Sport

Hadërgjonaj në dilemë: Me Zvicrën apo me Shqipërinë!

Unë këtu kam lindur e jam shtetas zviceran, por gjakun s’mund ta ndërroj. Jam gjak shqiptari, për çdo vit shkoj për pushime në Kosovë...

Futbollisti shqiptar i rritur dhe i formuar në ekipin e kryeqytetit të Zvicrës në Bernë, Florent Hadërgjonaj luan mometalisht mbrojtës  dhe është pjesë e ekipit U21 të Zvicrës. I riu dukagjinas flet për angazhimin tij në kombëtare, përvojën e tij me ekipin U21 të Zvicrës dhe konkurrencën e fortë…

Albinfo.ch: Si e vlerësoni angazhimin tuaj futbollistik te skuadra e juaj në YB-Bernë

Florent Hadergjonaj: Jam shumë shumë i kënaqur, vitin e kaluar kemi përfunduar kampionatin në vendin e dytë plus jemi prezentë edhe në arenën ndërkombëtare dhe për mua ka qenë një sezon shumë i mirë. Kam luajtur standard dhe edhe ata që kanë pasur dyshime janë bindur në cilësitë e mia si futbollist që i kam treguar në një ekip i cili pas Baselit, është më i madhi i Zvicrës dhe këtë duam ta vazhdojmë edhe në sezonin vjeshtor.

Albinfo.ch: Flitet shumë rreth aktivizimit tuaj në kombëtarën shqiptare, ndërkohë ju jeni pjesë e ekipit U21 të Zvicrës, cila është e vërteta këtu?

Florent Hadergjonaj: Kjo pyetje më është parashtruar disa herë, për momentin unë jam duke luajtur për Zvicër U21 dhe aty jemi në garë për kualifikime të Kampionatit Europian dhe momentalisht jam i koncentruar aty, e çka vjen më vonë unë nuk e di. Shtatori do të jetë muaji që unë prapë do të ballafaqohem me këto pyetje, por unë ende nuk e di.

Albinfo.ch: A mendon se Shqipëria megjithatë ka më tepër nevojë për një mbrojtës si ti se sa Zvicra që ka shumë lojtarë cilësorë në ligat më të forta europiane dhe konkurrenca është dukshëm më e fortë?

Florent Hadergjonaj: Për mua në të dyja ekipet është bërë vështirë të luash, edhe Shqipëria është forcuar shumë dhe në pozicionin tim ka lojtarë shumë cilësorë, sikur Elsaid Hysaj që luan në Serie A, mirëpo edhe për Zvicrën luan Lichtsteiner kështu që nuk është lehtë për mua, por për momentin ende nuk kam vendosur, së pari dua t`i kryej kualifikimet me U21, pastaj shohim se ende jam në moshën 20 vjeçare.

Albinfo.ch: Por sikur të të vijë ftesa nga de Biazi, a do ta kishe pranuar?

Florent Hadergjonaj: Paj normalisht kur vjen një ftesë e tillë diskutohen së pari mundësitë e aktivizimit, cili është pozicioni im në kombëtare dhe nga përgjigjja që do të marr nga ai kam shanse për të luajtur apo jo, do të pasojë edhe vendimi.

Albinfo.ch: A do të thuash se megjithë vështirësitë për të vendosur duke ditur se dyja shtetet, Zvicra por edhe Shqipëria janë vendet tua, nëse gjithçka është në rregull ti je i gatshëm të luash?

Florent Hadërgjonaj: Unë këtu kam lindur e jam shtetas zviceran, por gjakun s’mund ta ndërroj. Jam gjak shqiptari, për çdo vit shkoj për pushime në Kosovë, siç po e sheh gjuhën shqipe e flas pa problem, atje është shtëpia ime.