Agjencia e njohur në Vjenë Aigner PR që nga fillimi i qershorit udhëhiqet nga shqiptarja Egzona Sej. Ajo flet katër gjuhë të huaja ndërsa ka studiuar publicistikën dhe shkencat e komunikimit në degën e marketingut në Vjenë. Në ekipin e agjencisë Aigner PR, 24 vjeçarja është që nga prilli i këtij viti, shkruan gazeta austriake der standard, përcjell “albinfo.ch”.
Shefi i agjencisë Peter Aigner shprehet: “Që nga largimi i Heidi Schuller – Hrusa para dy viteve, pozita e udhëheqësit të agjencisë është zënë sërish. Nganjëherë kjo zgjatë gjatë derisa e gjen personin e duhur për këtë punë”, ka thënë ai.
Egzona përveç hobeve të saj që janë: vrapimi dhe boksi, është e pasionuar edhe pas futbollit. (Klubi i preferuar:Bajern Munih). Në pranverën e këtij viti ajo ishte e përfshirë në dy projektë futbollistike që kishin të bënin me kampionatin Evropian që do të zhvillohet në Francë.
Agjencia Aigner Pr është e specializuar për konsulentë të marketingut me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë. Agjencia ka një rrjet të specializuar të komunikimit në Vjenë, Berlin, Dyseldorf dhe Cyrih. Ajo iu ofron klientëve të saj konsulencë të hollësishme për projektë të ndryshme dhe madhore.
25 shtator.1993.17 vjeçar. Për dikë këto data e të dhëna ndoshta nuk kanë ndonjë kuptim, por jo edhe per Ardian Malan. Pikërisht para 22 vitesh, Ardiani, një 17 vjeçar kosovar nga Korenica e Gjakovës, në ora 16:00 shkel për herë të parë tokën helvetike. Arsyet e ardhjes ishin të shumta, e para së gjithash pasiguria dhe mungesa e perspektivës në vendlindje. Pasi që prindërit kishin 20 vite që jetonin në Zvicër si gastarbeiterë, ai fillimisht vendoset tek ta në Kandersteg.
Ende e kujton punën e tij të parë si enëlarës në një restorant, por interesi i tij për lëmin e gastronomisë nuk përfundon këtu. Pas një shkollimi profesional, ai dalngadalë fillon të promovohet në detyrë, ku njihet edhe me një gastronom spanjoll, nga i cili informohet dhe zhvillon pasionin e tij të tashëm për verërat. Por dëshira për verërat, për Ardianin nuk ishte vetëm t`i njihte apo edhe t`i degustonte. Për të, më domethënëse ishte të kishte një vreshtë të veten, ku mund ta kultivonte verën e vet. Kjo ishte ëndrra e Ardianit, nga e cila nuk hoqi dorë asnjëherë.
Por në vendlindjen e tij, ku Ardiani, kishte lënë gjysmën e shpirtit, situata sa vinte e përkeqesohej, duke rezultuar me luftën e vitit 1998-99. Pasojat ishin të tmerrshme. Vetëm në Korenicë, kishte mbi 100 persona të vrarë dhe mbi 80 % të tyre, Ardiani i njihte personalisht. Kjo e lëndoi keq Ardianin. Pas mbarimit të luftës, vizitat e tij në vendlindje nuk i sillnin më çmallje me vendin e tij, por tashmë ishin kthyer në ditë makthi e vaji, sepse një gjeneratë që ai e kishte njohur, tashmë ishte zhdukur. E ndjente veten të humbur, pa shpirt.
Franziska i tha: “Është koha për të mbjellë rrënjët e reja në Kosovë: Bëje për vajzën tonë, Norah”
Tani ishin bërë 8 vite që jetonte me bashkëshorten e tij zvicerane, Franziska, ndërsa në vitin 2005, të dy bëhen prindër të një vajze që e pagëzojnë me emrin Norah. Si të gjithë prindërit e rinj, të entuziazmuar, pas 4 muajsh udhëtojnë së bashku për në Kosovë, ku donte që Norës t’ia tregonte vendlindjen e tij. Por edhe kjo vizitë ishte si shumë të tjerat, të cilat i sillnin vetëm pakënaqësi, mërzi e vaj. Edhe këtu ishte momenti kur Ardiani vendos të mos shkelë më kurrë në vendlindje (gjatë rrëfimit, atij i mbushen sytë me lotë).
Por ishte Franziska, ajo që kishte një mendim tjetër. Ndër të tjera i thotë, e që Ardiani i mban mend mirë këto fjalë: “Nëse rrënjët e tua në këtë vend janë tharë, atëherë është koha për të mbjellë rrënjë të reja, nëse jo për veten, atëhere bëje për vajzën tonë, Norah“. Ishin këto fjalë të rrufeshme, që Ardianit ia sollën në kokë prapë ëndrrën e tij për të pasur një vreshtë të veten. Ky ishte një moment kthese në jetën e tij. Ky ishte tashmë preokupimi i tij i vetëm. Ishte shërimi për shpirtin e vrarë.
Në prill 2006, edhe pse pa pajtimin e babait, e që më vonë u bë përkrahësi i tij më i madh, fillon prerjen e një pjese mali, pasuri kjo e përbashkët, për ta kthyer në tokë të punueshme, ku mbjell edhe hardhitë e para. Fillimisht kishte vetëm 3000 fidane, për t’u zgjeruar në vitet në vazhdim në 7000 sosh.
Si pronar restoranti, si prind, angazhimet e tij ishin jashtë normales. I duhej që çdo muaj të udhëtonte për në Kosovë, për t’u përkujdesur për ecurinë e vreshtës, por edhe zemërohej në anën tjetër, sepse siç thotë ai, bashkëfshatarët e tij, për arsye të çuditshme, nuk e mirëprisnin aktivitetin e tij. Thjesht ndjehej i refuzuar nga ta. Por Ardiani rrëfen se pas çdo zhgënjimi, atij i ka ardhur një shpresë nga një anë tjetër.
Miqtë zviceranë e ndihmojnë për të ngritur vreshtën
Në një ngjarje të papritur, ai njihet me onologët e mirënjohur, Carsten Heinemeyer dhe Andy Kilian, nga të cilët ka marrë një ndihmë të pakursyer rreth vreshtarisë, po ashtu edhe nga bodrumi i verës EKO-Familja Hoxha nga Rahoveci.
Vreshta dalngadalë po merrte formë, për çfarë është përkujdesur jo vetëm Ardiani, por edhe shumë miq të tij zviceranë, të cilët shkonin në mënyrë vullnetare për të ndihmuar atë. Në mesin e tyre ishte edhe kryebashkiaku i qytetit Interlaken. E dal nga dalë, numrit të vullnetarëve po u bashkoheshin edhe vendasit, si në shenjë admirimi për punën që bënte Ardiani.
Më 2010, bodrumit të verës të restorantit luksoz WineArt në Interlaken, që si pronar ka Ardian Malën, i shtohet edhe një produkt i ri, më i rëndësishmi për nga vlera. Është kjo vera „Norah“ e prodhuar në vreshtën e Ardianit në Korenicë të Gjakovës. Verën e emërton me emrin e vajzës, e cila ishte edhe arsyeja e kthimit dhe rilidhjes me vendlindjen. Vera e prodhuar nga vreshta e vet, ishte gjëja më e mirë që i ka ndodhur në jetë pas fëmijëve.
Ardiani me “zviceranët e tij” ndihmon edhe shkollën e fshatit
Gjatë verës që shkoi, ekipi i Albinfo.ch, ishtë në vizitë tek vreshta e Ardianit në Korenicë. Udhërrëfyesi ynë, ndërkohë edhe kryetar i Fshatit, Nikë Prela, na i tregoi edhe një herë peripecitë e mbjelljes së vreshtës, përderisa merrnim ndonjë kokërr rrushi, tinëz kujdestarëve të vreshtës Tomë Dedaj dhe Gjon Mala. Aty kultivohet rrushi i llojit Merlot, Cabernet Franc, Greco di Tufo, si dhe lloji vendas Sheshi i zi, e që është i rrezikuar nga zhdukja. Në fshat tashmë është edhe vinoteka me po të njejtin emër WineArt, ku Astriti përkujdeset për ecurinë e saj. Vinoteka në fjalë, pos produkteve të Wineart, ofron edhe produkte të tjera, të gjitha këto prodhim vendor.
Përballë vinotekës, gjendet edhe shkolla e fshatit si dhe fusha sportive. Pasi që shkolla fillimisht nuk kishte një fushë për aktivitete fizike, në vitin 2009, Ardiani së bashku me Martin Liefeith, një kuzhinier me famë, organizojnë një Darkë Gala, qëllimi i së cilës ishte mbledhja e fondeve për rregullimin e fushës së shkollës. Aty, me ndihmën e shumë të përfshirëve në këtë aksion, Ardiani, arrin të mbledh 27 000 franga, e më pas realizon edhe projektin e tij bamirës. Por fatkeqësisht mirëmbajtja e saj, vetëm 6 vite pas, linte shumë për të dëshiruar.
Restoranti Wineart, që gjendet në qendër të qytetit Interlaken, hapet çdo ditë në ora 16:00. Padyshim aty është edhe mikpritësi Ardian Mala. Zakonisht shërben vetë. Por kënaqësinë më të madhe e ndjen gjatë shërbimit të verës së tij, kur fillimisht maskon shishen, e pas aprovimit të klientëve u tregon për “Norah”, se si një verë e bërë në vreshtën e tij, zhvilloi rrënjët e reja dhe shëroi shpirtin e tij.
Hanife Bajrami vjen nga Tërnovci, Lugina e Preshevës. Ajo sot jeton në Broye të rajonit të Fribourg-ut. Hanifja, 32 vjeçare, e ushtron detyrën e saj në fushën e patundshmërive si drejtoreshë e njërës nga 23 degët e Wincasa SA, lider zviceran në shërbimet e patundshmërisë.
Albinfo.ch: Cili ka qenë shkollimi i ndjekur dhe trajnimet profesionale ?
Hanife Bajrami: Shkollimin primar dhe sekondar i kam vijuar në Dompierre dhe Domdidier. Pastaj, kam kryer një praktikë komerciale në një agjension patundshmërie dhe jam shpërblyer me një diplomë komerciale në 2002. Përvojat e mia të para në këtë profesion kanë bërë që të rritem në pozitat e bashkëpunëtorës menaxhues, menaxhuese junior dhe pastaj menaxhere e ndërtesave në një kompani më të madhe dhe në fund jam angazhuar me Wincasa SA si menaxhere, në vitin 2008. Në këtë kompani më është ofruar mundësia që të punoj si udhëheqëse e grupit dhe nga marsi 2014 si drejtoreshë e agjensionit. Sa i perkët shkollimit tim, në vitin 2010 kam fituar licencën federale për menaxhim të ndërtesave. Momentalisht, jam duke shkuar mëtej duke i ndjekur kurset që do të më çojnë tek diploma federale e administratores së pronave të paluajtshme. Në të njëjtën kohë marr pjesë rregullisht në seminare mbi të drejtën e qiradhënies dhe konferenca të tjera në fushën e patundshmërive për t’i azhurnuar dhe mbajtur në nivel njohuritë e mia.
Sot e mbani pozitën e drejtoreshës së Wincasa në Neuchâtel. A mund të na flisni pak për Wincasa ? A mund ta përshkruani punën dhe përgjegjësitë tuaja ?
Wincasa është lider i patundshmërive në Zvicër. Me 730 bashkëpunëtorë dhe me një prezencë në të gjithë territorin, kompania jonë u ofron një paketë të madhe të shërbimeve rreth pronës së paluhatshme gjatë tërë jetës. Kompania është e njohur për nivelin e lartë të cilësisë dhe të sigurisë. Përgjegjësitë e mia kanë të bëjnë me pjesëmarrjen në ruajtjen e këtij reputacioni me ndihmën e ekipit tim. Po ashtu, kam për detyrë që të punoj si përfaqësuese rajonale.
Si keni arritur deri këtu?
Një edukim i mirë, bazik dhe i vazhdueshëm, më ka mundësuar që t’i fitoj njohuritë dhe kompetencat për t’i ngritur nivelet duke kaluar nëpër pozitat e cekura më lartë.
Cili është çelësi i suksesit tuaj?
Pasioni. Në fakt, patundshmëria është degë me shumëllojshmëri dhe komplekse në evolucion konstant.
A ka qenë e lehtë qasja në trajnim?
Po, ekzistojnë shumë mundësi në këtë fushë. Wincasa inkurajon bashkëpunëtorët e saj që ta vazhdojnë trajnimin.
Ju vini nga një familje emigrantësh shqiptarë nga Lugina e Preshevës (Serbi). Si e shohin të afërmit e juaj suksesin që e keni korrur dhe a gëzoni mbështetje?
Si fëmija i pestë nga tetë fëmijët, familja zë një vend shumë të rëndësishëm në jetën time. Secili kemi ndjekur shumë karriera të mira në Zvicer dhe ndjehemi të plotësuar nga arritjet e secilit. Mirëkuptimi ynë më jep vetëbesim të madh. Dhe siç thuhet, bashkimi bën fuqinë.
E pesta nga tetë fëmijët
Si fëmija i pestë nga tetë fëmijët, familja zë një vend shumë të rëndësishëm në jetën time. Secili kemi ndjekur shumë karriera të mira në Zvicer dhe ndjehemi të plotësuar nga arritjet e secilit. Mirëkuptimi ynë më jep vetëbesim të madh. Dhe siç thuhet, bashkimi bën fuqinë.
Driton Emini ka migruar dy herë. Një herë për shkak të situatës së tensionuar, nga Kosova në Gjermani dhe herën tjetër nga Gjermania për në Austri. Prej gjashtë vitesh ai është duke jetuar dhe punuar në Vjenë. Shumë pak i njohur nga shqiptarët në Austri, por me një vend shumë të rëndësishëm pune dhe me përgjegjësi. Ai është drejtor i departamentit Radio Network nësi dhe udhëheq mbi 40 inxhinierë. Me z. Eminin u takuam në një nga ambientet e gjigantit të telefonisë mobile “T – Mobile Austria”.
Driton Emini është nga komuna e Gjilanit. Në vitin 1992, atëbotë 16 vjeçar, si shumë të rinj të asaj kohë edhe ai mori arratinë. Destinacioni i tij ishte Berlini i Gjermanisë. Atje u paraqit si refugjat. Me të nuk ishte askush, pos disa familjarëve që jetonin në këtë qytet. Pas tri vitesh atij i bashkëngjitet edhe familja. Si çdo refugjat tjetër, edhe ai kishte vështirësitë e tij, si të gjuhës ashtu edhe të adaptimit. Krahas shkollimit që e filloi në Berlin, ai regjistrohet edhe në një klub futbollistik që për të ishte shumë i dobishëm. “Aty gjeta një shoqëri shumë të mirë. Përfitova si në aspektin gjuhësor ashtu edhe në atë të integrimit. Po ashtu futbolli është një lojë ekipore dhe kjo më ka mësuar edhe mua që të punoj në ekip”, thotë Emini për “albinfo”, ndërkohë tregon se ende e ka pasion lojën e futbollit.
Dritoni në Berlin përfundoi gjimnazin, ndërsa më vonë regjistroi fakultetin e Elektroteknikës, dega e telekomunikacionit. “Prej shkollës fillore me tërhiqnin lëndët shkencore, sidomos matematika. Themelet e shkollimit që kam fituar në Kosovë, kanë qenë për mua një bazë e fortë edhe për shkollimin tim në Gjermani”, shprehet ai.
Punimi i diplomës i shpërblehet me “Werner von Siemens Excellence Award”
Dega në të cilën ai studionte në planprogramin arsimor të Gjermanisë parashihte mbajtjen e një praktike gjashtëmujore si dhe përfundimin e temës së diplomës. Dritoni të dy këto i ka bërë në bashkëpunim me Telekomin e Gjermanisë me seli në Nürnberg. Në vitin 2007 ai diplomon dhe merr titullin inxhinier i telekomunikacionit, ndërsa punimi i tij i diplomës në atë vit shpërblehet me çmimin“Werner von Siemens Excellence Award”. “Ky çmim më është ndarë nga Siemsens-i në bashkëpunim me 11 universitetet me renome më të madhe ne Gjermani, ne mesin e tyre edhe Universiteti Teknik në Berlin”, thotë ai.
Pas përfundimit të studimeve, Dritoni fillon të punojë për kompaninë “Teleca Systems” në Nürnberg, përmes të cilës kishte projekte të shpeshta në Amerikë, Kanada, Finlandë dhe vende të tjera të botës.
Në vitin 2009 “migron” në Austri
Në vitin 2009 merr një ofertë nga Telekomi gjerman për të udhëhequr disa projekte në “T – Mobile” të Austrisë. Dritonit iu desh që edhe një herë të migronte, nga një shtet në një shtet tjetër. Ai thotë se migrimi në Austri ishte krejtësisht ndryshe nga migrimi që kishte bërë nga Kosova për në Gjermani. “Sigurisht se ishte krejt ndryshe. Këtu në Vjenë më kanë pritur me duar hapur. E njihja gjuhën, kulturën dhe kisha një vend pune të siguruar. Më shumë ishte një ndërrim ambienti se sa një migrim”, shprehet ai duke shtuar se shpesh udhëton edhe nga Vjena për në Berlin për t`i vizituar prindërit dhe pjesën tjetër të familjes.
Dritoni tash e gjashtë vite është në“T-Mobile Austria” i cili është ndër operatorët më të fortë të telekomunikacionit në Austri. Pas sukseseve të njëpasnjëshme në projekte të ndryshme, atij i besohet një vend pune shumë i rëndësishëm për këtë kompani gjigante. Prej disa vitesh është drejtor i departamentit Radio Networks në“T – Mobile Austria”, ndërsa udhëheq më shumë se 40 inxhinierë të tjerë.
Këtu vlerësohet puna jote dhe jo prejardhja
“Nëse punën e kryen me përgjegjësi dhe me sukses, fitohet edhe besimi. Kur tregon sukses në përgjegjësitë e tuaja, askujt nuk i intereson se kush je dhe nga je, por i intereson puna që bën. Në kompaninë gjigante siç është Telekomi gjerman, nuk mund të vëresh asnjë lloj paragjykimi për askënd. Askush nuk të fut gurë në rrugë nëpër të cilën duhet të kalosh, përkundrazi kur shohin motivimin, të japin mundësinë për t`u dëshmuar” na tregon profesionisti i telekomunikacionit.
Puna që bën ai ka të bëjë me zhvillimin e strategjisë së departamentit Radio Networks e cila duhet të planifikohet deri për dhjetë vitet e ardhshme.
«Aktualisht jemi duke e bërë shtrirjen e gjeneratës së katërt të LTE-së e cila është një prej projekteve shumë të mëdha që duhet të realizohet deri në fund të vitit. Po ashtu një projekt tjetër shumë i rëndësishëm është ai në bashkëpunim me ÖBB-në (Ndërmarrja e Hekurudhave Austriake) e cila në bashkëpunim me tre operatorët e telefonisë mobile në Austri: A1, T-mobile dhe “Drei” (3), kanë gjetur një gjuhë të përbashkët që të fillojnë një projekt për mbulesën e hekurudhave me rrjetin e telefonisë mobile. Ky projekt përpos që ka një kosto të madhe, po ashtu ka një vlerë për popullsinë austriake dhe konsumatorët tanë. Projekti do të implementohet në tri faza dhe do të zgjasë deri në vitin 2018”, bën më dije ai.
Pas një bisede të gjerë e të gjatë me Dritonin, u ndamë nga ai e shpresën se në të ardhmen e afërt do të shkruajmë edhe për suksese të tjera të tij në karrierën profesionale.
Vizita të shpeshta në Berlin dhe në Kosovë
Dritoni është 40 vjeçar, i martuar dhe ka dy vajza. Zakonisht thotë se ditët e lira të punës ia kushton familjes por ai nuk i harron as vizitat në Kosovë. “Përveç Berlinit, sigurisht që më së shumti e vizitoj edhe Kosovën. Meqë këtu nga Vjena e kemi më afër Kosovën ndodh shpesh që shkoj për dy – tri ditë pushimi. Në Kosovë kam një pjesë të madhe të familjarëve që i vizitoj me shumë kënaqësi”, thekson ai.
Në vitin 2007, Ibrahim Zili, shqiptar nga Maqedonia, kishte tërhequr vëmendjen e mediave sepse historia e tij ishte befasuese dhe e mbushur me kuraje. Kur u largua nga lufta në ish-Jugosllavi, Ibrahimi nuk hezitoj të sjelli familjen e tij ilegalisht në Zvicër. Ai jetoj për gati dhjetë vjet i fshehur dhe në mënyrë të paligjshme, por kjo gjë nuk e ndaloj atë të punoj dhe madje t’ju shërbejë shampanjë personaliteteve të ndryshme zvicerane, ndër të cilat përfshihen edhe këshilltarë federale !
Kur Socialistja dhe ish-Këshilltarja Federale Micheline Calmy-Rey është informuar për historinë e Ibrahimit, ajo menjëherë ka shprehur simpatinë e saj në media duke theksuar se « historia e Zilit është simbolike, sepse ajo na kujton se imigracioni është gjithashtu një shans për Zvicrën. ( … ) Zili ka preferuar të qëndroj në Zvicër, i fshehur për më shumë se dhjetë vjet. Ai përfundimisht është adaptuar duke punuar shumë dhe pa kërkuar ndihmë. Unë nuk mund ta gjykoj zgjedhjen e tij, por sprovat e tij, dëshira e tij për të pasur një jetë me dinjitet në Zvicër, më prekin ».
Aktualisht Ibrahimi ka dokumenta te rregullta dhe punon si epror në shkollën e Hotelerisë në Lozanë (l’Ecole hôtelière de Lausanne) dhe gëzon një reputacion të pakrahasueshëm për ç’do gjë që ka të bëjë me organizimin e ngjarjeve të nivelit të lartë. Pas sigurimit të shërbimit për Pascal Couchepin, Ruth Dreyfuss, Micheline Calmy-Rey, ai po ashtu ka shërbyer personalitete me famë si Monica Belluci, Levis Hamilton (Formula 1) et Peter Ustinof. Ai gjithashtu ka kryer shërbime për industrinë luksoze, si Cartier dhe Louis Vuitton.
Biseda me Ibrahimin është e këndshme sepse çdo herë ai ka një histori qesharake për të treguar në lidhje me gjithë këta njerëz të famshëm. Për shembull, i kujtohet kur i ka ofruar shampanjë yllit të Formula 1, dhe ai ju përgjigj duke qeshur « Jo faleminderit … jam në timon ! ».
Sot, gati dhjetë vjet më vonë, Ibrahimi zjenë nga stresi, komuna e qytetit Nyon e kontaktoi për të organizuar në vetëm dy – tre ditë darkën solemne për pritjen e Këshilltarit të ri vaudois, Guy Parmelin. Kjo do të thotë do të shërbehen më shumë se 750 personalitete.
Duhet thënë se në ditët e fundit, banorët e kantonit Vaud janë të emocionuar sepse po bëhen shtatëmbëdhjetë vjet që ata nuk kanë pasur Këshilltar federal, kështu që cilësia e shërbimit duhet të jetë e shkëlqyer. Edhe pas 25 vjet shërbimi, Ibrahimi stresohet shumë « çdo gjë duhet të jetë e përkryer. Të gjitha të papriturat e mundshme duhet të zotërohen deri në detajin e fundit ».
Në prag të përgatitjeve, mund të themi me lehtësi se këmbëngulja e tij, aftësitë e tij, shija e tij për saktësi dhe vëmendja në detaje mishërojnë potencialin e pashtershëm që Ibrahimi ka kultivuar nga përvoja e tij si emigrant.
Këto ditë po kalojmë nëpër një situatë mjaft kritike, e cila mund të përshkallëzohet edhe më shumë. Përdorimi i dhunës qoftë brenda apo jashtë institucioneve po rrezikon të na çojë në pikën e pakthim.
Ka kohë që legjitimiteti i shtetit të Kosovës po cenohet seriozisht si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Cenimi nga brenda po vjen nga mungesa e transparencës institucionale dhe kohezionit politik për çështje të rëndësisë së lartë, nga shkalla e lartë e krimit, korrupsionit, ekstremizmit me frymëzim ideologjik dhe fetar, mungesa e shtrirjes së sovranitetit në tërë territorin e vendit dhe nga forcimi i faktorëve joshtetërorë. Nga jashtë legjitimiteti po cenohet si rrjedhojë e refuzimit të pesë shteteve të BE-së dhe të një pjese tjetër të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, përfshirë vendet e BRICS, për t’ia njohur Kosovës të drejtën për ekzistencë. Perceptimi i vazhdueshëm i Kosovës si vatër e krizës, e krimit të organizuar dhe si vend transit i drogës është një tjetër rrethanë cenuese e legjitimitetit.
Në anën tjetër pakënaqësia qytetare me politikën, ekonominë, shëndetësinë, arsimin etj. po vazhdon të rritet me të drejtë. Sikur kemi harruar që një vit më parë ky mllef e kjo pakënaqësi ishte shprehur në formë të migrimit masiv të rreth 100 mijë qytetarëve të vendit. Tani ky mllef mund të shpërthejë brenda, me pasoja të paparashikueshme për shtetin dhe qytetarët e tij.
Ka kohë që mungesa e legjitimiteti ka çuar edhe tek krijimi i ndjenjës së përgjithshme të mungesës së progresit, gjë që ka zbehur përgjegjësinë individuale e grupore ndaj proceseve dhe domosdoshmërisht ka ndikuar në rënien e entuziazmit, optimizmit dhe të besimit në institucione e në të ardhmen e vendit.
Mungesa e besimit dhe ndjenja e regresit, ka ndikim tejet negativ edhe në ekonomi. Në rrethana të pasigurisë politike ndërmarrjet dhe ekonomitë familjare nuk investojnë. Mungesa e investimeve ngadalëson rritjen ekonomike, rritë papunësinë e varfërinë, zvogëlon konsumin dhe rritë rrezikun për destabilizim afatgjatë. Kur mediat ndërkombëtare janë të mbushura me tituj e fotografi të dhunës në Kosovë, investitorët e huaj nuk kanë gatishmëri të vijnë.
Prandaj, situata si kjo kërkojnë veprime urgjente për t’ju kthyer shpresën dhe besimin qytetarëve të vendit. Situata duhet të deeskalohet përmes ndërtimit të një dialogu të pakusht që trajton në mënyrë të hapur sfidat dhe mospajtimet e brendshme. Në këtë dialog duhet të mbretërojë arsyeja e shëndoshë, që mospajtimet të zgjidhen pranë tavolinës në tolerancë të plotë e respekt të ndërsjellë, ashtu siç i ka hije një shoqërie të qytetëruar e demokratike.
Çdo vonesë në ndërtimin e një kohezioni të brendshëm politik do të na çojë drejt një momenti kritik, ku reagimi qytetar do të bëhet i pashmangshëm e pasojat të paparashikueshme.
Kujtim Dobruna është udhëheqes i Nismës Ekonomike për Kosovën (www.eciks.org). Ky artikull është shkruar enkas për albinfo.ch
Derisa po vazhdon kriza e refugjatëve në Evropë, rrjeti botëror CNN ka sjellë historinë e një emigranti nga Kosova dhe familjes së tij, të cilët për shkak të luftës kishin kaluar rrugën e refugjatëve për një jetë më të mirë.
Bëhet fjalë për Përparim Ramën, i cili kishte kërkuar azil në Britaninë e Madhe në vitin 1992.
„Jeta në Kosovë nuk ishte aspak e lehtë. Të gjithë të rinjtë e asaj kohe merreshin me dhunë nga forcat policore dhe ushtarake serbe për t’u dërguar në luftën me kroatët apo boshnjakët, ndaj e pashë të udhës që për mua ishte më e lehtë të vija në Britani e të kërkoja azil, sesa të përballesha me situatën e atjeshme”, rrëfehet Përparim Rama në CNN, përcjell albinfo.ch.
Gjatë kohës së krizës në Kosovë ai vendosi të linte punën në studion e arkitekturës dhe t’i përkushtohej çështjes së refugjatëve të vendit të tij për t’i ndihmuar.
Familja e Përparimit ishte larguar nga Kosova gjatë sulmeve të NATO-s mbi Serbinë
Ai humbi të paktën dy muaj kontaktim me familjen.
“Familjes sime iu lanë vetëm pesë minuta në dispozicion për të marrë ç’të mundej e të largoheshin. Kështu që mamaja ime mori vetëm një album fotografik të familjes dhe im atë, si një piktor dhe pedagog artesh, mori punimet e tij më të mira. Prej aty shkuan në Maqedoni dhe më vonë për në SHBA”, vijon tregimin Rama.
Përparimi kishte vijuar studimet në Britani për arkitekturë dhe sot ai ka një kompani që kryen punime në mbarë botën dhe në të ka të punësuar edhe refugjatë.
Imazhet e refugjatëve ia kujtojnë Përparimit familjen dhe bashkëkombësit që në ato vite ndiqnin të njëjtën rrugë për një jetë më të mirë.
Përparimi ka një porosi: “Në kohë si këto që po kalojmë, të gjithë duhet të bëhemi solidarë. T’i ndihmojmë ata dhe t’i udhëheqim drejt një jete më të mirë”.
Gjatë renovimit të një restoranti në Heiden të kantonit Appenzell, janë gjetur gazeta që datojnë nga viti 1870. Ato shërbenin për izolimin e shtëpisë, e cila mendohet të jetë ndërtuar gjatë vitit 1866 nga ku ka filluar punën e vazhdon të punojë gjer më sot restoranti „Bierquelle“.
Ky restorant sot ka një pronar shqiptar, i cili ka tërhequr vëmendjen e medieve me zbulimin e gazetave me të vjetra se 140 vjet. “Madje edhe mediat gjermane më kanë telefonuar”, thotë për albinfo.ch udhëqësi i restorantit, Destan Rashiti.
Gazetat e zbuluara mbajnë tituj si „Appenzeller Sonntagsblatt“ dhe „Appenzeller Anzeiger“, të cilat ndër të tjera në numrin e 5 gushtit 1876 shkruanin për humbjen e bizeneseve si „Bellevue“ dhe “Felsenkeller“. Tutje shkruhej në gazetë se kërkohej një magaziner, i cili do te merrte një rrogë vjetore prej 600 frangash për punën e bërë.
Mes tjerash mund të lexohet edhe plani i udhëtimit të trenit në vijën Rorschach-Heiden të datës 1 qershor 1876.
Gazeta vendase, „Appenzeller Zeitung“, shkruan se restoranti tani është në duar të Destan Rashiti me prejardhje shqiptare. Ai jeton prej vitit 1990 në Zvicër, ku ka mbaruar zanatin e kamarierit dhe që prej gjashtë vitesh udhëheqë restorantin „Bierquelle“.
Kushtrim Islam Reka lindi më 17 tetor 1984 në Shkup. Familja Reka me rrënjë nga Kaçaniku më 1954, për shkak të përndjekjes së përhershme nga regjimi i atëhershëm komunist i ish-Jugosllavisë, shpërngulet në Shkup. Shefki Reka (gjyshi i Kushtrimit), duke pandehur parajsën, edhe atje gjen ferrin, sepse Beogradi perfid sinjalizon Shkupin që këtë familje me burra e gra të dhënë me gjithë zemër ndaj kombit e atdheut ta mbajë në shënjestër. Rekajt vazhdimisht ngjallnin te populli shqiptar shpresën se një ditë do të ngadhënjejë Perëndimi, ku demokracia do të triumfojë mbi diktaturën, drita mbi errësirën dhe autoktoni mbi pushtuesin. UDB-ja jugosllave duke, e cilësuar këtë familjeje si të rrezikshme dhe të padëshiruar për sistemin komunist, më 1981 e diferencon dhe më vonë i jep masën e ndëshkimit përjashtim nga puna Islam Rekes, mësuesit shembull në shkollat shqipe të Maqedonisë.
Përveç kësaj, Islamit i mvishet edhe fajësia për propagandë e agjitacion dhe bashkëpunim me vendet e Perëndimit. Ai i gjendur në një situatë jashtëzakonisht të rëndë, i ndihmuar nga shokë e miq, braktis Shkupin, duke lënë në frikë e ankth bashkëshorten Havushen dhe katër fëmijët e tij të vegjël. Islam Reka destinim e ka Zvicrën, vendin ku respektohet barazia, ku çmohen vlerat, vendin ku ka kuptim jeta dhe të qenit njeri. Kjo ëndërr e kahershme për liri dhe mendim plotësisht të pavarur Islamit i realizohet hëpërhë me të vendosur në Gjenevë. Kjo qendër ndërkombëtare, e njohur në gjithë globin si strehë e mbrojtjes së të shtypurve dhe e të përndjekurve, i ofron këtij të emigruari të përvuajtur punë dhe banim. Kurse në pranverën e vitit 1990 autoritetet e Zvicrës i njohin të drejtën e bashkimit familjar Havushes dhe fëmijëve të saj. Kështu që ata pas gjashtë vjetësh ndarjeje bashkohen sërish me Islamin. Havushja, edhe pse e lindur në Shkup, në mjedisin e ri, sikurse çdo e huaj, po kalonte një periudhë të vështirë. Ajo çdo gjë e fillon nga e para.
Ndërkaq kryepersonazhi i këtij rrëfimi, Kushtrim Reka, atëherë gjashtë vjeç, përfshihet së bashku me moshatarët e tjerë në të ashtuquajturin ”Cycle elementare” (fillimi i arsimit të detyruar), ku si fëmijë tregohet mjaft i shoqërueshëm me të gjithë, pavarësisht ideologjisë dhe ngjyrës së tyre. Këto virtyte të larta njerëzore bëjnë që ndër bashkëmoshatarë ai të jetë i dashur dhe i respektuar.
Akoma më i përsosur, Kushtrimi vazhdon edhe “Cycle moyen” (shkallë e dytë e arsimit), të cilin e kryen me sukses të dalluar. Tashmë i ambientuar në të gjitha fushat e jetës, e përfundon me sukses të shkëlqyeshëm edhe “Cycle d’orientation” (zgjat tre vjet), me çka e përmbyll arsimin shkollor të detyrueshëm. Pastaj Kushtrimi vendos të vazhdojë mësimet në College (gjimnaz) të Gjenevës. Përfundimi i gjimnazit përgjithësisht i jep mundësi studimi në universitete dhe shkolla politeknike të Zvicrës. Me të përfunduar gjimnazin, z. Reka regjistrohet në Fakultetin Ekonomik të Gjenevës, drejtimi – Biznes dhe Ekonomi. Studimet e filluara më 2004 në këtë departament i përfundon në afat rekord dhe kështu kryen Bachelor-in. Ndërkaq, më 2009 Reka profesionalizohet në lëmin e Financave, ku edhe e merr titullim Master në Financa. Duke e parë si të domosdoshëm thellimin e njohurive në gjuhën angleze, Reka regjistrohet në një kurs intensiv të gjuhës angleze në Australi.
Pas katër muajsh qëndrimi kthehet në Gjenevë si anglofon i vërtetë, dhe së bashku me shumë kandidatë të tjerë aplikon për vendin e punës Asistent në sesionin e Ekonomisë te ligjëruesi i mirënjohur, prof. dr. Martin Hoesli. Në vitin 2010, në një konkurrencë jashtëzakonisht të fortë Komisioni për pranimin e kuadrove të reja i Fakultetit Ekonomik të Gjenevës përcaktohet për emërimin e z. Reka në pozitën Asistent (ndihmës profesori). Kushtrim Reka këtë detyrë me mjaft sukses e kryen edhe sot. Reka sigurisht ka nënshkruar kontratë pune me Fakultetin Ekonomik të Gjenevës dhe ai obligohet që në pozitën e Asistentit të qëndrojë deri në fund të këtij viti. Gjithashtu është e një rëndësie të veçantë edhe puna kërkimore-shkencore më 2011 e Rekës në Universitetin e Floridës. Ai i mbikëqyrur nga prof.dr. David Ling, i qaset me seriozitet të madh punës në fushën e patundshmërisë.
Z. Reka është pjesëmarrës i dhjetëra konferencave dhe seminareve ndërkombëtare. Ai ka lënë përshtypje jashtëzakonisht të mira me paraqitjet e tij në universitetet e ndryshme të SHBA-së, siç janë: Universiteti i Çikagos, i San Diegos, i Floridës etj.
Karrierën profesionale nga sfera e patundshmërisë Reka e ka plotësuar edhe me pjesëmarrjen e tij në tryeza e debate të organizuara në Britaninë e Madhe, Gjermani, Itali e Holandë. Veç kësaj, Reka ka publikuar punime të shumta shkencore në revista të ndryshme ndërkombëtare. Po ashtu Kushtrimi na del si bashkautor me prof.dr. Martin Hoesli te revista prestigjioze “JOURNAL OF REAL ESTATE FINANCE AND ECONOMICS”. Gjithë këtë punë shkencore Kushtrim Reka e kurorëzon më 15 tetor 2014 në Universitetin e Gjenevës, ku me sukses mbron publikisht disertacionin e doktoratës me temën: ”FINANCIAL CONTAGION AND LIQUIDITY IN REAL ESTATE MARKETS”. Komisioni në përbërje prof.dr.Ines Chaieb, kryetare e Komisionit nga Universiteti i Gjeneves, prof.dr. Martin Hoesli, po ashtu nga Universiteti i Gjenevës, njëherësh dhe mentor i këtij disertacioni dhe prof.dr. Paul Embrechts nga Universiteti Politeknik i Cyrihut, anëtarë të jurisë, vlerësojnë lart punën e z. Reka. Edhe pse koha reale e vendeve të Evropës Qendrore s’ përkon me atë të SHTETEVE TË BASHKURA TË AMERIKËS, nga Universiteti i Floridës nëpërmjet SKYPE u inkuadrua edhe prof.dr. David Ling, profesor ordinar në Universitetin e këtij vendi, i cili e përgëzoi për këtë arritje të madhe z. Reka.
Gjatë qëndrimit në Florida Reka ka marrë këshilla dobiprurëse nga profesori David Ling, të cilat i ka praktikuar me rastin e punimit të disertacionit të tij. Derisa familjarë, shokë e miq uronin për punën e tij, me dosjen e arkivuar në duar shfaqet zonja Maria-Pia-Victoria-Feser, Dekane e Fakultetit të Menaxhmentit dhe Ekonomisë në Universitetin e Gjenevës. Ajo e entuziazmuar nga suksesi i z. Reka para të pranishmeve tha: “Ndihem e gëzuar po aq sa edhe vetë z.Reka, sepse pas shkëputjes nga Fakulteti i Shkencave Ekonomike dhe Sociale z. Reka është i pari që me punën e tij të shkëlqyer e arsyetoi mëvetësinë e Fakultetit të Menaxhmentit dhe të Ekonomisë. Duke e konsideruar si nder edhe për institucionin punën e z. Reka, ajo në shenjë mirënjohjeje i dha atij një dhuratë modeste.
Pastaj profesorë, studentë e miq së bashku kaluan në holin e ndërtesës së Universitetit, ku me një aperitiv të organizuar nga familjarët e z. Reka ndanë gëzimin e tyre për këtë ngjarje me dobi të përgjithshme.
Skënderbeg Alternative Investments AG, të cilin e udhëheq shqiptarja me origjinë nga Kosova, Miranda Ademaj, ka fituar çmimin e 13-të prestigjioz evropian „Fund of Hedge Funds Awards 2014“ nga “Hedge Funds Review Awards” në kategorinë “Best new FoHF”. Ceremonia e shpërblimeve ishte mbajtur në Londër, në Sheraton Park Lane.
Fituesit janë zgjedhur në bazë të një metodologjie rigoroze, duke kombinuar analizat sasiore dhe cilësore.
“Skënderbeg Alternative Investimet AG” ka filluar operacionet në dhjetor 2013 me seli në Cyrih. Kompania përbëhet nga një ekip i specialistëve me përvojë financiare në sektorin “Hedge Funds”.
Fondi Skënderbeg operon me 10 milionë dollarë që nga shkurti 2014. Nga janari 2015 do të nisin operimin nën ombrellën e fondit “Skënderbeg” 4 nënfonde. Asetet do të rriten në ombrellën e fondit “Skënderbeg“ në rreth 100 milionë dollarë.
„Fondi Skënderbeg garanton investitorët për një qasje neutrale ndaj tregut të investimeve”, ka thënë në një intervistë për albinfo.ch Miranda Ademaj.
Ky fond specializohet në kapitalin e strategjive të long/short equity dhe iu ofron investitorëve qasje të jashtëzakonshme në fondet mbrojtëse në shkallë globale. Për informacione më detale www.skenderbeg.ch Emri i kësaj kompanie lidhet me misionin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke u bazuar në atributet si pavarësi, përkushtim dhe superioritet.
Presidentja dhe ministrja e Jashtme e Zvicrës, Micheline Calmy Rey, do të marrë gjatë ditës çmimin “Diaspora” që i ndan mërgata kosovare. Arkitjektja kosovare, Shpëtime Kamberi, e lindur dhe e rritur në Bernë ka disenjuar trofeun për presidenten zvicerane dhe do t’ ia dorzojë vetë në solemnitetin e sotëm në Bernë. Kosovarja që punon në kompanitë e njohura të arkitekturës në Zvicër, si Gucci, në një intervistë për albinfo.ch thotë të ketë qenë e privilegjuar që i është dhënë mundësia ta bëjë disenjin e trofeun në emër të komunitetit shqiptar në Zvicër, për një personalitet mjaft të rëndësishëm të politikës zvicerane, e cila ka dhënë kontribut të madh në integrimin dhe krijimin e një imazhi më të fortë të Kosovës dhe kosovarëve në Zvicër.
albinfo.ch: Çka do të thotë për ju që pikërisht të ndani këtë çmim që e keni disenjuar vetë si arkitekte?
Shpëtime Kamberi: Është një privilegj i madh të ndaj çmimin në emër të diasporës dhe sigurisht që ndiej një kënaqësi kur mund ta falënderoj në mënyrë të veçantë dhe unik presidenten dhe ministren e Punëve të Jashtme, Micheline Calmy-Rey, e cila kontriboi në çështjen e njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe në zhvillimin e vendit për të cilin ndjehem shumë e afërt.
albinfo.ch: Çka ju ka inspiruar të disenjoni këtë mirënjohje për Calmy Rey, a mund të na zbuloni më shumë rreth shpërbilimi, i cili do të jetë në pronësi të Calmy Rey, të premten?
Shpëtime Kamberi: Insiprimi ka qenë një proces i gjerë. Fillimisht kam reflektuar me një përkushtim të madh për temën „Diaspora“ se çdomethënie ka dhe si mund të interpretohet në përgjithësi dhe në kontekstin aktual.
Gjithashtu jam munduar në mënyrë të një skulpture kohore t’i transferoj edhe pikëpamjet e mia personale për këtë temë dhe në vazhdim të konceptimit jam përqendruar në disa elemente kryesore të kësaj teme të gjerë. Qëllimi ishte që të ketë komponente që karakterizohen me unifikim, falënderim, lidhshmëri, thjeshtësi. Mbi të gjitha, për mua ishte e domosdoshme që trofeu të jetë autentik dhe të bëjë të dukshëm mesazhin, dhe jo anasjelltas.
albinfo.ch: Çfarë ndjenja kishit vitin e kaluar, kur Micheline Calmy Rey duhej ta merrte këtë çmim dhe nuk e mori, çka menduat në ato momente se do të shkonte huq puna juaj?
Shpëtime Kamberi: Çmimi nuk u refuzua, por situata nuk lejoi të shpërblehej një çmim në ato rrethana.
Në asnjë moment nuk kam menduar që puna ime do të shkoj huq. Kisha bindjen e thellë se do të vijë momenti i përshtatshëm për të shpërblyer z. Calmy-Rey.
Këtu dua të cek gjithashtu që koha e krijimit dhe zbatimit të punimit ishte për mua eksperiencë e mirë, sepse kisha një ekip të shkëlqyeshëm dhe shumë të motivuar dhe kjo për mua ka gjithashtu shumë vlerë.
albinfo.ch: Çfarë konkurrence kishte dhe si u zgjodh puna juaj që të disenjohet shpërblimi për një personalitet mjaft të rëndësishëm për kosovarët?
Shpëtime Kamberi: Kishte konkurrencë nga brezi i parë dhe i dytë. Pas një konkursi publik është bërë edhe përzgjedhja e punimit. Për mua ishte një detyrë shumë kurioze, të cilës i kushtova vëmendje. Besoj që pikëpamjet e mia, si vajzë e lindur dhe e rritur në Zvicër, me një lidhshmeri të veçantë me Kosovën, më kanë begatuar dhe kanë pasqyruar gjithashtu krijimin e disenjit.
albinfo.ch: Çka po punon Shpëtimja kohët e fundit, me çka njihet në profesionin e saj? A jeni shpërblyer ndonjëherë për punën tuaj?
Shpëtime Kamberi: Aktualisht punoj në Bernë si arkitekte në një kompani të njohur në skenën e arkitekturës dhe ndërtimit. Kryesisht merrem me projekte të ndërtimeve publike për kompani të njohura ndërkombëtare.
Tani menaxhoj një projekt të madh në kantonin e Tiçinos për firmën Gucci, projekt me të cilin jam shumë e angazhuar.
Kam marrë gjithashtu shpërblime për projekte në konkurse të ndryshme, por për mua s’ka shpërblim më të mirë se sa kur më besohet një punë me një përgjegjsi të madhe, ku mund të dëshmoj dhe të zgjeroj njohuritë e mia.
Gjithçka ka filluar nga rastësia. Mbas një kohë të shkurtër që kishte ndërprerë angazhimet në gazetari në disa revista dhe gazeta shqiptare në Zvicër, Ariana e kishte parë veten përpara një dileme: do të studionte edhe njëherë apo do të ndiqte një rrugë komplet të re? Me çfarë do të merrej këtej e tutje për tu ndjerë e plotë dhe për tu identifikuar me profesionin?
“Një mike që kishte një firmë të vogël më udhëzoi të themeloja edhe unë një firmë. Ku i dihet – kishte thënë ajo atëhere, mbase mund të kesh sukses.”
Kështu kishte filluar historia dhe tani dymbëdhjetë vjet më pas, Ariana Merlaku, shqiptarja në ballë të një firme ndërtimi punëson rreth 80 punëtorë ndërtimtarie.
Puna, të cilës i kishte hyrë ajo dukej më shumë se një sfidë, një aventurë, hyrje në një “terren të huaj” madje, në një “terren të rezervuar vetëm për meshkuj.” Edhe sot ajo është jo vetëm femra e vetme shqiptare që udhëheq një firmë ndërtimi, por me sa ka parë e dëgjuar edhe femra e vetme në përgjithësi në Cyrih e më gjerë e angazhuar në këtë lëmi.
“Ja ka vlejtur rreziku dhe sakrifica.”- është e bindur ajo sot, kur shikon mbrapa në kohë. Një numër i madh ndërtimesh në regjionin e Cyrihut, por dhe në qytete të tjera në Zvicër, mbajnë vulën e një gruaje me profesion dhe emër paksa ekzotik për zviceranët, Ariana Merlaku.
Por si është ndjerë si femër dhe si shqiptare në një vend të huaj, duke guxuar të provojë veten në një arenë të rezervuar për burra me sfida jo pak të vështira?
“Kur ke vullnet dhe e do sinqerisht punën që bën, do e gjesh gjithmonë rrugën drejt marrëveshjes dhe suksesit. ” është e bindur Ariana sot. “Të nevojitet sigurisht edhe një “porcion i madh” fati, por gjithsesi puna, angazhimi, stresi dhe lodhja janë baza mbi të cilat ndërtohet suksesi.”
Duke folur për fillimet e punës, ajo thotë se në atë kohë nuk i janë dashur shuma të mëdha parash për të nisur veprimtarinë.
Si grua dhe si shqiptare në “Baustelle”, shihesha si një “Ufo”
“Në fillim të gjithë e nisin me akordancë, si nënkontraktues dhe për këtë nuk të nevojiten kushedi sa të holla. Pastaj, duke shtuar punën shtohen edhe të ardhurat ashtu sikurse dhe obligimet. Kështu në muajin e parë unë kisha shtatë punëtorë ndërsa në fund të vitit, numri ishte rritur në 14. Ndërsa fillimisht kishim problem të siguronim punë, në fund të vitit të parë ne kishim aq shumë punë sa që nuk arrinim të gjenim punëtorë për t`i mbuluar ato. Natyrisht cilësia dhe udhëheqja e punës ishte ajo që kërkohej kështu që filluan të na besonin punë gjithnjë e më të mëdha. “Nuk di si ta shpjegoj, po ndodhte një mrekulli”, thotë Ariana tek përpiqet të tregojë “sensacionin” që ka përjetuar.
“Si shqiptare dhe pronare e një firme ndërtimi shihesha si “ufo”, si një dukuri jo e zakonshme. Thjesht unë qëlloja në kohën dhe vendin e duhur për të marrë punë të reja, për të lidhur marrëveshje të reja. Jam tmerruar me një rast në ato fillime kur më thanë se do të ma besonin një kantier me vlerë prej 20 milionë frangash. Në fillim kisha pak frikë, por e mora me përkushtimin dhe në fund e realizuam me sukses. Pas kësaj erdhën projekte me shifra edhe më të mëdha… Tashmë besimi ishte krijuar, puna e nxirrte punën.
Lidhur me perceptimin e saj nga ana e punëtorëve si shefe femër, Ariana ka një shpjegim interesant. “Kam arritur në përfundimin se një kombinim i tillë është shumë më i suksesshëm, se njeriu është njeri, pavarësisht përkatësisë nacionale, fetare etj. Duke përqafuar logjikën se ti je pjesë e tyre, e punëtorëve që të rrethojnë, aty ngjizet një atmosferë familjare e solidarësie. Atëherë nuk ka më rëndësi a je grua a burrë, a je shqiptare apo franceze. Gjithmonë e kam parë veten si punëtore të firmës. Unë e kam një profesion, një pozicion të punës, ti e ke një tjetër, unë të siguroj punë, duke kontaktuar klientin, nënshkruar kontrata etj. e ti do të punosh për vete dhe për firmën”.
Maksimalisht Ariana ka pasur 80 punëtorë “nën komandë”. Firma merret vetëm me ndërtim të lartë dhe në mesin e ndërtesave ku janë angazhuar punëtorët e saj është edhe Maintower e njohur e Oerlikon-it të Zürich.
Krahas veprimtarisë ndërtimore, Ariana ka edhe firmën e patundshmërive, gjegjësisht administron një numër të madh apartamentesh në Zürich e më gjerë.
Puna në kantiere nuk ia zbeh pasionin për gazetarinë
Interesante është që dhe pas gjithë kësaj pune ajo thotë se brenda vetes vazhdon të ndjehet gazetare, njeri me interesime intelektuale. “Ndërtimi dhe patundshmëritë përbëjnë anën materiale timen, ndërsa gazetaria dhe puna intelektuale anën shpirtërore, atë që më bën të ndjehem e plotë. Së shpejti do të doktoroj në shkencat politike në Tiranë dhe në një të ardhme jo shumë të largët e shoh veten të angazhuar edhe në politikën shqiptare. Aty – thotë ajo, do ta ndihmojnë me siguri edhe përvojat e bëra si afariste dhe si gazetare. Nuk mund ta braktis njërën për tjetrën. Ato janë të ndërlidhura fort, kanë ndihmuar gjithmonë njëra – tjetrën dhe do vazhdojnë ta ndihmojnë.”
Ajo nuk ia ka frikën realitetit paksa më të ashpër ballkanik, gjithnjë duke pasur parasysh besimin në kapacitetin që ka dhe në përvojat e fituara me punën në perëndim.
“Mua më udhëheq në jetë mendimi pozitiv se duke punuar me sinqeritet dhe duke shtyrë përpara idetë konstruktive edhe shoqëria të kupton dhe të ndihmon në realizimin e tyre.”
Ajo që aktualisht i mungon Arianës është që të ketë një ditë të lirë në javë për të shkuar vetëm në shqip. “E ndjej mungesën e të shkruarit për ndonjë gazetë në gjuhen shqipe. Kjo do të më përmbushte profesionalisht. Jam në negociata me një televizion privat nga Shqipëria për të drejtuar një emision njëherë në muaj, por ende nuk është konfirmuar ”.
Të përmendim se Ariana ka bashkëpunuar si studente e re në Tiranë me organet e atëhershme të shtypit atje ndërsa në Zvicër ka punuar fillimisht si gazetare në gazetën “Bota sot” pastaj ka udhëhequr si kryeredaktore revistat mujore për të rinj si: “Zëri i zemrës”, “Rinora” etj. Ariana shkruan njëkohësisht dhe për mediet zvicerane. Ndaj kthimi i saj në gazetarinë shqiptare qoftë edhe i pjesshëm, nuk është kthim në terren të huaj, përkundrazi. Do të jetë kthim i një gazetareje që kërkon pjesën e saj paksa të humbur.
——
Femra në kantier, një dukuri jo e zakonshme
Si është ndjerë si femër dhe si shqiptare në një vend të huaj, duke guxuar të provojë veten në një arenë të rezervuar për burra me sfida jo pak të vështira?
“Si shqiptare dhe pronare e një firme ndërtimi shihesha si “ufo”, si një dukuri jo e zakonshme. Thjesht unë qëlloja në kohën dhe vendin e duhur për të marrë punë të reja, për të lidhur marrëveshje të reja
Miranda Ademaj është një vajzë e lindur në Shtime të Kosovës dhe e rritur jashtë vendit që nga viti 1994, kur bashkë me familjen iku ilegalisht në Gjermani.
Miranda tregon në një intervistë për albinfo.ch se kishte shumë vështirësi në integrimin e saj si një kosovare me kulturën e re në Gjermani. Ishte vetëm 10 vjeçe kur filloi jetën nga e para në një vend të huaj.
Ajo e flet rrjedhshëm shqipen, ngase e kishte ruajtur gjuhën nga katër vjetët e shkollës fillore që i kishte kryer në Kosovë.
Miranda ishte rritur në Gjermani deri në moshën 20-vjeçare. Për arsye se gjendja ekonomike në Gjermani filloi të përkeqësohej, në vitin 2006 ajo vendosi të jetojë në Zürich të Zvicrës, ku dhe studioi ekonominë.
Për pesë vjet me radhë ajo ka punuar në institucionet më të rëndësishme helvetike: BrunnerInvest AG, Sallfort Privatbank dhe Credit Suisse.
Ndërmjet tri kulturave Kosovë-Gjermani-Zvicër, Miranda kishte edhe një dëshirë, ta shëtitë botën. Ajo ka udhëtuar për 1 vit në katër kontinente të botës vetëm me një çantë shpine, si në Amerikë, Azi, Australi dhe Evropë. Më së shumti kishte kaluar kohën në Australi, ku edhe kishte punuar për disa javë me një fabrikë bananesh “Bananafarm” në Outback të Australisë. Ajo kishte përfituar shumë nga kjo eksperiencë, duke zgjeruar horizontin e saj.
Miranda tash ka mendim tjetër për kulturën shqiptare.
“Kultura të cilës i takoj kufizon sidomos femrën me aspektet tradicionale dhe familjare më shumë se të tjerat kultura në Evropë. Ky është një aspekt i cili sigurisht vështirëson rrugën e arritjeve të tyre në jetë”, tha Miranda.
Pas kësaj aventure rreth botës, ajo u kthye në Zürich dhe filloi të punojë në një fond të pionierëve BrunnerInvest AG, ku ka takuar shumë njerëz të zgjuar dhe të arsimuar, të cilët e kuptuan botën e Mirandës.
“Një ditë më erdhi ideja që të themeloj kompaninë time Skënderbeg Alternative Investments AG me punëdhënësit e mëparshëm. Bashkëpunova me dy kolegë të mi, sepse së bashku bëjmë një ekip të shkëlqyeshëm. Tani, unë jam themeluese dhe Cief Executive Officer e Skënderbeg Alternative Investments AG, kandidate për Chartered Alternative Investment Analyst dhe anëtare e “100 Woman in Hedge Funds”, zvicerani Bruno J. Schneller, Cief Investment Officer, ka magjistruar në HSG dhe gjermani Thomas Fliegner, Cief Risk Manager, ishte edhe profesor matematike në Cambridge dhe Bath. Filozofia dhe strategjia e investimeve është autentike nga Miranda. Ngase ajo kishte përfituar nga eksperiencat e krizës ekonomike të 2008-ës dhe nga kompania e mëparshme që kishte operuar me një boshllëk.
Sa i përket vështirësive të biznesit, Miranda ka thënë se natyrisht që duhet të përpiqesh si një e huaj më shumë për të arritur, sidomos në biznesin e “Hedge Funds” që është sfidë e madhe, për faktin se është i dominuar nga meshkujt.
“Është vështirë të gjesh femra në këto lloj pozita si jam unë në këtë industri”, pohon Miranda.
Këmbëngulësia në bindjen se edhe femrat mund t’ia dalin si meshkujt i kishte dhënë Mirandës guximin të mbërrijë objektivat që i kishte para vetes.
Megjithatë ajo shprehet të jetë krenare që është shqiptare nga Kosova dhe për këtë ka insistuar ta emërtojë fondin me emrin e heroit kombëtar Skenderbeu.
Miranda nuk ka fshehur kurrë identitetin se është shqiptare nga Kosova.
„Ku shkoj nëpër botë na presin mirë dhe janë mësuar me emrin Skënderbeg, ngase shumica kanë lexuar për historinë e lavdishme të heroit tonë kombëtar“, thekson themeluesja dhe CEO e Skënderbeg Alternative Investments AG.
Fondi Skënderbeg Alternative Investments AG operon me 10 milionë dollarë më 1 shkurt 2014, që është edhe përjashtim, ngase në këtë segment startohet zakonisht me 2-5 milionë.
„Fondi Skënderbeg garanton investitorët për një qasjse neutrale ndaj tregut të investimeve”, tha Miranda.
Ky fond specializohet në kapitalin e strategjive të long/short equity dhe iu ofron investitorëve qasje të jashtëzakonshme në fondet mbrojtëse në shkallë globale.
Emri i kësaj kompanie lidhet me misionin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke u bazuar në atributet si pavarësi, përkushtim dhe superioritet. “Ne jemi të përkushtuar dhe të pasionuar në targetin tonë ashtu si Skënderbeu”, ka thënë ajo.
Miranda në të njëjtën kohë po luan rolin edhe të një promotoreje të Kosovës në takime dhe kontakte të ndryshme me investitorët e huaj.
Ajo thotë se ka për synim që me hapa të vegjël të mbërrijë deri te suksesi.
Miranda ka prezentuar së fundi në Tiranë në TED që është një format konferencash që ka përshkuar gjithë globin, nga Seuli në Buenos Aires, nga Londra në Podgoricë, nga San Diego në Tel Aviv.
Ekonomistja kosovare thotë se nuk do të ndalet me kaq dhe ka për objektiv të shkruajë libër për jetën e saj.
Miranda duke kaluar këtë gërshetim kulturash ndërmjet Kosovës-Gjermanisë dhe Zvicrës, si një financiere globale sigurisht do të shërbejë si një inspirim për shumë femra të botës, të cilat kanë frikë t’i ndjekin ëndrrat e tyre.
Me vendbanim në St. Blasier të Gjermanisë, kosovari Muhamed Musliu kishte zbuluar një vrimë në përfitimin e parave dhe ai e mbuloi ate duke themeluar një kompani taksish Kur para një viti e gjysmë, Muhamed Musliu u bë punëdhënës i pavarur, tek ai ishte krijuar një ndjenjë sa skeptike, po aq edhe e frikshme. „Çka? Ti po e lë punën tënde të rregullt në këtë krizë të madhe ekonomike“?
Shumica ia kishin parashtruar këtë pyetje Muhamedit me nofkën Dali, i cili në tetor të vitit 2009, në St. Blasier e themeloi kompaninë taksi me emrin „City-Taxi“. Ishte kjo një ide e mirë pasi shumica e banorëve të St. Blasier e ndienin mungesën e taksisë, për shembull gjatë netëve të vonshme të fundjavës, apo gjatë borës së madhe në dimër. „Jemi të kënaqur që në qytetin tonë ekziston një taksi sikur ,City-Taxi’ dhe kjo është një pasuri e madhe për rajonin“, shprehet Lothar Probst, përgjegjës lokal për komunikacionin rrugor. Dali rrëfen me një buzëqeshje: „Me angazhimin tim në një klub futbolli nga Bernau, vërejta se shumë njerëz kishin nevojë për shërbim udhëtimi. Natyrisht, ishte një rrezik i madh që të bëhem i pavarur, por siç thonë të tjerët – no risik, no fund“. Për këtë, ai kishte vendosur që të realizojë idenë e tij.
Kosovari kishte filluar me një veturë të vjetër dhe një të re, si dhe me një bashkëpunëtor, ndërsa tani ai ka pesë bashkëpunëtorë dhe tri vetura. Pra, nevoja e taksit në këtë rajon është e madhe. Klientët e Dalit nuk janë vetëm të rinjtë, por ai ndërmerr edhe transportin e të sëmurëve: „Unë i dërgoj pacientët në dializë apo për rrezatim nëpër klinika të ndryshme të Waldshutit apo Freiburgut, por edhe bëj shërbimin e udhëtarëve nga aeroportet e Bazelit, Zürichut apo Shtutgartit.
Ndonjëherë pranoj telefonata edhe nga Spanja apo çuditërisht edhe nga Meksika. Këta janë prindërit e nxënësve të cilët më lusin që t’i marrë fëmijët e tyre dhe t’i shpie nëpër internate“, shpjegon Dali. Në kohën kur mungon shërbimi i komunikacionit urban, „City-Taxi“ është shumë i kërkuar, ndërsa gjatë netëve me borë dhe ngrica, kur komunikacioni urban dështon, ai i rreket punës me entuziazëm të pashoq, me moton „Nuk mundem, tek unë nuk ekziston“. 39-vjeçari beson se sekreti i suksesit të tij është sëhrbimi 24-orësh i klientëve. „Natyrisht se është vështirë të qëndrosh natën jashtë, por edhe kjo është në shërbim të punës“.
Për të fituar të holla, Dali kishte ardhur në St. Blaise para 20 vitesh. Në vendlindjen e tij, ai kishte dashur të studiojë gjuhën angleze dhe për tu financuar, ai kishte menduar që të punojë disa javë në Gjermani. Me ndihmën e mikut të tij, i cili në atë kohë jetonte në Gjermani, ai e realizoi një gjë të tillë në Schwarzwald. Por, gjatë qëndrimit të tij në Gjermani, në Kosovë kishte filluar lufta, për ate Dalli kishte vendosur të qëndrojë këtu. Sot, ai veten në këtë qytet e ndjen si në vendlindje.
Gjithashtu, edhe bashkëshortja e tij nga Hungaria, Judit kishte ardhur në Gjermani për të punuar dhe ata njoftohen në vendin e saj të punës në „Schluchseer Kurhaus“. Sot, ajo është nënë e tre fëmijëve dhe punon si sekretareshë në kompaninë e ,City-Taxi’-t. Me këtë profesion, Dali ka dëgjuar shumë rrefime nga më të ndrysmet nga klientët, por ai përfundon: „Nuk mund tu tregoj asgjë, sepse ajo që flitet në veturën time, nuk del nga vetura. Ky është një sekret i profesionit tim“.
I sapo ardhur në Zvicër, Pren Kqira lidhet me gastronominë. Fillimisht si punëtor kuzhine, pastaj si kamerier dhe tash 20 vite si pronar restorantesh. Ngritjes së tij në këtë karrierë, i shkon më së miri ai përshkrimi i njohur për rrëfimet e suksesit “prej pjatalarësit te milioneri”.
“Me origjininë jamë nga fshati Serbica (Prizren). Në Zvicër kam ardhur para 30 viteve. Në fillim kam punuar në një hotel në vendskijimin Disentis të Graubündenit. Pasi që ende nuk e njihja gjuhën, normalisht, punoja në kuzhinë. Kam larë enë, kam ndihmuar në përgatitjen e ushqimeve”. Por për të ardhur këtu ku është sot, Pren Kqirës i është dashur të mësoje edhe shumë, të fitojë nga përvoja e punëdhënësve të tij. Pas disa vitesh, vjen hapi i parë i sprovës. Ai hap restorantin e tij të parë.
“Ka qenë viti 1993, kur, në Beringen të Schaffhausen-it kam hapur restorantin e parë “Bahnhof”. Ka qenë lokal me kuzhinë italiane dhe zvicerane”. Preni thotë se në atë kohë, në Zvicër fare pak shqiptarë kanë pasur restorante. “Bare dhe kafene me muzikë, mund të ketë pasur, por restorantet e shqiptarëve ku është shërbyer ushqim, kanë mundur të numëroheshin me gishta“ thotë ai.
“Ka qenë viti 1993, kur, në Beringen të Schaffhausen-it kam hapur restorantin e parë “Bahnhof”. Ka qenë lokal me kuzhinë italiane dhe zvicerane”. Preni thotë se në atë kohë, në Zvicër fare pak shqiptarë kanë pasur restorante. “Bare dhe kafene me muzikë, mund të ketë pasur, por restorantet e shqiptarëve ku është shërbyer ushqim, kanë mundur të numëroheshin me gishta“ thotë ai.
Sot, kur flitet me të madhe për kalimin e restoranteve italiane të Zvicrës, në duart e shqiptarëve, Kqira mendon pak më ndryshe rreth gjithë kësaj.
“Nuk kisha thënë se ne shqiptarët e kemi “pushtuar” kuzhinën italiane. Fundja, në Winterthur janë rreth 60 piceri dhe restorante italiane, ndërsa vetëm 6 ose 7 prej tyre janë në pronësi të shqiptarëve”, thotë me kompetencë Pren Kqira. Marrë në përgjithësi, shqiptarët në këtë qytet mbajnë rreth 15 lokale hoteliere. “Por nuk ka shumë rëndësi numri. Më me rëndësi është pozita. Të gjitha këto lokale hoteliere janë në vendet qendrore të qytetit. Madje, në pikat më të frekuentuara”.
Kjo flet për njëfarë suksesi që shqiptarët kanë treguar në gastronomi. Një sukses ky, nxitur nga nevoja, sipas Kqirës. “Fillimisht, na është imponuar puna në gastronomi, si punëtorë ndihmës, për shkak të njohjes së pamjaftueshme të gjuhës dhe kualifikimit të mangët. Por duke qenë ambiciozë, gjithnjë kemi tentuar të bëjmë diçka më tepër. Pasi kemi mbledhur pak përvojë, kryesisht në kuzhinat italiane, ne kemi marrë rrezikun që të nisim punën si të pavarur në gastronomi”.
Pren Kqira nuk harron të përmend meritat e familjeve. “Për ta bërë gjithë këtë, kemi pasur mirëkuptimin e pakusht të familjeve tona. Për gjithçka i detyrohemi sakrificës sonë dhe të familjeve”.
Disa nga familjarët edhe kanë punuar në restorantet e tij, ndërsa i vëllai, Antoni, është bashkëpronar i restoranteve dhe dora e djathtë e Prenit.
Pren Kqira udhëheq në vazhdimësi nga dy ose tre restorante paralelisht. Ndonjë prej tyre e jep me qira. Aktualisht, përveç më të madhit dhe më të njohurit, restorantit “Stella del Centro” që ndodhet në pikën më pulsuese të qytetit të Winterthurit, ai mban edhe restorantin “El Bargo” në Shaffhausen të cilin e udhëheq vetë, dhe atë “Santa Christina” në Winterthur që ia ka lëshuar me qira po kështu një shqiptari.
“Të gjithë restorantet që i kam ngritur gjatë kësaj kohe, ua kam shitur ose dhënë në shfrytëzim shqiptarëve, kryesisht të afërmve të mi. Dhe, që të gjithë vazhdojnë të punojnë mirë. Duke filluar nga restoranti i parë, në Beringen, të cilin tash e mban një kushëri, e deri te më i riu, “Vivace” dhe “Staatsaal” në qendër të Wilit, që udhëhiqet nga një shqiptar tjetër”, thotë Preni.
Rreth gjysma e personelit në “Stella del Centro” janë shqiptarë. Kuzhinieri kryesor, Isaku “pizzaiola”, Albani dhe kamerieri, Agroni, janë vetëm disa prej tyre. Të gjithë këta e njohin mirë zanatin e tyre dhe punojnë me përkushtim, ashtu si dhe të tjerët, zviceranë dhe të huaj.
Puna e Prenit dhe Antonit në restorante, u ka krijuar një bazë të mirë ekonomike familjeve të tyre. Por, asnjëri nga fëmijët nuk punojnë në gastronomi. “Disa prej tyre e njohin punën. Por, me përcaktimin e tyre dhe me dëshirën tonë, ata kanë vazhduar shkollimin. Djali im dhe djali i vëllait kanë kryer shkollimin për komercialist. Punojnë në këtë profesion dhe vazhdojnë shkollimin”.
I pyetur nëse do të dëshironte që një ditë fëmijët ta trashëgojnë në gastronomi, Pren Kqira përgjigjet: “Unë nuk ua imponoj, por nëse ata tregojnë interes, mund ta vazhdojnë këtë punë…pse jo ?”.
Bëhet fjalë për vodkën “Konik’s Tail”, e njohur si polake, por që i përket Pleurat Shabanit me origjinë nga Prishtina e Kosovës. Vodka është votuar si lloji “më i dashur” i vodkës mes 50 bareve kryesore të botës.
“Nuk jam i pranishëm, madje në shumë prej tyre, ndaj edhe jam shumë i befasuar”, thotë ai, transmeton “Shekulli”.
“Rivalët e mi janë të gjithë marka multimilionëshe. Biznesi im jam vetëm unë“, tha Shabani.
Çmimi i ndarë nga publikimi i industrisë “Drinks International”, tregon se Shabani sheh kërkesa për vodkën e tij, që aktualisht është në dispozicion vetëm në Britaninë e Madhe, që vijnë nga qytete që përfshijnë New Yorkun dhe Moskën. Shabani, i cili ende nuk e ka punësuar punëtorin e parë, tha se është në bisedime me agjencitë e eksportit dhe do t’i duhet të gjejë financim “për të përmbushur kërkesën dhe për të shfrytëzuar momentin”, që erdhi nga suksesi i tij i arritur. Kur Shabani fillimisht shkoi për të kërkuar financim për të çelur kompaninë e tij, ai u refuzua nga pothuaj “çdo firmë nga lista e Asociacionit të Ndërmarrjeve Britanike për Tregtim Kapitali” dhe nga shumë investitorë privatë, po ashtu. Investitorët thanë se Shabani ka “mungesë përvoje” dhe po përpiqej të hynte në një treg të tejngopur të vodkës, ku do të kishte nevojë për një buxhet shumë të madh marketingu, për të hapur çfarëdo tregtie.
I patrembur, ai e financoi biznesin e tij me një rreth të vogël “miqsh dhe familjarësh”, duke mbledhur rreth 250.000£ dhe më pas vetëm nga hyrjet. “Kam bërë gjithçka me aq para sa për një lidhëse këpuce dhe kam harxhuar zero para për marketing”, tha ai. Pasi kaloi disa muaj duke e përpunuar recetën – që përfshinte edhe kampim në pyjet polake për të gjetur përbërësit e duhur – ai me punë të lodhshme i ndërtoi marrëdhëniet me baret kryesore të Londrës dhe me shitësit e pijeve alkoolike. Dukja e shishes është dizajnuar nga Hugh Laurie, i cili ia ka bërë këtë si nder – bashkëshortja e Shabanit dikur ka punuar si asistente personale e aktorit – por ai nuk e shfrytëzoi fort këtë përkrahje. “Preferoj që vetë pija të flasë për veten”. Ai tani prodhon 400 pako me nga nëntë litra të pijes në vit dhe furnizon 600 bare dhe shitës të specializuar në tërë Britaninë. “Konik’s Tail” (“Bishti i Konikut”) ishte po ashtu vodka më e shitur në Selfridges gjatë periudhës së Kërshëndellave.
Si tetëvjeçar erdhi nga Kosova në Zvicër dhe ndoçi shkollën për herë të parë këtu. Njëzetë vite më vonë, në qershor 2012, ai u bë drejtor i hotelit superior me katër yje „Waldhotel Davos“. Bardhyl Coli është një ndër drejtorët më të rinj të hoteleve luksoze zvicerane, edhe pse edhe në hotele të tjera të nivelit të lartë gjithnjë e më shumë ligjin po e merr në dorë gjenerata e re. Marketingu thjeshtohet duke pasur parasysh faktin se hoteli – atëherë ishte një sanatorim mushkërish – ishte shkas për lindjen e romanit „Bregu magjik“ të Thomas Mann-it. Por, me magji s’ka të bëjë fare karriera vetëtimë e drejtorit të ri të hotelit e as rangimi i ngritur i ndërmarrjes. Coli i zellshëm nuk dëshiron ta theksojë posaçërisht as të kaluarën e tij të vështirë si fëmijë i një familjeje me prejardhje shqiptare e as rrugën e rrëpirtë të ngritjes së tij profesionale. Por vlerën e arritjes së tij të jashtëzakonshme për marketingun dhe mediet ai i njeh mirë.
Me qëllim të qartë parasysh
Bardhyl Coli është i vetëdijshëm se ambicja dhe gatishmëria për rezultate e sollën në krye të hotelit rrëzë malit në Davos. „Dhe fati ishte natyrisht aty“, shton ai. Pronarin gjerman të hotelit ai arriti ta bindë me pasionin për profesionet e tij, të cilat ai i kupton pakompromis si shërbime. 29 – vjeçari filloi karrierën e tij në vitin 2000 me mësimin e zanatit të shërbimit hotelier. Tri vite shërbeu në këtë zanat dhe njëkohësisht u aftësua më tej për shërbyes verërash. Pastaj absolvoi edhe mësimin e zanatit të dytë si kuzhinier. Nga bodrumi i verërave dhe kuzhina kaloi në recepcionin e një hoteli « wellnes » (« i të niderit mirë ») para se më 2008 ta marrë diplomën e hotelierit në Shkollën e Profilizuar për Hoteleri Belovierpark në Cyrih. Më pastaj ndodhi një transfer jashtë vendit në hotelin « Berlin Mitte » të zinxhirit hotelier NH. Këtu Coli punoi si zëvendësdrejtor dhe ishte përgjegjës për 120 të punësuar.
Në hotelin e vogël „Waldhotel“ me 46 dhoma ai varësisht nga sezoni udhëheq me 35 deri 50 të punësuar. Këtu ka shansin që ta zbatojë filozofinë e tij, thotë drejtori i hotelit. Sharmi i një „boutique- hoteli“ të mundëson që mysafirët, ndryshe nga një hotel i madh, t’i shërbesh individualisht. Ai mbështetet në moton e „befasimit të klientit“, me çka synon që hotelin e tij ta lartësojë në krahasim me konkurrencën. Ndoshta për këtë arsye në vizitkartën e tij nuk shkruan „drejtor“, por „mikpritës“. Kjo s’ka të bëjë me servilizëm, thotë Coli. Me këtë ai dëshiron shumë më tepër të sinjalizojë se mysafiri merret seriozisht parasysh me të gjitha dëshirat dhe kërkesat e tij. Vërtet të befasuar janë shumëkush, kur në një hotel luksoz ju qëndron përballë një shefi kaq të ri.(…)
Nga personeli hotelieri i ri, i vendosur dhe dinamik kërkon shumë. Secili në domenin e vetë të përgjegjësisë duhet të tregohet si mikpritës. Qëllimi është „të ofrohet shërbim personal dhe komoditet i shkallës më të lartë“. Kështu dhe në fjalë të ngjashme shkruan edhe në fletëpalosjet me vizionin e hotelit, parimete tij bazë dhe parimet e mënyrës së udhëheqjes së tij, të cilat mund t’i marrë në xhep edhe secili mysafir i hotelit. Që Coli dhe ekipi i tij që në vitin e parë patën sukses me këtë kredo nuk flet vetëm numri i shtuar i mysafirëve. Në rangimin e 100 hoteleve më mikpritës të Zvicrës, hoteli „Waldhotel“ renditet i 9-ti në kategorinë e tij. (…)
„waldhotel“ nuk dëshiron të mbetet i veçantë vetëm përmes të kaluarës së tij me sanatoriumin apo të Thomas Mann-it, por në radhë të parë përmes mikpritjes së tij.
Një sound-sistem të markës Void për më tepër se 300 mijë franga. Një pamje mbi gjithë qytetin e Winterthur-it, i dyti për nga madhësia në kantonin e Cyrihut, dhe me mobilim të dizajnerit anglez Paul Smith, në katin e 7 të pallatit „Claudia House of Sound“, më 28 shtator me një eveniment të madh hapet klubi i nivelit të lartë „The View“, me menaxher shqiptarin Dardan Hajdaj.
Kështu e përshkruan hapjen e klubit më të bukur të Zvicrës gazeta me tirazhin me të madh në këtë vend, 20min. „Rregullimi i klubit në fakt është shumë eksplicit- mirëpo ky nuk është klub vetëm për shtresën elite, por për tërë regjionin“, thotë Dardan Hajdaj, që me përkrahjen e Royal Döner, ka investuar mbi 1 milionë franga në këtë klub.
Ai nuk do të kursejë as në shfaqjen e programit; „Ne do të angazhojmë edhe DJ të vendit dhe ndërkombëtarë në klubin që ofron plot 250 vende për të rriturit e moshës mbi 21 vjet.
I kontaktuar përmes telefonit nga albinfo.ch, 24 vjeçari nga Peja, Dardan Hajdaj, tregon me një shqipe të rrjedhshme se është i diplomuar në gastronimi dhe ky është profesioni që e ka për zemër. Ndërsa në Zvicër thotë se ka ardhur si fëmijë fare i vogël.
Biznesmenët më të shquar shqiptar nga Evropa dhe Amerika, pas punimeve treditore, themeluan të dielën në Prishtinë Unionin e Bizneseve të Diasporës. Me vota unanime nga të pranishmit, kryetarë i Unionit të Bizneseve u zgjodh Nazar Mehmeti ndërsa nënkryetar për Amerikën Veriore, u zgjodh Elmi Berisha. Nënkryetar për Evropë, ndërkaq u zgjodh Yll Blakaj nga Austria.
Me këtë rast, afaristët nga diaspora shqiptare, të cilët me iniciativë të Ministrisë së Diasporës, në kuadër të obligimeve që dalin nga përkrahja dhe koordinimi i investimeve nga jashtë, shprehën edhe njëherë përkushtimin që maksimalisht të angazhohen në zhvillimin ekonomik të vendit.
Në këtë solemnitet, kryetarët e rrjeteve të bizneseve të Evropës, ShBA-ve dhe Kanadasë, nënshkruan edhe Deklaratën solemne të Themelimit të Unionit të Rrjeteve të Bizneseve të Diasporës Mbarë-shqiptare.
Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, pas përfundimit të punimeve të Forumit, përgëzoi të gjithë të pranishmit për përkushtimin dhe punën e tyre, ndërsa premtoi që ky projekt i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës do të gjen gjithmonë mbështetje.
Ai me këtë rast falënderoi të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, Organizatat Ndërkombëtare dhe afaristët nga Diaspora, të cilët kanë përkrahur fuqishëm procesin e Rrjetëzimit të Bizneseve dhe krijimin e këtij Unioni.
Delegacioni i bizneseve nga diaspora, gjatë vizitës, qëndruan edhe në komunën e Rahovecit, Gjilanit dhe Gjakovës, ku u takuan me kryetarët e Komunave përkatëse si dhe me kryetarin e komunës së Junikut.
Edhe gjatë këtyre takimeve u diskutuan forma të ndryshme të mundshme për bashkëpunim, ndërsa komunat shprehën gatishmërinë e tyre që t’u ofrojnë afaristëve infrastrukturë dhe mundësi të të bërit biznes, si dhe unanimisht shprehën përkushtimin për luftimin e çfarëdo pengese në të cilën ata mund të hasin gjatë zhvillimit të aktiviteteve të tyre afariste.
Deklarata e Përbashkët
“Ne, përfaqësuesit e rrjeteve të bizneseve të Diasporës në Evropë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada, të mbledhur në Prishtinë, duke parë nevojën e krijimit të një Unioni të bizneseve të Diasporës, ashtu që aktivitetet tona të jenë të koordinuara,
Të vetëdijshëm për nevojat të cilat Republika e Kosovës, i ka nga remitencat dhe investimet e Diasporës në zhvillimin ekonomik,
Të përkushtuar që të avancojmë pozitën tonë edhe më tutje, që të ndihmojmë shtetin e Kosovës në rrugëtimin drejt integrimeve euro atlantike,
Duke shprehur interesimin tonë të përbashkët në hulumtimin e tregut Kosovar për investime kapitale,
Si një organ i ndërmarrësve të suksesshëm nga fusha të ndryshme, që ndajmë pikëpamjen e përgjithshme se biznesi dhe të gjitha strukturat e institucionet afariste, krijohen dhe zhvillohen për nevojë të transformimit, ashtu që, shndërrohen në një zë të shprehjes së vullnetit të mirë për t’i qëndruar afër atdheut, jo vetëm përgjatë historisë në kohë lufte por edhe në kohë të zhvillimit ekonomik,
Të vetëdijshëm se biznesi krijon vlera, dinjitet njerëzor në punë dhe i transformon komunitetet dhe jetën e tyre, duke ofruar mundësi për një prosperitet dhe mirëqenie të jetës së qytetarit bazuar në parime universale, si:
Përkushtimi – zell për një mision duke shprehur vullnet dhe angazhim maksimal
Modestia – zotim që të shërbejë me respekt edhe për të tjerët
Besim – kurajë për të ndërmarrë rreziqe
Integritet dhe Shpresë për një jetë më të mirë për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe prosperitet të atdheut tonë,
Duke falënderuar të gjitha institucionet që ndihmuan në jetësimin e këtij projekti: Unanimisht marrim vendim që sot, më datë 18 Maj të vitit 2014, në Prishtinë kryeqytetin e Republikës së Kosovës, të themelojmë Unionin e Rrjeteve të Bizneseve të Diasporës.
Në zonën industriale Ivanidol-2 ka filluar ndërtimi i fabrikës së parë të biogazit në Kërçovë të Maqedonisë, një investim privat i mërgimtarit shqiptar nga Zvicra.
Fabrika e re do të ketë një kapacitet të përpunimit të 25 tonëve të mbeturinave bio nga sistemi me digestor për të fituar rreth 3000 metra kub të biogazit në ditë, të cilat mund të përdoren për qëllime të ndryshme.
Në ceremoninë e inaugurimit të fabrikës ka marrë pjesë edhe kryetari i Kërçovës, Fatmir Dehari.
“Një fabrikë e re është vetëm hapi i parë drejt zhvillimit më të shpejtë të rajonit të Kërçovës. Përfitimet e ndërtimit të këtij kapaciteti do të jenë si në aspektin mjedisor, ashtu edhe ekonomik. Sepse përveç për të punësuar një numër më të madh të të papunëve, nga kjo fabrikë do të përfitojmë energji të pastër”, tha kryetari i Kërçovës, Fatmir Dehari.
Investitori nga Zvicra, Faik Sherifi, në këtë kapacitet të ri do të investojë fonde private që shkojnë deri në 1 milion euro. Dëshira e tij është që përvojën shumëvjeçare në Zvicër ta implementojë në vendin prej nga vjen.
“Unë jam plot 40 vjet në Zvicër dhe kam qenë në gjendje për të parë mbi 30 fabrika me biogas dhe kështu kam vendosur që përvojat e tyre t’i aplikoj në vendin tim. Me këtë fabrikë do të përfitojnë të gjithë, sepse do të prodhojë energji të pastër, ndërsa në të njëjtën kohë do të punësohen më shumë njerëz”, tha Faik Sherifi, pronar i fabrikës së re.
Fabrika e re do të jetë gati deri në fund të shtatorit.
Igli Tashi, një studiues shqiptar që prej vitesh jeton në Lozanë, ka botuar këto ditë në bashkautorësi me prof. S. Ghernaouti-Hélie të fakultetit Ekonomik në Universitetin e Lozanes librin i cili titullohet “Information Security Evaluation: a holistic approach”.
Ky libër mbi tematikën e sigurisë së informacionit është botuar nga EPFL Press dhe jashtë Zvicres shpërndahet e propozohet nga CRC press, një shtëpi botuese e njohur në fushën e publikimeve shkencore.
Igli Tashi është doktor i shkencave në Sistemet e Informacionit (fusha e meanaxhimit të riskut dhe sigurisë së informacionit), Kërkues shkencor – Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Lozanës. Nga muaji shtator 2010 ai është Senior Auditor për një firmë të mirënjohur në fushën e auditimit.
Ka punuar për pesë vite në fushën e kërkimeve shkencore/Lektor – Universiteti i Lozanës, po ashtu pesë vite ka qenë këshilltar në fushën e sigurisë së informacionit për organizma të ndryshme publikë e privatë. Në rolin e mësimdhënës në fushën e ekonomisë dhe të auditimit në disa institucione të specializuara ai ka punuar për 3 vjet me radhë dhe në shërbimi i Anti-vjedhjes në sektorin e sigurimit – 1 vit.
Tashi është anëtar aktiv dhe pjesëmarrës në aktivitet e zhvilluara nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Universitetit të Lozanës (AEAUL) që prej vitit 1997.