FIFA ka zyrtarizuar fituesin e çmimit për golin më të bukur të Kupës së Botës 2026, duke nderuar reprezentuesin e Kepit të Gjelbër, Sidny Lopes Cabral, për realizimin e tij spektakolar në turneun më të madh të futbollit, përcjell albinfo.ch.
Me këtë vlerësim, Cabral hyn në historinë e Kampionateve Botërore si futbollisti i parë që përfaqëson një kombëtare afrikane dhe fiton çmimin prestigjioz për golin më të bukur të turneut.
Goli fitues u realizua në ndeshjen e fazës së 1/8 së finales ndaj Argjentinës. Në kohën shtesë, mbrojtësi i majtë zhvilloi një aksion të jashtëzakonshëm, duke kaluar me mjeshtëri Alexis Mac Allister me një driblim elegant, përpara se të godiste saktë nga kufiri i zonës, duke mposhtur portierin Emiliano Martínez me një goditje të pandalshme.
Edhe pse Kepi i Gjelbër u eliminua në fund të takimit pas një autogoli të pësuar në momentet e fundit të kohës shtesë, kombëtarja afrikane la gjurmë në Botërorin 2026. Në paraqitjen e saj të parë ndonjëherë në një Kupë Bote, ajo arriti deri në mesin e 16 skuadrave më të mira, duke u shndërruar në një nga surprizat më të mëdha të turneut.
Tashmë, kryevepra e Sidny Lopes Cabral është përjetësuar edhe zyrtarisht në historinë e FIFA-s, pasi është shpallur goli më i bukur i Kupës së Botës 2026, një vlerësim që e vendos emrin e tij mes realizuesve më të spikatur të historisë së Kampionateve Botërore./Albinfo.ch.