Lajme
Telefonatat mashtruese në emër të autoriteteve bien me 75% në Zvicër
Rreziku kibernetik mbetet i lartë, pavarësisht rënies së ndjeshme të telefonatave mashtruese që imitojnë autoritetet zvicerane. Institucionet paralajmërojnë se përdorimi në rritje i inteligjencës artificiale po krijon forma të reja të mashtrimit.
Telefonatat mashtruese në emër të autoriteteve shtetërore janë ndër incidentet kibernetike më të raportuara në Zvicër gjatë viteve të fundit. Megjithatë, numri i tyre ka rënë ndjeshëm pas hyrjes në fuqi të rregullave të reja për identifikimin dhe bllokimin e numrave të falsifikuar.
Sipas Zyrës Federale për Sigurinë Kibernetike (OFCS), gjatë periudhës janar-qershor janë regjistruar më shumë se 400 raportime në muaj për telefonata të tilla. Situata ndryshoi në korrik, kur hyri në fuqi një masë që u kërkon kompanive të telekomunikacionit të identifikojnë numrat celularë që vijnë nga jashtë dhe që paraqiten në mënyrë të rreme si numra zviceranë.
Si rezultat, numri i raportimeve ra në më pak se 100 në korrik, një ulje prej mbi 75 për qind.
Autoritetet zvicerane theksojnë se një rënie e parë ishte vërejtur që në janar, gjatë fazës së parë të zbatimit të masave, e cila përfshinte numrat fiks.
“Ky është një tregues se një ndryshim ligjor mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në siguri”, deklaroi drejtori i OFCS-së, Florian Schütz, gjatë një informimi për mediat në Bernë.
Sipas autoriteteve, shumë prej këtyre telefonatave burojnë nga të njëjtat qendra telefonike jashtë vendit, çka u mundëson operatorëve të bllokojnë në mënyrë të njëpasnjëshme një numër të madh numrash.
Mbi gjashtë raportime në orë
Pavarësisht rënies së telefonatave mashtruese, kërcënimi kibernetik në Zvicër mbetet i lartë. Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, OFCS ka pranuar 27.128 raportime vullnetare. Deri të premten e kaluar, numri kishte arritur në 34.106.
Kjo përkthehet në një mesatare prej 158,1 raportimesh në ditë, ose rreth 6,6 raportime në orë.
Mashtrimi mbetet aktiviteti më i zakonshëm kriminal. Pas tij renditen phishing-u, sulmet kibernetike, programet keqdashëse (malware) dhe rrjedhjet e të dhënave.
Autoritetet kanë evidentuar gjithashtu raste të “rikuperimit të rremë të parave”, ku kriminelët kontaktojnë persona që tashmë kanë rënë viktima të një mashtrimi dhe u premtojnë se do t’u ndihmojnë të rikuperojnë paratë e humbura.
Një tjetër metodë e përdorur janë kërkesat e rreme për verifikim, përfshirë dritare të falsifikuara që u kërkojnë përdoruesve të konfirmojnë, për shembull, se “nuk janë robotë”.
Administrata publike sektori më i prekur
Sa u përket incidenteve ndaj infrastrukturës kritike, për të cilat ekziston detyrimi që sulmet të raportohen brenda 24 orëve, gjatë gjysmës së parë të vitit janë regjistruar 200 raste. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ishin raportuar 325 raste.
Incidentet më të shpeshta ishin sulmet kibernetike dhe vjedhja e të dhënave.
Administrata publike rezulton të jetë sektori më i prekur, e ndjekur nga teknologjia e informacionit dhe komunikimit, kërkimi dhe arsimi, sektori financiar dhe i sigurimeve, energjia, transporti dhe shëndetësia.
Autoritetet zvicerane vlerësojnë se masat e reja kanë dhënë rezultate konkrete në luftën kundër telefonatave mashtruese, por paralajmërojnë se kërcënimi kibernetik në përgjithësi mbetet i konsiderueshëm dhe mund të marrë forma të reja, veçanërisht me zhvillimin e shpejtë të inteligjencës artificiale.
E-Diaspora
-
Nga Ferizaj në skenën e Miss World 2026, Blair Isufi: Ky rrugëtim është për Kosovën Përfaqësuesja e Kosovës në Miss World 2026, Blair Isufi, ka prezantuar historinë e saj personale dhe... -
Konsullata e Kosovës në Gjenevë organizon aktivitete përkujtimore për personat e zhdukur -
Konferenca IV “Ekonomia shpëton Luginën” mbahet me 26 shtator në Bujanoc -
Enis Rexhepi shënon 5 gola ndaj Bayern Munich U-19 -
Bashkatdhetarët përfundojnë pushimet, pritje të gjata në Merdare për të dal nga Kosova
Jeta në Austri
-
Interesim i jashtëzakonshëm për ndeshjen Austri – Kosovë, shiten 40 mijë bileta Sektorët A dhe F janë të rezervuara enkas për tifozët e Kosovës ("Dardanët"), dhe pothuajse janë... -
Austri: Ministria e Financave paralajmëron për mashtrim me ndihmën familjare -
A do të shtrenjtohen hipotekat dhe kreditë nëpër Evropë? -
Austri: Meteorologët japin paralajmërim për stuhi -
20,000 austriakë kërkojnë vende pune si praktikantë mes boshllëqeve në trajnim











