketbollisti standard i skuadrës U20 të kombëtares gjermane, shqiptari nga Kosova Besnik Bekteshi ka kaluar në profesionizëm. Talenti 19 vjeçar do të luajë tash e tutje për klubin e bundesligës së basketbollit Neckar Riesen Ludwigsburg.

Ai deri më tash ka kaluar në të gjitha shkallët e programit basketbollistik të Ludwigsburgut dhe para dy vitesh pati debutuar edhe në bundesligë.

“Është koha për të bërë këtë hap. Kalimi në mesin e kuadrove tona profesioniste është pozitiv për zhvillimin e tij”, ka thënë kryetrajneri Steven Key. Natyrishrt Besniku duhet të mbarojë njëherë shkollimin me sukses. Pastaj ai mund të përqendrohet plotësisht , që, në vitet e ardhshme të bëhet basketbollist profesionist me kohë të plotë”.

Bekteshi ka pasur gjatë muajve të fundit një seri shumë të suksesshme ndeshjesh ndërkombëtare për skuadrën U20 të Gjermanisë, në përgatitje për Kampionatin Evropian që do të mbahet në Slloveni.

Krasniqët e suksesshëm: Si xhaxhai ashtu edhe nipi

Boksieri 16 vjeçar, Ardian Krasniqi po merr lëvdata nga të gjitha anët. Para së gjithash, edhe nga xhaxhai i tij, legjenda e boksit, Luan Krasniqi.

Klubi i boksit Rottweil ka korrur sukses të plotë në garat për kupën Schönberg, në Pfullingen. Për këtë sukses meritat i takojnë edhe Krasniqit. Jo Luanit, por nipit të tij, Ardianit, boksierit shumë të talentuar 16 vjeçar i cili fitoir në kategorinë e juniorëve kundër Kamil Bochnia me rezultat bindës 3:0.

Bochnia ka qenë edhe kampion i Gjermanisë ndërsa tash, pas humbjes nga Krasniqi, bilanci është në favor të shqiptarit.

Ka qenë një meq luftarak, të cilin Ardiani e ka dominuar tërë kohën. 16 vjeçari po korrë tashmë lëvdata nga të gjitha anët. Dhe, që është më me rëndësi, edhe nga xhaxhai i tij, legjenda e boksit gjerman, Luan Krasniqi.

“Jam i entuziazmuar se sa me zell dhe ambicie trajnon ai. Kur e mendoj se si kam boksuar unë në moshën e tij, më duhet ta them se është bukur të shohësh, se me çfarë teknike bokson ai dhe se si i lëviz këmbët”, ka thënë Luan Krasniqi duke komentuar suksesin e nipit të tij, Ardian Krasniqi.

Xhaka merr çmimin Ambasador i “sportit pa kufij”

Njëri nga futbollistët më të mirë të kombëtares zvicerane të futbollit, Granit Xhaka ka mohuar të premten në Prishtinë, se qëllimisht e ka humbur golin kundër kombëtares së Shqipërisë në ndeshjen eliminatore për botërorin “Brazili 2014”. Ai tha se nuk e mori topin mirë dhe nuk e konkretizoi në mënyrën e duhur.

Mirëpo ai la të kuptoj se shansin që ka humbur në Zvicër do ta konkretizojë në ndeshjen kthyese në Tiranë. “Nuk e morra topin mirë. Portieri doli dhe nuk desha të lëndohesha, kjo është e tëra. Mirëpo do ta shohim në Tiranë”, tha ai para gazetarëve në Prishtinë.

“Shqipëria ka një skuadër shumë të mirë. Këtë e kemi parë në ndeshjen e parë, por megjithatë ne (Zvicra) jemi favoritë”, tha Xhaka.

Granit Xhaka, anëtari i skuadrës gjermane Borussia Monchengladbach, ka ardhur në Prishtinë bashkë me familjen e tij për t’i kaluar festat e fundvitit. Mirëpo menjëherë ai ka pasur një agjendë shumë të ngjeshur.

Ylli i bundesligës u nderua me çmimin “Ambasador nderi” nga Sporti pa kufi. Ai vizitoi selinë e organizatës franceze “Sport Sans Frontiere”, ku u prit nga ambasadorja franceze në Kosovë, Estelle Maitre.

Këtë çmim para tij e kishte marrë legjenda e futbollit franceze Lilian Thuram.

“Jam shumë i nderuar për këtë çmim. Unë do të mundohem edhe në të ardhmen që sa më mirë të prezantoj veten dhe të jem shembull i mirë për shqiptarët”, tha Xhaka, i cili gjithashtu vizitoi Klubin Futbollistik Prishtina.

Në këtë klub, Xhaka u prit nga drejtori i “KF Prishtina” Remzi Ejupi dhe nënkryetar i klubit Ahmet Kurtolli. “Jam shumë i lumtur që jam në mesin tuaj”, tha Xhaka, i cili para shumë gazetarëve kosovar foli edhe për objektivat e tij në bundesligë.

Ai tha se do të vazhdojë të luaj te Borusia  dhe do të mundohet të tregoj talentin e tij prej një futbollisti profesional. Ndërsa nuk e harroi në konferencë pa e përmendur edhe bashkëlojtarin e dikurshëm në Bazel, Xherdan Shaqirin.

“Xherdanin e kam shok dhe komunikojmë shpesh me të”, tha Xhaka, duke mos e harruar golin qi ai ua dha në ndeshjen derbi në bundesligë.

“Ishte pak vështirë pasi na dha Xherdani gol, por në fund nga një pikë ishte mirë për të dy. Në fund i ndërruam fanellat”, tregoi si me shaka Granit Xhaka.

Ndërsa Remzi Ejupi tha se Granit Xhaka është krenaria e kombit shqiptar. Ai nuk e mban emrin vetëm për vete, por për të gjithë neve tjerëve, andaj ka një barrë shumë të madhe mbi supe. Ai punon për imazhin e këtij vendi. Në këtë errësirë Graniti është një yll që shndrit kudo”, tha ndërkaq Ejupi.

21.12.2012

Katër veta me mbiemrin Shoshi, në një ekip

Vëllezërit Shoshi; Bledari 16 vjeçar dhe Blerandi 15 si dhe kushërinjtë e tyre Arlindi dhe Gentiani, të dy 15 vjeçarë  luajnë futboll për të njëjtën skuadër. Klubi ku tinejxherët luajnë si juniorë në sportin e tyre ë zgjedhur quhet Vfb Imo Merseburg. Dhe, kur dalin  në fushë katër veta me të njëjtin mbiemër, patjetër krijohet njëfarë rrëmuje, së paku për komentatorët. Trajneri i tyre Rene Hillgruber pranon se ka probleme me katër Shoshët “e tij”.

Ata kanë filluar të luajnë nga janari i këtij viti. Skuadra bën pjesë nga fundi i tabelës së klasifikimit të ligës së qarkut dhe kjo sipas trajnerit ka të bëjë me atë se e kanë pasur të vështirë të kompletojnë një 11-ësh të tërë. Në këtë drejtim duket se katër Shoshët përbëjnë një zgjidhje. Hillgruber thotë se sidomos në fillim nuk ka qenë e thjeshtë të mësohet me katër lojtarët me një mbiemër. Sidomos dy vëllezërit Bledari dhe Blerandi  që kanë ardhur nga SV Eintracht, skuadër që është ngritur në ligën e landit, ishte shumë e vështirë të dalloheshin,.

Rreziku i ngatërrimit për shkak të mbiemrit të njëjtë ekziston edhe në prezantimin e tyre në protokollin e lojës, ku shkruhen emrat dhe numrat e lojtarëve. Megjithatë trajnerët kanë gjetur mënyrat se si të identifikojnë katër lojtarët e rinj, shkruan “Mitteldeutsche Zeitung”. Kryesisht përmes tipareve të fytyrës dhe gjatësisë së trupit.

Problemi me Shoshët paraqitet edhe nëpër turnetë ku merr pjesë skuadra. Kështu në një turne të tillë ishte dashur që Bledari të zgjidhej lojtari më i mirë , por organizatorët e thirrën Blerandin. Herë pas here ndodh që edhe ndonjë gol të shënohet në “llogari” të tjetrit, tregojnë bashkëlojtarët.

06.03.2013

Ndërkohë që Gentiani dhe Arlindi janë të lindur në Gjermani ndërsa Bledari dhe Blerandi kanë ardhur ë këtë shtet në vitin 2010 nga Istogu i Kosovës.

Orhan Ademi, shqiptari i radhës në bundesligën e parë

Klubi i njohur gjerman i futbollit Eintracht nga Braunschweigu, ka arritur të realizojë synimin tij, të kthehet, pas 28 vitesh mungesë, sërish në bundesligën e parë. Dhe, me të edhe një futbollist tjetër shqiptar i bashkohet numrit jo të madh të bashkatdhetarëve tanë në ligën aktualisht mbase më të fortë në botë. Fjala është për Orhan Ademin 21 vjeçar, i cili në Eintracht ka shkuar nga Zvicra, ku ka jetuar më parë dhe i jeton familja.  Ai, veç shtetüesië së Zvicrës ka edhe atë të Maqedonisë.

Një fitore e arritur në Ingolstadt ka qenë sinjali për kalimin e klubit tradicional (kampion gjerman në vitin 1967) në vendin që i takonte, në bundesligën 1.

I kapluar nga entuziazmi, Orhan Ademi thotë: “më mungojnë fjalët. Ne, thjesht, jemi të gëzuar që më në fund funksionoi”, shkruan blick.ch.

Ademi ka një pjesë të mirë të meritave për suksesin e skuadrës gjermane. Ai gjatë këtij sezoni ka shënuar katër gola dhe ka bërë katër asistime. Ademi luan për kombëtaren U21 të Zvicrës.

Në ligat zvicerane, ndërkaq, ai nuk ka luajtur asnjë ndeshje si profesionist. Në moshën 17 vjeçare pati kaluar nga FC Au-Bernecke në klubin austriak të ligës së dytë, Altach, ku i kishte rënë në sy trajnerit të Brauenschweigut Torsten Lieberknecht. Dhe, verën e kaluar, Ademi shkoi të luajë në Eintracht Brauenschweig, në bundesligën e dytë. Që në ndeshjen e parë ai pati shënuar gol dhe me këtë i shtroi vetes rrugën për vend në formacionin standard.

Në rast se arrin të dëshmohet po kështu edhe në bundesligën e parë, fare lehtë Ademi mund të gjejë vend në mesin e të përzgjedhurve të Hitzfeldit, në përfaqësuesen zvicerane.

 

27.04.2013

Shqiptari, trajner në ligën NLA të Unihokej-it

Luan Misini, një shqiptar nga Berna, është emëruar trajner i klubit të ligës superiore të unihokej-it (hokej në sallë, pa akull) Grasshoper Club Zürich. Kosovari 35 vjeçar ka lidhur kontratë njëvjeçare me këtë klub, duke i zënë vendin suedezit Magnus Svenson i cili e ka braktisur së fundi klubin nga Cyrihu.

Së fundi Luan Misini ka punuar në klubin Biel-Seelnd, kryetrajner i ekipit U21. Para kësaj Misini për katër sezone ka qenë ndihmëstrajner Floorball Köniz, me të cilin në vitin 2008 kishte fituar kupën  dhe kishte arritur në finalen e play-offit. Në vitin 2006 si kryetrajner i juniorëve U21të Floorball Köniz ishte bërë kampion i Zvicrës.

Pas tri vitesh pauzë Misini është kthyer sërish nëligën superiore (NLA) të Zvicrës, shkruajnë mediet zvicerane.

”Dardania” e Lozanës, çerdhe e kampionëve të karatesë

Në mesin e shumë klubeve sportive shqiptare në diasporë, me mjaftë sukses vepron edhe klubi i karatesë nga Lozana. Për këtë klub është shkruar edhe më herët si në Kosovë në mjetet e informimit në gjuhën shqipe,  po ashtu edhe në  gjuhët tjera në Zvicër.
Klubin e kanë formuar vëllezërit Mahalla nga Ferizaj, në vitin 1995. Këta vëllezër janë shumë të njohur si në Kosovë po ashtu edhe në diasporë. Pos si familje karateistësh ata njihen edhe si kontribuues të mëdhenj të çështjes kombëtare. Më i madhi i tyre, Fahri Mahalla është edhe themeluesi i parë i klubit të karatesë në Ferizaj, në vitet e 70-ta të shekullit të kaluar.
Këtë përvojë e vazhduan edhe në Zvicër ku e formuan KK Dardania në Lozanë.
Të flasësh për këtë klub nuk mjafton vetëm një shkrim sepse KK Dardania ka korrur suksese të shumta që nga themelimi e deri në ditët e sotme. Nga ai kanë dalë karateistë kulmorë si Halil Mahalla, i cili në petkun e reprezentacionit të Zvicrës ishte kampion evropian dhe fitues i shumë turneve të ndryshme ndërkombëtare. Por më i suksesshmi deri tani është djali i Fahriut, Fehmi Mahalla, i cili tani është edhe trajner i klubit.
Edhe për sukseset e Fehmiut është shkruar shumë në shtypin shqiptar dhe zviceran. Në vazhdim, vetëm disa nga sukseset e shumta të tij: Kampion Evropian në versionet WKF dhe EKF me 2005; rekordmen zviceran, 14 herë kampion në nivel të Zvicrës,  sukses që do të jetë vështirë ta përsërisë dikush tjetër; fitues i shumë turneve ndërkombëtare si në Paris, Londër, Milano, Roterdam etj.; Posedues i shiritit të zi IV DAN.
Fehmiu tani tërë dijen e tij të akumuluar për vite në këtë sport e bartë te brezat e rinj, në klubin ku është trajner.
Ditën kur e vizituam klubin, karateistët ishin ne vlugun më të madh të ushtrimeve. Me këtë rast  bëmë disa foto gjatë ushtrimeve dhe zhvilluam një bisedë me trajnerin dhe disa nga anëtarët e klubit.
Momentalisht ushtrimet i ndjekin mbi 20 anëtarë të rregullt, thotë Fehmiu. Ai tregon pastaj se shumë karateistë të njohur shqiptarë dhe të huaj, para garave të mëdha vinë në klub dhe kërkojnë nga Fehmiu që t’ua mësojë fshehtësitë e këtij sporti në mënyrë që të kenë sukses në gara të ndryshme. Ai ka vite që e ofron një ndihmë të tillë dhe çdo herë ka pasur sukses. Nga “shkolla” e tij kanë dalë shumë kampionë edhe fitues të turneve të ndryshme. Një ndihmë të tillë Fehmiu ua ka dhënë karateistëve nga Kosova, si Alvin Karaqi dhe Herolind Nishevci të cilët u përgatitën te ai në prag të kampionatit botëror.
Fehmiu po ashtu na prezantoi edhe disa nga karateistët e rinj të suksesshëm që ushtrojnë në klub. Ndër ta është Drilon Mahalla, fitues i medaljes së bronztë në Kampionatin Zviceran, pastaj e reja 13 vjeçare Tena Warbenger, nënkampione zvicerane, Andreja Do Santos, nënkampione zvicerane dhe fituese e disa turneve të ndryshme, Shqipërim Salihu, kampion zviceran e shumë anëtarë tjerë.
Një bashkëpunim të ngushtë kuptuam se ky klub ka edhe me klubet e ngjashme në Kosovë si me KK Kastrioti nga Ferizaj etj. Po ashtu Fehmiu thotë se një bashkëpunim të ngushtë ka edhe me Federatën e Kosovës në karate, nga e cila disa herë ka qenë i ftuar të mbajë seminare për karateistët e rinj. Seminare të tilla ka mbajtur edhe në shumë vende tjera evropiane.
Se me të vërtetë punohet shumë në këtë klub dhe sukseset nuk mungojnë u bindëm edhe vetë gjatë ushtrimeve. Ato mbahen tri herë në javë: të hënën, të mërkurën dhe të premten.

Adresa ku mbahen ushtrimet është: Chemin de Croset 9 B në Ecublens, afër Lozanës.  Për ushtrime pranohen të gjithë të interesuarit nga mosha 5 vjeçare e më tutje.
Setmer Selmani

06.07.2013

Ylli Sallahi, ylli shqiptar i radhës në Bajern

Ylli Sallahi ka kaluar para dy vitesh nga juniorët e ekipit austriakë Kapfenberger SV në ekipin e dytë të Bajernit.

Sot ndërkaq, kur Bajerni përballët për herë të parë me Pep Guardiolën si trajner në Ligën e Kampionëve kundër CSKA Moskau, emri i Ylli Sallahit figuron me numër 38 si mbrojtës i majtë,  pas lojtarëve si Mario Götze, Frank Riberi e Xherdan Shaqiri që luajnë në mesfushë.

Ylli ka lindur më 6 prill 1994 në Kosovë, është lojtar anësor me një të majtë të fuqishme.

„Si lojtar ofensiv, ai është shumë i fortë. Ai ka një të majtë të fuqishme. Gjuajtjet e tij nga distanca janë të pandalshme. Nëse gjuan, atëherë topi godet golin si një raketë. Përveç kësaj ai jep edhe asistime shumë precize“, e vlerëson Yllin ish-trajneri i tij, Zurman.

Nëse ai nuk lëndohet dhe ka sadopak fat, mund të bëjë emër në Bundesligën gjermane, vlerësojnë njohësit e futbollit.

Ylli vlerësohet si një djalë i urtë që merr rolin e liderit në lojë. Nuk flet shumë, por është shumë prezent në fushë. Ekspertët e kanë vlerësuar Yllin si një talent që mund të ndjek rrugën e David Alabës. I cili me zgjuarsinë e tij në lojë dhe forcën e këmbës së majtë ka potencialin të bëhet pjesë e ekipit të parë.

Dhe, siç duket hapin e parë e ka hedhur. Ai ka arritur ta bindë Guardiolën, që emri tij  së paku të figurojë në listën e lojtarëve rezervë që kanë të drejtë loje në Ligën e Kampionëve.

Bekim Dalipi

22.09.2013

Diana Sopjani, kampione botërore në kickbox

Dëshmitë se nuk janë vetëm meshkujt shqiptarë të suksesshëm në sportet luftarake, por edhe femrat kemi tashmë nuk janë të rralla. Më e reja na vjen nga Kreta, Greqi, ku Diana Sopjani, 15 vjeçe nga Gjermania ka fituar medaljen e artë dhe titullin e kampiones botërore në kickbox. Kjo ka ndodhur më 25 tetor.

Diana bën gara në kategorinë deri në 60 kilogramë dhe me këtë sport ka filluar të merret që prej pesë vitesh. Fillimisht ka qenë kampione në landin Baden Württemberg, pastaj është bërë kampione e Gjermanisë dhe që fundi, edhe kampione botërore.
Diana jeton me prindërit në Gjermani dhe është me prejardhje nga Lipjani i Kosovës.

Sporti që ka zgjedhur ajo, së paku tash për tash, nuk i sjell fitim. Përkundrazi. Siç shkruajnë mediet gjermane, edhe shkuarja e Dianës në Kampionatin Botëror në Kretë qe vënë në pikëpyetje pasi që asaj i mugonin të hollat për këtë gjë.
Në momentin e fundit, pasi që babai i saj bëri një apel te federata e këtij sporti në Gjermani, asaj iu siguruan mjetet për të marrë pjesë në kampionat. Prej nga natyrisht ajo nuk i zhgënjeu kolegët dhe miqtë e këij sporti, pasi u kthe me medalje të artë.

01.11.2013

Visar Bytyqi, i katërti në “Kampionatin Botëror të saunës”

Të jesh mjeshtër i banjës me avull, që njihet me emrin “sauna”, sigurisht, nuk është për tu nënçmuar.  Por, të jesh kampion botëror në këtë zanat është një gjë për të cilën duhet punuar shumë dhe duhet treguar kreativitet.

Eh, shqiptari nga Kosova, me qëndrim në Gjermani, Visar Bytyqi, kësaj here nuk ka arritur të bëhet kampion, por ka zënë sidoqoftë, vendin e katërt, që është pozitë e denjë për respekt.

Këtë rezultat, mjeshtri nga banjat “Eifel Therme” të Gjermanisë e ka arritur në garën e quajtur “Kampionati Botëror i saunës, 2013”, të mbajtur në Bad Hofgastein afër Salzburgut të Austrisë.

Në një konkurrencë prej 49 pjesëmarrësish nga 23 vende të botës, Visari ka entuziazmuar rreth 500 fansa të saunës me kreacionin e tij të emërtuar “Infuzioni i kohës së gurit”, për të cilin kishte punuar disa muaj rresht.

“Kjo është një arritje e madhe”, ka thënë shefi i tij, Jörg Schaefer, i cili e ka shoqëruar dhe mbështetur mjeshtrin e ri në këtë garë, shkruan “Kölner Stadtanzeiger”.

08.11.2013

Luan Krasniqi, “Kampion Botëror i Boksit për Bamirësi”

Luan Krasniqi, pas shumë luftërave të fituara gjatë karrierës së tij të gjatë aktive në ring, ka fituar mbrëmë, të shtunën, edhe luftën e tij të radhës po në ring, por kësaj here me qëllime bamirësie. Ai është stolisur me brezin e Kampionit Botëror për Bamirësi, një titull i ri, jozyrtar, pasi ka mundur në ring sfiduesin e tij, ish kampionin evropian në kickbox, Uwe Hück, 51 vjeçar. Ky i fundit i ka kërkuar Luanit revansh.

Të dy seniorët janë përgatitur një kohë të gjatë për këtë spektakël, duke i vënë vetes si qëllim grumbullimin e sam ë shumë parave për dy projekte humanitare: Luan Krasniqi në fshatrat e fëmijëve jetimë SOS (veç tjerash edhe në Kosovë) ndërsa Uwe Hück për një fondacion arsimor.

Meqin e zhvilluar të shtunën mbrëma në MHP-Arena në Ludwigsburg e ka fituar me pikë Luan Krasniqi. Janë zhvilluar tetë raunde dhe meqi ka përfunduar në orën 0.30 të pas mesnatës.

Në sallën e mbushur kanë qenë të pranishëm një numër i madh i personaliteteve prominente nga bota e sportit dhe shoubiznesit, duke i dhënë mbrëmjes një shkëlqim të veçantë,

 

17.11.2013

Referi i parë shqiptar që debuton në superligën zvicerane

Gjyqtari shqiptar ka folur për albinfo.ch për paraqitjen e tij të parë në superligën zvicerane, përkatësisht në ndeshjen ku iu ka referuar dy shqiptarëve, Amir Abrashit e Shkëlzen Gashit.

Zogajt iu deshën 16 vjet për të realizuar këtë ëndërr. Referi nga Kosova për 16 vjet kishte referuar në ligat më të ulëta zvicerane si asistent dhe refer kryesor.

„Ndjenjë e veçantë, sepse kam pritur 16 vjet për këtë “ëndërr”. Kisha fatin të filloj me debutimin në një lojë derbi, siç është ndeshja  Aarau – Grasshoppers Zürich“, tha pas ndeshjes për albinfo.ch Bekim Zogaj.

Zogaj thotë se nuk e di nëse ka ndonjë shqiptar tjetër nga Kosova që ka debutuar në ligat elite ndërkombëtare.

34-vjeçari sivjet do të debutojë edhe në një ndeshje në Challenge League, më 30.11.2013.

«Ia arrita qëllimit me një punë shumë të madhe. Motivim të madh, plus interesim për arbitrimin. Po ashtu kam pasur përkrahje të madhe nga familja që është shumë e rëndësishme për mua», thekson Zogaj.

Shqiptari nga Kosova kishte ndarë arbitrimin me gjyqtarët Nikolaj Hänni (refer në Fifa) dhe Johannes Vogel (Asistent në Fifa). Ndeshja Aarau – Grasshoppers Zürich kishte përfunduar me rezultat 2:4. Dy gola i kishte shënuar Shkëlzen Gashi, ndërsa Abrashi ishte jashtë lojës për shkak të një lëndimi.

Ndryshe Zogaj ka qenë për dy vjet asistent në ligën e dytë zvicerane, derisa është gjyqtari i vetëm që ka licencë ndërkombëtare në futsall që nga 2010.

Sikur edhe gjyqtarët e tjerë të futbollit, edhe Bekim Zogaj rrugën për profesionin e tij të sotëm e ka nisur nga pasioni për lojën e futbollit. Që nga viti 1991 deri në vitin 1999 ka luajtur për FC Wiesendangen të Winterthurit.

Në vitin 1997 ka mbaruar kursin për gjyqtar futbolli. Për dy vjet ka qenë në “Grupin e talenteve të Cyrihut”, grup të cilin tash, pas sa vjetësh, e udhëheq si shef i tyre.

Bekim Zogaj ka lindur para 34 vjetëve në Prejlep të Deçanit. Në Zvicër, ku ka ardhur si dhjetëvjeçar, ka kryer shkollën për komercialist.

Në mars 2012 fillon Shkollën e lartë për ekonominë e ndërmarrjeve. Bekimi është kënaqur edhe me punën që bën në Komunën e Winterthurit si kontabilist, me trajtimin që i bëhet dhe mirëkuptimin që ka punëdhënësi për angazhimet e tij si gjyqtar futbolli.

25.11.2013

Artani shkon hapave të Federerit me shokë

Jo të gjithë çunat shqiptarë në Zvicër duan të bëhen si Ronaldo, si Messi apo ai Shaqiri. Janë edhe disa të cilët ëndërrojnë që kur të rriten të bëhen për shembull si Federer, si Wawrinka  ose si Nadal, të merren me tenis. I tillë është Artan Sadriji, djaloshi 11 vjeçar që jeton në Spreitenbach (AG).
Artani, me pjekurinë e tij jo të zakonshme dhe me njohuritë e gjithanshme, të bën të harrosh se po flet me një 11 vjeçar. Është shumë serioz për moshën që ka, e di saktësisht se çfarë dëshiron dhe sa larg guxon të synojë. Dhe ai në fakt synon shumë: të mbërrijë diku në dhjetëshen e më të mirëve të tenisit botëror.

Vënia e një caku të tillë mund të ngajë si i ekzagjruar, por jo edhe për Artanin. Ai, ditë më parë ka arritur në çerekfinalen e Kampionatit Zviceran të Tenisit që është mbajtur në Kriens, në kategorinë e tij deri në moshën 12 vjeçare. Kështu, shqiptari ambicioz ka hyrë në mesin e tetë më të mirëve të kategorisë së tij. Në fakt fare lehtë mund të kishte zënë ndonjë vend më të lartë, pse jo edhe të parin, sikur të mos e lëndonte këmbën në luftën e fundit, më 14 janar.
“Kam më pak se tre vjet qe merrem me tenis dhe deri tash kam fituar në më shumë se 20 turne”, thotë Artani, i cili para se të zgjidhte tenisin kishte ushtruar futboll, ku po ashtu kishte qenë më i miri ndër moshatarët. “Pasi që tenisi më dukej më pak i ashpër se futbolli dhe pasi që luhet individualisht, u përcaktova për tenisin”, thotë ai.

Idhulli i tij është, kush tjetër, pos tenisti zviceran, më i suksesshmi në botë i të gjitha kohëve, Roger Federer. “Atë e adhuroj sepse ka qenë më i riu kur ka fituar një grand slam, gjithsej 17 vjeç”.
Pastaj Artani na shpjegon me durim ne si laikë të tenisit që jemi, shkallët e hierarkisë së tenisit, për të na e bërë të qartë se ku qëndron ai dhe në cilën shkallë është  një yll si Federeri ose Wawrinka. “Nga R9 ku janë fillestarët deri R1, unë bëj pjesë në R5. Ndërsa në një kategorizim tjetër, superior, nga N4 deri në N1 bëjnë pjesë aset e përmendur më lartë.
Artani, pas lëndimit të pësuar që e pengoi të arrinte shkëlqimin e  plotë, ka shans që brenda gjashtë muajve të arrijë atë që i mbeti peng më 14 janar. “Por atëherë më duhet të garoj me tenistë më të moshuar, deri në 14 vjeç… dhe  kjo e bën punën pak më të komplikuar. Megjithatë pres të kem sukses edhe në atë konkurrencë”.
Si të gjithë tenistët e rinj edhe Artani përkrahjen shumë të madhe, ose të vetmen, së paku atë materiale, e ka nga prindërit. “Siç e dini, tenisi është sport shumë i shtrenjtë. Këtu hyn pagesa e ushtrimeve, e trajnerit, blerja e pajisjeve mjaft të shtrenjta etj”, thotë ai. Duke qenë në mesin e tetë më të mirëve, Artani e ka fituar të drejtën të sponsoret nga organizata Swisstenis. Nëse gjatë tërë vitit do ta ruajë ose avancojë këtë pozitë, ai do të vazhdojë te sponsorohet. Megjithatë barra më e madhe bie mbi supet e familjes. Por, siç thotë babai i tij, Abdusamedi (“Dussi”), “me hyrjen e tij në çerekfinale, kanë filluar të paraqiten edhe sponsorë privatë”.
“Sidoqoftë, me ose pa sponsorë, derisa ai të ketë këtë vullnet që e ka sot, unë do ta përkrah me kënaqësi. Ajo që më gëzon është se Artani ka si vullnetin ashtu dhe ambicien dhe seriozitetin për të qëndruar në rrugën e suksesit”, shton Dussi.
Pos në Zvicër, ai ka marrë pjesë edhe në gara tenisi në Kosovë, ku është vlerësuar lartë. Verën e vitit 2012, si 9 vjeçar, ka fituar vendin e parë në kategorinë A11 në Prishtinë, në turnirin Prishtina Open. Ai thotë se kishte tenistë mjaft të mirë edhe atje.
Artani jeton në të njëjtin shtet me yjet si Federer dhe Wawrinka,  por deri më tash nuk ka pasur rastin t`i shohë ata duke luajtur live. Megjithatë, thotë se ka qenë në një turnir të madh “Swiss Indoors” në Bazel, ku luajnë edhe tenistë të huaj të nivelit botëror. Fundja, në Zvicër nuk ka grand Slam, turnire ku luajnë Federer me shokë.
Sadriji bën pjesë në klubin “TC Spreitenbach”, të qytetit me të njëjtin emër. Por, si më i miri në kategorinë e tij në kantonin Aargau, ai është pjesë edhe e grupit “Kader Aargau”, në Brugg që është diçka si përfaqësuese e kantonit, ku janë vetëm më të zgjedhurit. Ai na zbulon se edhe vetë Federer në fillim kishte ushtruar në këtë grup. Me vullnetin dhe ambicien që e dallojnë dhe me pak më shumë përkrahje, Artani mund të bëhet, pse jo, një pasardhës i denjë i yllit të përmendur të tenisit. B.SH.

Majlinda laureat për Laureus World Sports Awards

Xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi është nominuar si Sportistja e Vitit në Laureus World Sports Awards, duke u bërë kështu shqiptarja e vetme që iu bashkohet ardhës së sportistëve më të famshëm botëror, si Roger Federer, Pelé, Michael Phelps, Ronaldo, Michael Schumacher, Zinedine Zidane, etj.

Ky është suksesi tjetër i radhës i Majlinda Kelmendit, e cila për gjashtë vjet sa eksiton Kosova shtete, ka arritur ta ngreh më së larti flamurin e Kosovës në botë.

Nominimi i Kelmendit, siç mësa KTV, pritet të zyrtarizohen më 26 shkurt në një ceremoni të veçantë që do të mbahet në kryeqytetin e Malajzisë, Kuala Lumpur.

Nominimet do të bëhen publike nga fituesi i Kupës së Botës me Francën, Marcel Desailly, ish-trajneri i Tottenhamit André Villas-Boas si dhe 5 herë kampioni botëror në ciklizim, Mick Doohan.

Disa nga ata që kanë fituar më parë janë edhe: Roger Federer, Alex Ferguson, Lewis Hamilton, Pelé, Michael Phelps, Ronaldo, Michael Schumacher, Serena Williams dhe Zinedine Zidane, Novak Djokovic, e të tjerë.

Mysafirët në ceremoni kanë përfshirë këtyre viteve edhe Mbretin Juan Carlos të Spanjës, Princin Albert të Monakos, David dhe Victoria Beckham dhe aktorët Sir Sean Connery, Michael Douglas, Catherine Zeta-Jones, Morgan Freeman, Teri Hatcher, Eva Longoria, Gwyneth Paltrow dhe Kevin Spacey.

Aktualisht, atletja britanike Jessica Ennis e mban këtë titull.

Ndryshe Majlinda Kelmendi, 22 vjeçe, e mori medaljen e artë në Kampionatin Botëror të xhudos në Rio de Janeiro. Ajo mposhti brazilian Erika Miranda në kategorinë deri në 52 kg dhe u bë kosovarja e parë që ka arritur një klasifikim të tillë në xhudo. Kelmendi është e para në botë në kategorinë deri 52 kilogram.

Orges Arifi, i bronztë në “Swiss Open 2014”

Orges Arifi, karateist i KK “Ippon Prishtinë“, arriti të fitojë medaljen e bronztë, duke përfaqësuar Shqipërinë në turneun ndërkombëtar të karatesë “Swiss Open 2014”.

Të shtunën në Cyrih të Zvicrës u mbajt turneu ndërkombëtar i karatesë “Swis Open 2014“, në të cilin morën pjesë më shumë se 1200 pjesëmarrës nga 22 shtete të Evropës.

Në këtë aktivitet tradicional, karateisti Orges Arifi arriti medaljen e bronztë në kategorinë e seniorëve, 60 kg.

Ai në çerekfinale mposhti italianin me përvojë, Emanuel Pintos, ndërsa në gjysmëfinale te rezultati 1:1 u diskualifikua në luftën me kosovarin me shtetësi zvicerane, Shemsi Asllani, i cili edhe doli fitues në këtë kategori. Vendin e dytë e fitoi garuesi shqiptar nga Maqedonia, Shaban Murtishi.

Orges Arifi edhe në kategorinë U21 tregoi luftëra të mira. Në luftën e parë ishte më i mirë se garuesi nga  Maqedonia, Shaban Murtishi, anëtar i Srugës, të cilin e mposhti me rezultat 5:1, ndërsa në betejën e dytë u eliminua me deklarim të gjyqtarëve (rezultati i rregullt 0:0) nga gjermani Neuman Michel, thuhet në një njoftim të Federatës kosovare të karatesë.

Në këtë garë ishin pjesëmarrës shumë karateistë me nam nga Evropa, kampionë evropianë dhe botërorë. Në mesin e tyre edhe kampionët botërorë Luigji Busa, Stefano Maniscalco dhe shumë të tjerë.

Medalje në Zvicër edhe për karateistët nga Maqedonia

Për klubin e karatesë “Drini” nga Struga aktiviteti ndërkombëtar “Swiss Open 2014” në Zvicër ka qenë i suksesshëm, pasi janë kthyer me dy medalje, një të argjendtë dhe një të bronztë.

Shaban Murtishi në kategorinë -60 kg në një konkurrencë të fortë për nga cilësia u radhit i dyti, pas dy fitoreve në kualifikime dhe në një finale shumë të diskutueshme, edhe pse  ishte më i mirë se kundërshtari i tij, në fund u desh të pajtohet me humbjen me rezultat 6:5, kurse Besa Lleshi në kategorinë -50kg u radhit e treta, por që në luftimin e parë pësoi një lëndim dhe u desh të pajtohet me vendin e tretë.

“Mendoj se ishte një garë e fuqishme ku kishte edhe garues të nivelit botëror dhe evropian. Garuesit tanë treguan nivel të mirë dhe ishte një test i mirë para kampionatit shtetëror që do të zhvillohet gjatë këtij vikendi në Shkup.”, tha trajneri Alimi, transmeton Lajmi.

Ai  ka falënderuar edhe familjarët dhe bashkatdhetarët të cilët i kanë pritur dhe vendosur nëpër shtëpitë e tyre në Cyrih, si dhe për mbështetjen e tyre gjatë zhvillimit të turneut.