Kosova

Persona që bien ndesh me ligjin të “instaluar” në institucionet e Kosovës

Partitë politike nuk kanë marrë parasysh sugjerimet dhe rekomandimet e përfaqësuesve ndërkombëtarë për listat zgjedhore. Madje në këto lista ka kandidatë që bien ndesh me ligjin ose që janë të dënuar për një gjë të tillë

Diplomatët ndërkombëtarë të akredituar në Kosovë në vazhdimësi u kanë bërë thirrje liderëve politikë dhe atyre institucionalë në Kosovë, që nëpër institucione mos t’i përfshinë individët me vepra penal, por kjo thirrje nuk është zbatuar. Edhe në këtë nomenklaturë qeverisëse dhe legjislative, ka individë që bien ndesh me ligjin.

Partitë politike nuk kanë marrë parasysh sugjerimet dhe rekomandimet e përfaqësuesve ndërkombëtarë për listat zgjedhore. Madje në këto lista ka kandidatë që bien ndesh me ligjin ose që janë të dënuar për një gjë të tillë.

Albert Krasniqi, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se reforma zgjedhore në Kosovë është e domosdoshme, për të adresuar mjaft zbrazëtira, të cilat, sipas tij, janë në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe në ligjet tjera përcjellëse, si dhe për të siguruar një kualitet të legjislaturave që dalin nga zgjedhjet.

“Sa i përket pastrimit të listave prej kandidatëve, të cilët kanë pasur vepra penale në tri vjetët e fundit, ka pasur një interpretim të Gjykatës Supreme, që ka konstatuar që ligji është në kundërshtim me Kushtetutën, ndonëse kjo ka qenë jashtë kompetencave të kësaj gjykate që të bëj interpretimin e Kushtetutës”, tha ai për REL.

“Gjykata Kushtetuese është ajo e cila do të duhej të bënte një vlerësim të tillë. Ky moszbatim i këtyre dispozitave ligjore nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri më tani ka bërë që në përbërjen e Parlamentit, që ka dalë prej zgjedhjeve, të ketë edhe kandidatë, të cilët nuk do të duhej të përfaqësoheshin aty”, konsideron Krasniqi.

Se në institucionet e larta të vendit ka pasur dhe vazhdon të ketë zyrtarë të dyshuar, me aktakuzë ose edhe me dënime të shkallës së parë për vepra penale, thotë edhe Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD). Por, siç thotë ai për Radion Evropa e Lirë, largimi i këtyre personave, ligjërisht është i pamundur, për shkak të standardeve të drejtësisë penale.

“Kjo ka ndodhur në Kosovë dhe është duke ndodhur. Fatkeqësisht, përmes bazës ligjore, është e pamundur që këta persona që kanë aktakuza ose janë të dënuar në shkallë të parë, të largohen, për shkak se ekziston prezumimi i pafajësisë, i cili nuk mund të shkelet, sepse është standard i drejtësisë penale. Ne si IKD, kemi rekomanduar që të gjithë këta persona që kanë aktakuza apo janë të dënuar në shkallë të parë, vet partitë politike t’i largojnë dhe t’i spastrojnë, për të dhënë shembull të qeverisjes së mirë dhe për të dhënë shpresë te qytetarët”, thotë ai.

Mendim të përafërt shpreh edhe Krasniqi. Por, sipas tij, është i nevojshëm një ligj i veçantë për partitë politike, i cili do të mund të garantonte një pjesëmarrje më të gjerë të anëtarëve të partive, por duke iu nënshtruar filtrave të brendshëm partiak, derisa të arrijë deri te nominimi i tyre për kandidat për Kuvendin e Kosovës.

Krasniqi, shpreh mendimin se jo rrallë, imazhi i Kuvendit dhe Qeverisë është dëmtuar shkaku i personave zyrtarë brenda këtyre institucioneve, për të cilët ekzistojnë dyshime të bazuara, aktakuza apo dënime të shkallës së parë, për shkak të rënies ndesh me ligjin.