Lajme
Gjeneva synon të ndëshkojë bullizmin dhe dhunën edhe jashtë ambienteve të shkollës
Kantoni i Gjenevës po planifikon ndryshime në rregullat disiplinore, duke parashikuar masa ndëshkuese edhe për dhunën, bullizmin, racizmin dhe diskriminimin që ndodhin jashtë territorit të shkollës, por që lidhen drejtpërdrejt me jetën shkollore.
Kantoni i Gjenevës njoftoi të enjten, në nisje të vitit të ri shkollor, një projekt reforme që synon të forcojë luftën kundër bullizmit dhe formave të tjera të dhunës mes nxënësve. Sipas planit, edhe incidentet që ndodhin jashtë ambienteve të shkollës mund të sjellin masa disiplinore, nëse kanë lidhje të drejtpërdrejtë me jetën shkollore.
Kjo do të përfshinte, për shembull, rastet kur një nxënës kërcënon ose ngacmon shokët e klasës në grupet e WhatsApp-it pasi është kthyer në shtëpi. Po ashtu, masat edukative dhe disiplinore do të mund të zbatoheshin për përleshjet që ndodhin jashtë shkollës, por që lidhen me marrëdhëniet mes nxënësve dhe jetën shkollore.
Këshilltarja e Shtetit për Arsimin Publik në Gjenevë, Anne Hiltpold, tha se reforma i përgjigjet një kërkese të fortë nga prindërit, të cilët shpesh ndihen të pafuqishëm kur fëmijët e tyre përballen me ngacmime edhe jashtë mureve të shkollës. Ajo theksoi se projekti është ende në përgatitje.
Më shumë kompetenca për këshillin disiplinor
Reforma parashikon gjithashtu zgjerimin e kompetencave të këshillit disiplinor. Aktualisht, ky organ merret me nxënësit e ciklit të orientimit (CO), ndërsa në të ardhmen mund të shqyrtojë raste që përfshijnë fëmijë nga mosha 10-vjeçare.
Hiltpold e arsyetoi këtë ndryshim me faktin se edhe në këtë moshë janë regjistruar raste të rënda dhune, përfshirë kërcënime me vdekje, ngacmime të vazhdueshme dhe raste kur të rinjtë kanë vënë zjarrin në ndërtesa.
Ende nuk është përcaktuar saktësisht se si do të zbatohet reforma dhe cili do të jetë shtrirja e saj. Së shpejti pritet të nisë një proces konsultimi, pas të cilit projektligji do t’i dërgohet Parlamentit. Autoritetet e Gjenevës shpresojnë që masa të hyjë në fuqi brenda këtij viti.
Synohet forcimi i autoritetit të mësuesve
Bullizmi në shkolla është një prej shqetësimeve të Departamentit të Arsimit Publik të Gjenevës, edhe pse autoritetet pranojnë se është e vështirë të krijohet një pasqyrë e plotë e fenomenit.
Një sondazh i gjerë i zhvilluar dy vjet më parë tregoi se 13% e nxënësve të shkollave fillore në Gjenevë deklaruan se kishin qenë viktima të racizmit. Kantoni vëren gjithashtu një rritje të rasteve të racizmit.
Për këtë arsye, autoritetet synojnë të forcojnë reagimin ndaj këtyre rasteve, duke standardizuar masat disiplinore në shkolla dhe duke “rikthyer autoritetin e mësuesve”.
Jo kontrolle sistematike
E ftuar në programin Forum, Anne Hiltpold e cilësoi si problematike situatën aktuale, ku shkolla nuk mund të ndërhyjë kur një nxënës dhunohet pas përfundimit të orarit mësimor.
Megjithatë, ajo përjashtoi mundësinë e një sistemi të mbikëqyrjes së gjerë. “Qëllimi ynë nuk është të vendosim kontroll sistematik”, shpjegoi ajo.
Sipas saj, shkolla do të ndërhyjë vetëm kur të informohet për një shkelje të kryer jashtë ambienteve të saj dhe kur kjo shkelje të ketë një lidhje të drejtpërdrejtë me jetën shkollore.
Rregullat e reja do të përfshinin edhe bullizmin kibernetik, veçanërisht rastet që ndodhin në grupet e WhatsApp-it. “Kur bullizmi nis në shkollë dhe vazhdon jashtë saj, duhet të jemi në gjendje të ndërhyjmë”, theksoi Hiltpold.
Në rastet më të rënda, këshilli disiplinor mund të thirret për nxënësit që nga mosha 10-vjeçare, në vend të kufirit aktual prej 12 vjeç/albinfo.ch/
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Neurokirurgu shqiptar Valon Baraliu në Gjermani: “Në neurokirurgji, puna bëhet emër” Nga Kosova drejt një karriere profesionale në Gjermani dhe në sisteme të ndryshme evropiane, Dr. med.... -
AHV 2030: Pensioni nuk vjen më vetë – pse duhet ta planifikoni më herët në Zvicër -
Nga Zvicra në Kosovë: Historia e Vali Ranch në fokus te televizioneve shqiptare -
Kino Kosova rikthehet në Bernë: Edicioni i shtatë mbahet më 9–13 shtator 2026 -
Baleti Kombëtar i Kosovës prezanton “Bolero” dhe “Correr o Fado” në Festivalin Ndërkombëtar të Baletit në Bodrum
Jeta në Austri
-
Edhe mësuesit shqiptarë nga Austria pjesë e Seminarit të Mësuesve të Diasporës Seminari i 19-të i mësuesve të diasporës në Brezovicë... -
Austri: Deri në 17 për qind më shumë natyralizime në gjysmën e parë të vitit -
Shkollat e Policisë në Vjenë përballen me vende të zbrazëta pavarësisht 900 aplikantëve -
Trenat e Aeroportit të Vjenës devijohen pas zjarrit në kabllon Praterstern -
Austri: Ka shtënë me armë mbi policët, burg i përjetshëm për kosovarin












