Sport
Suksesi, përmes objektivave të përbashkëta
Është me rëndësi që këta të rinj të shihen si pjesë përbërëse e shoqërisë, jo vetëm kur ata tregojnë performancë të jashtëzakonshme

Asnjëherë deri më tash përfaqësuesja U21 e Zvicrës nuk ia ka dalë të realizonte një sukses të tillë, sikur ia doli këtë vit. Në përputhje me këtë, është me rëndësi të shihet se në saje të cilit koncept është realizuar kjo. Një trajner i mirë, fryma ekipore dhe performancat personale mund të jenë faktorë të rëndësishëm.
Pesë lojtarët më të mirë të skuadrës U21vijnë nga vendet si Kosova, Maqedonia, Kroacia dhe Nigeria. Pesë lojtarë kanë rrënjë shqiptare. Mirëpo, përse integrimi në ekipin e futbollit funksionon më mirë se në profesionet tjera? A ka të bëjë kjo me faktin se futbolli është një veprimtari, te e cila rezultatet e angazhimit shihen menjëherë dhe që nuk mbetet hapësirë e gjerë për tu interpretuar? A angazhohen lojtarët e huaj më shumë, sepse në futboll ata e shohin të vetmen mundësi për ngritje në shoqëri? Apo mos hyjnë në punë këtu argumente si temperamenti jugor dhe pasioni për lojën?
Lidhja e drejtpërdrejtë në mes të performancës dhe lëvdatës
Kur një lojtar ose një skuadër e tërë sjell performancë të mirë gjatë një loje. Kjo mund të pasqyrohet mirë edhe në rezultat. Për ndryshim nga profesionet tjera, e ashtuquajtura “vitamina B” (proteksioni) në futboll nuk vlen shumë, sepse në fakt performanca e individit dhe e ekipit është ajo që vlerësohet.
Prandaj, a është mungesa e “Vitaminës B” në konkurrimet për profesionet tjera, arsyeja përse të rinjtë me prejardhje të huaj me vështirësi e fitojnë shansin për të dëshmuar veten?
Ngritja në shoqëri përmes futbollit
Shumica e këtyre të rinjve janë fëmijë ose nipër të “gastarbajterëve”. Një gastarbajter duhej të ishte, mundësisht i përshtatshëm për punët e rënda fizike. Ndërtimi i mirë trupor dhe etja për punë ishin po ashtu parakushtet e kërkuara. Këto kërkesa i plotësonin rrallëherë njerëzit e arsimuar nga qytetet e mëdha jashtë vendit – në shumicën e rasteve këta as që kishin ndonjë interes për punë të tilla.
Për këtë arsye, në mënyrë të qëllimshme janë sjellë në Zvicër shumë më tepër njerëz nga shtresat më pak të arsimuara. Pothuajse të pahetueshëm dhe megjithatë të dashur ishin atëbotë këta burra të rinj. Ata e mbanin në jetë një pjesë të rëndësishme të ekonomisë zvicerane dhe nuk kërkonin asgjë përveç një page.
Vetëm më vonë, nga fundi i viteve tetëdhjetë dhe fillimi i të nëntëdhjetave në Zvicër erdhën edhe punëtorë me arsimim të mirë nga Ballkani. Kësaj radhe bëhej fjalë për ikjen nga një regjim i padrejtë dhe me këtë, për të siguruar ekzistencën e vet dhe të familjes. Synimi i tyre kryesor ishte mbijetesa e zhveshur.
Sot, fëmijët dhe nipërit e këtyre migrantëve bien gjithnjë më shumë në sy dhe nuk mjaftohen më vetëm me pagën që marrin. Ata dëshirojnë mirënjohje për suksesin e treguar dhe ngritje në shoqëri. Për këto qëllime futbolli ofron shansin e përkryer. Shpërblimi aty varet nga performanca dhe jo nga prejardhja.
Gladiatorët zviceranë
Në kohën e romakëve, gladiatorët ishin prototipe të mashkullorësisë dhe shërbenin për argëtimin e popullit. Për sa kohë ata ishin luftëtarë të mirë, mbaheshin si të dashur dhe të adhuruar. Mirëpo, pa performancën e tyre fizike ata ishin asgjë më shumë se sa skllevër, të pavlerë dhe të zëvendësueshëm.
Përderisa lojtarët me prejardhje të huaj brohoriten në fushë të futbollit, ata në politikë vazhdojnë të jenë nishan për iniciativat e drejtuara kundër tyre. Fitohet përshtypja se këtu mund të mbeten vetëm të huajt që nevojiten – të tjerët, ju lutemi, t`i përzini dhe t`i zëvendësoni me të tjerë, më të mirë. Dhe, në rastet kur futbollistët përcaktohen vullnetarisht të luajnë për vendet e tyre të prejardhjes, nga kjo bëhen skandale.
Pjesë e kësaj shoqërie
Është me rëndësi që të fillohet që këta të rinj të shihen si pjesë përbërëse e shoqërisë dhe që ata të trajtohen në të gjitha fushat si partnerë – dhe jo vetëm kur ata tregojnë performancë të jashtëzakonshme – por edhe kur janë punëtorë të thjeshtë ose akademikë me arsimim të lartë.
Kjo, sepse ata luajnë një rol të rëndësishëm në ekonominë zvicerane dhe veç kësaj ata janë bërë këtu ata që janë, të mirë ose të këqij. Shkolla, puna dhe miqtë kanë një ndikim po aq të rëndësishëm në ndërtimin e karakterit sa edhe vlerat e trashëguara nga familja.
Trajneri i Ekipit U21 nuk mund të thoshte diçka më të saktë se kjo kur tha: “Nuk luan rol se prej nga vijnë lojtarët, rëndësi ka se ku duan të shkojnë ata”. Synimi i përbashkët pra është faktori i suksesit të U21-shit dhe përse kjo nuk do të vlente për të gjitha fushëveprimtaritë e shoqërisë?
E-Diaspora
-
Ambasadori i karrierës, Sami Ukelli, largohet nga MPJD-ja Ambasadori i karrierës, Sami Ukelli, largohet nga MPJD-ja: Zhvillimet në këtë institucion s'janë në përputhje me...
-
Shqiptari që pozoi me 250 mijë funte e fiton betejën për qëndrim në Britani
-
Gjuha shqipe hyn në komunikimet zyrtare të shkollave publike në Nju Jork
-
Shqiptarja nga Amerika kurorëzohet me “Miss Globe USA 2025”
-
SHBA: Vlora Gjeka nderohet me medaljen “Police Combat Cross”
Jeta në Austri
-
Çfarë ndodh me qëndrimin në Austri nëse humbni punën? Ja çfarë duhet të dini Humbja e një vendi pune është një situatë e vështirë, veçanërisht kur leja e qëndrimit është...
-
Pse Vjena nuk është më qyteti më i mirë për të jetuar në botë?
-
Austria vs Evropa: Çka mund të blini me 1€
-
Austria prezanton pensionin e pjesshëm
-
Austria forcon ligjet për armët dhe sigurinë në shkolla pas tragjedisë në Graz