CH-Ballkani
Përqindje e kënaqshme e daljes në zgjedhje
Brenda tri orëve të para, sipas KQZ-së, kanë votuar rreth 10 %, ndërsa nëse ecet me këtë ritëm, në zgjedhje do të marrin pjesë më pak se 50 % e qytetar

Procesi zgjedhor në Kosovës është duke ecur normalisht, pa ndonjë problem të theksuar, ndërsa përqindja e qytetarëve në votime konsiderohet relativisht e kënaqshme. Brenda tri orëve të para kanë votuar rreth 10 për qind e qytetarëve, ndërsa nëse ecet me këtë ritëm, në zgjedhje do të marrin pjesë më pak se 50 për qind e qytetarëve.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha se në bazë të të dhënave nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në 38 komuna të Republikës së Kosovës deri në orën 11:00 kanë votuar 168 mijë e 616 votues, apo 9.46 për qind e votuesve.
Po ashtu, kryetarja Daka bëri të ditur se procesi i votimit është duke vijuar rregullisht.
Edhe dy shtabet zgjedhore të dy partive më të mëdha politike, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), procesin e kanë vlerësuar normal dhe pa pasrregullës .
“LDK-ja u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar. Pjesëmarrja sa më e lartë e qytetarëve në zgjedhje e begaton këtë proces zgjedhor, i cili është jetik për të ardhmen e vendit dhe për perspektivën evropiane”, konsideron LDK.
LDK, siç thuhet, i jep përkrahje edhe të gjitha institucioneve të tjera shtetërore që të respektojnë të gjitha ligjet dhe rregullat zgjedhore, në mënyrë që zëri i sovranit të shkojë në vendin e vet.
Edhe Partia Demokratike e Kosovë e vlerëson të rregullt procesin zgjedhor deri në mesditë.
“Partia Demokratike e Kosovës, inkurajon të gjithë aktorët që garojnë në këto zgjedhje që të vijojnë me frymën e mirëkuptimit dhe qytetarisë, si dhe u kërkon të gjithë individëve që janë të përfshirë në administrimin e procesit zgjedhor që të punojnë me përkushtim dhe rigorozitet, që votimi të realizohet konform ligjit”, thuhet në kumtesë.
Ndryshe, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, thotë se në të gjithë Kosovën ka mungesë të fletëvotimeve, kjo për arsye të ”shkaqeve ekonomike”, siç shprehtë ajo.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas saj, ka marrë vendim që të shtypen më pak fletëvotime se sa ka votues në Kosovë. Pra, siç tha ajo, nuk janë 1 milionë e 789 mijë e diçka, mirëpo janë më pak.
“Çdo qendër e votimit ka numër më të vogël të fletëvotimeve, sepse ne konsiderojmë se, pas analizave që janë bërë, asnjëherë nuk kemi dalje më të madhe se 50 për qind. Prandaj edhe fletëvotimet janë shtypur në numër më të vogël, sepse thjeshtë për shkaqe ekonomike”, deklaroi Daka.
Ndërkohë, prokurorja e Shtetit, Laura Pula që është ngarkuar për të hetuar procesin zgjedhor, ka konfirmuar se është arrestuar personi i parë në Prishtinë që ka votuar dy herë. “Kemi njoftimi e fundit se një person ka votuar dy herë dhe i njëjti është ndalur”, ka thënë Pula, në konferencë për media. Sipas ligjit, ai mund të dënohet deri tri vjet burg.
Këto zgjedhje janë duke i vëzhguar një numër i madh i vëzhguesve vendorë e ndërkombëtarë. Sipas KQZ-së, për vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve janë akredituar mbi 30 mijë vëzhgues.
Në Kosovë ndërkaq temperaturat janë relativisht të larta rreth 30 gradë, që është një ndryshim i madh i temperaturave nga 18 sa ishe dy ditë më parë në 30 gradë sot. Edhe kjo mund të ndikoj që në mesditë të bije fluksi i votuesve.
Të tjera nga CH-Ballkani
E-Diaspora
-
Volketswil: Të dielën zhvillohet turneu i shkollave shqipe në futboll Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër ka njoftuar se të dielën, me...
-
Lea Ypi hap festivalin e Vjenës, kërkon të drejtë vote për migrantët
-
Kosovari mohon akuzën për tejkalim shpejtësie: “Ka qenë vëllai im binjak”
-
Votat e Diasporës, mbeten edhe 49,448 zarfe të panumëruara
-
Hapet klasa e gjuhës shqipe në Oberriet të Kantonit të St. Gallenit
Jeta në Austri
-
Austria do të organizojë Eurovision 2026 pas fitores, por a do ta përballojë financiarisht? JJ, talenti i ri austriak, mahniti jurinë dhe audiencën në Festivalin e Këngës në Eurovision që...
-
630,000 austriakë nuk dinë të notojnë
-
Tarifat austriake të strehimit: Cilat janë rregullat kur menaxherët e pronave rrisin kostot?
-
Rritet ndjeshëm numri i britanikëve që marrin shtetësi austriake
-
Austria dhe Gjermania bashkë në masa të reja për migracionin