Një gjilanas në parlamentin kantonal të St. Gallenit?

Kantoni i St.Gallen ka tetë zona elektorale dhe në zonën Rorschach-ut në garë është edhe riu Iliri Mustafa që ka shpallur kandidaturën e tij në kuadër të të rinjëve liberalë (Jungpartei der FDP) të FDP-së.

Djaloshi me prejardhje nga Gjilani është vetëm 2o vjeç dhe ka lindur, është rritur e shkolluar në Rorschach-Rorschacherberg. Aktualisht ai ndjek maturën dhe është paralelisht i angazhuar si asistent për projekte marketingu në shkollën e lartë të Sankt Gallen-it (Fachhochschule St. Gallen).

Njëkohësisht Iliri nuk fsheh dashurinë për Kosovën e posaqërisht, thotë, „e dua shumë Gjilanin e bukur“.

Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë për të sjellë më afër synimet e kandiatit të ri, i cili është në fillim të karrierës, por që premton shumë në të ardhmën. Kështu që vota për të, është votë për faktorizimin e komunitetit shqiptar në dobi  te jetës së përbashkët dhe integrimit sa më të mirë të shqiptarëve që jetojnë në Zvicër.

Albinfo.ch: Si e shpjegoni vendimin tuaj për të kandiduar për FDP-në?

Ilir Mustafa: Partia FDP-së më është përshtatur mua më së miri. Arsyjet janë sepse FDP-ja është parti shumë liberale edhe e ka specifikë orientimin e saj në ekonomi. Njëashtu FDP-ja nuk fokusohet në ndalesa, por synon zagjidhjen e problemëve, njësoj angazhohem unë. Duhet të cekur se FDP-ja është e njohur për hulumtimet e shpenzimëve qeveritare dhe financave në përgjithësi, që është edhe në interesin tim personal.

Albinfo.ch: Mendoni se ju por edhe komuniteti shqiptar në përgjithësi ndani vlera të përbashkëta me këtë parti?

Ilir Mustafa: FDP-ja është liberale dhe e drejtë, veçanërisht brezi im nuk njeh dallime mes zviceranëve apo migrantëve (secondos). Partia FDP nuk ndjek aspak politik restriktive për migrimin, siç bën p.sh. SVP-ja. Meqë ne shqiptaret njihemi si punëtorë, jam i bindur që FDP-ja gjithmonë do mbështet punëtorin dhe veprimet e drejta.

albinfo.ch: Cilat mendoni se janë gjasat dhe ku i shihni më shumë të koncentruar zgjedhësit tuaj potencialë: te komuniteti shqiptar dhe i huaj apo te zviceranët?

Ilir Mustafa: Unë nuk pres mrekullira nga këto zgjedhje, jam i ri dhe në fillim të karrierës sime politike. Megjithatë, për mua është e rëndësishme të njoh me shumë njerëz nga regjioni dhe të fitoj eksperiencë. Kurse në zgjedhjet e ardhshme synoj të jem kandidat në listën kryesore të FDP-së. Atëherë gjasat e mia janë edhe më të mira. Jam ende i ri me 20 vite, prandaj edhe kandidoj në listën të rinjëve të FDP-së (Jungpartei der FDP). Në parim ne nuk fitojmë hapësirë, por ndjekim qëllime të tjera. Personalisht nuk bëj dallime mesë të huajve apo zviceranëve. Shpresoj që ta fitoj besimin dhe mbështetjen e të gjithë votuesve, por mendoj se nga rrethi dhe vendbanimi im do të kem më shumë mbështetës të huaj (secondos). Sidoqoftë, në gjeneratën time nuk bëjmë më dallime mes zvicëranëve dhe secondos.

Albinfo.ch: Me çfarë argumenti kërkoni votën e votuesve, pse duhet t’ju votojnë?

Ilir Mustafa: Unë jam i ri dhe shumë i motivuar për  ardhmen time. Unë besoj se shpenzimet qeveritare duhet të jenë më të kontrolluara, sepse janë para të taksa-paguasve dhe ata jemi ne. Unë gjithashtu jam në favor të politikës liberale. Të gjithë duhet të jetojnë ashtu siç kan dëshirë pa e dëmtuar askënd tjetër.

Albinfo.ch: Nëse do të zgjidhen -fitoni, cilat do të jenë temat të cilat do t’ju jepni prioritet në punën tuaj si deputet?

Ilir Mustafa: Përveç pikave të cekur me parë, unë jam shumë i interesuar për infrastrukturë dhe transport, që dëshiroja ta zgjeroja në mënyrë të qëndrueshme, qoftë me transport publik, qoftë me makinë. Përveç kësaj, prioritet regjional duhet të jetë spitali në Rorschach dhe zgjerimi më i shpejtë i lidhjes me autostradën.

 

 

Reis Luzhnica

“Nuk mund ta paramendoj të jetoj në një qytet tjetër, pos në Cyrih”, shprehet 28 vjeçari Luzhnica, prindërit e të cilit kanë braktisur Prishtinën kur ai ishte vetëm 2 vjeç.
Të gjitha kujtimet fëmijërore i ka në Cyrih. Nga Prishtina kujton vetëm gjuhën shqipe, të cilën e fletë rrjedhshëm dhe me krenari.

Ky politikan i ri, është kandidat i socialdemokratëve në zonën 3 (Wiedikon) të qytetit Cyrih në zgjedhjet e 4 marsit 2018 dhe kërkon votën e qytetarëve të kësaj zone me zotimin se do të punojë për një shoqëri të hapur dhe për të ardhura fer.

Ai është aktiv në dy parti politike, me SP-në Zvicrës në Cyrih, me të cilën angazhohet për punë të vogla, dhe tjetrën në Kosovë, me “Vetëvendosjen”, që synon zgjidhjen e problemeve të mëdha.

“Në Cyrih angazhohem që të gjithë qytetarët të kenë të drejtë vote edhe nëse nuk e kanë shtetësinë zvicerane, sepse edhe ata janë pjesë e shoqërisë dhe kontribuojnë në komunë me punë dhe tatime”, thotë Luzhnica që ka pesë vitë prej se është anëtarësuar në SP i nxitur nga një përjetim zhgënjyes në kohën kur vijonte shkollimin profesional.

Ai kujton si ishte angazhuar nga shkolla për një projekt ku i duhej ta intervistonte një politikan të SVP-së, i cili i kishte thënë se „Kriminaliteti tek të rinjtë ka një emër: të huajt!“.

Kjo kishte qenë një goditje e rëndë për Luzhnicën, por ai e kuptonte: kush dëshiron ti luftojë paragjykimet, duhet të bëhet vetë aktiv dhe kështu përgjigjen më të mirë ai do t’ua jepte politikanëve të tillë duke marrë përgjegjësi në parti politike, siç është rasti tani me garën për postin e këshilltarit komunal dhe, duke i zgjedhur pjesëtar i kryesisë së SP-së në seksionin 3, në Cyrih.

Krahas angazhimit në SP dhe fushatës zgjedhore për zgjedhjet komunale të Cyrihut, ai është aktiv edhe në partinë më të madhe të Kosovës, në LVV.
Në Zvicër ka dhjetëra anëtarë të socialdemokratëve me prejardhje sikur të Luzhnicës, të cilët angazhohen edhe në Vetëvendosje.

Emrin e Vetëvendosjes për herë të parë e kishte dëgjuar në vitin 2005, sa ishte një adoloshent. Asokohe bëhej fjalë për iniciativë qytetare në Kosovë, e cila më vomë u kurorëzuar në një parti poltike e cila e ka si pjesë të programit bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Për Luzhnincën kjo nuk përben problem; “të dy partitë anagazhohen për shoqëri të hapur dhe paga fer”.
„LVV dhe SP i përkasin dyja spektrit të majtë dhe kanë program të përafërt. Dyja partitë anagazhohen për barazi sociale, për një shoqëri të hapur dhe për të drejta të punëtorëve. Mes SP-së dhe LVV ka një bashkëpunim të ngushtë dhe mbështetje në fushata“.

Në seksionin e Cyrihut ai koordinon bashkëpunimin e Vetëvendosjes me SP-në.
„Unë do të angazhohem për të gjithë qytetarët pavarësisht prejardhjes së tyre dhe kurrësesi nuk bëj dallime se cilën parti e votojnë“, siguron Luzhnica.

Sipas tij, shumica e shqiptarëve i takojnë shtresës së mesme dhe ai angazhohet për banesa me çmime të përballueshme për ta dhe premton se do e ngrisë saherë zërin kur në media njëlloset imazhi i shqiptarëve.

„Në Cyrih jetojnë shumë shqiptarë por ne nuk kemi asnjë përfaqësues në kuvendin komunal, besoj që nëse arrijmë të kemi një shqiptar në kuvend, kjo do të jetë në të mirën e imazhit tonë si komunitet“, thotë në fund të bisedës me albinfo.ch kandidati socilademokratëve që në zgjedhjet 4 marsit kërkon votën e qytetarëve të zonës së 3-të për një vend në asamblenë e qytetit Cyrih.

Drita Cacaj: “Do të jem zëri i shqiptarëve në Parlamentin austriak”

Drita Cacaj është shqiptarja e vetme që garon për deputete në Parlamentin Austriak, në zgjedhjet që do të mbahen më 15 tetor. Ajo është kandidate në listën e Partisë Popullore të Austrisë, OVP, që udhëhiqet aktualisht nga ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz. Me përvojën e saj mbi 10-vjeçare në politikën austriake, ajo beson se do të dalë fituese e kësaj gare. Në një intervistë të dhënë për albinfo.ch, Drita Cacaj kërkon mbështetjen e të gjithë shqiptarëve me të drejtë vote. Ajo premton se do të mbrojë të drejtat e të gjithë shqiptarëve në Austri, integrimin e përgjithshëm të tyre, e në veçanti të femrës shqiptare.

Albinfo.ch: Zonja Cacaj, ju jeni aktiviste prej shumë vjetësh e Partisë Popullore të Austrisë, OVP. Pse e keni zgjedhur këtë parti?

Cacaj: Është e vërtetë që jam aktiviste dhe kontribuese shumëvjeçare e kësaj partie. Përcaktimi im ka qenë programi i saj dhe ngrohtësia që më kanë dhënë që në ditën e parë në këtë parti. Më kanë përkrahur dhe më kanë dhënë shumë hapësirë për të treguar aftësitë e mia politike, për çfarë edhe u jam shumë mirënjohëse.

Albinfo.ch: Në zgjedhjet lokale nuk dolët aq e kënaqur me rezultatin dhe votat që morët. Pse provuat në zgjedhjet nacionale? Ishte besimi i partisë apo dëshira juaj për një sfidë tjetër, ndoshta edhe më të vështirë?

Cacaj: Në zgjedhjet lokale natyrisht se kam pritur më shumë, por megjithatë ka qenë një përvojë shumë e mirë për të kuptuar se si rrjedhin zgjedhjet. Sa i përket kandidimit tim për zgjedhjet nacionale, ishte besimi i partisë dhe puna ime në parti. Rezultatet e këtyre dy elementeve më dhanë mundësinë që të jem kandidate nga lista e Sabastian Kurz. Jam shumë sfiduese dhe besoj shumë në veten time.

Albinfo.ch: A i keni filluar aktivitetet e fushatës zgjedhore?

Cacaj: Jemi në përgatitje për fushatë dhe kemi bërë të gjitha përgatitjet e duhura në koordinim me bashkëpartiakët e mi.

Albinfo.ch: Na thuaj në pika të shkurtra çfarë do të përfshini në aktivitetet tuaja gjatë fushatës parazgjedhore? Ku është e fokusuar fushata juaj?

Cacaj: Aktivitetet do të jenë të shumta dhe të ndryshme. Kryesisht do të zhvilloj komunikimin me njerëz të ndryshëm në tërë territorin e Austrisë dhe do të fokusohem kryesisht në integrimin e popullatës shqiptare në të gjitha segmentet e jetës shtetërore në Austri, si në sferën arsimore, edukative – kulturore dhe në shumë sfera të tjera, deri në kyçjen e bashkatdhetarëve tanë në jetën politike. Si fokus të veçantë do të kem integrimin e femrës shqiptare me të gjitha të drejtat e barabarta, të cilat i ka përcaktuar shteti dhe ligji austriak.

Albinfo.ch: A prisni vota vetëm nga shqiptarët me të drejtë vote, apo edhe nga vendësit, pra nga vetë austriakët?

Cacaj: Unë dua të besoj se është koha e fundit që të gjithë shqiptarët që kanë të drejtë vote të motivohen dhe të dalin në zgjedhje, sepse duhet ta kuptojnë se pjesëmarrja në zgjedhje është interes i tyre. Besoj që do të votohem nga shqiptarët e mi, por besoj që edhe nacionalitetet e tjera, e posaçërisht austriakët do të më votojnë, siç më kanë votuar edhe më parë.

Albinfo.ch: Kryetari i partisë suaj, njëherësh ministër i Jashtëm dhe i Integrimeve, Sebastian Kurz, i cili është në garë për kryeministër, ka qenë mjaft kritik ndaj mbulesave të grave të besimit islam. Ditë më parë ai ka thënë se gratë shqiptare paguhen për t’u mbuluar. Cili është komenti juaj?

Cacaj: Mendoj se ai e di më së miri për atë çfarë ka thënë, unë nuk mund të komentoj deklaratën e tij.

Albinfo.ch: Si mund t’ju mbështesin pjesëtarët e komunitetit shqiptar dhe të tjerët në këto zgjedhje?

Cacaj: Unë besoj dhe shpresoj se të gjithë shqiptarët me të drejtë vote do ta shfrytëzojnë këtë mundësi që të votojnë një kandidate shqiptare, e cila do të jetë zëri i fuqishëm dhe mbrojtësja e të drejtave të tyre në Parlamentin austriak.

 

 

 

 

Betim Bunjaku, kandidat për ekzekutivin e qytetit Rapperswil-Jona

Betim Bunjaku, i riu 27 vjeçar i cili kishte kandiduar edhe për asamblenë e Komunës Rapperswil-Jona, ka paraqitur së fundi kandidaturën për vendin bosh në ekzekutivin e qytetit të përmendur. Ky vend ka mbetur i zbrazët pas zgjedhjes së Martin Stöckling nga FDP, kryetar të qytetit.

Këshilli i Qytetit ose ekzekutivi ka 7 anëtarë. Zgjedhjet mbahen më 19 mars.

Ai kandidon si politikan pa parti ndërsa përveç tij kandidaturat i kanë paraqitur edhe dy politikanë ndërkohë që priten edhe dy të tjerë. Nga Liberalët e Gjelbër (GLP) kandidon Nils Rickert, i cili më parë ka qenë këshilltar kantonal i St. Gallenit ndërsa nga CVP, Ueli Dobler. Priten të bëhen publike së shpejti nominimet edhe nga dy partitë tjera: SP dhe liberalët e rinj.

Bunjaku është rritur Rapperswil-Jona, në këtë qytet buzë Liqenit të Cyrihut. Ai ka një diplomë bachelor në ekonomi, nga Universiteti i St. Gallenit ku së shpejti do të marrë edhe masterin.

Betimi ka marrë guximin për të kandiduar pasi që në dy sfidat që i ka pasur deri tash për asamble, ka arritur të shtonte në mënyrë mjaft impresive përqindjen e votave, shkruan südostschweiz. Në zgjedhjet e para ai ka fituar 8 për qind ndërsa në të dytat, 17 për qind.

Ai thotë se demokracia në qytetin e tij aktualisht ndoedhet në një gjendje dëshpëruese, gjë që ia shton atij motivi për të kandiduar.

Si pjesë e ekzekutivit, Bunjaku do të angazhohet për atë që ekonomia dhe shoqëria të pergatiten për ardhmërinë, transmeton albinfo.ch. Ekonomia, sipas tij po ndryshon me digjitalizimin në rritje, gjë që po e bën popullatën më të pasigurt. Prandaj politika duhet të marrë mbi vete përgjegjësinë dhe këtë zhvillim ta trajtojë si shans, thotë ai veç tjerash.

Xhelajdin Etemi siguron një ulëse në Asamblenë Komunale të Adliswilit

Politikani i ri shqiptaro-zviceran, Xheljadin Etemi, me origjinë në fshati Corroticë e Preshevës, ka siguruar një ulëse në Ansamblenë Komunale të Adiswilit, raporton albinfo.ch. Etemi është anëtar i Social Demokratëve PS prej 7 vjetësh. Vendin politikanit shqiptar ia ka lëshuar Peter Bühler, i cili ka dhënë dorëheqjen.

 

Etemi jeton me familje që nga 1996 në Adliswil. Ai kishte kandiduar më 2014 në zgjedhjet lokale dhe tani pas dy vjetëve ka fituar të drejtën të jetë përfaqësues në Asamblenë Komunale të Adliswilit.

Berisha, kandidati i parë shqiptar në zgjedhjet kantonale në Fribourg

Ibrahim Berisha, politikan i ri zviceran me prejardhje shqiptare, është kandidati për Parlamentin kantonal të Kantonit Fribourg në zgjedhjet që do të mbahen më 6 nëntor.

Politikani me rrënjë nga Rahoveci i Kosovës kishte fituar të drejtën të kandidohet vetëm pasi kishte marrë pasaportën zvicerane me propozimin e Thierry Steiert, kryetar aktual i qytetit të Fribourgut.

Ndërkohë me politikë ishte angazhuar që prej vitit 1992, por aktiv me Partinë Socialiste prej vitit 2009.

“Me PS jam se është partia që i mbron të drejtat e të gjithëve në territorin e Zvicrës, pa marrë parasysh ngjyrën, kombin, fenë apo vendin nga ata vijnë”, thotë në një prononcim për albinfo.ch Ibrahim Berisha.

45-vjeçari shpreson në mbështetjet e elektoratit shqiptar në këtë kanton.

“Votat për mua do të vijnë nga shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Fribourg, por edhe nga zviceranët ngase prej 2007-ës punoj në gastronomi dhe me punën time kam gëzuar përkrahjen e të gjithëve”, thotë më tutje Berisha.

Kandidati shqiptar i PS-së tha se në fokus të angazhimit të tij politik, nëse zgjedhet deputet kantonal, do të jenë interesat e komunitetit shqiptar në Zvicër.

“Nëse zgjedhem si deputet, prioritet imi kryesor janë shqiptarët: Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë e Bujanoc, për mbrojtjen e drejtave të tyre në kantonin e Fribourgut”, tha Berisha.

Vetëm 19-vjeçe, deputete dhe humaniste

Zgjedhjet e fundit në Glattbrugg do të sjellin në parlamentin e komunës një deputete 19-vjeçare, e cila është deputetja e parë dhe më e re, jo vetëm shqiptare në historinë e kësaj komune. Vetëm para një viti ishte anëtarësuar në radhët e SP-së, por ajo me shpejtësi zuri hapin në politikë, duke arritur që të fitojë më së shumti vota në mesin e të rinjve. Zëri i Qëndresës do të dëgjohet në parlamentin e Glattbrugg-ut.

Kjo tashmë është e sigurt, ngase vendin në këtë mandat do t’ia lirojë njëri nga kolegët e saj zviceran që do të transferohet diku tjetër.

E entuaziasmuar për suksesin e arritur, 19-vjeçarja me origjinë nga Gjilani ka rrëfyer në një intervistë për albinfo.ch për eksperiencën e deritanishme politike.

“Unë qe një vit kam hyrë në SP dhe duke e krahasuar këtë kohë të shkurtër në politikë, jam shumë e kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve, sepse njëherësh jam edhe kandidatja më e votuar prej të rinjve“, ka deklaruar Qendresa.
Në përbërjen e kaluar SP-ja në Glattbrugg kishte pasur vetëm shtatë ulëse në asamble, ndërsa tani, pas zgjedhjeve të fundit, i kanë mbetur gjashtë sish.

“Me vota jam radhitur e shtata, mirëpo edhe dy muaj njëri kandidat nga SP-ja e liron vendin për mua”, thotë politikania e re, Qëndresa Sadriu.
Ajo thotë të jetë votuar më shumë nga shqiptarët.

„Edhe nga zviceranët mendoj që kam marrë vota dhe me besimin e tyre që ma kanë dhënë unë jam këtu ku jam”, thotë ansamblistja e re.
Prej 16.000 banorë sa janë gjithsej në Glattbrugg, diku 2500 deri 3000 thuhet të jenë shqiptarë.

Komuniteti shqiptar thuhet të jetë i organizuar mirë nëpërmes shoqatave dhe organizimeve të tjera në nivel komune. Këtë më së miri e dëshmojnë edhe zgjedhjet e fundit, për të cilat ishte bërë thirrje të shfrytëzohet e drejta për të votuar në tubime të ndryshme të organizuara nga shoqata të shqiptarëve.

Edhe Qëndresa Sadriu është pjesë e këtyre organizimeve dhe sukseseve të shqiptarëve të këtushëm.

“I falënderoj të gjithë pa dallim, të gjithë ata të cilët më ndihmuan, më këshilluan dhe më përkrahën me votën e tyre që të arrij fitoren. Falënderim të veçantë kam për familjen time, për prindërit e mi, që më përkrahën dhe vazhdimisht më përkrahin pa ndalur në asnjë çast që të eci përpara”, thotë Qëndresa.

Jeta e Qëndresa Sadriut është me mjaft angazhime, ajo përpos që punon si ndihmëse e stomatologut, në të njëjtën kohë edhe ndjek mësimet e maturës.

Ndërsa ajo që e bën të dallohet nga të tjerët është angazhimi humanitar për t’i ndihmuar fëmijët që janë të sëmurë nga kanceri në Zvicër.
Një aktivitet ky shumë domethënës për Sadriun. Ajo po bashkëpunon shumë ngushtë me shoqatën “Kinder Krebshilfe Schweiz” dhe me organizime të ndryshme, ku ajo me fjalime të saj para publikut i bën njerëzit që t’i ndihmojnë më shumë fëmijët që janë të sëmurë nga kanceri.

Përveç punës dhe mësimit dhe aktiviteteve humanitare për t‘i ndihmuar fëmijët e sëmurë, ajo tashmë ka filluar edhe një rrugë të re, dhe me plot besim thotë se do të mundohet që në këto katër vjet të bëjë diçka për banorët e Glattbrugg-ut.

Visar Kryeziu

Kush është Ylfete Fanaj?

Ylfete Fanaj ka kaluar dje pengesën e fundit për të zënë postin e deputetes në Parlamentin e Kantonit të Lucernit. Me 3925 vota të mbledhura nga banorët me të drejtë vote të qytetit të Lucernit, ajo ka fituar të drejtën të përfaqësojë elektoratin dhe partinë e saj (socialdemokrate) në Parlamentin e Kantonit të Lucernit. Ky hap e bën Ylfeten shqiptaren e parë të Zvicrës që ka mbërritur në këtë shkallë.

Por kush është Ylfete Fanaj dhe cila është rruga që ajo ka ecur deri në zgjedhjen deputete në parlamentin e kantonit të saj? Për këto dhe të tjera, albinfo.ch ka zhvilluar një bisedë me deputeten e re të kantonit të Lucernit.

Lidhur me zgjedhjen e saj, Ylfetja sqaron se ajo në këtë proces ka përfaqësuar Partinë Socialdemokrate të qytetit të Lucernit. “Me vendin që kam fituar unë në parlament jemi bërë 5 deputetë të SP-së nga qyteti i Lucernit. Ndërkaq në nivel kantoni, nga 13 sa kemi qenë, tash, së bashku edhe me kandidatët e zgjedhur nga juso (socialdemokratët e rinj) dhe nga second@s, që bëjnë pjesë në listën tonë, jemi 16, që dmth kemi 3 vende më shumë”, shton deputetja e re.

Në një kanton relativisht konservativ çfarë është ai i Lucernit, bashkatdhetarja jonë nuk e ka pasur lehtë të depërtojë. “Veç meje janë edhe gjithsej dy të huaj, një tamil dhe një turk, në gjithë parlamentin. Me sa kam parë, nuk ka emra të tjerë të hujash që janë zgjedhur kësaj here”, thekson Ylfetja.

Në fillim të qershorit bëhet konstituimi i parlamentit, Fanaj do të shohë se në çfarë drejtimi do të angazhohet në punën e saj si parlamentare. “Unë gjatë fushatës kryesisht jam marrë me temat e shkollimit, integrimit, ku hyn edhe integrimi i shqiptarëve si komunitet i madh këtu. Mirëpo varet nga partia se në cilat komisione na vendos, ose cilat komisione na ofrohen. Ka mundësi të angazhohem edhe në komisione tjera, për ekonomi etj. Varet pra nga organizimi i grupit partiak (fraksioni)”, thotë ajo.

Si e re që është (ende nuk ka mbushur 29 vjeç) Fanaj e vlerëson edhe moshën e deputetëve të kësaj legjslature, si një përparësi. “Në fraksionin tonë kemi një moshë të re mesatare. Tre veta jemi nën moshën 30 vjeçe dhe disa tjerë rreth të 30-ve.

E pyetur nëse ka pasur ndonjë rol për zgjedhjen e saj deputete vota e shqiptarëve të Lucernit, Ylfetja pohon se mund të ketë pasur por nuk ka ndonjë masë për ta vlerësuar këtë. “Unë besoj se me siguri ka pasur shqiptarë me të drejtë vote që kanë votuar për mua por, realisht, më duhet të them se nuk kam zhvilluar aktivitete konkrete për të sensibilizuar komunitetin shqiptar rreth votimit për mua. E di se ka nga bashkatdhetarët tanë që nuk kanë qenë sa duhet të informuar rreth mënyrës së votimit dhe pengesa tjera. Megjithatë kam informata se disa miq dhe shokë shqiptarë kanë votuar për mua. Sidoqoftë, me gjithë dëshirën që kam, unë nuk mund të vlerësoj se sa ka qenë ndikimi i votës së shqiptarëve”, thotë deputetja e posazgjedhur dhe nuk harron që t`i falënderojë të gjithë bashkatdhetarët që e kanë votuar.

Me zgjedhjen e saj në Parlamentin e Kantonit të Lucernit, Ylfetja është gjetur edhe para një dileme të vogël: të mbajë edhe më tutje vendin në parlamentin e qytetit të Lucernit, ku ajo gjendet prej afër 4 vitesh, apo të përqendrohet vetëm në postin e ri, në Parlamentin e kantonit. Sepse, siç e thekson ajo, angazhimet e shumta mund ta bëjnë më pak efektive punën e saj në përfaqësimin e elektoratit të saj. Ylfete Fanaj krahas angazhimit politik, punon edhe si e deleguar për integrim në Kantonin e Nidwalden-it.

Ylfete Fanaj është e lindur në Prizren në vitin 1982. Në Zvicër e kanë sjellë prindërit në fëmijërinë e hershme dhe ajo ka mbaruar gjithë shkollimin në Zvicër ku edhe i ka mbaruar shkencat sociale.

Lidhur me ambiciet e saj për të ardhmen, Ylefte Fanaj nuk ushqen iluzione të mëdha. Ajo është realiste në këtë drejtim. Për ndonjë perspektivë eventuale në Parlamentin Nacional, ajo thotë se është ende heret të mendohet.

Kjo për arsyen se partia e saj në kantonin e Lucernit ka vetëm një vend në Parlamentin në fjalë kështu që nuk do të ishte realiste të pritej që në një të ardhme të afërt ajo të mbërrijë deri aty. Mirëpo, «unë jam ende e re dhe ka mjaft hapësira tjera ku mund të avancoj”, thotë ajo, duke pasur ndërmend p.sh inkuadrimin në ekzekutivin e qytetit ose të kantonit.

 

Lurata: Nuk kam pritur kaq shumë vota!

Lurata Reçi, kandidatja shqiptare, e cila arriti të fitojë numrin më të madh të votave në mesin e kandidatëve shqiptarë, në një bashkëbisedim për albinfo.ch, ka thënë të jetë e kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve të së dielës edhe pse nuk kishte arritur të zgjidhet deputete në Parlamentit zviceran.

“Unë jam me prejardhje nga një vend i huaj dhe isha për herë të parë në një listë zgjedhore, nuk e kam pritur këtë rezultat kaq pozitiv. Jam e kënaqur me rezultatin edhe pse nuk mjafton për deputete”, ka thënë Lurata.

Ajo thotë se 22 mijë votat e fituara të në një procesi zgjedhor në Zvicër e kanë nxitur të vazhdojë sfidën politike edhe në të ardhmen.

Politikania me prejardhje nga Maqedonia do t’i hyjë një gare tjetër zgjedhore duke u kandiduar për këshilltare komunale në zgjedhjet komunale që do të mbahen vitin e ardhshëm në komunën e Langenthalit.

“Ky rezultat më motivon që të angazhohem edhe në të ardhmen pa përtim në politik në Zvicër! Ishte iluzion nëse kisha pritur që të zgjidhem për herë të parë si kandidate për deputete në listë. Mirëpo se do të fitojë një numër aq të madh votash, me të vërtetë jam e befasuar. Me këtë rast falënderoj të gjithë votuesit që më kanë dhënë votën”, thekson Reçi.

Politikania 34-vjeçare me prejardhje nga Maqedonia, të cilën e ka kandiduar Partia Socialdemokrate në Bernë, e ka cilësuar në përgjithësi si pozitiv procesin zgjedhor të 23 tetorit.

Lurata, edhe pse me prejardhje të huaj në Zvicër, ka arritur të sigurojë 21.939 vota të elektoratit në kantonin e Bernës.

Shqiptarja nga Struga ka 10 vjet që merret me politikë në komunën e Langenthalit të Kantonit të Bernës. Ka një vit që është në funksionin e këshilltares në Komunën e Langenthalit.

Edlira, prej pianos në politikë

Edlira Dedja-Bytyqi, pianistja e njohur shqiptare, docente në Konservatorin e Neuchatelit në Zvicër dhe themeluese e Fondacionit “Opéra sans frontiéres”, po sfidon veten edhe në politikë.

Ajo ka vendosur të kandidohet për zgjedhjet lokale që do të mbahen në muajin maj në Neuchatel.

Edlira është kandiduar nga Partia Socialiste për postin e këshilltares komunale të Neuchatelit.

Pianistja shqiptare në Zvicër thotë të mos ketë zgjedhur politikën për të bërë karrierë, pasi ka më shumë suksese në profesionin e artistit.

„Kam vendosur të pranoj paraqitjen e kandidaturës sime për legjislativin e komunës pikërisht për të nderuar pasaportën e shtetit shqiptar, të cilën e mbaj akoma, e po ashtu të ndërroj opinionin për vendin tonë, të cilin politika shqiptare e gjysmës së shekullit të kaluar dhe dhjetëvjeçarit të fundit ka bërë të përflitet shumë“, ka deklaruar politikania shqiptare.

Por, pse ka vendosur Edlira të rreshtohet pas Partisë Socialiste( PS) ?

Ajo mendon se politika e socialistëve zviceranë është më demokratike dhe sociale ndaj të huajve në krahasim me partitë e tjera politike.

„Sigurisht, shqiptarët kanë paragjykime për partitë e majta, e në këtë rast për PS-në, por ju siguroj që politika e Partisë Socialiste zvicerane s’ka asgjë të përbashkët me partitë antinjerëzore që kanë udhëhequr vendet e Lindjes. Paria Socialiste zvicerane lufton dita-ditës kundër ligjeve raciste, lufton për të drejtat e komuniteteve të huaja në Zvicër, për barazinë e shanseve dhe respektin reciprok“, arsyetohet me angazhimin e saj politik në PS Edlira Dedja-Bytyqi.

Madje, Edlira ishte nxitur të bëjë politikë me Partinë Socialiste të Neuchâtelit, ngase kjo e fundit u ka mundësuar të huajve me leje qëndrimi C të votojnë dhe të votohen në këtë kanton të Zvicrës.

Zonja Dedja-Bytyqi pret nga elektorati shqiptar me të drejtë vote të mos neglizhojë daljen në zgjedhjet që do të mbahen më 13 maj në Neuchatel.

Ajo u ka bërë thirrje bashkëkombësve të saj që të respektojnë të drejtën e votës, duke e ruajtur e duke e përdorur atë në të mirën e tyre.

Edlira Dedja-Bytyqi ka kërkuar publikisht votën e shqiptarëve në Zvicër.

«Nuk do të ishte në nder të shqiptarëve, që janë numerikisht shumë më superior ndaj komuniteteve të tjera, që kandidatja e tyre të mos kalojë për shkak të indiferencës apo mungesës së vetëdijes. Zgjedhja ime nuk është në favor për mua si Edlirë, por si nderim dhe respekt për kombin tonë», tha Dedja-Bytyqi.

Zonja Dedja-Bytyqi, e bija e personalitetit të pedagogjisë dhe letërsisë shqiptare për fëmijë, Prof. Bedri Dedja, ka një aktivitet të gjerë social-artistik.

Fondacioni “Opéra sans Frontiéres”, i themeluar dhe i drejtuar prej saj, ka organizuar vitet e fundit në Zvicër dhe në Belgjikë një seri koncertesh të muzikës lirike dhe klasike, me artistë shqiptarë që dominojnë skenat më të njohura botërore (shembuj: Tenori Saimir Pirgu, Violinisti Tedi Papavrami, balerini Enkel Zhuti, soprano Ermonela Jaho, bas Frano Lufi, mezzo-soprano Mariana Leka, etj…)

Aktiviteti i Edlira Dedja-Bytyqit tregon për nivelin e lartë intelektual të shqiptarëve që po arrijnë në fusha të ndryshme në mbarë botën.

Arbër Bullakaj siguron një ulëse në Parlamentin e Willit

Arbër Bullakaj është zgjedhur këshilltar në Asamblenë e Willit në rundin e dytë të zgjedhjeve që u mbajtën të dielën në këtë qytet të St. Gallenit.

Votat për kandidatin e PS-së, Dario Sulzer, i siguruan jo vetëm atij një vend në Stadrat, por edhe shqiptarit Arbër Bullakajt një ulëse në Parlamentin e qytetit Will të St.Gallenit.

Politikani me prejardhje nga Kosova tha se do të angazhohet për të avancuar pozitën e komunitetit shqiptar.

Arber Bullakaj, 26-vjeçar, nga Prizreni, jeton në qytetin e Willit që nga mosha 9-vjeçare. Ai ka të kryer shkollën ekonomike. Aktualisht vepron dhe jeton në po të njëjtin qytet së bashku me familje.

Kida përfaqëson komunitetin shqiptar në Interlaken

Prej më shumë se 6 vjetësh Nehat Kida është angazhuar me politikë në këtë qytet, ndërsa ka 4 vjet që është këshilltar i parë shqiptar që përfaqëson komunitetin shqiptar në Asamblenë Komunale të Interlakes.

Politikani me origjinë nga Kosova kishte siguruar një ulëse në Asamblenë Komunale të Interlakes, duke kandiduar në zgjedhjet lokale në këtë komunë më 2011.

Ai kishte gjetur përkrahjen në zgjedhje duke fituar shumicën e votave.

„Për këtë i falënderoj shumë si bashkatdhetarët e mi shqiptarë, por edhe qytetarët zviceranë”, tha Nehat Kida.

Për angazhim politik Kida ka zgjedhur Partinë Social Demokrate.

„Qëndrimi politik dhe mbështetja për të huajt si dhe integrimi i të rinjve janë disa nga ato që më kanë bërë të jem pjesë e kësaj partie“, tha Kida.

Si përfaqësues politik i shqiptarëve në Interlaken me rrethinë, njëkohësisht edhe si kryetar i shoqatës kulturore shqiptaro-zvicerane “Dardania” në Interlaken, politikani Kida është angazhuar për avancimin e pozitës së komunitetit shqiptar në këtë pjesë të Zvicrës.

„Nuk mungon përkrahja e vazhdueshme nga institucionet lokale, andaj edhe falënderimet nuk mungojnë asnjëherë. I falënderoj shumë për gjithë ndihmën që kanë ofruar dhe që në të ardhmen do ta ofrojnë për komunitetin shqiptar në këtë komunë“, tha për albinfo.ch politikani shqiptar.

Ai thotë se bashkatdhetarët e tij në Interlaken gëzojnë një imazh të mirë në Zvicër.

„Shqiptarët këtu janë në përgjithësi shumë punëtorë, ku mundohen që në çdo aspekt të japin kontributin e tyre, mirëpo edhe atdhedashuria nuk mungon për vendlindjen, ku edhe në kohë të vështira nuk e kanë kursyer veten për atdhe“.

 

Nehat Kida është me origjinë nga fshati Cermjan i komunës së Gjakovës në Kosovë. Babai i një fëmije, Kida ka një eksperiencë të gjatë të angazhimit në aktivitete të ndryshme në Interlaken. Ai ka të kryer shkollimin në drejtimin Ekonomi-Marketing. Është kryetar i shoqatës kulturore „Dardania”, po ashtu menaxhon edhe një firmë “Kida Consulting Immobilien GmbH”.

Shqiptari nga Kosova, Nue Oroshi është zgjedhur deputet në Asamblenë Komunale të Kielit

Nue Oroshi, historian dhe publicist, në nëntor të vitit të kaluar ka fituar kandidaturën brenda partisë së CDU-së për deputet në Asamblenë e Kielit. Në zgjedhjet e 26 maj, CDU ka dalur partia e dytë në këtë qytet por me një ngritje te përqindjes. “Fitorja ka ardhur si rezultat i mbështetjes së komunitetit shqiptar që jeton dhe vepron në këtë pjesë të Gjermanisë”, tha Oroshi për “PrizrenPress”.

Oroshi në prill të vitit të kaluar, pati dhënë dorëheqje të parevokueshme nga detyra e këshilltarit Komunal në Asamblenë e Prizrenit. Ai ishte i pakënaqur për mënyrën e shpërndarjes financiare për përkrahjen e komuniteteve si dhe për ndryshimin e logos të Lidhjes së Prizrenit, e cila është edhe identifikim i këtij qyteti historik.

Pas dorëheqjes së tij nga detyra e Këshilltarit Komunal të Prizrenit, Oroshi mori rrugën për ta fituar kandidaturën përbrenda partisë CDU për deputet në Asamblenë Komunale të Kielit të Gjermanisë. Ai ishte kandidat për deputet në zonën zgjedhore 10 në Metenhof, nga gjithsej 25 zona sa i ka qyteti i Kielit.

Oroshi tha se kjo fitore është e mbarë komunitetit shqiptar. “Kjo fitore nuk është vetëm e imja personale, por është sukses i mbarë komunitetit shqiptar, që jeton e punon në Republikën e Shlesvig Holshtajnit, ngase ata e kanë kuptuar se pa angazhim sukseset nuk vijnë vetvetiu. Unë shfrytëzoj rastin t’i ftoj të gjithë të rinjtë dhe të rejat që të inkuadrohen edhe në jetën politike dhe ta afirmojmë kulturën tonë të çmuar, sepse kemi kapacitete dhe aftësi intelektuale”, tha Oroshi.

Sipas tij, mërgimtarët shqiptarë nga 26 maj për herë të parë do ta kenë një deputet në Asamblenë e Qytetit te Kielit të Gjermanisë. “Me zgjedhjen time deputet i Kielit, shqiptarët do ta kenë adresën direkte të paraqitjes së problemeve të ndryshme, të përditshmërisë, por edhe avansimin politik si komunitet”, tha Oroshi.

Ai premtoi se përveç me problemet e mërgatës do të punojë edhe në fuqizimin e politikës së Gjermanisë me atë të Kosovës. “Kam mundësi që përveç problemeve të mërgatës të ndimojmë dhe fuqizojmë politikisht edhe kontaktet me komunat e ndryshme në Kosovë, si në aspektin e ngritjes politike, por edhe sjelljen e investitorëve nga Gjermania në Kosovë”, premton Oroshi.

Oroshi tha se personalisht do të shërbejë si urë lidhëse në mes politikës gjermane dhe asaj shqiptare.”Unë do të punoj që në të ardhmen të kemi më shumë bashkëpunime të ndërsjella në mes qyteteve gjermane si dhe qyteteve shqiptare në përgjithësi, e sidomos do të mundohem që t’i koordinoj politikat lokale që në të ardhmen shumë politikanë lokalë të kenë kontakte me kolegët e tyre në Gjermani dhe ta mësojnë sistemin e qeverisjes gjermane”, shkruan Prizrenpress.

Osman Sadiku, deputeti më i ri shqiptar në nivel kantonal

Komuniteti shqiptar i Zvicrës, nga 26 qershori ka edhe deputetin e katërt shqiptar në nivel të parlamenteve kanonale. Osman Sadiku, nga partia Socialdemokrate ka dhënë të mërkurën betimin solemn në Parlamentin e Kantonit të Glarusit, ku ai deri në fund të mandatit do të ketë vendin e deputetit (këshilltarit).

Para tij, në Zvicër veprojnë tre deputetë në kantone të ndryshme. Fjala është për Zari Xhaferin, në kantonin e Zug-ut, Ylfete Fanaj, kantoni i Lucernit dhe shqiptaro-zvicerani Etrit Hassler në Kantonin St. Gallen. Të tretë përfaqësojnë Partinë Socialdemokrate. Ndërsa në përgjithësi, deputeti i parë shqiptare në nivel kantonal ka qenë zgjedhur në vitin 2006 Osman Osmani, në Kantonin e Schaffhausenit.

Osmani, specialist i migracionit, me banim prej 18 vitesh në Zvicër. Nga Kosova, komuna e Kamenicës, ai ka ardhur si inxhinier i elektroteknikës. Ndërsa në Zvicër ka punuar për rreth 14 vite në Kryqin e Kuq, në Glarus. Këtu ai ka akumuluar përvojë të çmueshme në fushë të punës me të huaj dhe me njerëz në nevojë. Kjo dhe angazhimi i tij në aktivitetet shoqërore, e ka sjellë atë natyrshëm në kontakt me Partinë Socialdemokrate të Zvicrës.

Në ditët e ardshme albinfo.ch do ¨të publikojë një intervistë me deputetin e ri, Osman Sadikun.

28.06.2013

Arbër Bullakaj – Menaxher, politikan dhe Idealist

I veshur me kostum, Arbër Bullakaj është ulur dhe pret në kafene. Ai posa ka vizituar disa klientë të firmës së tij të konsultimeve. Në fytyrën e tij bie në sy një dinamizëm i përzier me seriozitet. I riu 27 vjeçar e flet në mënyrë të përsosur dialektin (schweizerdeutsch). Por, ngjyra e mbyllur e lëkurës, flokët dhe sytë e zinj, të bëjnë të konstatosh shpejtë se ai nuk është zviceran nga lindja.

Arbër Bullakaj është i lindur në Kosovë dhe ka ardhur me familjen në Zvicër kur ka pasur tetë vjet. Sot ai gjendet në Parlamentin e qytetit të Wilit dhe synon të bëjë disa ndryshime.

Në këtë parlament, anëtari i SP-së, Arbër Bullakaj është zvicerani i parë me prejardhje të huaj, që ka mundur ta realizojë një sukses të tillë politik. Dhe kjo ka ngjallur reaksione të bujshme në Wil. Sipas njërës palë,  fjala ishte për një rimëkëmbje dhe freskim. Ndërsa për palën tjetër ishte e paimagjinueshme që një ulëse në parlament do t`i takonte një njeriu të lindur në Kosovë.

“Brenda Parlamentit të Qytetit kam marrë shumë reagime pozitive”, thotë Arbër Bullakaj. Gjatë fushatës zgjedhore ai u kishte premtuar zgjedhësve te tij se do të avokonte për integrimin e të huajve dhe për promovimin e të rinjve. Dhe, tash Arbri ua lë veprave vendin e fjalëve.

Ai është bashkëthemelues i shoqatës “Fair Wil”. Synim i organizatës është reduktimi i paragjykimeve dhe vendosja e kontakteve ndërkulturore.

“Por ne synojmë po ashtu që të bëhemi pikë kontakti për çdo preokupim të mundshëm të emigrantëve. Në radhë të parë për plotësimin e formularëve”, thotë Arbër Bullakaj, i cili është dhe bashkëkryetar i shoqatës. Me veprime të tilla, bëhet shumë më tepër se sa një ofrim i thjeshtë shërbimi. Ky është një gjest aktiv për t`i mirëpritur njerëzit  dhe për t`ua krijuar atyre ndjenjën e të qenit në shtëpi të tyre.

Klishenë se pjesa më e madhe e të huajve nuk kanë interesim për tu përfshirë dhe për tu integruar e kundërshton Arbri: “Unë njoh këtu shumë të huaj ashtu si dhe shumë zviceranë. Të gjithë këta munden të jetojnë bashkë me njëri tjetrin dhe jo vetëm krahas njëri tjetrit.

Në një lagje të qytetit Wil, përbërja e të huajve është e lartë ndërkohë që në tjetrin mbizotërojnë të rinjtë zviceranë. Kjo bën pastaj që të mos ketë këmbim multikulturor. “Në raste e tilla është me rëndësi ngritja e urave. Para të gjithëve te rinjtë duhet ta kenë shansin që të mësohen me jetën në një përzierje kulturash të vendeve të ndryshme”.

Por, Bullakaj mbetet realist. Integrimi “nuk mund të bëhet duke detyruar dikë me `çekiç druri` por duhet të arrihet me takt, butësi dhe angazhim”. Te vetë ai, integrimi ka qenë një proces krejtësisht i natyrshëm. Familja e tij mendjehapur i ka lehtësuar atij shumë punë.

“Duhet të jesh i hapur dhe kureshtar për të njohur kultura të reja”.

Arbër Bullakaj është menaxher, politikan dhe idealist. “Është me rëndësi të integrohesh. Por pa e mohuar me ketë rast identitetin tënd”, thotë ai.

Nazim Rexhepi

Për Asamblenë Komunale të Lagnaus Rexhepi ka qenë i vetmi shqiptar që ka kandiduar dhe ka fituar zgjedhjet edhe këtë herë. Politikani me prejardhje nga Kosova në një intervistë që i ka dhënë albinfo.ch tha se do të vazhdojë të angazhohet për të avancuar pozitën e komunitetit shqiptar në këtë pjesë të Zvicrës. Rexhepi thotë se do të kandidohet edhe për zgjedhjet kantonale që do të mbahen në mars të 2014 në Bernë.

Albinfo.ch: Kur keni nisur të merreni aktivisht me politikë dhe çfarë ju ka shtyrë ta bëni këtë?

Nazim Rexhepi: Që në bankat shkollore, në Kosovë, më ka interesuar politika, ngase, siç thuhet: Edhe nëse nuk merresh me politikë, ajo merret me ty! Pas ardhjes në Zvicër më 1989 e kam parë se në një shoqëri demokratike vërtet ia vlen të jesh aktiv në politikë, aty ku merren vendimet e rëndësishme për qytetarët, e në rastin tonë edhe për emigrantët. Natyrisht, më është dashur të pres disa vjet, derisa e mora nënshtetësinë zvicerane.

Albinfo.ch: Përse jeni lidhur pikërisht me Partinë Socialdemokrate (SP)? Cili është profili dhe cila është fuqia e kësaj partie në Lagnau?

Nazim Rexhepi: Partia Socialdemokrate e Zvicrës, por edhe partitë e tjera të majta, janë më të hapura ndaj të huajve dhe më të angazhuara në temat, si migrimi dhe integrimi i të huajve në shoqërinë zvicerane. Kjo parti udhëheq Komunën e Langnau-t tash e njëzet vjet (Kryetari i Komunës, z. Bernhard Antener, socialdemokrat, është tash e njëzet vjet në pushtet. Ai njëherësh është edhe kryetar i Parlamentit kantonal të Bernës).

Albinfo.ch: A ka shqiptarë të tjerë të angazhuar në këtë parti në Lagnau?

Nazim Rexhepi: Për fat të keq, në Langnau nuk është asnjë shqiptar i angazhuar në politikë, përpos meje. Megjithatë, rreth zgjedhjeve angazhohen dhe, ata që kanë të drejtë vote, më votojnë mua.

Albinfo.ch: Prej vitesh jeni këshilltar i Komunës Langnau am Emental. Çfarë mund të veçoni nga angazhimi juaj politik që ka favorizuar qytetarët me origjinë të huaj dhe për shqiptarët në veçanti?

Nazim Rexhepi: Prej vitit 1993 jam fillimisht simpatizues, e që nga viti 2004 anëtar i Partisë Socialdemokrate të Zvicrës. Më 03 nëntor 2013 me 715 vota të qytetarëve të Langnau-t u zgjodha për herë të tretë (2006 – 2009; 2010 – 2013 dhe 2013 -2017) anëtar i Asamblesë Komunale të Langnau-t. Në këto vite jam angazhuar jashtëzakonisht shumë në temat e mirëqenies sociale dhe të integrimit. Mendoj se ia kam dalë të ndikoj në përmirësimin e imazhit të emigrantëve në përgjithësi dhe të shqiptarëve në veçanti.

Albinfo.ch: Cilat janë shqetësimet me të cilat ballafaqohen në përditshmërinë e tyre emigrantët e komunës suaj ?

Nazim Rexhepi: Përveç shqetësimeve të përgjithshme, me të cilat ballafaqohen qytetarët e komunës sonë, emigrantët i kanë edhe shqetësimet specifike, si shkalla më e lartë e papunësisë, vështirësitë në pranimin nëpër shkolla adekuate, ngritja e imazhit të tyre, etj. Ndonëse e them me krenari që vitet e fundit ka gjithnjë e më shumë shqiptarë të punësuar në vende të mira pune, madje edhe në Komunë.

Albinfo.ch:  Na thoni sa janë aktivë shqiptarët si komunitet i huaj dhe sa janë të integruar në komunën tuaj? Cili është imazhi i shqiptarëve në këtë regjiion?

Nazim Rexhepi: Shqiptarët në komunën tonë nuk janë aktivë në politikë. Por, kemi sportistë të dalluar, si: Florent Hadergjonaj në futboll (Young Boys Bern), Alban Rexha në hokej mbi akull (luan për HC Langnau, në ligën kombëtare të Zvicrës), etj.

Albinfo.ch:  Në Langnau nga 10 mijë banorë, 10% janë të huaj. Të huajt me viza C a  kanë të drejtë të votojnë në zgjedhje? Dhe a jeni angazhuar që kjo kërkesë e tyre të merret në shqyrtim në parlamentin e komunës suaj?

Nazim Rexhepi: Çështja e të drejtës së votimit për të huajt është një problem nacional në Zvicër. Në disa kantone tashmë aplikohet kjo e drejtë, ndërkaq Kantoni i Bernës, për fat të keq, ende nuk ia ka dalë t’i bindë qytetarët e vet që t’ua mundësojnë edhe bashkëqytetarëve të tyre emigrantë pjesëmarrjen në vendimmarrje demokratike.

Albinfo.ch:  A e sheh Nazim Rexhepi të ardhmen e vet si politikan profesionist?  A keni ambicie për zgjedhje në instanca më të larta?

Nazim Rexhepi:  Natyrisht, secili që merret me politikë ka ambicie të shkojë sa më lart. Në mars 2014 mbahen zgjedhjet për në Parlamentin kantonal të Bern-it. Unë jam një nga kandidatët nga regjioni Emmental.

Nazim Rexhepi është me origjinë nga Malisheva e Gjilanit. Më 1989 ka emigruar në Zvicër. Prej vitit 1990 është anëtar aktiv i sindikatave zvicerane, ndërsa që nga viti 2004 është i punësuar si sekretar sindikal në Sindikatën UNIA. Aktualisht vepron dhe jeton në po të njëjtin qytet së bashku me familje.

 

Sevdail Tahiri

11.11.2013

Shefqet Balaj zgjidhet këshilltar në Asamblenë e qytetit Horn

Shefqet Balaj është pjesëtari më i ri i asamblesë së qytetit Horn të Austrisë. Këtu ai përfaqëson Partinë Popullore të Austrisë  (ÖVP), që është njëra ndër dy partitë më të mëdha të këtij vendi, dhe e cila aktualisht është ë koalicion qeverisës në nivel të Austrisë.

I lindur në vitin 1963 në Strellc të Ulët të Deçanit, Balaj ka mbaruar në Kosovë fakultetin Filozofik, dega e letërsisë ndërsa në Austri punon si depoist. Është po ashtu edhe laborant kimik me profesion. Prej 13 vitesh ka shtetësinë austriake, është i martuar dhe baba i katër fëmijëve.

Me anëtarësimin e tij në asamble, më 25 shkurt 2014 Balaj është inkuadruar në tri komisione të ndryshme të punës: në komisionin për turizëm, për arsim e shëndetësi dhe në atë për verifikim.

Me hyrjen e tij në asamblenë e komunës Horn Shefqet Balaj ka fituar mundësinë të punojë në përmirësimin e bashkëpunimit në mes të qytetarëve që u takojnë kulturave të ndryshme.

“Përmes prejardhjes së tij dhe përvojës jetësore ai sjell me siguri një këndvështrim tjetër në punën e asamblesë komunale, gjë që përbën një shans të madh për komunitetin e Hornit”, ka theksuar kryebashkiaku Jürgen Maier duke e prezantuar Balajn.

Ndërsa vetë këshilltari i porsazgjedhur ka theksuar se synimi i tij kryesor në politikën e Hornit është integrimi. “Njerëzit nga të gjitha grupet etnike duhet të dinë të jetojnë së bashku në një komunitet”, shkruan meinbezirk.at.

Balaj është zgjedhur në asamble  pasi që këshilltari që ka qenë para tij me vota ka marrë një funksion tjetër.

Tahir Shabani, kandidat për asamblist në Emmendigen

Tahir Shabani është kandiduar për asamblist në qytetin e Emmendingenit në Gjermani. Shabani ka thënë për albinfo.ch se nëse e fiton besimin e qytetarëve,angazhimi i tij do të jetë një shenjë pozitive për qytetin Emmendingen.

“Mesazhi im do të bartet te të gjithë qytetarët dhe vendësit. Kandidatura ime e ka po ashtu qëllimin që të arrijë kontaktin me migrantët dhe t’i përkrah ata në integrimin e tyre, sidomos ata të cilët nuk janë të angazhuar në nivele partiake, si dhe u ikën kontakteve me vendësit, duke ua dëshmuar domosdoshmërinë e integrimit të tyre, si dhe nevojën që të bëhen pjesë e pandarë e shoqërisë në të cilën jetojnë”, ka thënë Shabani.

“Nga pozita e asamblistit me kënaqësinë më të madhe do të ofroj të gjitha njohuritë dhe mundësitë e mia që të jem shembull i qytetarit, i cili jeton me nder dhe respekt, duke përfaqësuar në mënyrë të denjë votën tuaj”, thekson më tutje Shabani.

Tahir Shabani është i njohur në Gjermani me organizimin e shumë aktiviteteve të shqiptarëve të atjeshëm me shoqatën “Yjet e Kosovës”.

Adnan Dibrani fiton çmimin „mërgimtari i suksesshëm“

Në bazë të Ligjit të Diasporës dhe Mërgatës, Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, me rekomandim të komisionit pesanëtarësh, për kontribut të veçantë për mërgatën apo shtetin e Kosovës ndau çmimin vjetor për mërgimtarin/grupin më të suksesshëm të vitit, Adnan Dibranit, deputetit shqiptar në Parlamentin Suedez.

Dibrani ka shërbyer si deputet në legjislaturën e kaluar, ndërsa tani sërish garon për një mandat të dytë.

Gjatë ndarjes së çmimit, Ministri Makolli, uroi që Dibrani të zgjidhet edhe njëherë si deputet në Parlamentin Suedez.

“Uroj që z. Dibrani fillimisht të zgjidhet si deputet edhe në legjislaturën e ardhshme të Parlamentit Suedez, e më pas me dëshirë do ta shihnim edhe si përfaqësues në Parlamentin Evropian”, tha Ministri Makolli, thuhet në një njoftim të MeD-it

Ndërsa Dibrani, duke falënderuar Ministrin e Diasporës për çmimin, tha se edhe pse tani për tani është duke jetuar dhe vepruar në Suedi, nuk e përjashton mundësinë që edhe të kthehet në Kosovë, vendin që, sikurse tha, nuk e ka harruar në asnjë moment.

Shqiptari i parë në Parlamentin e Suedisë

Shqiptarët në Suedi tashmë janë bërë pjesë aktive në jetën  shoqërore dhe politike në vend, ngase tashmë për herë të dytë kanë zgjedhur përfaqësuesin e tyre politik, i cili do të adresojë kërkesat e tyre në institucionet e vendit.

Deputeti i vetëm shqiptar në shtetet evropiane, Adnan Dibrani, në një intervistë ekskluzive për albinfo.ch ka deklaruar se përzgjedhja e tij në mandatin e dytë fuqizon edhe më shumë pozicionin e komunitetit shqiptar në Suedi.

Dibrani është i vetmi shqiptar që përfaqëson në legjislativin suedez të huajt në Suedi

„Kjo tregon se ne jemi tashmë të dukshëm si një komunitet në të gjitha segmentet e jetës, përfshirë edhe politikën. Do të thotë, tashmë nuk jemi të dalluar vetëm në futboll, por edhe në politikë“, thotë politikani me origjinë nga Kosova.

Deputeti i ri nuk është edhe aq optimist kur pyetet nëse pret ndonjë post ministror në qeverinë e re suedeze pas fitores së Social demokratëve në zgjedhje, parti me të cilën për herë të dytë politikani me origjinë nga Mitrovica fiton një ulëse në Parlamentin suedez.

„Nuk besoj, se jam deputet i ri ende në parlament. Është mandati i dytë që zgjedhem në legjislativin e vendit. Por, megjithatë tashmë jemi në pozicion tjetër. Edhe pse nuk do të jemi pjesë e Qeverisë, projektet që i kam në programin tim do të realizohen më lehtë me ndihmën e kolegëve që do të marrin poste ministrore. Nga ana tjetër, ne nuk e kemi shumicën, duhet të varemi prej partnerit të koalicionit. Aktualisht po punojmë se cilat projekte mund t’i realizojmë së bashku me partitë e koalicionit. Shanset janë të mëdha që projektet tona të realizohen“, tha Dibrani.

Deputeti shqiptar nuk do të bëjë dallime të të huajve në Suedi, edhe pse i takon komunitetit shqiptar. Konzervativët sa ishin në pushtet e kanë bërë të vëshirë sistemin shkollor në Suedi. Partia e deputetit shqiptar pikërisht do të punojnë që ta bëjnë më të lehtë qasjen e të huajve në shkollat suedeze.

„Kur e kam filluar shkollën, nuk e kam njohur aspak gjuhën. Por, për rreth kisha mësues që më kanë ndihmuar të kaloj këto barriera. Më kanë ofruar ndihmë plotësuese. Tashmë një ndihmë e tillë nuk ekziston në Suedi për të huajt, sidomos për fëmijët, për të cilët është shumë e rëndësishme për të pasur sukses në shkollim“, thekson më tutje Dibrani.

Ai kishte vendosur t’u bashkangjitet radhëve të socialdemokratëve ngase, sipas tij, subjekti politik që përfaqëson është parti e vlerave dhe nuk bën dallim të qytetarëve të vendit se a janë të huaj apo vendës, a janë të pasur apo të varfër.

„Ne kur kemi migruar në Suedi, jemi pritur mirë dhe na kanë ndihmuar shumë në integrimin tonë të shpejtë në jetën e këtushme. Prandaj kemi mbërritur deri këtu, ngase sistemin liberal e kanë ndërtuar socialdemokratët dhe për këtë arsye dallojnë nga konzervativët“, thekson ai.

„Ne do të angazhohemi që të gjithë fëmijëve, qofshin ata të huaj, të pasur apo të varfër, t’u mundësojmë shanse të njëjta të shkollimit, duke filluar nga cikli i ulët deri në fakultet“, premton politikani shqiptar.

Më herët nuk kishim një imazh të mirë në përgjithësi në diasporë

„Tani kemi dhënë sinjale të tjera. Unë jam këtu në Suedi, kemi futbollistë të suksesshëm, përfaqësues biznesesh me emër. Gjeneratat e reja tashmë janë integruar në sistemin e shtetit, ku kanë migruar prindërit e tyre“, thotë në këtë intervistë 29-vjeçari.

Pjesëmarrja masive e votuesve në zgedhje ka treguar për pozicionin e fuqishëm që ka komuniteti shqiptar në Suedi.Po ashtu kanë treguar se dëshirojnë të marrin pjesë aktive në vendimmarrje.

„Pa mbështetjen e votave të komunitetit shqiptar në Haland, në regjionin ku jam kandiduar, shanset ishin të vogla të bëhem pjesë e parlamentit“, thekson parlamentari shqiptaro-suedez.

Ai ka folur edhe për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Suedi. Politikani shqiptar thotë se secila shkollë është e obliguar të sigurojë një mësimdhënës që do t’ua mësojë gjuhën amtare të huajve në vend.

Deputeti shqiptar ka thënë të jetë motivuar më shumë me marrjen këtë vit edhe të çmimit ‘Mërgimtari i suksesshëm’ nga Ministria e Diasporës e Kosovës.

„Çmimi u takon të gjithë shqiptarëve në Suedi, sidomos të regjionit të Halandit, ngase të gjithë së bashku kemi mbërritur deri këtu“, shprehet Dibrani.

Komuniteti shqiptar është i organizuar mirë në Suedi.

„Ekzistojnë me dhjetëra shoqata të ndryshme, ndërsa partitë politike të Kosovës iu kanë mbetur vetëm gjeneratava të para, ndërsa gjeneratat e reja janë inkuadruar më shumë në sistemin e këtushëm suedez“, tha Adnan Dibrani.

Ka 14 vjet që merret me politikë dhe thotë se gjithmonë kishte marrë përkrahjen e suedezëve.

Adnan Dibrani kishte migruar në moshën 7-vjeçare në Suedi.

Ai ishte njëri prej deputetëve të parë shqiptarë dhe njëri nga pjesëtarët më të rinj që kishte siguruar një ulëse në mandatin e kaluar në Parlamentin suedez, ndërsa në zgedhjet e fundit mori më së shumti vota, duke siguruar edhe një mandat të deputetit në Suedi. Ai vjen nga Koshtava e Mitrovicës, ndërsa në Suedi ka të kryer Shkollën e Lartë Ekonomike.

Dibrani nuk është shkëputur prej vendit nga kishte migruar. Ai e viziton çdo vit vendin e lindjes.

Jozyrtarisht thuhet se janë 100 mijë shqiptarë që jetojnë në Suedi.

Zari Xhaferi fiton sërish garën për deputet kantonal

Ai ka mbledhur 1890 vota, që është numri më i madh nga kandidatët e bazës së tij deleguese, qytetit Baar ku ai jeton

Edhe pse partia për të cilën ka garuar, SP/PS (Partia Socialdemokrate) ka pësuar një rënie të numrit te deputetëve, Zari Xhaferi ka fituar sërish në zgjedhjet e mbajtura dje për Parlamentin e Kantonit Zug. Ai ka mbledhur 1890 vota, që është numri më i madh nga kandidatët e bazës së tij deleguese, qytetit Baar ku ai jeton.

Xhaferi, një politikan shumë i ri (29 vjeç) ka qenë pjesë e këtij parlamenti që nga viti 2011dhe është treguar mjaft aktiv në jetën parlamentare si dhe jashtë saj. Ai ka qenë shqiptari i parë pas një kohe që kishte fituar vendin në një parlament kantoni. Para tij, në vitin 2006 një vend të tillë në kantonin Schaffhausen e kishte fituar po për këtë parti, Osman Osmani.

Në përbërjen e re të Parlamentit të kantonit Zug, me numrin e deputetëve vazhdojnë të prijnë partitë e djathta. CVP ka 22, SVP 19 dhe FDP 18 deputetë. Ndërsa SP-ja e Xhaferit nga 8 sa kishte, ka rënë në 7 përfaqësues në parlamentin e kantonit. Kur kësaj t`ia shtojmë rastin e një deputeti i cili nga të Gjelbrit gjatë mandatit të kaluar kishte kaluar në SP, i bie që fuqia e kësaj partie ka pësuar rënie për dy deputetë.

Përbërja e re e Parlamentit tregon se ALG (Alternativa dhe të Gjelbrit) dhe GLP ( e Gjelbër Liberale) kanë shtuar më shumë numrin e deputetëve në krahasim me zgjedhjet e kaluara, respektivisht nga 2  sish.