Lajme

Digjitalizimi i biletave në Zvicër kritikohet: Çfarë ndodh me udhëtarët pa telefon?

Blerja e biletave fizike për autobusë, tramvaj dhe trena është bërë gjithnjë e më e vështirë, pasi shumë sportele janë mbyllur, ndërsa edhe makinat tradicionale për shitjen e biletave po bëhen më të rralla

Digjitalizimi gjithnjë e më i madh i shitjes së biletave të transportit publik në Zvicër po shkakton kritika, veçanërisht për shkak të vështirësive që hasin personat që nuk përdorin telefona të mençur.

Blerja e biletave fizike për autobusë, tramvaj dhe trena është bërë gjithnjë e më e vështirë, pasi shumë sportele janë mbyllur, ndërsa edhe makinat tradicionale për shitjen e biletave po bëhen më të rralla, transmeton albinfo.ch.

Deputetja Min Li Marti ka kërkuar nga qeveria të sqarojë se si synon të garantojë që të gjithë qytetarët të kenë qasje në transportin publik edhe pa përdorur telefon të mençur.

Ministri i Transportit, Albert Rösti, ka pranuar se digjitalizimi sjell ndryshime komplekse për disa kategori të klientëve, veçanërisht për ata që nuk posedojnë smartphone.

Megjithatë, ai ka theksuar se përgjegjësia për sistemet e shitjes së biletave u takon kompanive të transportit dhe jo qeverisë federale.