Nga Shkupi në Holandë: Suksesi i Vigjilenca Abazit në Drejtësinë Evropiane

Vigjilenca Abazi, një nga zërat më të njohur në fushën e së Drejtës Evropiane dhe mentore për shumë gra e vajza të reja, ka ndikuar thellësisht në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe sinjalizuesve, duke u bërë shembull frymëzues për sukses e përkushtim. Për më shumë se një dekadë, ajo ka ndihmuar në zhvillimin e politikave dhe ka kontribuar në avancimin e drejtësisë përmes veprës së saj shkencore e akademike. Por arritjet e saj nuk kufizohen vetëm në fushën akademike, pasi ajo ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në jetët e individëve që ka mentorizuar e mbështetur. Vigjilenca, e njohur edhe për aktivitetin ndërkombëtar, mori në vitin 2020 Çmimin për Karrierë të Hershme (“Early Career Award”) nga Akademia Mbretërore e Arteve dhe Shkencës në Holandë.

Përcjell energjinë e saj te studentët

“Ky çmim për mua paraqet shtytje, dhe zakonisht këto momente shërbejnë si reflektim për atë që kemi bërë deri më tani dhe – më shumë – për hapat që duam t’i bëjmë më tutje,” shprehet Abazi. Përmes këtij çmimi ajo theksoi rëndësinë e shkencës dhe punës së saj në konsultimet me institucionet evropiane, ndërsa shpreson që energjinë që ka në këtë fushë ta bartë edhe te studentët dhe ata që janë ende në fazën e zhvillimit të karrierës.

Vigjilenca Abazi, nga Shkupi, e cila jeton e punon në Holandë tashmë më shumë se dhjetë vjet, është një nga zërat më të fuqishëm në mbrojtje të sinjalizuesve dhe të drejtave të qytetarëve. Si profesoreshë e asociuar e së Drejtës Evropiane në Universitetin e Maastrichtit, ajo jo vetëm që ka ndikuar në akademi, por ka dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në hartimin e politikave që mbrojnë sinjalizuesit dhe promovojnë transparencën në Bashkimin Evropian.

Rruga e saj drejt suksesit është e mbushur me përkushtim e arritje të shkëlqyera. E diplomuar e e specializuar në institucione të shquara si Yale Law School, NYU School of Law dhe Columbia Law School, ajo ka fituar njohje ndërkombëtare për punën e palodhur në fushën e së drejtës evropiane. Në vitin 2020, Akademia Mbretërore e Arteve dhe Shkencës së Holandës e nderoi me Çmimin për Karrierë të Hershme, një vlerësim për ndikimin e saj inovativ në shkencë dhe politikëbërje, ndërkohë që punon me intensitet në dy librat e saj në lëmin e së Drejtës Evropiane.

“Ky çmim për mua paraqet shtytje, dhe zakonisht këto momente shërbejnë si reflektim për atë që kemi bërë deri më tani dhe – më shumë – për hapat që duam t’i bëjmë më tutje. Për mua, sa është e rëndësishme shkenca e puna që bëj në aspektin ligjor gjatë konsultimeve me institucionet evropiane, po aq shpresoj që këtë energji ta bartë edhe te studentët në sferën akademike dhe në Maqedoni,” thotë Abazi.

Mentore dhe inspirim për gratë

Mirëpo Vigjilenca nuk është vetëm një akademike e përkushtuar; ajo është mentore dhe inspirim për shumë gra e vajza në mbarë botën. Si bashkëthemeluese e organizatës Stella, e cila synon fuqizimin e grave në Ballkanin Perëndimor përmes edukimit e mentorimit, ajo ka krijuar një rrjet mbështetës për vajzat që aspirojnë të arrijnë ëndrrat e tyre.

Duke folur për përvojën e saj si mentore, ajo rrëfen:
“Jam jashtëzakonisht e lumtur kur shoh që kemi mbi 100 gra nga e mbarë bota që janë mentore, dhe kemi vajza që kanë përfituar shumë nga ky mentorim, duke shënuar rezultate pozitive. Në fakt, një nga momentet më të bukura të vitit 2021 ishte kur vajza që unë e mentoroja arriti të marrë dy oferta nga universitete prestigjioze në Holandë për të vazhduar studimet e magjistraturës. Ajo vjen nga Maqedonia e Veriut, dhe ishte kënaqësi e madhe të shihja se si një vajzë tjetër i hapen dyert dhe unë isha pjesë e ndihmës për ta zhvilluar karrierën e saj.”

Përkushtimi i saj për të ndihmuar të tjerët reflektohet edhe në punën me Parlamentin Evropian dhe Këshillin e Evropës, ku ka kontribuar në hartimin e Direktivës së BE-së për mbrojtjen e sinjalizuesve. Po ashtu, si drejtoreshë ekzekutive e Institutit Evropian të Sinjalizimit, ajo vazhdon të mbrojë të drejtat e atyre që guxojnë të flasin kundër padrejtësive.

Vigjilenca Abazi me nënë Bujare Abazi politikane

Artikujt dhe librat e saj, të përkthyer në disa gjuhë

Puna dhe ndikimi i saj kanë kaluar kufijtë e Evropës. Artikujt e librat e saj janë përkthyer në disa gjuhë dhe cituar në media prestigjioze si Bloomberg, Der Spiegel e Le Monde. Libri i saj, Secrecy and Oversight in the European Union, botuar nga Oxford University Press, është një referencë e rëndësishme për studiues e politikëbërës në mbarë botën.

Historia e Vigjilencës është dëshmi e fuqisë së përkushtimit, guximit e besimit në ndryshim. Ajo na mëson se suksesi nuk është vetëm arritje personale, por edhe mjet për të ndihmuar të tjerët të ecin përpara. Me një zemër të madhe për drejtësinë dhe një vizion të qartë për botë më të barabartë, Vigjilenca Abazi mbetet shembull i shkëlqyer i asaj që do të thotë të jesh lider i së ardhmes.

Vigjilenca Abazi mbetet një shembull i shkëlqyer i asaj që mund të arrihet kur punon me pasion dhe përkushtim për një kauzë më të madhe. Kontributet e saj janë një burim frymëzimi për ata që kërkojnë të krijojnë një ndryshim të vërtetë në shoqëri, dhe ajo vazhdon të mbështesë studentët, kolegët dhe të rinjtë, duke i ndihmuar të realizojnë ëndrrat dhe ambiciet e tyre. Me një karrierë të shquar dhe një vizion të qartë për të ardhmen, ajo është një lider që po bën një ndikim të qëndrueshëm në botën akademike dhe përtej saj.

(Fotot: Fadil Berisha)

 

Anda Skeja doktoron pa master, EPFL: “Bëhet fjalë për një talent të jashtëzakonshëm”

Në moshën 17-vjeçare Anda Skeja zgjidhte probleme matematikore në nivel universitar dhe në moshën 27-vjeçare ka doktoruar në EPFL. Rruga e kosovares deri në këtë shkallë ishte mjaft jokonvencionale. Dhe kjo rrugë e kurorëzuar me sukses ka bërë që mediat zvicerane t`i kushtojnë asaj një artikull, shkruan albinfo.ch

Anda Skeja e dinte qysh herët se donte të bëhej matematikane – e frymëzuar nga babai i saj, i cili në fëmijëri i jepte enigma matematikore për të zgjidhur

Në moshën 17-vjeçare, ajo tashmë po zgjidhte probleme matematike të nivelit universitar dhe më vonë u diplomua duke qenë më e mira e klasës së saj në Stamboll, duke marrë edhe një diplomë të dytë në ekonomi, shkruan 20minuten.ch.

Pa kaluar fare shkallën master, ajo aplikoi menjëherë për një program doktorature në EPFL në Lozanë – dhe u pranua me një bursë.

albinfo.ch ka zhvilluar muaj më parë një intervistë me Anda Skejën, ku ajo ka shpalosur rrëfimin e saj impresionues jetësor: Anda Skeja, e vetmja shqiptare në programin e doktoratës për Matematikë në EPFL

“Gjithmonë e kam ditur se kam dashur të bëhem shkencëtare”, thotë Anda Skeja (27 vjeçe). Dhe jo çfarëdo shkencëtare: e reja kosovare donte të hulumtonte në botën e matematikës. “Babai im, një profesor universiteti, më jepte enigma matematikore si fëmijë – më pëlqente shumë”.

Në moshën 17-vjeçare, ajo kalonte kohën e saj të lirë duke zgjidhur probleme matematikore të nivelit universitar. Dhjetë vjet më vonë, kjo ëndërr e saj është bërë realitet: me një doktoraturë nga Instituti Federal Zviceran i Teknologjisë në Lozanë (EPFL), Skeja konsiderohet një talent i jashtëzakonshëm.

Më e mira e vitit në Bachelor

Në vitin 2011, kosovarja mori pjesë për herë të parë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës. Skeja ishte në shkollën e mesme në atë kohë dhe tashmë kishte punuar intensivisht në problemet sfiduese të matematikës, përfshirë ato nga Olimpiada. Por për të nuk bëhej fjalë për të marrë pjesë: “Në atë kohë nuk kishte kurse përgatitore për të në vendlindjen time”, thotë ajo. Anda ishte gjithashtu tashmë në mes të përgatitjes për provimet pranuese në universitet – qëllimi i saj asokohe, aktual.

Skeja kreu diplomën bachelor në matematikë në “Istanbul Teknik Üniversitesi” në Turqi duke dalë e para e klasës së saj dhe në të njëjtën kohë fitoi një diplomë të dyfishtë për ekonomi. Edhe më parë, e kishte të qartë se dëshironte të ndiqte një karrierë akademike, prandaj vendosi të anashkalonte masterin. “Nuk pashë asnjë arsye për të vonuar përfshirjen time në kërkime të vërteta matematikore.”, transmeton albinfo.ch.

EPFL në Lozanë ra menjëherë në sy si një institucion udhëheqës global në këtë fushë. “Nuk isha e sigurt nëse do të funksiononte, por vërtet doja të provoja.” Më në fund, ajo vendosi gjithçka në një kartë: “Kam aplikuar vetëm në EPFL”. Dhe rreziku u shpërblye: ajo jo vetëm që u pranua, por mori edhe “Bursën e Ekselencës së Qeverisë Zvicerane”. “Për mua, kjo nuk nënkuptonte vetëm mbështetje financiare, por edhe mundësinë për t’u lidhur me bursistët e tjerë.”

EPFL: “Studentë veçanërisht të talentuar mund të pranohen drejtpërdrejt në programin e doktoraturës”

Të pyetur nga gazeta në EPFL konfirmojnë se, në raste të jashtëzakonshme, studentë veçanërisht të talentuar mund të pranohen drejtpërdrejt në programin e doktoraturës. Kusht paraprak është një diplomë bachelor katër ose pesë vjeçare dhe gatishmëria për të përmbushur kriteret shtesë në vitin e parë.

Skeja tani punon si studiuese postdoktorale në Universitetin Uppsala në Suedi, ku fokusi i saj kryesor është në kërkime shkencore. Por ajo aktualisht është kthyer në EPFL për dy muaj si pjesë e një qëndrimi kërkimor. “Unë e dua Zvicrën – dhe burri im gjithashtu jeton këtu. Ai aktualisht është duke përfunduar trajnimin e tij të specializuar në Inselspital, në Bernë.”

Kjo është një arsye tjetër pse ajo do të donte të vendosej përgjithmonë në Zvicër, por në botën akademike shpeshherë është e vështirë të parashikohen mundësitë, përcjell albinfo.ch. “Për mua, gjëja më e rëndësishme është të përfshihem në kërkime të rëndësishme – dhe të bëj më shumë femra të interesuara për matematikën.”

Kjo është arsyeja pse ajo është e përfshirë në mënyrë aktive si mentore për studentët në ish universitetin e saj. Ende ka një stigmë të lidhur me matematikën se ajo është shumë abstrakte dhe shumë e vështirë. Përkundrazi, “matematika është e bukur dhe një mjet i fuqishëm për të kuptuar më mirë botën”, thotë ajo.

Lexoni po ashtu:

Anda Skeja, e vetmja shqiptare në programin e doktoratës për Matematikë në EPFL

 

Blerina, mes grave që po zhvillon inteligjencën artificiale në Itali

Bashkatdhetarja jonë, Blerina Sinaimeri, është mësuese e Shkencave Kompjuterike në Luiss në Romë, transmeton albinfo.ch.

Ajo është nominuar në specialen e Teknologjisë Italiane, të Repubblica, “Gratë e Inteligjencës Artificiale në Itali”.

Specialja, e dalë më 8 mars, feston figura të shquara femërore në sektorin e AI, duke theksuar gratë që ashtu si Blerina, kontribuojnë në zhvillimin, mësimdhënien dhe përhapjen e kësaj teknologjie revolucionare në vendin tonë.

Blerina është shembull i ekselencës shqiptare. Interesat e saj kërkimore përfshijnë biologji kompjuterike, kombinator, teori grafik, dhe algoritme grafik, fusha në të cilat ai ka arritur sukses të jashtëzakonshëm. Nominimi i saj në Repubblica Speciale është një njohje e talentit dhe angazhimit të saj, dhe një frymëzim për të gjitha gratë që aspirojnë të ndjekin karrierë në inteligjencën artificiale.

Ajo thekson rëndësinë e njohjes së rolit vendimtar të grave në këtë sektor, i cili shpesh dominohet nga burrat. Është thelbësore t’u japim dukshmëri kompetencave dhe rezultateve të tyre dhe të kontrastojmë pabarazitë gjinore që ende vazhdojnë.

 

 

 

 

Shqiptarja nga Danimarka, me notë maksimale diplomoi për mjekësi

Në mesin e femrave shqiptare që po arrijnë suksese në profesionin e tyre, jashtë vendit, është edhe Xheneta, me prejardhje nga qyteti i Tetovës, shkruan albinfo.ch.

Xheneta është një grua e çiltër, pozitive dhe shumë e dashur për stafin mjekësor në Danimarkë. Ajo ka zgjedhur të ushtrojë profesionin e mjekësisë, një profesion i vështirë, por shumë i dashur për të.

Xheneta Selmani Qazimi është mjekja më e re në shtetin e Danimarkës, përfundoi studimet për mjekësi, duke diplomuar me notën maksimale 12, shkruan albinfo.ch.

Pa dyshim biografia e saj është njëra ndër historitë e suksesit të diasporës sonë në fushën e mjekësisë.

Ajo është me prejardhje nga nga Nerashti i Tetovës. Ndërkohë që shollimin e kishte filluar në Ballerup, shkollën fillore, pastaj edhe gjimnazin e ka kryer po në këtë vend, që njihet si komunē në periferi të Kopenhagës.

Pas rezultateve të larta që po tregonte Xheneta në shkollën e saj, u pranua në një ndër universitetet më të njohura në botë, në Universitetin e Kopenhagës, në fushën e mjekësisë.

Për vite të tëra ishte studente e notës 12, e cilësuar si nota më e lartë në këtë shtet. Ajo mori titullin për Mjekësi dhe u bë mjekja më e re e diplomuar në Danimarkë. /Albinfo.ch

 

 

 

 

 

 

 

Gjilanasja, doktoron për matematikë në Universitetin e Cyrihut

Ndër shumë vajza dhe gra shqiptare që po tregohen të suksesshme në fusha të ndryshme në diasporë, është sigurisht edhe Genta Latifi, transmeton albinfo.ch.

Kësaj radhe, për dallim nga herët e tjera, Albinfo.ch ju sjell një storie suksesi që ka të bëjë me një vajzë shqiptare, e cila ka mbrojtur me sukses doktoraturën në lëndën e Matematikës. Ajo fitoi titullin doktor shkence e matemtikës në Universitetin e Cyrihut, me titull “Minimal and Integral presentations of gl_n Ëeb Categories, në drejtimin Representation Theory”.

Genta gjatë viteve të fundit ishte edhe asistente në këtë universitet, kryesisht në fushën e teorisë së përfaqësimeve dhe topologjisë.

Kujtojmë se kohë më parë, vajza kosovare ka mbaruar studimet master në Universitetin prestigjioz të Bonnit në Gjermani dhe sapo kishte përfunduar masterin kishte oferta të dektorojë në Leipzig dhe Augsburg të Gjermanisë si dhe në Zurich të Zvicrës.

Ajo ka lindur dhe është shkolluar në qytetin e Gjilanit, ka qenë kampione kombëtare dhe mbarëkombëtare e matematikës. /Albinfo.ch

Mërgimtari, bursist për Shkenca Inxhinierike në Universitetin e Oxfordit

Të rinjtë po arrijnë suksese në diasporë, duke u bërë emra të njohur dhe duke zotëruar poste të mira pune e studime nga universitetet më të mira në botë, transmeton albinfo.ch.

Arritjeve të shqiptarëve, pa dyshim i shtohet edhe Uljad Berdica, një student brilant, i suksesshëm në fushën e Matematikës dhe Shkencave Inxhinierike.

Ai ishte fitues i olimpiadave të dikurshme të matematikës në Shqipëri, studenti i rezultateve të shkëlqyera në Universitetin në New York, USA, ndërsa nga viti i ardhshëm do të jetë doktorant në Oxford University, Londër Angli, transmeton tutje albinfo.ch.

Vlen të theksohet se nga të gjithë studentët më brilantë në botë, vetëm 0.7 për qind prej tyre arrijnë të përfitojnë bursën “Rhodes”, e cila akordohet që prej vitit 1902 për studime pasuniversitare në universitetin e Oxfordit. E ndër këto gjini dhe studentë brilantë është fitues për vitin 2022 edhe Uljad Berdica.

Më poshtë ju sjellim postimin e tij të plotë

“Mendoj se ky është një moment kaq i rëndësishëm në jetën time, saqë ia vlen një postim një herë në disa vite. Jam i lumtur të njoftoj se më është dhënë #RhodesScholarship nga zona elektorale e Emirateve të Bashkuara Arabe. Unë do t’i bashkohem Universitetit të Oksfordit në vjeshtën e vitit 2022 me synimin për të ndjekur një doktoraturë (DPhil) në Shkencën Inxhinierike.

I jam jashtëzakonisht mirënjohës familjes sime për mbështetjen e tyre kolosale. Unë jam shumë mirënjohës për profesorët që më ndihmuan të sfidoj veten për t’u bërë një inxhinier më i mirë.

Uroj që çmimi im Rhodes të frymëzojë studentët e inxhinierisë që ta shohin veten jo vetëm si teknikë të trajnuar, por si udhëheqës të ardhshëm që kujdesen për një sërë fushash në art, shkenca dhe politikë që mund të përfitojnë nga zgjidhjet e drejtuara nga inxhinieria.

Një rezultat jashtëzakonisht i këndshëm i fitimit të Rodosit ishte se mësova për studentë dhe profesionistë shqiptarë më të talentuar, të cilët janë aq mbështetës, punëtor dhe mbresëlënës, saqë më ringjallën dashurinë dhe shpresën për vendin tim dhe njerëzit e tij. Shpresoj se një ditë do të mund të ndërtojmë një vend, rinia e të cilit nuk ëndërron ta lërë. Shpresoj që ne shqiptarët të gjejmë mënyra për të ushqyer dhe shpërblyer talentin dhe mendimin origjinal në vend të mediokritetit dhe populizmit. Asnjë person nuk meriton të ketë frikë se mos ngecë apo kthehet në atdheun e tij!

Së fundi, do të doja të falënderoja Emiratet e Bashkuara Arabe për krijimin e një plani të mahnitshëm se si një vend mund të ndryshojë, të rritet dhe të udhëheqë. Faleminderit për mundësinë për të aplikuar si student ndërkombëtar në një program të tillë që të ndryshon jetën. Faleminderit që jeni një mbështetje e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Bota është plot dashuri dhe mirëkuptim; le të gjejmë më shumë prej tij!”

Edhe një doktorante shqiptare në një universitet zviceran

Shpeshherë për njeriun mjafton dëshira, puna dhe vullneti për të arritur në realizimin e ëndrrave, aty ku do. Kjo ndodhi me Shkurta Gashin, një vajzë energjike, me ambicie të mëdha për jetën, duke mos ndaluar së punuari për synimet dhe qëllimet e saj.

Nga këndvështrimi i parë, tek Shkurta vërehen shumë veçanti, në formimin intelektual, profesional dhe etik në qëndrimet e saj dhe, para së gjithash, në të menduar.

Ajo ka një biografi interesante. Është lindur dhe rritur në Prishtinë, për t’u bërë më pas një emër suksesi në shtetin e Zvicrës. Tani ajo ligjëron dhe bën hulumtime në fushën e “Mobile computing” dhe “Personal informatics systems”. Më saktë, është kandidate për doktoratë në “Università della Svizzera italiana (USI)” dhe njëkohësisht asistente ligjëruese në po të njëjtin universitet.

Nga Kosova, në Greqi, për t’u bërë emër suksesi në Zvicër

Sukseset e Shkurtës në aspektin arsimor e quan drejt universiteteve më të mira studimore.

Ajo ka filluar shkollimin e saj në vendlindje, në Prishtinë, më pas, studimet i ka vazhduar në Greqi dhe Zvicër.

“Shkollën fillore dhe të mesme i kam ndjekur në Prishtinë, më saktësisht në shkollën fillore “Emin Duraku” dhe gjimnazin “Sami Frashëri”, drejtimi Matematikë-Informatikë. Pas përfundimit të shkollimit të mesëm, fitova bursë nga Ministria e Arsimit, Shkencave, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) në Kosovë, për të vazhduar studimet “Bachelor” në Shkenca Kompjuterike në “City College, International Faculty of University of Sheffield” në Selanik të Greqisë”, shprehet Shkurta për Albinfo.ch.

Studimet e suksesshme që i bëri në Greqi, Shkurtës i hapi mundësi të re për të vazhduar studimet e saj në Zvicër, në një rrafsh tjetër të nivelit studimor, akademik.

“Pasi përfundova nivelin Bachelor në Greqi, fitova bursë nga “Università della Svizzera italiana (USI)” në Lugano të Zvicrës për studime Master në Informatikë. Bursa që mora nga USI u ndahet 5 studentëve të dalluar në Fakultetin e Informatikës dhe si kriter i ripërtërirjes së bursës ishte arritja e një mesatareje të lartë të notave gjatë semestrit. Pas përfundimit të studimeve Master, vazhdova studimet e doktoratës në të njëjtin universitet”, tregoi ajo.

Hulumtuese dhe asistente ligjëruese e shkëlqyer në fushën e Informatikës

Ka 6 vjet që Shkurta jeton dhe vepron në Zvicër. Qëndrimi në Zvicër, përgjatë këtyre viteve, ka ndikuar shumë në ngritjen e saj si në aspektin profesional, ashtu edhe të jetës në përgjithësi.

“Qëndrimi në Zvicër tash e 6 vjet ka ndikuar shumë në ngritjen time si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë personal. Sa i përket zhvillimit profesional, më ka dhënë mundësi bashkëpunimi jo vetëm me profesionistë në Zvicër, por edhe jashtë saj”, tregon ajo.

Vlen të theksohet se ajo aktualisht ligjëron dhe njëkohësisht bën hulumtime në fushën e “Mobile computing” dhe “Personal informatics systems”. Për një kohë të shkurtër do të doktorojë në “Università della Svizzera italiana (USI)”, aty ku edhe është asistente ligjëruese.

“Si asistente në Fakultetin e Informatikës në USI punoj tash e 4 vjet. Njëkohësisht, punoj dhe si bashkëmbikëqyrëse e temave të diplomës të nivelit Bachelor dhe Master si dhe e studentëve që vijnë për praktikë verore në grupin tonë. Ndërkohë si hulumtuese (researcher), unë ndihmoj në zhvillimin e teknologjive dhe sistemeve të reja që kanë për potencial të ndryshojnë shoqërinë tonë. Si shkencëtare e të dhënave (data scientist), unë mundohem të nxjerr informata sa më të mira dhe sa më të sakta nga një sasi e madhe e të dhënave që ne si individë i gjenerojmë gjatë aktiviteteve ditore, të cilat ndihmojnë të kemi një jetë të shëndetshme fizike dhe mendore”, shprehet ajo.

Shkurta po ashtu ishte pjesë e shumë konferencave në botë, si Singapor, Japoni, Greqi, Qipro, Angli, Finlandë, duke njohur hulumtues në fushën e Informatikës që punojnë në universitete me renome botërore dhe në kompani të mëdha të teknologjisë, si Intel, IBM, Microsoft.

Ambientimi i lehtë në shoqërinë dhe kulturën zvicerane

Shumë herë dëgjojmë se ambientimi në Zvicër, me kulturën dhe shoqërinë që ka, është një sfidë te pothujse të gjithë shqiptarët.

Rasti i Shkurtës nuk është i tillë. Ajo tregon për albinfo.ch se studimet në Greqi e kanë ndihmuar shumë ambientimin dhe, më pas, edhe jetesa për një periudhë kohore me një grua zvicerane, e kishte ndihmuar aq shumë, sa që edhe shoqëria që tani shumica janë zviceranë.

“Përvoja e studimeve në Greqi më ka ndihmuar shumë në këtë aspekt. Mbase diversiteti i kombësive të studentëve që takova atje, por edhe të popullsisë locale, më bën që ta pasuroj dijen time socio-kulturore dhe njëkohësisht ta përjetoj nga afër stilin e jetës në këtë diversitet. Ndoshta për këtë arsyje nuk do ta quaja vështirësi, por si vazhdimësi të eksperiencave të ndryshme socio-kulturore që shkëmbehen gjatë studimeve. Nga ana tjetër, unë isha me fat ta jetoj stilin zviceran të jetës qysh në fillim të ardhjes sime këtu, sepse kam jetuar dy vjet në banesën e një zonje zvicerane. Ajo më bëri që ta përjetoj dhe ta njoh nga afër stilin e jetës në Zvicër. Më njoftoi me shumë njerëz lokalë, që ende kam shoqëri me ta. Ishte një ndër eksperiencat më të veçanta që kam pasur deri tani këtu, shprehet ajo.

Në prag të doktorimit në Zvicër

Zvicra njihet si një ndër vendet me cilësi të lartë të arsimit. Shkurta tani është duke bërë përgatitjet përfundimtare për të doktoruar. Ajo në mënyrë të detajuar tregon temën e doktoraturës për albinfo.ch.

“Tema ime e doktoratës fokusohet në dizajnimin dhe implementimin e sistemeve dhe algoritmave automatike që detektojnë veprimet dhe sjelljet e njerëzve në jetën e përdishtme, duke i përdorur të dhënat nga senzorët që gjenden në pajisjet personale (si p.sh., telefona, orë apo dëgjuese të mençura). Në laboratorin tonë kemi zhvilluar metoda që përdorin të dhënat nga orët e mençura si rrahjet e zemrës, aktivitetit elektrodermal, temperaturën e trupit dhe lëvizjeve të  trupit, për të detektuar nëse përdoruesi i orës është duke fjetur ose zgjuar, është i stresuar apo i relaksuar, nëse është i vëmendshëm gjatë orës mësimore ose jo, etj. Për shembull, gjumi është një proces thelbësor në jetën tone, sepse nëse bëjmë gjumë të mirë dhe të mjaftueshëm, ne performojmë shumë më mirë në punë, kemi memorie dhe koncentrim më të lartë, si dhe shëndet fizik dhe mendor më të mirë. Sistemet që u lejojnë njerëzve të përcjellin gjumin çdo ditë u ndihmojnë mjekëve dhe njerëzve në përgjithesi që të detektojnë problemet eventuale shëndetësore shumë më herët dhe të intervenojnë me kohë, në mënyrë që të shmangen këto probleme”, bën të ditur ajo.

Finaliste për çmimin “Gaetano Borriello Outstading Student Award”

Shkurta është edhe fituese e shumë çmimeve të rëndësishme arsimore. Ajo përveç hulumtimeve, ka ndjekur edhe shumë trajnime të rëndësishme për profesionin që ajo e ushtron. Së fundmi, Shkurta është finalistja pretendente për çmimin “Gaetano Borriello Outstading Student Award”.

“Çmimi “Gaetano Borriello Outstanding Student Award” u shpërndahet studentëve, të cilët kanë dhënë kontribute të jashtëzakonshme në fushën e hulumtimeve “Ubiquitous Computing”. Ky çmim ndahet për nder të Gaetano Borriiello, i cili ka qenë një shkencëtar dhe hulumtues amerikan në fushën e kompjuterikës dhe njihet si drejtor themelues i Intel Research në Seattle të Amerikës. Megjithëse unë nuk jam fituesja kryesore e këtij çmimi, të jem një ndër finalistet është një privilegj shumë i madh për mua, duke konsideruar që konkurrenca në këtë komunitet që përfshin shkencëtarë dhe hulumtues nga e gjithë bota është shumë e madhe”, shprehet ajo.

Përveç kësaj, ajo tregon për albinfo.ch se në një të ardhme të afërt do të bëjë një vizitë për hulumtime në “Nokia Bell Labs” në Angli.

“Së fundmi kam filluar një bashkëpunim me laboratorin “Nokia Bell Labs në Cambridge” të Britanisë së Madhe. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është që të zhvillojmë një metodë automatike që të detektojmë sa energji fizike kemi në fillim të ditës, duke përdorur të dhënat nga sensorët që gjenden në dëgjuese për vesh. Po, pra, dëgjueset për vesh, sikurse telefonat dhe orët e mençura, mund të kenë më shumë potencial përveç dëgjimit të muzikës. Zhvillimet e fundit në teknologji kanë shfaqur se këto pajisje mund të përmbajnë një seri të ndryshme të senzorëve që matin rrahjet e zemrës si dhe lëvizjen e trupit të përdoruesve të tyre. Prandaj, qëllimi i këtij projekti është të shfaqim potencialin e dëgjueseve për të shkuar përtej funksioneve “të limituara” që jemi mësuar deri më tani.

Kosova, vendi i zemrës

Shkurta është shumë e lidhur me Kosovën, ajo tregon se zemra i rreh ndryshe kur prek tokën e Kosovës, atje jetojnë shumë familjarë të saj dhe shoqëria, duke e bërë një lidhje të ngrohtë me ta.

Pothuajse çdo vit ajo viziton disa herë Kosovën, pasi është e lidhur shpirtërisht dhe emocionalisht me vendlindjen e saj.

“Me Kosovën jam e lidhur shumë, sepse atje e kam familjen dhe shoqërinë e ngushtë. Zakonisht e vizitoj Kosovën 3-4 herë në vit. Dy vjetët e fundit kanë qenë më problematike për shkak të pandemisë dhe jam munduar të lëviz sa më pak, mirëpo në kushte normale mundohem të jem sa më shumë prezente në Kosovë, sidomos në data të rëndësishme”, tregon Shkurta. /Albinfo.ch

 

 

Shqiptari, drejtor i Zhvillimit Software në një nga kompanitë më të mëdha të Zvicrës

Me të drejtë thuhet se drejtorët e mirë i kuptojnë parimet themelore të menaxhimit dhe përdorin një gamë të gjerë të atyre parimeve për të drejtuar nevojat individuale dhe unike në punën e tyre, shkruan albinfo.ch.

Rasteve të suksesshme të shqiptarëve në Zvicër, pa dyshim i shtohet edhe Klevis Mino, një drejtor i suksesshëm në fushën e teknologjisë.

Zvicra, pa dyshim se është një nga shtetet evropiane, ku mundësia e arsimimit, punësimit, depërtimit në karrierë dhe formimit profesional e etik është shumë e madhe.

Ai është me prejardhje nga Fieri dhe ka qenë nxënës dhe student ekselent, i dalluar për njohuritë e thella në shkencat ekzakte. Fitues i olimpiadave rajonale dhe kombëtare në matematikë dhe informatikë, transmeton tutje albinfo.ch.

It PRo

Klevis Mino ka mbaruar studimet Bachelor për Informatikë në Universitetin e Tiranës, ndërsa studimet Master për Computer Science në Universitetin e Camerinos (UNICAM), Itali dhe për Business Information System në Universitetin e Shkencave të Aplikuara dhe Arteve të Zvicrës Veri-Perëndimore (FHNW).

Gjatë kësaj periudhe ka kontribuar edhe si kërkues shkencor. Me një karrierë të sukseshme në fushën e informatikës, Klevisi aktualisht është drejtor i Zhvillimit Software në një nga kompanitë më të mëdha të Zvicrës si partner të Google Maps. /Albinfo.ch

Finlandë, shkencëtarja e parë shqiptare e Gjeologjisë

Miradije Rama, edhe pse është femra e parë shqiptare gjeologe, që punon dhe vepron në Finlandë, shpreson të mos jetë e vetmja shqiptare në këtë profesion, pasi që ajo dëshiron të shohë sa më shumë femra (gra dhe vajza) shqiptare shkencëtare në drejtime të ndryshme, përcjell albinfo.ch.

Në krye të Shërbimit Gjeologjik në qytetin Turku të Finlandës, (Geologian Tutkimuskeskus GTK- www.gtk.fi), Miradije Rama, nga Kosova, udhëheq institucionin kryesor hulumtues, ku bëjnë pjesë ekspertët kryesorë në zbatimin e gjeo-shkencave në Evropë.

Ky rreth i partneritetit, sipas saj, përfshin institucione kërkimore, kompani dhe universitete brenda Finlandës, por edhe globalisht.

Megjithatë, ajo ka një porosi për të rinjtë që synojnë botën e shkencës, ku sipas saj, vetëm me dituri shqiptarët mund t’i arrijnë kulmet e shoqërive bashkëkohore dhe të zhvilluara, transmeton telegraf.

“I bëj thirrje rinisë në Kosovë, që të shkollohen në shkencat matematike- natyrore, në profesione të ndryshme dhe të luftojnë për pozita të ndryshme. Po ashtu, i inkurajoj të rinjtë që të kërkojnë mënyra dhe metoda të reja dhe të krijoni biznese inovative të reja. Kosova ka minerale të shumta e të vlefshme, prandaj kërkoni mundësi që të shkolloheni në drejtimet e gjeo-shkencave, mësoni si t’i menaxhoni e t’i përdorni gjithë ato resurse për veten tuaj”, tha ajo. /Albinfo.ch

Lum Rrahmani, djali kosovar me inteligjencë superiore

Quhet Lum Rrahmani, është vetëm gjashtëvjeçar, njohuritë dhe inteligjenca që posedon kalojnë normalen, duke bërë kështu djalin e vogël me inteligjencë superiore, transmeton albinfo.ch.

Duket se fillimi i këtij viti ishte i mbarë dhe me shumë suksese për Lumin, ai arriti që të zërë vendin e parë në garën ndërkombëtare të organizuar nga Brainobrain të mbajtur virtualisht në Dubai.

Lumi është nga ata fëmijët që nuk flet shumë kur ti i bën pyetje, madje edhe për fitoren e tij ai mjaftohet duke u përgjigjur, ‘po jam ndier shumë i lumtur’, e më pas vazhdon duke të thënë se ka qenë i bindur që do të fitonte.

Matematika nuk është gjëja e vetme që i pëlqen Lumit, ai interesohet edhe për planetet, madje i pëlqen edhe të shikojë e të luajë futboll. Nëna e tij tregon se Lumi qysh i vogël çdo herë i ka interesuar të dijë më shumë për planetet, lojtarët që luajnë në fushat sportive, madje edhe për të mësuar më tepër për qytetet ku ata vijnë. /kultplus

Shkencëtari nga Shqipëria kontribuon në Universitetin e Harvardit

Ai së fundi ka përfunduar një kërkim shkencor në fushën e mjekësisë në Spitalin e Përgjithshëm të Massachusetts në Boston, edhe kjo pjesë e Universitetit të Harvardit. Në një intervistë të dhënë në Shqipëri, ai deklaron të jetë falënderues ndaj bazave të edukimit në Shqipëri, të cilat i kanë mundësuar atij të rritet profesionalisht.

Jovani ka qenë pjesë e kërkimeve shkencore që janë bërë në spitalin më të mirë në Itali dhe në Evropë,”Humanitas Research Hospital”, ku ka potencuar se aty ka marrë edhe përvojën më të mirë sa i përket shkencës.

Dikur refugjatë, sot avokatë në Bernë

Kanë ardhur në Zvicër si fëmijë, njëri 8 dhe tjetri 10 vjeç, jo nga Kosova por nga Maqedonia, ku babai i tyre, Jahiri, kishte shërbyer si ushtarak madhor në ushtrinë ish jugosllave. Arian dhe Armend Maleta kanë lindur në Sarajevë, nga martesa e babait, Jahirit me nënën Elma.

Fillimi në mesin e ri, ngjan me fillimet e shumicës së fëmijëve migrantë: gjuha, përshtatja dhe mentaliteti ishin të vështira edhe për Arianin dhe Armendin. Vullneti i madh për të ecur përpara, me përkrahjen, motivimin dhe ndihmën e prindërve bëjnë që ata shumë shpejt se bashku të integrohen në shkollë dhe shoqëri. Suksesi në shkollën fillore dhe notat e larta ua mundësojnë që ta regjistrojnë dhe mbarojnë gjimnazin – që kudo në Zvicër konsiderohet si shkollë elitare – dhe, për më tepër, ta kryejnë edhe universitetin. Të dy kanë zgjedhur Fakultetin Juridik, të cilin e kanë mbaruar me kohë dhe me sukses.

Në mes të futbollit dhe drejtësisë, zgjedhin drejtësinë

Armendi, si tip më iniciativ, i cili shprehet me një shqipe të pastër dhe me elokuencë, që nga shkolla fillore e “ka ditur” se do të studionte për drejtësi ose për mësues. Motivi tjetër që e ka shtyrë në këtë drejtim ishte, mbase duket e çuditshme, sporti. “Ne të dy, por Ariani më shumë, jemi marrë si fëmijë me futboll. Madje Ariani ka qëndruar rreth dy vite në Skoci (Glasgow) si talent për futboll profesional. Dëmtimi i hershem i ligamenteve dhe fakti se ishim nxënës të mirë të gjimnazit, i bëri prindërit tanë të na këshillonin që të braktisnim futbollin. Dhe kështu vepruam. “Por, përvoja ime me futbollin më ka inspiruar që tash, si avokat, krahas angazhimeve tjera, të merrem edhe me përfaqësimin dhe menaxhimin e sportistëve, gjegjësisht futbollistëve”, shprehet Armendi. Gjithashtu, orientimi i tij sportiv, ka bërë mbase që edhe si jurist të jetë më aktiv, të përfaqësojë palët, gjegjësisht të jetë avokat i proceseve dhe jo të punojë vetëm nga zyra.

Armend Maleta

Puna paralele e Armendit si avokat dhe në projekte ndërkombëtare

Në vitin 2010 ka diplomuar në Fakultetin Juridk të Bernës ndërsa në vitin 2013 ka mbaruar edhe provimin e avokaturës dhe ka marrë licencën e avokatit. “Shpejt vendosa të jem avokat i pavarur dhe paralelisht jam punësuar në disa zyra avokatie në Cyrih për projekte ndërkombëtare, ndër më të mëdhatë në Zvicër, si: “Lenz & Staehelin”, “Schellenberg Wittmer” dhe “Niederer Kraft Frey”. Në këto vende pune kam përfituar shumë, që sot ta kem më lehtë të gjendem në raste specifike”, sqaron Armendi. Ndërkaq, me lindjen, në vitin 2016 të vajzës, Aulonës, puna në Cyrih ishte ngarkesë shumë e madhe, prandaj është orientuar nga viti 2017 vetëm në Bernë, ku që nga viti 2014 ai tashmë e kishte avokaturën.

Fushat me të cilat merret në avokaturën “Maleta” janë: të drejtat private dhe të personave, e drejta familjare, e drejta e punës, ajo e qirasë, të drejtat e kontratave, e drejta penale, të drejtat në komunikacion. Po ashtu merret me të drejtat sportive, të përfaqësimit, menaxhimi, këshillimi juridik i sportistëve, transferet e tyre etj.

Plotësojnë njëri tjetrin me kompetencat në fushat përkatëse

Ndërsa lidhur me bashkëpunimin me Arianin, Armendi thotë: “aty ku ai është më kompetent, punojmë bashkë, si në të drejtën e kompanive, në themelimin e firmave, struktura të ndryshme dhe në të drejtën tatimore. Këtu e shfrytëzoj kompetencën e tij. Ndërsa unë merrem edhe me të drejtat e të huajve ose nga fusha e migracionit. Duhet të theksoj se më kontaktojnë mjaft shqiptarë jo vetëm nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia por edhe nga vende të largëta si nga Libia etj., që interesohen për të drejtat e biznesit, të drejtat bankare në Zvicër etj. Rreth çështjeve që lidhen me të drejtat e të huajve dhe migracionin, kemi raste të kërkesave edhe të ballkanasve tjerë dhe jo vetëm të shqiptarëve”. Dhe këtu Armendi me Arianin kanë edhe një përparësi, pasi që njësoj si shqipen i njohin edhe gjuhët e ish Jugosllavisë.

E drejta familjare dhe ajo e fëmijëve është po ashtu një fushë me të cilën avokatura “Maleta” ka angazhime të shumta. “Në një kohë kur rreth 50% të martesave në Zvicër, edhe ato në mes të të huajve, prishen pas një kohe, kjo është një fushë që sjell shumë punë. Kështu ndodh që për vetëm një rast shkurorëzimi, për shkak të kompleksitetit të lëndës, të bëhen disa procese në lëmenj të ndryshëm dhe që marrin disa vite punë”.

Sa i përket specializimit për njërën ose fushën tjetër, Armendi thotë se vetë provimi i avokaturës në Bernë është shumë kompleks dhe ka disa provime më shumë se në kantone tjera, prandaj garanton një përgatitje gjithëpërfshirëse. Megjithatë, ka mundësi specializimi ose përcaktimi për një fushë, gjatë përvojës.

Ariani nuk u bë dot futbollist por u bë avokat i suksesshëm dhe ekspert i lartë i tatimeve

Arian Maleta

Ngjashëm, por për gjithçka dy vjet më herët, ka rrjedhur edhe jeta e Arianit. Me një ndryshim: “Unë nuk kam pasur ndonjë ambicie të veçantë për juridik ose për çfarëdo drejtimi tjetër të studimeve. Përveç pasionit që si fëmijë dhe i ri e kam pasur për futbollin, nuk mund të them se kam pasur ndonjë përcaktim konkret për drejtimin që kam marrë”, shprehet Ariani. Por, pavarësisht kësaj, “ai ka qenë, gjithmonë nxënës dhe student më i mirë se unë” ndërhyn disa herë vëllai i tij i vogël, Armendi. “Kam pasur fatin që ai ka qenë dy vite para meje dhe gjithmonë e ka shtruar rrugën nga do të kaloja unë”, shprehet mirënjohës ai.

Kur bie fjala për futbollin, Ariani nuk e fsheh dot dhembjen për faktin që ishte detyruar ta braktiste këtë sport, ndonëse kishte të dhëna të veçanta dhe pasion të madh për lojën me top. “Kisha shkuar në Skoci me shpresa të mëdha për ta vazhduar karrierën si profesionist në futboll, pas mbarimit të gjimnazit në Bernë. Por u bë si u bë, i lëndova ligamentet dhe mu desh madje të operohesha tri herë.

Pastaj, vendosa pothuaj rastësisht të studioja juridikun dhe e mbarova me kohë dhe sukses shumë të lartë. Pas dhënies së provimit të avokaturës, fillova punën më 1 janar 2012 në avokaturën e madhe “Lenz & Staehelin” dhe më vonë në bankën “Credit Suisse” në Cyrih. Gjatë punës në Cyrih e kam kryer edhe shkollimin për ekspert të tatimeve të Zvicrës. Kjo ka zgjatur 4 vjet praksë dhe 3 vjet shkollim që, për mua, ka qenë më e vështirë se dhënia e provimit shtetëror për avokat. Kështu, unë sot punoj vetëm me tatime dhe me të drejtën ekonomike për firma të ndryshme, nuk shkoj në procese gjyqësore por më shumë kam punë me shkrim.

I involvuar në zgjidhjen e disputit mes SHBA-së dhe Zvicrës për tatimet

Në këtë lëm ka mjaft punë pasi që si sektor ai luan një rol në çdo fushë të drejtësisë. Një kombinim i tillë profesionesh nuk është aq i shpeshtë në Zvicër kështu që kërkesat janë të mëdha. Dua ta cek edhe nje fakt, se kam qenë i involvuar në zgjidhjen e disputit mes SHBA-së dhe Zvicrës për çështje tatimore”, na e zbulon Ariani.

Deri në vitin 2017 ka punuar në Cyrih në vendet e përmendura, ndërsa nga ky vit punon në Bernë si avokat i pavarur dhe ekspert i tatimeve.

Sa i përket bashkëpunimit me Armendin, Ariani thotë: “Është e thjeshtë, të gjitha lëndët që kanë të bëjnë me tatimet, Armendi mi sjell mua ndërsa unë ia bart atij të gjitha ato që nuk kanë të bëjnë me tatimet”. Shpesh bëjnë punë të përbashkëta kur lëndët që kanë nëpër duar, ndërthuren dhe kërkojnë kompetencën e të dyve. “Për këtë kemi kërkesa nga bashaktdhetarët tanë të bëjmë një firmë kontabiliteti, diçka si “Maleta Treuhand”, ku do të merremi me çështjet juridike dhe ekonomike, të kontabilitetit dhe optimimin e tatimeve”, thotë Armendi. “Është në natyrën e klientëve, sidomos atyre shqiptarë, që të kërkojnë konsultimet dhe zgjidhjen e të gjitha problemeve në një zyrë. Këtë duam t`ua krijojmë ne, me ndihmën edhe të ekspertëve tjerë”, ndërhyn Ariani. Sigurisht, thotë Armendi, kemi dëshirë që t`u ofrojmë mundësinë edhe ekspertëve të rinj shqiptarë të fushave përkatëse që të punojnë në këtë firmë.

Kompetenca sociale, në plan të parë

“Profesioni është shumë interesant, nuk ka monotoni. Për mua ka shumë rëndësi edhe komponenta sociale e avokatit. Edhe pse kam pasur sukses dhe nota të larta gjatë studimeve, them se, po nuk e pate kompetencën sociale dhe përvojën që fitohet nga kontaktet me njerëzit dhe problemet e tyre, nuk mund të jesh avokat i mirë”, thotë Ariani.

 

Jeton Kryeziu, avokati që “mundi” futbollistin

Ka qenë vetëm 1 vjeç kur në vitin 1983 prindërit e tij kanë emigruar në Zvicër. Është rritur e shkolluar në pjesën frankofone të Zvicrës. Pas shkollës obligative, gjimnazin e ka ndjekur në Yverdon-les-Bains. Kurse fakultetin juridik në Universitetin e Fribourgut. Më pas ka punuar 6 muaj në gjykatën e rrethinës Yerdon-les-Bains. Në tetor të vitit 2008 ka bërë praktikën e avokaturës në Lausanne, në zyrën e z. Elie ELKAIM dhe ndërkohë ka punuar si avokat. Në prillin e vitit 2011 ka hapur zyrën KDT Avocats me dy avokatë tjerë dhe pastaj kjo zyrë është rritur gradualisht. Sot KDT Avocats punon me tetë punëtorë, mes tyre katër janë avokatë dhe pjesa tjetër punojnë në sekretariat.

Kush është Jeton Kryeziu dhe si e përshkruan ai veten.

Jeton Kryeziu është nje djalë nga Suhareka që si fëmijë është munduar t’ju shkojë prindërve “për qejfi” e të mos i deshpërojë. Tani është një emigrant që, edhe si fëmijë, është kujdesur të mos të dalë prej “standardit” të ngritur nga shoqëria në Zvicër. Mirëpo me kohë ka mësuar që nuk ka e as nuk duhet ndjekur asnjë standard, dhe nuk ka nevojë të “bëhet si ky, apo si këta”, por as të mos shqetësohet nga diferencat që mund të shfaqen. “Sepse shteti mikpritës i do diferencat tona, qoftë në kulturë, në tradita apo bashkim familjar”, tregon avokati i njohur që pas mbarimit të shkollës së mesme, ishte në dilemë të vendoste për futbollin apo studimet.

Albinfo.ch: Kur keni filluar të punoni si avokat, cila ka qenë puna juaj e parë?

Jeton Kryeziu: Në stazh të avokaturës në 2008. Dosja e parë ka qenë në lidhje me realizimin (shitjen për të marrë të hollat që i takonin një klientit tim) e një objektit në fushën e ndërtimtarisë.

Albinfo.ch: Cilat janë fushat e drejtësisë në të cilat ju angazhoheni?

Jeton Kryeziu: Janë të ndryshme, si për shembull, drejtësia civile, domethënë drejtësia familjare (divorcim, e drejta e femijëve, trashëgimi), kontratat (shit-blerje, mosrealizimi ose keqrealizimi i një kontrate), por ashtu edhe ligji për ndërtimtari dhe firmat që kanë kontratë direkte me pronarin e shtepisë apo që punojnë me “nën-mandate”, domethënë prej një firme kryesore.

Këshillojmë shumë firma lidhur me problemet juridike të përditshme (kontrata me partnerë, kontratat e punës të punëtorëve, ejt.). Por edhe u përgjigjemi pyetjeve për pronën intelektuale, si p. sh. përdorimin e logos, apo të ndonjë punimi tjetër. Gjithashtu, trajtojmë shumë raste administrative, të cilat nënkuptojnë martesat, rastet për lejeqëndrim në Zvicër, por edhe në lidhje me ndërtime ose rastet në komunikacion. Punojmë gjithashtu shumë në lëmin penal.

Albinfo.ch: Çfare përvoje keni krijuar si jurist dhe sa dallon sistemi i drejtësisë këtu me atë të Kosovës apo a mund të bëjmë një krahasim?

Jeton Kryeziu: Pas nje vizite me afër 50 avokatë dhe praktikantë zviceranë në Kosovë në vitin 2015, për 4 ditë takuam shumë avokatë, gjykatës, prokurorë, por edhe ambasadoren e Zvicrës. Dallimi kryesor ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës eshtë zbatimi i ligjeve, dhe zbatimi i vendimeve. Këto veshtirësi e kanë burimin në (pa)varësinë e gjykatës, cila në disa raste është e detyruar të vendosë për palën më të “fuqishme”.

Albinfo.ch: Cili është profili i kancelarisë KDBT Avocats që ju drejtoni?

Jeton Kryeziu: Zyra jonë e ka në fokus kryesor klientin, e jo shifrën e realizuar gjatë një vitit. Avokatët në zyrën tonë janë nga prindër që kanë punuar si punëtorë të thjeshtë. E njohim vlerën e një frangu, por edhe jemi të vetëdishëm për rëndësinë që kanë problemet juridike për klientët.

Albinfo.ch: Çfarë përvoje keni me bashkatdhetarët tanë apo me shqiptarët?

Jeton Kryeziu: Mund të them; shumë të madhe. 50 % të klientëve të mi janë shqiptarë.

Albinfo.ch: Ku janë ata më shumë të prekur nga ligji apo e drejta e tyre?

Jeton Kryeziu: Mund të them lirisht në shumë fusha të ndryshme. Kemi shumë raste familjare, por gjithashtu edhe në lëmin komercial, sepse çdo ditë po shtohet numri I shqiptarëve që hapin ose udhëheqin biznese të ndryshme. Gjithashtu ka edhe shumë raste në lëmin penal.

Albinfo.ch: Çfarë do të thotë të drejtosh një zyrë që është në shërbimin apo mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve. Cilat janë përgjegjësitë?

Jeton Kryeziu: Konsultimi i një avokati është hapi i parë ku caktohet situata juridike e klientit, domethënë, analizohen të drejtat dhe detyrat e tij. Hapi i dytë verifikon a i ka ushtruar të gjitha të drejtat. A ka të drejta të shkelura e kështu me radhë. Hapi i tretë dhe i fundit është të merret një vendim se si duhet vepruar duke marrë për bazë dy hapat e parë. Për të marrë një vendim, analizohen shanset për të fituar procedurën, apo për të arrituar në një situatë më të favorshme. Ka raste ku e këshillojmë klientin që mos të marrë masa tjera, apo të mos kundërshtojë një vendim, sepse duke pasur parasysh koston e procedurës dhe të avokatit, sigurisht që do të dalë në humbje. Eshtë detyrë e jona të informojmë klientin dhe ta këshillojmë atë.

Albinfo.ch: A ka shkelje të të drejtave dhe nëse po, deri në çfarë mase?

Jeton Kryeziu: Po, ka shkelje të të drejtave. Janë disa “shkelje” që figurojnë në ligj, në bazë të disa principeve apo statistikave, por ka edhe në vendime. Ato në ligj, janë p. sh. sigurimet e automjeteve, të cilët janë më të shtrenjta për klientë të vendeve tjera dhe çmimet dallojnë varësisht prej prejardhjes. Këto dallime mundohen të shpjegohen në bazë të statistikave. Një tjetër pabarazi të ligjit kemi tek paraburgimi, ndër 3 motivet për të mbajtur një person në paraburgim, është kur ndodh një vepër penale dhe para gjykimit “rreziku i ikjes apo arratisjes” është evident. Në disa raste, ky motiv lejon që të futet një i huaj në paraburgim sepse ekziston rreziku i ikjes. Mirëpo për një zviceran që ka marrë pjesë në atë vepër, si p. sh. në një vjedhje bashkë me të huajin, ky rrezik nuk ekziston, dhe ai do të lihet i lirë sepse konsiderohet që zvicerani nuk përbën rrezik per ikje. Në aplikim të ligjit tani, më ka ndodhur shpesh të kem raste me bashkatdhetarë tanë që vijnë në Zvicër me lejeqendrim të Italisë apo të shteteve tjera të zonës Schengen. Këta, janë dënuar nga prokuroria për qendrim dhe punë të pa autorizuar. Ne kemi kundërshtuar këto vendime duke dëshmuar që kanë të drejtë të vizitojnë familjarët në Zvicër gjatë nje periudhe të kufizuar, dhe gjithmonë kemi fituar.

Albinfo.ch: A është e shtrenjtë puna e avokatit apo cila është rruga më e mirë që duhet të ndjekë një qytetar në mënyrë që të mos ketë shpenzime të mëdha?

Jeton Kryeziu: Puna e avokatit nuk është e lirë. Pa hyrë në detaje, si çdo çmim i tregut, fiksohet në bazë të shpenzimeve (zyra, arsimimi i vazhduar, punëtorët, etj.). Megjithatë, Zvicra ka një sistem shumë të mirë për persona që nuk kanë mundësi të paguajnë punën e avokatit. Ekziston „Ndihma gjyqësore“. Kjo ndihmë kërkohet përmes avokatit që konsulton klientin. Personalisht, gjithmonë ia propozoj klientëve të rinj. Ndryshe, situata financiare nuk duhet të jetë pengesë për asnjë qytetar për ushtrimin e të drejtave të tij. Ky princip është bazë e një shteti ligjor, sepse përndryshe vetëm njerëzit e pasur do të kishin mundësi të mbroheshin në gjykatë dhe të ushtronin të drejtat e tyre.

 

 

 

 

Rruga e gjatë për t`u bërë avokate

“E di çka, shqiptarët nuk i kushtojnë shumë kujdes shkollimit të vajzave të tyre”, i thotë një burrë i moshuar një të moshuari tjetër, në restorantin e Migrosit. Të reagoja në mënyrë të argumentuar ndaj një deklarimi të tillë, mund eventualisht t`i iluminoja  shpirtrat e dy zotërinjve që po diskutonin, por do t`i mbetesha borxh edhe më tutje një opinioni më të gjerë. Për këtë arsye, albinfo.ch i ka dhënë vetes detyrë që të luftojë paragjykimet e çdo lloji që bien në kurriz të bashkatdhetarëve tanë, përmes portreteve dhe raportimeve mbi gratë dhe burrat e integruar me sukses në shoqëri.

Se nga cili burim propagandues vjen imazhi i shqiptares së paarsimuar, ne nuk mund ta mësojmë aq lehtë. Por ajo çfarë mund të bëjmë ne, është që këtë imazh negativ ta shlyejmë deri në mosnjohje, për ta krijuar një imazh të ri, bashkëkohor.

Pas një numri të madh të ndërmarrës/eve, politikanë/eve, mësues/eve etj., po ua prezantojmë kësaj here një juriste dhe avokate të ardhshme.

Përmes rrugëve të ndërmjetme deri te patenta e avokates

Kush dëshiron të bëhet avokat/e, duhet të shkojë në gjimnaz pastaj të studiojë shkencat juridike, të bëjë një punë praktike, të punojë si jurist/e dhe të absolvojë në fund provimin e avokaturës. Se kjo rrugë nuk duhet patjetër të rrjedhë në mënyrë drejtëvizore, na tregon juristja Nexhmije Sulejmani në intervistë.

28 vjeçarja, deri në moshën e saj 7 vjeçare ka jetuar së bashku me nënën, motrat dhe vëllezërit në një fshat afër Tetovës, para se përmes bashkimit familjar të emigronin në Zvicër. Nexhmija pastaj ka vazhduar në Oberuzwil shkollën fillore dhe atë të mesme. Në fund të shkallës së dytë të shkollës fillore ajo u përcaktua për zanatin e asistentes shëndetësore, të cilën do ta kryente së bashku me maturën profesionale.

“Unë tashmë e dija se dëshiroja që pas mbarimit të zanatit të arsimohesha më tutje”, rrëfen Nexhmija, “dhe mendoja fillimisht që të studioja mjekësinë, diçka që pastaj, gjatë rrjedhës së shkollimit, sërish e hodha poshtë”.

Për studimet në shkencat juridike, absolventja e sotme e masterit pati vendosur për shkak të numrit të madh të mundësive profesionale që të ofrohen pas diplomimit në këtë fakultet.

Por, me një çertifikatë të maturës profesionale nuk ke të drejtë për të studiuar në Universitetin e Cyrihut, prandaj, për këtë arsye ajo, para fillimit të studimeve, e bëri kompensimin (kapi në mënyrë retroaktive) e maturës së gjimnazit. Si punonjëse shëndetësore ajo vazhdoi të punonte më tutje gjatë gjithë kohës së studimeve.

Arsimimi krijon pavarësi

Aktualisht Nexhmije Sulejmani po absolvon një punë praktike si këshilltare juridike te Raiffeisen Bank Schweiz, në St.Gallen. “Ne bëjmë këshillime juridike për të gjitha bankat Raiffeisen në gjithë Zvicrën. Unë punoj në gjuhën gjermane dhe në atë frënge. Në këtë profesion ka shumë rëndësi që t`i zotërosh të dyja gjuhët, pa gabime”, na sqaron ajo. Për të përmbushur parakushtet për patentën e avokatit, ajo synon të bëjë një tjetër praktikë pune në Gjykatën Kantonale të St.Gallenit.

Për të ardhmen, juristja që di çfarë dëshiron, e sheh veten si avokate për lëndë ekonomike në një kompani të madhe. Për ta arritur këtë, ajo ka studiuar madje një semestër plotësues, në Universitetin e St.Gallenit.

“Për gruan është me rëndësi të jetë e arsimuar, të jetë e pavarur, në mënyrë që të mund të jetojë jetën e saj në përputhje me idetë e saj”, thotë Nexhmija në përfundim të intervistës duke i shtuar kështu imazhit bashkëkohor të gruas shqiptare penelatën e fundit.

 

Përvojat me padrejtësinë, shtynë Artanin të studionte drejtësinë

Ishin vitet e 90-ta në Kosovë kur fillon përjashtimi me dhunë i shqiptarëve nga vendet e tyre të punës. Të njëjtin fat e kishte edhe babai i Artanit, Sylejman Sadiku, i cili pasi që ishte në kryesinë e sindikatës në një fabrikë në Kamenicë, detyrohet ta lëshojë Kosovën.

Nuk shkoi gjatë kur në shtëpinë e Artanit, paraqitet policia e atëhershme serbe, me ç`rast, në mungesë të babait, arrestohet nëna e tij, e cila lirohet të nesërmen.

Kështu fillon edhe rrëfimi për Artan Sadikun, i cili qysh në moshë të re, u përball me padrejtësinë. Pas atyre ngjarjeve, ai së bashku me nënën dhe vëllain, marrin rrugën për në Zvicër, ku tashmë i priste babai i tyre, që kishte gjetur strehim atje si refugjat.

Pasi vendosen të gjithë në një fshat të Apenzell-it, këtu fillon rrëfimi i dytë për Artanin dhe familjen e tij. Pas shkollimit fillor, ai regjistrohent në një gjimnaz në një Manastir në Appenzell. Edhe pse ishte i vetmi shqiptar e me përkatësi myslimane, ai në asnjë rast gjatë shkollimit 6 vjeçar në këtë shkollë, nuk e ka ndier veten të diskriminuar nga të tjerët, por përkundrazi.

Ndjenja për drejtësinë e shtyn të studiojë juridikun

Duke qenë se ishte mjaft i lidhur me familjen, për shkak të distancave të largëta, ishte në mëdyshje se ku t`i vazhdonte studimet universitare.

„Karnevalet, qyteti dhe liqeni, numri i madh i studenteve, si dhe vleresimi i lartë për Fakultetin e Drejtësisë“- kjo ishte përgjigjja që kishte dhënë Artani gjatë fillimit të studimeve në Universitetin e Luzernit, kur ishte pyetur nga një medium lokal se pse pikërisht kishte zgjedhur Luzernin. Përgjigjje që e kujton ende e që e bën të qeshet me këtë prononcim të vetin asokohe.

Pra ishte nevoja për drejtësi, ajo që e kishte tërhequr më shumë Artanin për të zgjedhur pikërisht këtë drejtim për studime e që padyshim ishte ndikuar shumë nga përvojat e tij, kur si i vogël ishte trajtuar padrejtësisht.

„Ligji është një konsensus i popullatës për bashkëjetesë, në bazë të rregullave të vendosura nga shteti, e po ashtu edhe kufizim i disa të drejtave, gjithmonë me pëlqimin e të dyja palëve“. Kështu e përkufizon ligjin Artani kur e pyesim se pse pikërisht kishte zgjedhur drejtësinë.

E pikërisht gjetjen e konsensusit mes palëve e sheh si pikë të fortë të tijën. Për të bërë këtë punë, duhen para së gjithash aftësi të mëdha ndërnjerëzore, aftësi për krijimin e besimit mes njerëzve. E duke mos mundur shkëputjeje nga e kaluara historike, ai nuk mundet të mos e përmend edhe Anton. Çettën, që edhe pse nuk ishte jurist, Artani gjithmonë e ka si shembull rezultatin e aftësinë e tij në zgjidhjen e plagëve shekullore shqiptare, siç është hakmarrja.

Avokati i parë shqiptar në Lucern

Më 2014, pas studimeve të nivelit Master në Drejtësi, Artan Sadiku, pajiset edhe me Licencën për Avokat, duke qenë kështu avokati i parë shqiptar në Luzern. Pas disa punëve të përkohshme në zyra avokatie, ai në vitin 2016, i bashkohet ekipit  të firmës së Avokatëve “Meier Rechtsanwälte”, në Luzern.

Të drejtat penale, si raste më të shpeshta, e po ashtu edhe e drejta biznesore, ato familjare, janë vetëm disa nga fushat me të cilat Artanit i duhet  të merret më shpesh dhe po ashtu, të ngjitet në shkallët e gjykatave.

Ai thotë se, krahasuar me vitet e mëhershme, tashmë çdo ditë e më shumë sheh shqiptarë që punojnë në institucione të larta të Zvicrës, përfshirë edhe gjykatat.

Por edhe pse shpesh të sulmuar padrejtësisht si kryes të veprave të shumta, sipas avokatit, kjo është më shumë propagandë mediale, sepse pjesëtarët e komunitetit shqiptar të akuzuar për krime të ndryshme në Zvicer, janë në të njëjtën shkallë me komunitetet tjera të të huajve.

Ka rënie të ndieshme të delikteve të kryera nga shqiptarët

Mirëpo një gjë që eshte shumë sinjifikante për Artanin, është se ka një rënie sa u përket delikteve të kryera nga shqiptarët, gjë që lë të kuptohet se kemi të bëjmë me një ndërgjegjësim të tyre në raport me ligjet.

E një rol të rëndësishëm e kanë luajtur edhe masat e rrepta ligjore ndaj kriminelëve apo edhe Nisma për Përzënien nga Zvicra të të huajve me dosje krimi (Ausschaffungs Initiative), ku fatkeqësisht ka edhe shqiptarë që janë detyruar dhunshëm të kthehen në vendet e prejardhjes.

Edhe temat mbi hakmarrjen apo vrasjet kanunore, që dikur mbushnin tabloidet e caktuara zvicerane, janë raste shumë të rralla.

Duke parë se numri i juristëve shqiptarë në Zvicër po rritet dita-ditës, me vetiniciativë Artani kishte kontaktuar disa avokatë të tjerë, duke bërë kështu hapat e parë për rrjetëzimin, apo edhe formimin e një shoqate të juristëve shqiptarë. Por edhe pse iniciativa ishte përkrahur nga Ministria e Diasporës në Kosovë, fatkeqësisht, mbeti vetëm një rrjetëzim në tentativë.

Pos në punët e avokatisë, Artanin e gjejmë shpesh edhe në bashkëpunim me Shtëpitë e Grave, ku ndihmon gratë shqiptare, që pas problemeve të ndryshme familjare (divorce, zënka, etj.), t`i njohin dhe t`i kenë të drejtat e tyre, shërbim të cilin e kryen pa pagesë. Po ashtu edhe fëmijëve shqiptarë që preken nga këto probleme, shpesh u del në ndihmë, duke shtuar këtu që është edhe përkthyes ligjor në 4 gjuhë.

 

“Shqiptarët delinkuentë” më shumë propagandë se realitet

Shqiptarët e Zvicrës, edhe pse shpesh të sulmuar padrejtësisht si kryes të veprave të shumta, sipas avokatit, kjo është më shumë propagandë mediale, sepse pjesëtarët e komunitetit shqiptar të akuzuar për krime të ndryshme në Zvicer, janë në të njëjtën shkallë me komunitetet tjera të të huajve .

 

Anëtar bordi i FC Wil

Duke qenë se si fëmijë ishte i pasionuar pas futbollit, ndërsa tash në mungesë të kohës për ndonjë hobi, ai ka gjetur një rrugë tjetër, ka 2 vite që është në bordin drejtues të klubit futbollistik FC Wil, ekip që garon në rangun e dytë të futbollit në Zvicër (Challenge League).

 

 

 

 

 

Shqiptarët në Zvicër duhet t`i njohin më mirë të drejtat e tyre

Trimor Mehmetaj është një avokat i ri, i shkolluar në Zvicër. Spektri i shërbimeve juridike që ai ofron në avokaturën e tij kryesisht ka të bëjë me të drejtën penale ekonomike, raste këto që konsiderohen si krime ekonomike. Megjithatë, ai në intervistën për abinfo.ch thotë se ka pasur edhe raste kur ka ofruar shërbime rreth çështjeve të pronësisë, trashëgimisë, shkurorëzimit, por edhe raste që kanë të bëjnë me përmbarimin publik. Një sferë tjetër ku po ashtu ai është mjaft aktiv ka të bëjë me të drejtat e të huajve dhe rregullimin e qëndrimit në Zvicër.

Albinfo.ch: A mund të na tregoni se si filloi karriera juaj si avokat?

Trimor Mehmetaj: Karrierën time si avokat e fillova në mënyrë pak si të pazakonshme. Pas përfundimit të shkollës së mesme, u regjistrova në studimet e mjeksisë. Në provimin e Drejtësisë mjekësore tregova sukses të shkëlqyeshëm, gjë që bëri që profesori i asaj lënde të më këshillojë se mbase do ishte më mirë t’i përkushtohem studimeve të drejtësisë. I inkurajuar nga profesori nga njëra anë, si dhe nga zhgënjimi për mjekësinë e cila nuk doli ashtu siç e kisha paramenduar në anën tjetër, vendosa ta ndërroj profesionin.

Albinfo.ch: Vendosët të ndërroni drejtimin, duke u orientuar në drejtësi. Si rodhën punët më tutje?

Trimor Mehmetaj: Gjatë studimeve, mu dha mundësia të bëja një praktikë dymujore te një avokat i cili më motivoi t’i përfundoj studimet, madje edhe magjistraturën për një periudhë të shkurtër. Ka pasur ditë kur kam pasur ligjërata prej herët në mëngjes e deri vonë natën me disa pauza të vogla. Ka qenë e tmerrshme por megjithatë ia dola. Nuk ishte diçka e paarritshme. Po ai avokat sot është jo vetëm koleg i imi por edhe njëri prej shokëve të mi më të mirë. Për të arritur këtu ku jam tani, vazhdova mbindërtimin tim profesional duke dhënë provimet e avokaturës dhe njëkohësisht, duke punuar përkohësisht si gjyqtar pranë Justice de paix de la Sarine. Pas përfundimit të provimit të avokaturës, gjatë periudhës 2014-2016, jam angazhuar si bashkëpunëtor pranë zyrës së avokatëve MCE Avocats, ku më vonë jam bërë edhe partner i kësaj zyre. Përvojën time e pasurova edhe më tepër gjatë punës për zyrën e avokaturës me seli në Lozanë, Friburg dhe Lokarno, Eigenmann Associés, në mënyrë që pastaj, si hap i ardhshëm dhe shumë i natyrshëm të jetë hapja e zyrës sime në Fribourg, me të cilën fillova me punë gjatë muajit qershor 2018.

Albinfo.ch: Një gjë me të cilën ballafaqoheni shpesh në punën tuaj është, siç shpreheni ju juridikisht, takimi me “personat me origjinë shqiptare” para autoriteteve juridike në aspektin civil edhe atë penal.” Si e shihni ju këtë punë?

Trimor Mehmetaj: Një problem të cilin do mund ta veçoja në këtë drejtim është mungesa e njohurive mbi të drejtat civile të cilat i gëzon kjo popullatë. Ata janë pjesë e popullsisë së Zvicrës dhe nuk përbëjnë asnjë dallim nga personat e tjerë që jetojnë në Zvicër. Shumica e personave me origjinë shqiptare vërtet kanë mungesë të informacioneve në lidhje me të drejtat e tyre civile para autoriteteve juridike. Këtij problemi do t`ia kisha shtuar edhe hezitimin ose frikën që e kanë ata për t’u informuar në lidhje me të drejtat e tyre civile, se mos vallë ashtu bien në sytë të autoriteteve si persona që nuk e respektojnë ligjin.

Albinfoch: Po çfarë mund të na këshilloni ju në këtë drejtim?

Trimor Mehmetaj: Hapi i parë që duhet bërë kur vjen një letër nga gjykata, nga ndonjë avokat ose nga ndonjë autoritet, është që në qetësi dhe pa panik, të përpiqemi ta kuptojmë saktë se kush e ka dërguar, për çfarë bëhet fjalë dhe ku mund të drejtohemi për ndihmë dhe këshillim. Duhet të kemi kujdes që të mos krijojmë panik, pasi që në një gjendje të këtillë personat nuk kanë mundësi të reflektojnë me gjithë kapacitetin e tyre mendor. Gjëja tjetër që duhet pasur kujdes është të shihet nëse ka afate të caktuara në këtë korrespondence. Afatet e tilla nuk duhet të anashkalohen kurrsesi. Afatet e këtilla nuk janë si puna e faturave, të cilat ia lejojmë vetes t’i paguajmë edhe më vonë. Afatet duhet të respektohen dhe nuk duhet të nënvlerësohen, sepse rezultojnë me shpenzime dhe dënime shumë të mëdha, edhe pse mund të ketë kaluar ndoshta vetëm një ose dy ditë. Hapi i fundit është që nëse vetë individi nuk mund ta zgjidhë rastin, të mos ketë turp të drejtohet për ndihmë dhe këshillia juridike. Kjo është hapësira ku avokati mund ta luajë rolin e vet. Për ta ilustruar më mirë këtë do ta përdor shembullin e të sëmurit edhe mjekut: Nëse një i sëmurë do të kishte turp të kërkojë ndihmë nga mjeku për sëmundjen e vetë, ai person do të provonte të shërohet vetë dhe si rezultat do mund të kishte pasoja më të rënda. Mjeku nga ana tjetër, si ekspert në atë fushë, do të ishte munduar ta ndihmonte që të vijë sa më shpejt në gjendjen e dëshiruar.

Albinfo.ch: Deri këtu elaboruat mbi raportin me autoritetet civile. A mund të na jepni vështrimin tuaj ndaj raporteve me autoritetet juridike në rast të shkeljes së ligjit penal?

Trimor Mehmetaj: Ligji penal si term është shumë i gjerë: duke filluar prej një gjobe të thjeshtë në komunikacion e deri te vrasjet e rënda. Diçka që kam vërejtur shpesh si avokat, janë rastet kur personi nuk e merr këtë çështje me seriozitetin më të madh, duke qenë i bindur se ka të drejtë dhe në këtë mënyrë, me veprimet e veta e vë veten në pozitë më të pavolitshme. Në raste të tilla do të propozoja për një këshillim me një avokat i cili duhet ta shohë dosjen, me qëllim të evitimit të hapave të gabuar. Në 90% të rasteve është policia ajo që e ka kontaktin e parë me të pandehurin dhe shpesh ndodh që i pandehuri të shkojë në seancë dhe mos të jetë plotësisht i vetëdijshëm se për çka bëhet fjalë. Prandaj sugjeroj që personat në fjalë të kenë shumë kujdes në këtë drejtim. Një fenomen tjetër të cilin do mund ta theksoja është numri mjaft i madh i personave, mes tyre edhe me origjinë shqiptare, të cilët kanë vështirësi për ta rregulluar çështjen e qëndrimit në Zvicër. Duke marrë parasysh se sa të ndërlikuara mund të jenë këto raste edhe këtu do të kisha sugjeruar një këshillim me ndonjë avokat. Është një çështje që shumë pak persona me origjinë shqiptare e kanë kuptuar – nuk ka më azil për shqiptarët nga Kosova! Kjo çështje ka përfunduar më 2009. Kjo është kështu për shkak se shteti kosovar ekziston dhe është i njohur nga shteti i Zvicrës. Megjithatë, një trend i ri i cili veçanërisht më gëzon, ka të bëjë me ndihmën juridike që e kërkojnë personat me origjinë shqiptare dhe e cila ndërlidhet me lejet e ndërtimit. Shpesh herë ndodhë që personat në fjalë janë aq mirë të informuar për të gjitha aspektet administrative sa që edhe nuk kanë nevojë të veçantë për ndihmë juridike.

Albinfo.ch: Si mund ta përmbledhni me disa fjali rolin e avokatit në Zvicër?

Trimor Mehmetaj: Roli i avokatit në Zvicër është ta këshillojë një person (qoftë fizik ose juridik), me qëllim të mbrojtjes së interesave të tij në mënyrën më të mirë. Roli i avokatit nuk është që t’i premtojë dikujt se ia zgjidhë problemin. Me fjalë tjera, puna e avokatit është një lloj ndihme juridike ndaj personave, të cilët kanë nevojë për një ndihmë të tillë.

Albinfo.ch: Cili është spektri i shërbimeve juridike me të cilat jeni më tepër i angazhuar?

Trimor Mehemetaj: Spektri i shërbimeve juridike në përditshmërinë time kryesisht ka të bëjë me të drejtën penale ekonomike, raste këto që konsiderohen si krime ekonomike. Megjithatë, kam pasur edhe raste kur kam ofruar shërbime të çështjeve të pronësisë, trashëgimisë, shkurorëzimit, por edhe raste që kanë të bëjnë me përmbarimin publik. Një sferë tjetër ku po ashtu jam mjaft aktiv ka të bëjë me të drejtat e të huajve dhe rregullimin e qëndrimit në Zvicër.

Albinfo.ch: A mund të veçoni ndonjë prej sfidave me të cilat ballafaqoheni si avokat?

Trimor Mehmetaj: Jam plotësisht i vetëdijshëm për aspektin financiar që e ngërthen ky profesion, si për atë që e kërkon shërbimin, ashtu edhe për atë që e ofron atë. Një keqkuptim me të cilin unë shpesh ballafaqohem është perceptimi se në momentin që avokati e merr lëndën, puna është e kryer dhe se kompensimi bëhet atëherë kur lënda të ketë përfunduar në favor të klientit, duke harruar që detyra e avokatit siç e përmenda edhe më lart, është t’i mbrojë interesat e klientit të vetë në mënyrën më të mirë. Kjo në anën tjetër, nuk nënkupton se rasti domosdoshmërisht do të përfundojë në favor të klientit përkatës.

Albinfo: Po në të ardhmen? Cilat janë planet tuaja?

Trimor Mehmetaj: Planet e mia për të ardhmen do t`i përmblidhja në një fjali: zhvillim i mëtejshëm i punës time. Me këtë nuk e përjashtoj edhe mundësinë e zgjerimit të zyrës dhe shërbimeve të mia, jo vetëm në Zvicër por edhe në Kosovë. Një gjë që do të kishte ndihmuar mjaft në këtë drejtim do të ishte lejimi i shtetasve të huaj të jenë pronarë të bizneseve të tyre në Kosovë, gjë që shpresoj se do të bëhet së shpejti.

 

 

 

 

 

 

Gentiana, avokatja e pasionuar pas të drejtës ekonomike

Gentiana Shabanaj është avokate që si fushë të veprimtarisë së saj profesionale ka zgjedhur të drejtën ekonomike. Ky sektor kombinon shumë fusha të së drejtës dhe kërkon njohje si dhe pasje të një vështrimi të përgjithshëm të konteksteve të vështira ekonomike. Kjo e bën punën e avokatit në këtë fushë shumë interesante dhe sfiduese”, thotë Gentiana për albinfo.ch.

Albinfo.ch: Kush është Gentiana Shabanaj? Si erdhët në Zvicër?

Gentiana Shabanaj: Thënë shkurt, unë jam, nga njëra anë një avokate e re, mendjehapur dhe nga ana tjetër, një vajzë e re fare normale, e cila pëlqen të bëjë veprime që e emocionojnë, udhëton shumë dhe interesohet për modën.

Jam e lindur në Pejë. Familja ime ka ardhur në Zvicër për shkaqe ekonomike dhe politike kur unë kisha vetëm pak muaj që kisha lindur. Në Zvicër jam rritur me katër motra dhe vëllezër. Gjithmonë kemi pasur marrëdhënie shumë të ngushta me njëri tjetrin, marrëdhënie që i kemi mbajtur  deri sot. Së këndejmi, unë jam po ashtu një njeri shumë familjar.

Shkollimin e rregullt e kam vijuar në një fshat të vogël në Kantonin e Bernës, për të mbaruar pastaj gjimnazin. Gjatë kohës së shkollimit, për mua që nga fillimi ka pasur rëndësi performanca në mësime. Edhe jashtë shkollës kam qenë shumë e angazhuar, për të përmendur këtu aktivizimin tim në një klub volejbolli.

Studimet e drejtësisë i përfundova pastaj në Bernë, ku më vonë kam punuar edhe si asistente shkencore në Institutin për të Drejtën Ekonomike dhe në të njëjtën kohë kam marrë licencën për avokate. Kjo pozitë në Universitetin e Bernës ka ngjallur tek unë një interesim të thelluar për të drejtën ekonomike dhe ka përforcuar synimin tim për të punuar në një zyrë të madhe ligjore në Cyrih. Tashti, unë këshilloj pikërisht në këtë fushë klientët e mi, shumica e të cilëve vijnë nga firmat e krijuara rishtas (Startups).

Të punosh si avokate në Zvicër është një punë jashtëzakonisht e vështirë për arsye se konkurrenca është shumë e madhe. Përse vendoset të studioni juridikun?

Drejtësia (ligjet) na shoqëron kudo në përditshmërinë tonë. Mua më ka interesuar qysh herët se çfarë është e lejueshme dhe çfarë duhet evituar, shmangur si dhe mënyra se si janë të disenjuara gjegjësisht si duhej të ishin, marrëdhëniet juridike. Unë po ashtu gjithmonë kam dashur të kuptoja se si është i strukturuar një shtet dhe si funksionon ai. Drejtësia të jep mundësinë që të veprosh në shumë sektorë dhe të bësh ndikimin tënd në shtet. Krahas kësaj, studimet e drejtësisë të ofrojnë një arsimim shumë cilësor të përgjithshëm dhe të hapin shumë porta në profesion. Kjo dhe kontakti i ngushtë me njerëz ishin për mua shkaqet kryesore që më shtxnë të studioja drejtësinë.

Tani jeni në kohën e specializimit, jeni gjithkund nëpër gjykata, prokurori, ku ju rreh zemra më shumë: të mbroni qytetarët apo shtetin, apo ligjin?

Unë, që në kohën e studimeve dhe pastaj gjatë praktikës në avokaturë, jam përpjekur që të shikoja sa më shumë sektorë. Kështu unë gjatë studimeve kam qenë asistente në një zyrë të vogël që ishte e specializuar në të drejtën penale dhe familjare. Një pjesë të praktikës sime pastaj e kam kaluar në një gjykatë regjionale dhe në kuadrin e një autoriteti të pajtimit. Këto angazhime kanë qenë të gjitha shumë interesante. Por zemra ime rrah në fakt për të drejtën ekonomike dhe në veçanti për lëmin e kompanive të posakrijuara (startup). Është mbresëlënëse të jesh gjithmonë pjesë e një projekti dhe që këtë projekt ta shndërrosh në diçka të madhe.

Keni menduar ndonjëherë se do të ndani drejtësinë?

Po, kjo ka qenë gjithmonë ëndrra ime.

Ishte dëshirë e prindërve apo vendoset ju vet për të ardhmen tuaj?

Kjo ka qenë padyshim dëshira ime. Nëna ime është mësuese e pasionuar dhe unë kam ndjenjën se ajo intimisht ka dëshiruar që unë të ndiqja rrugën e profesionit të saj. Ndërkaq me babanë tim kam diskutuar vazhdimisht rreth asaj nëse do të ishte më mirë të studioja mjekësinë. Por prindërit e mi kanë qenë gjithmonë mbështetja ime më e madhe. Edhe nëse ata ndoshta nuk kanë mundur të më mbështetnin profesionalisht, unë kam pasur gjithnjë mbështetjen e tyre të plotë morale, pa të cilën nuk do të mund të arrija kurrë deri këtu.

A ka shumë ligje Zvicra? Çfarë do të te thotë të jesh juriste në Zvicër?

Po, Zvicra ka shumë rregulla ligjore. Kjo e bën veç tjerash të pashmangshme që avokatët të specializohen në pak fusha. Për shkak të dendësisë në rritje të rregulloreve dhe “legalizimit” të shoqërisë, shumë klientë e kanë shpesh tashmë të pamundur që të krijojnë një ide mbi të drejtat dhe detyrimet e tyre. Kjo pastaj ka për pasojë që ata të marrin avokatin që në fillim, i cili, sikur në rastin tim, do të ndjekë një projekt që nga fillimi. Një monitorim i tillë i ngushtë i projektit  nënkupton, përveç pasjes së një ekspertize solide profesionale juridike po ashtu edhe njohuri mbi aktivitetin biznesor të klientit dhe të fushës përkatëse.

Është po ashtu e nevojshme që avokati të jetë i arritshëm për klientët, mundësisht sa më shpejt dhe pothuajse në çdo kohë. Komunikimi në kohën e sotme realizohet kryesisht përmes e-mailit ose telefonit. Rrjedhimisht, profesioni i avokatit kërkon trajnim dhe specializim të vazhdueshëm ashtu si dhe qasje.

Shqiptarët kanë ecur mes vështirësive për tu integruar në jetën konkurruese të vlerave të shoqërisë e shtetit ligjor zviceran. Ku janë shqiptarët tani përballë ligjit?

Unë mendoj se përmes integrimit të tyre, sjellja e e shqiptarëve është përshtatur me shtetin ligjor të Zvicrës. Kjo, sipas mendimit tim ka bërë që shumica e shqiptarëve t`i përmbahet sistemit ligjor zviceran.

Me çfarë merret zyra juaj, çfarë u ofroni Ju klientëve, znj.Shabanaj

Avokatura në të cilën punoj unë, ka shtatë filiale në gjithë Zvicrën. Ajo përbëhet nga avokatë individualë, të specializuar në lëmenj të ndryshëm profesionalë. Kjo madhësi dhe specializimet nga më të ndryshmet, na e bëjnë të mundur që klientëve tanë t`u ofrojmë këshillime gjithëpërfshirëse. Unë punoj para së gjithash për sektorin “Kellerhals Carrard Staruo-Desk”. Ne këshillojmë ndërmarrësit e rinj dhe ndërmarrjet e reja rreth të gjitha çështjeve si për shembull ciklet e financimit, planet për pjesëmarrjen e punonjësve dhe të drejtën e punës.

Pra, jam përcaktuar për lëmin e të drejtës ekonomike. Ajo kombinon shumë fusha të së drejtës dhe kërkon njohje si dhe pasje të një vështrimi të përgjithshëm të konteksteve të vështira ekonomike. Kjo e bën punën e avokatit në këtë fushë shumë interesante dhe sfiduese. Veç kësaj, si avokat ekonomie, ose biznesi, je i orientuar ndërkombëtarisht, gjë që mua më përshtatet shumë.

Sa avokatë shqiptarë njihni në Zvicër?

Unë jam e lidhur përmes medieve sociale me disa avokatë shqiptarë por personalisht, për fat të keq, njoh vetëm pak prej tyre.

Sa janë të vështira studimet e juridikut?

Studimet në Fakultetin e Drejtësisë nuk janë aspak studime të lehta dhe të marrin shumë kohë. Por falë përkushtimit dhe pasionit të madh, përfundimi i tyre ka qenë për mua fare mirë i realizueshëm.

E mendoni ndonjëherë të ktheheni në Kosovë për të bartur përvojën zvicerane në fushën e drejtësisë?

Po, sigurisht. Unë vazhdoj të jem shumë e lidhur me Kosovën dhe rregullisht i kaloj pushimet e mia atje. Por pasi që si avokate e re më duhet të bëj edhe ca përvojë për vete, që të mund të ndryshoj diçka në Kosovë, kjo me siguri nuk do të ndodhë në një të ardhme të afërt. Deri atëherë unë shpresoj natyrisht se edhe Kosova do ta bëjë një hap në drejtimin e duhur.  Tashti, unë këshilloj pikërisht në këtë fushë klientët e mi në një avokaturë të madhe e cila quhet “Kellerhals Carrard.”

 

 

 

 

 

 

Brikena Muharremi: Detyra jonë është t’i shërbejmë komunitetit

Brikena Muharremi është bërë e njohur në diasporën shqiptare si juriste londineze që angazhohet në të mirë të komunitetit shqiptar në Angli. Ajo së fundi është vlerësuar nga Qeveria shqiptare në Samitin e Diasporës në Tiranë me çmimin “Ambasadore e Kombit”.

Ndërkohë, Brikena është emëruar nga Qeveria e Shqipërisë edhe anëtare e Këshillit Koordinues të Diasporës. Lidhur me këtë, ajo shprehet: “Ndihem e nderuar dhe e privilegjuar që Qeveria e Shqipërisë më ka emëruar në Këshillin Koordinues të Diasporës dhe që m’a ka besuar detyrën e përfaqēsimit të Diasporës sonë në këtë nivel të lartë shtetëror si përfaqësuese nga Britania e Madhe. Jam e privilegjuar që do t’i shërbej bashkatdhetarëve të mi dhe atdheut tonë për një të ardhme më të mirë për të gjithë”.

Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me të ku ajo pasqyron organizimin e shqiptarëve në Angli dhe suksesin e tyre atje, duke veçuar emra si Rita Ora e Dua Lipa.

Albinfo.ch: Jeni aktualisht avokate nga diaspora shqiptare për të cilen më së shumti flitet. A mund të na thoni për lexuesit tanë kushështë Brikena Muharremi?

Brikena Muharremi: Jam avokate e bazuar në Londër ku jetoj qe 23 vite.  Kam mbi 12 vite përvojë pune në profesion. Kam lindur dhe jam rritur në Kosovë.  Në Angli kam ardhur me vizë, si studente e shkollës së mesme, tre vite para luftës në Kosovë. Arsyeja e ardhjes sime në Angli ka qenë që të shkollohem meqë shkollat në Kosovë në atë kohë u mbyllën dhe ne vijonim mësimin nëpër shtëpi private, i cili nuk ishte mësim adekuat. Pas përfundimit të shkollës së mesme nuk munda të kthehem në Kosovë për shkak të luftës dhe vazhdova studimet universitare në degën e drejtësisë në Londër.  Përfundova studimet dhe trajnimin pranë një firme avokatore dhe u liçencova si avokate në vitin 2005. Jam shqiptarja e parë që është kualifikuar si avokate në Angli.

Albinfo.ch: Kur është fjala për aktivitetin e shqiptarëve që jetojnë në Angli, emri juaj është lakuar shpesh në media.  Si janë të organizuar shqiptarët e Anglisë dhe cili është roli juaj në këtë drejtim?

 Brikena Muharremi: Në Angli janë disa shoqata që i shërbejnë komunitetit shqiptar në fusha të ndryshme.  Unë jam e angazhuar në komunitet përmes Shoqatës së Avokatëve Shqiptaro-Britanikë të cilën e themelova para 3 viteve dhe të cilën e udhëheqi.  Kemi një bord të përbërë nga 7 avokatë dhe si shoqatë kemi katër qëllime kryesore: Promovimin e bashkëpunimit në mes të avokatëve që punojnë në Angli, Kosovë dhe Shqipëri. Avancimin e diturisë në fushën e drejtësisë, përkrahjen e gjeneratave të ardhshme të avokatëve dhe promovimin e sundimit të ligjit dhe çasjes në drejtësi. Këto qëllime synojmë t’i arrijmë duke organizuar ngjarje rregullisht në formë të ligjëratave nga ekspertë të çështjeve të ndryshme juridike. Deri më tani kemi punuar me avokatët dhe gjykatësit më eminentë në Angli dhe më gjërë. Informata rreth aktiviteteve tona mund të gjeni në website-in tonë www.balawyers.co.uk. Numri i avokatëve shqiptarë në Angli është në rritje e sipër që është një gjë shumë pozitive për komunitetin tonë në Angli. Kjo është edhe arsyeja pse mora iniciativën për themelimin e shoqatës, që ne si profesionistë të kësaj fushe të jemi të lidhur, ta përkrahim njëri-tjetrin dhe ti shërbejmë komunitetit.

Jam gjithashtu anëtare e bordit të organizatës joqeveritare Germin, e cila është e bazuar në Kosovë dhe e cila promovon të drejtat e diasporës shqiptare.  Jam e angazhuar në projekte të kësaj organizate që synojnë përmirësimin e sistemit të votës së diasporës dhe përfaqësimin e diasporës në institucionet e vendit të origjinës.

Albinfo.ch: Diaspora shqiptare identifikohet kryesisht me shqiptarët që jetojnë në Zvicër e Gjermani, mirëpo shumë pak dihet për shqiptarët që jetojnë në Angli. Cila është përvoja juaj në organizimin e diasporës shqiptare të Anglisë?

Brikena Muharremi: Komuniteti shqiptar në Angli është relativisht i ri krahasuar me shtete tjera, por brenda 20 viteve të fundit ka arritur të jetë një komunitet shumë i suksesshëm i cili ka prodhuar dhe vazhdon të prodhoj talentë dhe profesionistë të shkëlqyeshëm në fusha të ndryshme.  Shembuj mund t’i marrë superyjet Dua Lipa dhe Rita Ora në fushën e muzikës dhe ka shumë shembuj suksesi në fushën e sportit, ekonomisë, drejtësisë, artit, shkencës, etj.  Meqë jemi komunitet i ri rrjedhimisht edhe organizimi i komunitetit është në zhvillim e sipër, por është duke u bërë me seriozitet dhe me hapa të sigurtë.  Shoqatat shqiptare që funksionojnë në Angli i shërbejnë komunitetit për nevoja të ndryshme duke filluar nga mësimi i gjuhës shqipe e deri tek rrjetëzimi i profesionistëve.  Gjithashtu kemi edhe gazeta, radio dhe media televizive shqiptare me bazë në Londër në shërbim të komunitetit.

Albinfo.ch: Në Samitin e dytë të Diasporës të mbajtur gjatë muajit mars, jeni dekoruar nga Qeveria Shqiptare me çmimin „Ambasador i Kombit“. Cili është kontributi juaj në këtë drejtim dhe çfarë do të thotë kjo për ju dhe shqiptarët që jetojnë në Angli?

 Brikena Muharremi: Vlerësimi që m’u bë në Tiranë është një privilegj dhe nder për mua.  Është një shtytje që të vazhdoj punën që e bëj me komunitetin shqiptar në Angli dhe me diasporën shqiptare në përgjithësi, punë të cilën e kam pasion. Shpresoj që vlerësimet që u bënë në Samit të shërbejnë edhe si frymëzim për të gjithë që puna në komunitetet tona në diasporë, kudo që jemi, të vazhdoj meqë duke respektuar identitetin tonë dhe duke përkrahur njëri-tjetrin jemi më të fortë dhe më të suksesshëm.

Albinfo.ch: Si e vlerësoni ju rëndësinë e Samitit të Diasporës, çfarë punohet aty dhe cilat janë konkluzionet që ju keni nxjerrë nga ky samit?

 Brikena Muharremi: Samiti është një rast i shkëlqyeshëm meqë i jep mundësi krijimit të një dialogu në mes të diasporës dhe institucioneve të vendlindjes.  Është një hap i Qeverisë Shqiptare në drejtimin e duhur për krijimin e kushteve adekuate që diaspora të japi kontributin e saj në zhvillimin e vendlindjes.  Zhvillimi ekonomik i Shqipërisë dhe Kosovës është më i nevojshëm se kurrë tani duke marrë parasysh gjendjen ekonomike dhe sociale si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Në Samitin e Dytë pati panele diskutimi rreth çështjeve të ndryshme që prekun diasporën si vota e diasporës, zhvillimi ekonomik, identiteti shqiptar dhe turizmi.  Unë isha pjesë e panelit për të drejtën e votës ku prezantova punën time në përmirësimin e sistemit të votimit të diasporës. Bëra thirrje që projekligji i paraqitur në Kuvendin e Kosovës për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Zgjedhje të ratifikohet sa më shpejt në mënyrë që t’i mundësohet votimi nëpër ambasada diasporës gjatë zgjedhjeve të ardhshme. Në fund të Samitit përfaqësuesit e Ministrisë së Diasporës bënë një pëmbledhje të konkluzioneve të dala nga secili panel të cilat do të mirren parasysh nga Ministria gjatë punës së saj.

Mendoj që organizimi i paneleve të diskutimit ishte ide shumë e mirë meqë aty patëm rastin t’i shprehim mendimet tona rreth çështjeve të ndryshme dhe dhamë edhe sugjerimet tona konkrete.

 

 

 

 

 

 

Anita Nebi Hiseni, e sapo diplomuar inxhiniere e kimisë

Tanimë është bërë traditë që në çdo përvjetor të themelimit të shtetit shqiptar dhe Ditës së Flamurit  nga Komuniteti Shqiptar i Gjenevës,të nderohen me mirënjohje të diplomuarit shqiptarë të Fakulteteve të ndryshme të Universitetit të Gjenevës.

Momente gëzimi me këta të rinj e të reja që kanë marrë titullin MASTER  apo DOKTOR SHKENCE, ka ndarë Ambasadori Fuqiplotë i Shqipërisë në Bernë të Zvicrës z.Ilir Gjoni.

Ai duke përgëzuar secilin veç e veç për suksesin e arritur ka thënë vetëm në këtë mënyrë i bëjmë shërbim vetvetes,vendit të origjinës dhe Zvicrës,e cila në ditët më të vështira na mirëpriti dhe ofroi mundësinë për studim dhe jetë të dinjitetshme.

Me rezultatet e saj të arritura ra në sy Anita Nebi Hiseni,me origjinë nga Medvegja e Kosovës Lindore.

Ajo të dyja nivelet e studimeve si atë Bachelor (Gjenevë) dhe atë Master (Lausanne) i ka përfunduar me notë maksimale.

Suksesi i kësaj të reje duhet të inkurajoi dhe gëzoi të gjithë,kur dihet se EPFL i Lozanës,në të cilin ajo u diplomua radhitet në listën e Universiteteve më prestigjioze të botës.

Anita me gradën Inxhiniere e Kimisë punën e saj hulumtuese dhe shkencore e ka kurorëzuar me inkuadrim në punë në gjigantin me famë botërore”Firmenich”të Gjenevës,që së shpejti feston edhe 124 vjetorin e themelimit të tij.

Nga numri i gjithëmbarshëm  i të diplomuarve njëzet  veta ishin femra e vetëm dy meshkuj.

Të porsa diplomuarit njëzëshëm kanë falënderuar organizatorin për vlerësimin e punës së tyre.

Të rinjtë shqiptarë, në garë ndërkombëtare për prodhimin e motorit “Moto 3”

Dëshira e tyre është që një ditë shqiptarët të kenë markën e tyre shqiptare të motoçikletës, Made in Albania. Ata janë në fazën fillestare të projektimit të punës për ndërtimin e një motoçiklete sportive të aftë për lëvizur në një nga pistat sportive të Spanjës ku do të testohen motorët e studentëve të shteteteve të ndryshme pjesëmarrëse në garën e quajtur “Motostudent”.

Studentët e këtij projekti mbajnë emrin “Prishtina Moto Team (FIMUP)” dhe janë një grup të rinjsh ambiciozë nga Kosova e Shqipëria që më nismë vullnetare kanë inicuar idenë për pjesëmarrjeje në garën ndërkombëtare të këtij lloji që mbahet vitin e ardhshëm në Spanjë.

Motori për të cilin janë zotuar ta ndërtojnë të rinjët shqiptarë, duhet të jetë sportiv i kategorisë 250 kubikë, konform kritereve botërore të motoçiklizmit Moto 3.

Kjo garë është e bazuar në rregulloren dhe specifikat e kategorisë botërore të MOTO GP 3 (250 cc) dhe në të marrin pjesë universitete nga mbarë bota.

“Projekti në vetvete përmbanëndërtimin e një motori prototip, nga fillimi deri në fund”, tregon Aurel Kolldani.

Studentët shqiptarë do ta ndërtojnë motorin nga zeroja me mbështetjen e universitetit të Prishtinës dhe do ta prezantojnë produktin e tyre në tetor të vitit 2018 në Spanjë në datat e caktuara nga federata e motoçiklizmit spanjoll

“I gjithë ky projekt mbështetet me punë vullnetare dhe gëzon mbështetje e bashkëpunim nga universiteti “Hasan Prishtina”; biznese në Prishtinë dhe dashamirës të motoçiklizmit apo të nismave mbarëshqiptare”, tregon inixhinieri i mekanikës, anëtar i grupit “Prishtina Moto Team” Aurel Kolldani, i cili bashkë me Durim Gashin, Bujar Llugaliun, Gurim Gashin, Egzon Zymberin, Agron Statovcin, Albulena Govorin, Valdrin Berishën dhe Uresa Mustafën kanë nisë punën për zhvillimin e këtij projekti inovativ.

Projekti bazohet në donacione dhe vetëfinancim, i cili synon zhvillimin e teknologjisë së motorëve si mundësi për studentë nga mbarë bota për të shfaqur aftësitë e tyre teknologjike në projektimin dhe ndërtimin e motorëve.

 

 

Shkencëtarja shqiptare që ka luhatur teorinë e “Big Bang-ut”

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

Përballë saj janë një numër i konsiderueshëm të interesuarish, kryesisht studentë që e dëgjojnë me vëmendje. Laura Mersini-Houghton ligjëron me kompetencë, me gjallëri e me elokuencë duke bërë përpjekje që edhe çështjet kaq të ndërlikuara të astrofizikës, kozmologjisë që merren me universin, kohën e krijimit të tij etj. t`i bëjë sa më të kapshme për publikun. Ndërsa ky publik, edhe pse ka ardhur në amfiteatrin e Universitetit Teknik të Cyrihut ETH, sigurisht nuk është i specializuar në fushën ku shkencëtarja e njohur shqiptare është tashmë autoritet në nivel planetar.

Shumica e të pranishmëve kanë ardhur nga kureshtja që të shohin një bashkatdhetare që ka bërë emër në një lëmë pothuaj të pashkelur nga shqiptarët, në kozmologji dhe astrofizikë. Ajo është në Cyrih, e ftuar nga Shoqata e Studentëve shqiptarë të Cyrihut dhe portali dialogplus. Prezantimin e saj e bën hulumtuesi shkencor në universitetin ETH, Toni Shiroka, i cili ka bërë edhe moderimin.

Në ligjëratën e saj, zonja Mersini, që është profesoreshë në universitetin Universitetin e Karolinës së Veriut, në SHBA ka shtjelluar probleme lidhur me teoritë aktuale për krijimin e universit. Në këtë kontekst ajo ka mbrojtur teorinë e saj që vë në pikëpyetje teorinë e “Big Bangut”. Sepse, dr. Mersini pyet: çfarë ka pasur para kësaj dhe këtë e shtjellon në Teorinë e saj të “Multiversit” që domethënë se ka më shumë se një univers. Sipas saj, teoria e Big Bang-ut është e pamjaftueshme për të shpjeguar krijimin e universit. Dhe, kjo teori e kozmologes shqiptare, ka pasur një aprovim nga qarqe shkencore të avancuara në botë.

Albinfo.ch ka zhvilluar një bisedë të shkurtë me Laura Mersinin.

albinfo.ch: Keni ardhur në Zvicër për të ligjëruar para studentëve rreth teorisë suaj për krijimin e universit. Ju punoni në një universitet amerikan, por a keni ndonjë bashkëpunim edhe me universitete apo institute tjera zvicerane?

Dr. Laura Mersini: Në fakt unë punoj në Universitetin e Karolinës së Veriut dhe bashkëpunoj me shumë universitete e institute gjithandej nëpër botë. Por në Zvicër deri më tash nuk kam pasur rast të kem ndonjë bashkëpunim dhe në përgjithësi, është hera e parë që vij në këtë vend, ku sonte e mbajta ligjëratën. Dhe nesër në mëngjes kthehem në Amerikë.

albinfo.ch: Ju në teorinë tuaj e vini në dyshim teorinë e “big bang-ut”. Si e shpjegoni këtë me pak fjalë?

Dr. Laura Mersini: Pikërisht me atë që e thash edhe në ligjëratë e që konsiston në atë se çfarë kishte përpara kësaj, para se të bëhej “big Bang-u”. Dhe përveç meje janë edhe teoritë e dy ose tre shkencëtarëve të tjerë të cilët e vënë në dyshim “Big Bang-un” dhe mundohen të japin përgjigje të tjera lidhur me krijimin e universit.

albinfo.ch: Ballafaqimi me paskajësinë e universit (ose universeve) me errësirën që e mbështjell këtë hapësirë dhe me mungesën e përgjigjeve se si u bë “hapi i parë”, a ju sjell pranë “zgjidhjeve” që u jep religjioni këtyre çështjeve?

Dr. Laura Mersini: Një nga mënyrat për ta hequr problemin e “hapit të parë” është universi që studiohet me metoda shkencore dhe që këtu bëhet ndarja nga religjioni. Dmth as mohohet as pohohet por shkenca është një tjetër nivel, tjetër rrafsh, ajo ka objekt studimi ligjet e natyrës. Dhe në këto studime ka saktësi, proceset janë absolutisht të matshme. Kjo vlen edhe për pohimin se multiversi është krijuar para 14.7 bilionë vitesh, që u përmend gjatë ligjëratës.

albinfo.ch: Është folur në mediat shqiptare lidhur me nominimin  tuaj për çmimin Nobel për fizikë. Çfarë mund të na thoni rreth kësaj?

Dr. Laura Mersini: Sipas rregullit, nominimet për çmimin Nobel nuk dihen asnjëherë para se të jepet çmimi. Prandaj edhe në rastin tim nuk mund të them asgjë pasi që nuk e di nëse jam nominuar ose jo. Por dihet që nga anët tona kanë dëshirë të mburren me diçka para se të ndodhë. Kjo ka ngjarë mbase edhe në rastin tim, pra janë spekulime mediale.

albinfo.ch: Ju studimet bazë i keni mbaruar në Shqipëri, në Universitetin e Tiranës. A është ky fakt një shtysë, një motivim shtesë për studentët shqiptarë që të synojnë më shumë, të kenë ambicie shkencore?

Dr. Laura Mersini: Sigurisht që po. Me zell dhe punë është e mundur të arrihet shumë, edhe me studime të mbaruara në Shqipëri. Unë kam mbaruar studimet pesëvjeçare të Fizikës në Tiranë, që është një kurs paksa më i përzgjedhur. Ideja e fizikës pesëvjeçare është që të punohet në mënyrë më intensive por jo që kam pasur ndonjë trajtim të veçantë. Pastaj shkallët tjera të studimit e të specializimit përfshirë edhe gjithë avancimin tim shkencor, i kam mbaruar jashtë vendit, në SHBA.

Nyrtani nga Elbasani, drejtor i Universitetit Popullor të Potsdamit

 

Drejtori i ri Universitetit Popullor të Potsdamit vjen nga Shqipëria. Ndër detyrat kryesore të institucionit që drejton ai është integrimi i refugjatëve, ka thënë Myrtan Xhyra me të marrë detyrën, shkruajnë mediet gjermane të regjionit.

Xhyrën, i cili është historian i doktoruar, e ka zgjedhur në këtë post një komision profesional, nga 36 persona sa kanë konkurruar gjithsej.

Nyrtan Xhyra është 40 vjeçar, i lindur në Elbasan dhe i martuar me një mësuese të pianos, e lindur në Japoni, transmeton albinfo.ch. Të dy janë prindër të trenjakëve 2 vjeç e gjysmë.

Në Shqipëri ai kishte studiuar drejtimin histori-gjeografi për mësues të këtyre lëndëve. Në vitin 1997, ka ardhur në Gjermani. Në Universitetin Ludwig-Maxmilian të Munihut, Xhyra ka doktoruar në historinë e Evropës juglindore dhe lindore, përcjell albinfo.ch. Në një kurs të gjermanishtes në Munih ai është njohur me bashkëshorten e sotme.

Drejtori i ri i Universitetit Popullor të Potsdamit, para se të merrte këtë post ka punuar fillimisht në një Universitet Popullor në Munih e pastaj si drejtues profesional në VHS Heide në Schleswig-Holstein. Nga viti 2011 Xhyra ka shtetësinë gjermane.

«Gëzohem që e kemi fituar zotëri Xhyrën si person profesionist, me kompetencë në fushën e arsimimit të të rriturve», është shprehur përgjegjësja për kulturë Iris Jana Magdoweski, transmeton albinfo.ch. «Veçanërisht në çështjet që kanë të bëjnë me ndërmjetësimin kulturor dhe të mësuarit interkulturor, ai sjell me vete njohuri të jashtëzakonshme profesionale, të cilat i plotëson me përvojat e tij personale».

Ndërsa Xhyra shprehet i kënaqur me postin që ka marrë dhe njëherësh i vetëdishëm për detyrimet që i ka ngarkuar vetes. Ai tërhq vërejtjen megjithatë që prezantimi i tij të mos kufizohet vetëm në përkatësinë e tij si i huaj. Drejtori i ri thekson se, fundja, ai nuk është në këtë detyrë vetëm për refugjatët por për të gjithë ata që ndjekin arsimimin për të rritur.