Meshtari shqiptar që ngre ura ndërmjet religjioneve

Don Marjan Marku njihet gjerësisht në komunitetin shqiptar të Zvicrës për rolin e tij që shkon shumë përtej thirrjes së tij parësore, asaj të udhëheqësit të njërës nga qendrat e Misionit Katolik Shqiptar në Zvicër. Ai, nga viti 1999 deri në vitin 2009, sa ka zgjatur qëndrimi i tij i parë në Zvicër, krahas themelimit të tri qendrave të misionit të përmendur, ka lënë gjurmë edhe në jetën shoqërore e kulturore jo vetëm të besimtarëve që ka udhëhequr por të gjithë komunitetit shqiptar këtu.
Për këtë arsye, kthimi i Don Marjanit para rreth katër vitesh me shërbim në Kosovë, kishte qenë i ngarkuar edhe me emocione dhe pati lënë një zbrazësi mbrapa.

Ka diçka më shumë se një vit që Don Marjan Marku ndodhet sërish në Zvicër. Kësaj here ai është këtu në cilësinë e famullitarit, në kishën e këtushme dhe jo më si misionar në Misionin Katolik Shqiptar të cilit i kishte vënë themelet para shumë vitesh.

Jemi nisur në një mbrëmje të vonë me shi, për në rezidencën e Don Marjanit, në Mühlrüti, një fshat kodrinor në  regjionin Toggenburg i Ulët të kantonit St. Gallen. Famullitari shqiptar i kishës zvicerane na pret në stacionin e trenit në Wil, për të na marrë me makinën e tij, pasi që rruga deri në Mühlrüti është e gjatë dhe kalon nëpër një terren të thyer. Rrugës ai na tregon “mbretërinë” e tij, që përbëhet nga një grumbull fshatrash, të mëdhenj e të vegjël, ku ai bashkë me një prift tjetër ushtron punën e tij prej meshtari.

“Jam prift bashkëpunëtor në Njësinë e Famullive (gjermanisht: Seelensorgeinnheit) të regjionit „Unterer Toggenburg“ që përfshin gjashtë famulli. Në këtë njësi me rreth 6000 besimtarë, jam prift bashkëpunëtor ndërsa në njërën nga këto famulli, në Mossnang jam përgjegjës famullitar”, na e sqaron Don Marjani strukturën komplekse të njësisë famullitare ku punon.

“Këtu punojmë 6 teologë, nga të cilët dy priftërinj, një xhakon dhe 3 laikë. Gjithë organizimi është ekipor. Në Mosnang, ku unë jam famullitar përgjegjës, numërohen 1700 besimtarë. Nga ana tjetër, unë banoj në Mühlrüti, fshat në trekufirin në mes të kantoneve St. Gallen, Thurgau dhe Cyrih”, vazhdon ai.

Rreth ardhjes së tij në rol tjetër në Zvicër, Don Marjani ka një sqarim të thjeshtë: “Në kishën katolike në shtetet perëndimore kohëve të fundit ka mungesë të meshtarëve. Kjo ka qenë dhe arsyeja kryesore e thirrjes që më është bërë për të ardhur këtu. Duhet të dini se ne në Kosovë falë Hyjit kemi mjaft meshtarë në raport me numrin e besimtarëve katolikë. Në këto rrethana, ipeshkvi i St. Gallenit i është lutur ipeshkvit të Kosovës, Imzot Dodë Gjergjit që të më lejojë të vij për të shërbyer këtu. Tash jam i inkardinuar në Ipeshkvinë e St. Gallenit, sikur të gjithë priftërinjtë tjerë. Ipeshkvia i ka 142 famulli dhe vetëm 60 meshtarë”, tregon ai, duke vënë theksin te numri i vogël i atyre që përcaktohen për jetën baritore.

Si shqiptar, Don Marjani, njeriu  i duhur për dialog në mes të religjioneve

Por, fakti se ai është inkuadruar në kishën e vendit dhe jo në misionin shqiptar, nuk e ndalon atë që të kontribuojë edhe më tutje për komunitetin shqiptar. “Mendoj se edhe prania e meshtarëve shqiptarë në Zvicër është e nevojshme. Shërbej te zviceranët por jam edhe në shërbim të komunitetit shqiptar këtu. Në një të ardhme të afërme synoj të jem pjesë e komisioneve që merren me të huajt këtu. Ka një komision në nivel ipeshkvnor dhe një të konferencës ipeshkvnore. Në kuadër të aktiviteteve që ato bëjnë në mes të religjioneve të ndryshme, unë jam i interesuar që, veç terash, të jem ndërmjetësues në mes të kishës vendore dhe komunitetit shqiptar të fesë islame.

Siç dihet, Kisha Katolike kultivon një dialog të frytshëm ndërfetar dhe nga ana tjetër, shumica e atyre që i përkasin fesë islame në Zvicër janë shqiptarë. Duke qenë ata edhe pjesë e popullit tim, unë besoj se në një kontekst të tillë mund të jap një kontribut për dialogun në mes të feve. Mendoj se një gjë e tillë do të ishte e mirë edhe për ne si shqiptarë por edhe për Kishën Katolike të Zvicrës”.
Gjatë punës në Misionin katolik Shqiptar Don Marjan Marku ka marrë pjesë në disa komisione në nivel të kishës së Zvicrës. Në ipeshkvinë e Baselit ka qenë në Këshillin Presbiterian (këshilli i priftërinjve) i zgjedhur nga ipeshkvi i atëhershëm, ose kardinali i sotëm, eminenca e tij Kurt Koch.  Prifti shqiptar ka qenë aty i vetmi nga të huajt në ipeshkvinë më të madhe të Zvicrës. Ka bërë pjesë po ashtu edhe në komisionin qendror për të huajt në Kantonin e Cyrihut pastaj në komisionin administrativ në kantonin Thurgau, në kryesinë e dekanatit në Fishingen etj.
“Siç dihet, kisha këtu gjithmonë ka luftuar për barazi në mes të njerëzve, edhe në aspektin fetar. Njihen edhe qëndrimet e saj humane e të drejta ndaj shqiptarëve, po edhe ndaj myslimanëve dhe të huajve në përgjithësi, kur këta kanë qenë objekt i fushatave nga qarqe të ndryshme”, thotë Don Morjani. Ai nënvizon po ashtu se personalisht dhe në emër të kishës, kultivon raporte të mira me krerët e bashkësisë islame të shqiptarëve, si për shembull me atë në Will dhe në St. Gallen.

Mikpritje dhe trimërim nga vendësit

“Që nga ardhja ime në mesin e ri, tash një vit e sa, jam pranuar nga vendësit ndoshta më mirë se që kam pritur. Ata e dinë se jam shqiptar dhe as që kam pse ta mohoj këtë”, thotë meshtari me përvojë 25 vjeçare por i emëruar rishtas në famullinë zvicerane. Ai përmend edhe mirëkuptimin e madh të besimtarëve dhe kolegeve meshtarë për kufizimet që ndonjëherë i paraqiten lidhur me kompetencat e tij gjuhësore të gjermanishtes, sidomos të dialektit zviceran. “Më trimërojnë duke thënë se ata do ta kishin shumë më vështirë ta flisnin shqipen në një rast të ndërsjellë”, thotë me pak humor Don Marjani. Më tutje sqaron se fillimisht është pranuar për të punuar si prift bashkëpunëtor  “por ka qenë vetë famullia e Mosnangut që ka insistuar të më bëjë përgjegjës të famullisë”.

Tek flet për punën e tij në kohën kur ka udhëhequr misionin, thotë se funksioni i tij ka qenë ngritja e urave, si lidhja e shqiptarëve me Hyjin, me vendlindjen, gjegjësisht kulturën e vendit të prejardhjes, dhe ura që lidh shqiptarin me zviceranin ose integrimi i shqiptarëve në shoqërinë zvicerane pa braktisu vlerat që sjellin me vete.

“Po ashtu mendoj se është në interes të shqiptarëve në përgjithësi që të ketë edhe më shumë meshtarë shqiptarë në Zvicër”, thotë Don Marjani dhe na zbulon se së fundi, në famullinë e Usterit, kantoni i Cyrihut, punën e meshtarit e ushtron edhe një shqiptar tjetër. Është fjala për Don David Xhuxhën, priftin e njohur nga Kosova i cili për rreth njëzet vite ka qenë gazetar i Radio Vatikanit, përgjegjës i emisioneve në gjuhën shqipe. Ai prej disa muajsh po shërben në kishën e përmendur dhe punon aty me besimtarët italianë.

 Peripecitë e themelimit të Misionit me tri qendra

“Në Zvicër kam ardhur në janar të vitit 1999, i vetëm, si pasardhës i Dom Aleksandër Kolajt. Kam qenë përgjegjës për shqiptarët e besimit katolik në gjithë Zvicrën. Ka qenë vit i luftës. Në vitin 2000 ka ardhur i dyti, Marjan Demaj. Pastaj kemi parë nevojën për ndarjen në tri pika kështu që kemi bërë riorganizimin e misionit. Në vitin 2002 e kam bërë kërkesën. Me ndihma të shumanshme dhe me mirëkuptimin sidomos të Dr. Peter Platner (kryetar i Landeskriche Thurgau) kemi ndërtuar misionin me tri qendra respektivisht me tre priftërinj dhe tri motra nderi. “Kërkesën tonë drejtuar konferencës Ipeshkvnore  të Zvicrës e patëm argumentuar me faktin se në  Zvicër jetonin rreth 200 mijë shqiptarë prej të cilëve rreth 20 mijë të besimit katolik. Konferenca ipeshkvnore miratonte kërkesën tonë por duke theksuar se i mungonin paratë.

Në vitin 2002 i jam drejtuar kantonit Thurgau. Dr. Peter Platner, më ka thënë se “nëse ata nuk kanë para, ne e bëjmë vetë” dhe na i ka ofruar 100 mijë franga, për ta hapur misionin në këtë kanton. Pasi që në Lucern ishim dy priftërinj shqiptarë, i kam kërkuar ipeshkvit kosovar Imzot Mark Sopit të ndjerë që të na e sjellë këtu edhe një prift. Në janar 2003 kam ardhur në Qendrën e Misionit Katolik Shqiptar në Sirnach.  Pas ardhjes time këtu, Plattner na ka mundësuar që ta përshtatim një sallë industriale në qendër të misionit, ku na e kanë lejuar edhe shtimin e një kapele. Më vonë, me mjete kanë marrë pjese edhe kantonet tjera. Në këtë mision, pra në Misionin për Zvicrën Lindore me seli në Sirnach më së shumti katolikë shqiptare ka St. Galleni, rreth 2700, pastaj vjen Cyrihu me 1400 e Thurgau mbi 1200 etj.

Për fund, Don Marjan Marku shpreh dëshirën që përmes portalit tonë t`u urojë Krishtlindjen dhe Vitin e Ri të gjithë besimtarëve, me këto fjalë: Ju dëshiroj një Krishtlindje të përmbushur me plotë hire nga Krishti i posalindur, ndërsa në Vitin e Ri 2014, shëndet, paqe dhe plot mirësi”.

Blerim Shabani

Valdedeta Mehanja, pilote kosovare në SHBA

26 vjeçarja Valdeta Mehanja vitin e kaluar mori licencën e pilotit nga Administrata Federale e Aviocionit në Shtetet e Bashkuara. Ajo është duke studiuar në Universitetin e Aeronautikës Emry-Riddle në Florida dhe në të njëjtën kohë është instruktore për trejnimin e pilotëve të ardhshëm.

Valdeta thotë në një intervistë për VoA përshkruan rrugën e saj drejt realizimit të ëndrrës për t’u bërë pilote dhe planet e saj për të ardhmen.

Valdete Mehanja, shtetase e Kosovës, thotë se marrja e licencës së pilotit në Shtetet e Bashkuara ishte një ndjenjë e papërshkrueshme dhe inkurajuese për të. Ajo mendohet të jetë shtetasja e parë e Kosovës që pajiset me licencën e pilotit nga Administrata Federale e Aviacionit në SHBA që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.

“Ishte një ndjenjë e papërshkruar. Është një arritje që nuk e kisha menduar. Madje as familja ime nuk ka besuar derisa e mora licencën. Kështu që ishte një ndjenjë shumë e mirë”thotë Valdeta për VoA.

Frymëzimi dhe dëshira për t’u bërë pilote i lindën gjatë kohës kur ajo punonte për qeverinë amerikane në Afganistan. Gjatë punës katër vjeçare në Afganistan, Valdeta Mehanja është marrë me programimin e pajisjeve të komunikimit dhe kompjuterëve për helikopterët.

“Atje kam punuar për katër vite. Nuk kam dashur ta lëshoja punën sepse zemra më rrihte për fluturim. Mandej, kur kam dëgjuar për Universitetin e Aeronautikës Embry-Riddle dhe jam pranuar në këtë shkollë, e kam kuptuar që dua të fluturoj”.

Pas pranimit në Universitetin e Aeoronautikës Embry-Riddle, Valdeta vendosi të investonte të gjitha kursimet që kishte grumbulluar nga puna e saj 6 vjeçare në Afganistan dhe në Irak për marrjen e licencës së pilotes dhe mbulimin e shpenzimeve të shkollës. Ky vendim nuk ishte i lehtë për të sepse përmes punës ajo ka mbështetur financiarisht edhe familjen e saj në Prishtinë.

Ajo thotë se në fillim prindërit kishin hezitime lidhur më këtë ide.

“Prindërit gjithmonë më kanë mbështetur në fund. Normalisht, në fillim kur i tregova se do t’i shfrytëzoja të gjitha kursimet që i kam grumbulluar për gjashtë vite, prindërit reaguan dhe ishin shumë të befasuar”.

Por, ajo thotë se është e kënaqur me investimin që ka bërë.

“Ka qenë një investim i mirë sepse kur mora licencën dhe fillova punën si instruktore, prindërit e mij ishin krenarë. Pra, ishte një investim me vlerë”.

Pas mbarimit të studimeve Valdeta Mehanja do të vazhdojë punën si instruktore dhe do të bëjë më shumë orë fluturimesh për të fituar më shumë eksperiencë si pilote.

“Së pari do të mbaroj studimet, pastaj duhet të qëndrojë një vit për të marrë më shumë eksperiencë sepse për pilotët orët e fluturimit janë shumë të rëndësishme. Puna në rolin e instruktores të ndihmon shumë sepse mund të mbledhësh shumë orë fluturimi. Nëse punon si pilote për avionë komercialë nuk fluturon çdo ditë, kurse në rolin e instruktores unë fluturojë çdo ditë”.

Valdeta Mehanja vitin e ardhshëm do të mbarojë studimet në Universitetin Embry-Riddle në degën e Shkencave të Aeronautikës dhe shpreson që në një të ardhme të afërt të fluturojë në drejtim të Kosovës.

/VOA & Albinfo.ch/

26.10.2012

Shqiptari, pastiçeri më i mirë në Itali

Mario Peqini është vlerësuar  nga “Identità Golose”, guida përvitshme e restoranteve më të mira të Italisë, Evropës dhe Botës që vlerëson kuzhinën dhe pastiçerinë e nivelit më të lartë.

Guida në fjalë jep këtë motivim: “Ka jetuar gjysmën e jetës në Shqipëri, nga ku u largua bashkë me familjen kur ishte vetëm 13 vjeç. Me babanë magazinier dhe nënën rrobaqepëse, me pengesën e parë italishten, ka studiuar me vështirësi  për t’ia dalë mbanë. Në stafin e ‘Il luogo di Aimo e Dania’, krijon ëmbëlsirat në sintoni të plotë me pjata të kripura të ofruara nga restoranti”.

Pas diplomimit si kuzhinier teknolog, ai nuk ka ndalur eksperimentimin në fushën e pastiçerisë.

Fitues i disa çmimeve të rëndësishëm, si ai për krijimin më të mirë të një recete me bazë ujin, pastiçeri shqiptar është vlerësuar për aftësinë e kombinimit të përbërësve të ëmbël dhe të kripur, për përdorimin plot fantazi të elementëve nga më të larmishmit.

Në këtë periudhë krize, veçanërisht në punësimin e të rinjve, Mario është një nga ata djem me fat që jo vetëm ka një punë, por gjen kënaqësi në të, e ka pasionin e vet.

“Në rrugën time kam pasur fatin të takoj gjithnjë persona të drejtë” thotë Peiqini për portalin “Shqiptariiitalise”.

Shqiptari që solli në Gjermani 400 mjekë nga Ballkani

Kërkesa për mjekë në Gjermani është shumë e madhe. Sidomos në vendet rurale dhe në periferi ka mungesë të madhe mjekësh. Këtë gjendje e kanë identifikuar agjencitë për rekrutimin e mjekëve nga jashtë, të cilat po bëjnë biznese të mira në këtë drejtim. Në veçanti në Evropën e lindjes dhe atë të juglindjes.

Qerim Shkreli, i diplomuar në shkencat e sportit, nga viti 2010 udhëheq një agjenci për ndërmjetësim personeli. Shkreli i doktoruar në Heidelberg, ka ndërruar ndërkohë profesionin e tij dhe ndihmon mjekët, dentistët, inxhinierët, fizioterapeutët, farmakologët, infermierët etj. që të nisin një fillim të ri në vendin e ri, në Gjermani. Dhe interesimi është i madh.

Ai thotë se vetëm në aktivitetin e parë informativ të zhvilluar në Tiranë kanë qenë të pranishëm 650 mjekë. Sot, ai përkujdeset për 1200 persona të kësaj kategorie, thotë Shkreli për gazetën Frankenpost. Ata vijnë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Kroacia. Ai i ka ndërmjetësuar deri më tash rreth 400 mjekë në spitale të ndryshme në gjithë Gjermaninë, gjysmën e të cilëve në Bavari.

Thotë se mban kontakte me 30 deri 40 klinika.

Nuk kanë qenë arsyet financiare ato që e kanë shtyrë shqiptarin nga Kosova të hapte agjenturën. Gjatë pushimeve në Shqipëri atij po i rrëfente një mjeke shqiptare me sy që i shkëlqenin nga gëzimi se si ka paguar “vetëm 25 mijë euro” mitë për të zënë një vend pune që ia mundëson specializimin.

“Ajo shprehej e lumtur pasi që, ndryshe, për një gjë të tillë mund të paguante deri në 50 mijë euro”. Diçka e patolerueshme, thotë Shkreli. Nga ai moment ai mori vendimin të ndihmonte mjekët e rinj.

Klientët e tij tashmë marrin një paketë të plotë shërbimesh. Agjencia merr përsipër kryerjen e të gjitha procedurave për pranim në punë, si për lejen profesionale, njohjen e diplomës në mjekësi dhe për lejen e qëndrimit.

Shkreli kujdeset në radhë të parë edhe për strehimin e klientëve të tij dhe për kurset e gjuhës. Ai thotë: “Ata që vijnë përmes meje, janë të aftësuar në njohjen e gjermanishtes, njohin rregullat, ligjet dhe kulturën si dhe janë të gatshëm për të punuar ne mjekësi”. Mësimi i gjermanishtes për të është në maje të prioriteteve.

Shefi i agjencisë ka plane edhe më të mëdha për të ardhmen. Dëshiron të ngrejë një institut gjuhësor, në Stadt Hof, thotë Shkreli. Është duke kërkuar objekte të përshtatshme, zbulon ai. Ato objekte duhet të kenë vend për mbajtjen njëkohësisht të së paku dhjetë kurseve. Këtu klientët e tij do të përmirësonin gjermanishten e tyre në mënyrë të specifikuar.

Dhe ky nuk do të ishte instituti i parë i tij gjuhësor. Në Kosovë dhe në Shqipëri Shkreli tashmë drejton disa akademi të tilla, në të cilat mjekët dhe personeli tjetër mjekësor, pastaj kujdestarët e pleqve dhe inxhinierët, marrin të ashtuquajturën Certifikatë B për gjuhën gjermane. Kusht minimal ky për të gjetur veten në Gjermani.

30.09.2013

Rene Rexhepi, edhe një herë kuzhinieri numër një në botë

Pas një “pauze” të shkurtë njëvjeçare, restoranti “Noma”, pronë e shqiptaro-danezit  Rene Rexhepi (Redzepi) shpallur edhe njëherë më i miri në botë.

“Noma” ka ka udhëhequr listën prej 50  restoranteve më të mirë në botë në vitet 2010, 2011 dhe 2012. Vetëm vitin e kaluar (2013) vendin e të parit atij ia pati marrë restoranti spanjoll “ El Celler de Can Roca”. Ky ndërkaq sivjet ka rënë sërish në vendin e dytë.

Të hënën, në mbrëmjen e ndarjes së çmimit, Rexhepi duke marrë mirënjohjen e ka cilësuar ekipin e tij si “frymëzim”, ndërsa ka pranuar se nuk është tip shumë i përshtatshëm. Ai ka shtuar se ende nuk kanë arritur synimin. “Ka ende shumë zbulime që presin për t`u bërë, shumë receta që duhen shkruar”.

Lista është bërë nga vlerësimet e 900 ekspertëve.

Rene Rexhepi është i biri i një shqiptari nga Tetova dhe i një danezeje. Vitin 2012, me rastin e kremtimit të 100 vjetorit të pavaresisë së Shqipërisë ai pati bërë një vizitë në Tiranë.

Vitin e kaluar “Noma” ishte detyruar të kërkonte falje pasi që një numër mysafirësh kishin pësuar të vjella dhe diarre, shkruan azonline.ch.

Në listën e 50 restoranteve më të mira në botë për vitin 2014 është vetëm një restorant zviceran. Fjala është për restorantin “Schlos Schauenstein” në Füurstenau, i cili është radhitur në vendin 43, duke rënë për një vend më poshtë se vitin e kaluar.

Çmimi “Diaspora 2014” për Fehmi dhe Sara Fetahin

Duke vazhduar traditën e re të çmimit “Diaspora”, këtë vit ai do t`i ndahet çiftit të afaristëve, Fehmi dhe Sarah Fetahi nga Altbüron-i i Lucernit.

Ky çmim i cili fituesve të tij u dorëzohet më 10 maj, ka filluar të ndahet në vitin 2011. Fituesit e tij të deritashëm kanë qenë: ish presidentja e Zvicrës Micheline Calmy Rey, (2011), futbollisti Xherdan Shaqiri (2012) dhe deputeti nacional e veprimtari i njohur zviceran Ueli Leuenberger (2013.

“Duke u përcaktuar për çiftin Fetahi, është pasur parasysh plotësimi i spektrit të ftuesve të deritashëm edhe me sferën e biznesit gjegjësisht ekonomisë. Deri tash i kemi pasur dy politikanë dhe një futbollist të shquar, tash i kemi edhe dy  njerëz të njohur nga ekonomia. Por, më shumë se kaq, ata janë njëherësh edhe sinonim i integrimit të shqiptarëve në Zvicër”, shprehet ambasadori i Kosovës në Bernë, Naim Malaj, bartës i aktivitetit të ndarjes së çmimit “Diaspora”.

Sipas tij, këtë herë çmimi ndahet në vendin ku çifti Fetahu ka arritur atë për çka është bërë i njohur: në selinë e ndërmarrjes që është ngritur dhe udhëhiqet prej tyre “Fetaxid”, në Altbüron.

Pos ambasadorit dhe stafit tjetër diplomatik, në solemnitetin e ndarjes së çmimit do të jetë i pranishëm edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike Zvicër-Kosovë Stefan Sarkany etj.

Për të ftuarit do të këndojë edhe këngëtarja e njohur shqiptare-zvicerane e xhazit, Elina Duni.

Pos për afarizmin e tyre të suksesshëm të zhvilluar në Zvicër dhe në Kosovë Fehmiu dhe Sara janë të njohur edhe për humanizmin e tyre të treguar në vepër. Siç është e njohur tashmë nga opinioni, ata në shumë aksione humanitare në Kosovë kanë marrë pjesë aktive duke dhënë me zemërgjerësi donacionet e tyre.

Prej disa vitesh në komunën e Gjilanit vepron kompleksi turistik rekreativ “Vali Ranch”, që është investim i çiftit Fetahu. Ky kompleks është bërë një tregues për shfrytëzimin e suksesshëm të resurseve turistike dhe ngritjen e vlerës së një regjioni.

Autore e veprës skulpturale të çmimit të Diasporës është arkitektja nga Berna, Shpëtime Kamberi.

 

Shqiptarja, cicerone në Winterthur

Albulena Kqiku–Cakolli u shpjegon turistëve për vendet më të bukura të Winterturit

Albulenën e takoni në zyrën e Turizmit në Winterthur

“Mirë se vini në Vintertur”, kjo nuk është thjesht një frazë. Kjo është puna e 20-vjeçares me të huaj në Wintertur, që turistët nga fillimi të ndihen rehat.

“Ne jemi gjithmonë në dispozicion për mysafirët e huaj dhe të gatshëm t’i këshillojmë dhe t’iu përgjigjemi pyetjeve të tyre me kompetencë të plotë. Kërkon dikush një dhomë hoteli, apo dëshiron të dijë më shumë për ofertat e gastronomisë së Winterturit, unë i këshilloj mysafirët për akomodim sa më të mirë dhe përpiqem t’ua plotësoj secilën kërkesë që ata kanë nevojë”, thotë Cakolli.

Është italian, menjëherë e dërgoj diku në një restorant indian apo një pub, ku mund të kaloni me një çmim të volitshëm.

Shijet janë sigurisht të ndryshme. E njëjta gjë vlen edhe për ndonjë monument, për teatër, apo për ndonjë ngjarje të caktuar. Albulena duhet t’i tregojë se ku bëhen shfaqjet teatrale, muzika, festivalet apo ndonjë koncert që mbahen jashtë në mot të mirë.

Te zyra e turizmit ku punon Albulena njerëzit kërkojnë të dinë për mundësitë e shëtitjeve dhe ku mund të bëjnë shoping.

“Për të gjitha dhe rreth gjithçkaje unë si konsulente duhet ta di”, tha Albulena.

Winterthur është qyteti  i preferuar i Albulenës

“Unë gjithmonë them, nëse ju zbarkoni në Cyrih, atëherë vazhdoni menjëherë në Winterthur. Prandaj, nuk është e vështirë për mua, mysafirët qytetin tonë e kanë për zemër më të gjitha virtytet e saj. Si cicerone për vizitorë, unë përkujdesem për ta, që kur ata vijnë në zyrën time të rezervojnë ndonjë dhomë hoteli apo dëshirojnë të rezervojnë një biletë koncerti”, tha për albinfo.ch, Albulena Kqiku-Cakolli.

Për punën që e bën Albulena nevojitet një arsim solid, natyrisht më së miri do të ishte në fushën e turizmit dhe gjithashtu njohja e mirë e gjuhëve.

“Personalisht flas shumë mirë gjermanisht, anglisht, frëngjisht, shqip dhe pakëz italisht. Për këtë, duhet të informoheni gjithnjë rreth Winterthurit. Kështu çdo ditë mëson diçka të re. Kjo e bën profesionin tim më të vërtetë emocionues. E rëndësishme gjithashtu është që ju të jeni elastik. Ndonjëherë është edhe për ne shumë stresuese, veçanërisht kur presin para zyrës shumë njerëz dhe duan të dinë për çdo gjë. Për një profil të këtij profesioni kërkohet të jesh i kuptueshëm, me pamje natyrore dhe me sjellje të mirë. Në fakt, ne jemi si një “letërnjoftim” i qytetit”, tregon për punën e saj Albulena.

Fillimisht 20-vjeçarja ka kryer shkollimin për tregti, e më vonë ka kaluar në turizëm të Winterthurit.

Albulena me prejardhje është nga Kosova, por e rritur në Zvicër, ndërsa prindërit e saj jetojnë për më shumë se 30 vjet këtu.

“Në kohën e lirë merrem me grupin e teatrit në shkollën e biznesit KV në Winterthur, ndërsa gjithashtu jam edhe udhëheqëse e grupit të vallëzimit në klubin kulturor “Dardania”. Po ashtu, së bashku me babanë tim një herë në muaj e kemi një emision në “Radio Stadtfilter”, tha Albulena.

Më këtë Albulena thotë se po ndërtojmë një urë në mes të Zvicrës dhe shqiptarëve.

Megjithatë 20-vjeçarja ka një ëndërr tjetër që të bëhet mësuese.

Ajo do të largohet në fund të këtij viti nga zyra e turizmit në Winterthur për të vazhduar shkollimin për mësuese.

A.GJ

Sylë Peci, shqiptari që kultivon barishtat dhe u këndon atyre

Hapësira prej 5000 metrash katrorë me katër kopshte me xhama kundërmon nga borziloku i freskët, menta dhe barishtat tjera

 

Sylë Peci (Sula Peci), shqiptari 52 vjeçar nga Kosova, i cili prej shumë vitesh jeton në Wesel të Gjermanisë është një kultivues i pasionuar i barishteve. Gjithçka ka filluar si fëmijë kur ai në një kuti konserve kishte mbjellë bimën e parë të timjanit. Ndërsa sot ai ofron mbi 1200 rrënjë bimësh mjekësore dhe barishtesh tjera.

 

“Mbretërinë” e tij të barishteve Syla e ka ngritur para më shumë se 20 vitesh në Wesel. “Këtu ndodhej më parë një kopsht perimesh. Unë dëshiroja të bëja diçka tjetër  dhe fillova të eksperimentoj me barishte”. Hapësira prej 5000 metrash katrorë me katër kopshte me xhama kundërmon nga borziloku i freskët, menta dhe barishtat tjera. Ndërkaq, Syla ofron edhe bimë tjera. “Unë mund të ju siguroj çdo gjë që ka rrënjë dhe që është legale”, thotë ai me të qeshur.
Ajo që e gëzon në mënyrë të veçantë kosovarin është fakti se gjithnjë më shumë të rinj interesohen për barishte. Ata kanë kënaqësi të ziejnë gjellëra të shëndetshme prandaj vijnë të këshillohen nga unë”.
Te Syla është adresa më e mirë edhe për ata që i pëlqejnë specat djegës. Ai ka tashmë rreth 40 lloje të specit dhe të chilit nga e gjithë bota, shumë prej të cilëve i ka shartuar vetë. “Total-Paprika” e ka emërtuar një lloj të tillë speci, duke iu referuar një emsioni të popullarizuar humoristik të televizionit pro7 “Tv Total”. “Në shije është djegës por po ashtu i këndshëm dhe i ëmbël, ashtu sikurse  emisioni i Stefan Raab-it”.

Peci i do aq shumë barishtet e tij sa që edhe u ka kushtuar këngë atyre. Në internet tashmë po e bën xhiron kënga e tij “Kräuterballade” (Balada e barishteve).
http://www.youtube.com/watch?v=kIR2E_Vsvqs

Valmiri, Kampion Evropian i gipserëve

Lajmin e ka bërë të ditur për albinfo.ch  vetë Valmiri, i cili sapo është kthyer me dy medalje të arta nga Franca.

”Është ndjenjë e mirë të jesh fitues në një garë ndërkombëtare sikur kjo në Francë. Për mua është një eksperiencë e mirë dhe nuk do ta harroj kurrë”, tha për albinfo.ch Dobruna.

Ai ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur në këtë garë evropiane.

Kosovari, duke përfaqësuar Gjermaninë në kampionatin evropian të stukatorëve në Lille të Francës, ka marrë më së shumti pikë në një konkurrencë të fortë  me 7 vendet e Evropës.

Valmiri ka  vetëm një vit që po bën punën e stukatorit, gipserit, në Gjermani.

Tashmë shqiptari me origjinë nga Kosova është numër 1 edhe në Gjermani, ngase ka marrë medaljen e artë “Best of Nation” në këtë profesion.

Përgatitjet për këtë garë ndërkombëtare të zanateve „Euro Skills” në Francë i kanë marrë shumë kohë Valmirit dhe kolegut të tij gjerman, Marc Armbrüster.

Sukseset e Valmirit janë mburrje për firmën dhe një lloj letërnjoftimi për nivelin e saj.

Me suksesin e tij në këtë profesion, Valmir Dobruna është bërë shembull edhe për të rinjtë që zakonisht hezitojnë të orientohen në profesione të tilla.

Ai ka thënë se me fitoren në Francë ka marrë edhe më shumë motivacion për të vazhduar punën si gipser në Gjermani. Valmiri po vijon shkollën për mjeshtër stukator.or.

Albana Krasniqi Malaj

Vendlindja : Tiranë

Qyteti ku jeton në Zvicër: Gjenevë

 

Profili

Përkthyese juridike pranë Kancelarisë së shtetit, Gjenevë, 1995- vazhdim.
Trajnuese për të rritur, SJAC-Onex,2001.
Trajnuese eksperte –  OSAR, 2008.
Konsulente prindërore, shërbimi mediko-pedagogjik/ GE,  2001 – prill 2008.
Përkthyese eksperte pranë Zyrës Federale për refugjatë, Be, Ge, FR;  1993-  2004.
Mësimdhënëse në ciklin e orientimit /GE,  1996 – 2001Çmime-vlerësime-botime.
Presidente e  Alternative Médiation,Carouge,  2008-2010.
Anëtare e rrethit letrar Ecrire/Genève, 1996-2000.
Anëtare, eksperte në fushën e migracionit dhe e lidhjes prindërore, Cieli. Apperti/Firence-Itali/2001.
Bashkëpunëtore e zyrës së informimit tëKosovës/Ge 1993.

 

Çmime-vlerësime-botime

Kuçedra dhe e bukura e dheut, përrallë shqip-frengjisht,  Genève 1994
Regard d’enfant en exil, Croix-Rouge, Genève, 1999.

 

Përvojat në lidhje me mergimin/Ballkanin

Të gjitha përvojat profesionale janë të lidhura me fushën e migracionit (ballkanik  e më gjerë).

 

Integrimi/zhvillimi: cilat janë prioritetet?

Një integrim më i mirë në fushën socio-profesionale në Zvicër dhe një organizim më i mirë i potencialeve me pikësynim investimin dhe transferimin e kompetencave dhe të dijes drejt vendeve të origjinës. 

 

Kontakt

Université Populaire Albanaise
112, rue de Lyon
CP 593
1211 Genève 13
076 500 29 34
www.upa.ch

Sanije Sopa

Vendlindja : Shtime-Kosovë

Qyteti ku jetoni në Zvicër : Lausanne Profili

Koordinatore e shërbimit “Intermedia” pranë Appartenances -1997 deri  më sot

Mësimdhënësepër përkthyesit dhe profesionelët që punojnë me përkthyes 1997 deri më sot

Mësimdhënëse në kuadër të shkollës zvicerjane 1999-2004 për disa mandate

Mësimdhënëse e mësimit plotësues pranë LAPSH-it në Morges  dhe Lausanne 1994-1996

Përkthyese pranë shoqatës “Appartenances”1993 deri më sot

Shitëse “e parë” në shitoren “ABM” 1989-1992

Kam punuar në një lulishte “Superfleur” 1985-1989

Çmime-vlerësime-botime

Trois cents Albanaises allument des bougies pour attiser l’espoir “24 Heures” 11.03.1998 Lausanne, faqe 35;

Ecole: la rentrée avant la sortie “dimanche .ch” 09.04.2000 faqe 40;

Sourire dans la souffrance ” Lausanne Cites” 13.12.2001 faqe 3;

Les interprètes, des constructeurs de ponts indisponables ” 24 Heures” 26.04.2007 faqe 32 ;

Des interprètes pour ouvrir l’accès au soins “Planète UNIL” Lausanne, faqe 14-15  24 mai – 27 juin 2010;

Passeurs de mots, passeurs de monde ” Le temps”, Lausanne,  27.09.2010 faqe 30.

Përvojat në lidhje me mergimin/BallkaninSanije Sopa është themeluese dhe kryetare e  “Shoqatës së femrës shqiptare në Lozanë dhe rrethinë” 1997-1999. Ajo është anëtare e shoqatës “Appartenances” prej vitit 1993. Eshtë bashkëthemeluese dhe anëtare e shoqatës së përkthyesve “Interpret” të Zvicrrës prej vitit 1999.

Ajo është  në kontakt të vazhdueshëm me komunitetin shqiptar si dhe me strukturat e fushës së shëndetësis, arsimit dhe shërbimet sociale të Kantonit të Vaud-it.

Integrimi/zhvillimi : cilat janë prioritetet?

Arsimimi i gjeneratave të reja në gjuhën dhe kulturën shqiptare; T’i paraqesim sa më denjësisht vlerat tona kulturore, si dhe t’i intensifikojmë këmbimet e këtyre vlerave me strukturat zvicerjane.

Përfaqësimi më i madhë i femrës shqiptare në jetën politike dhe shoqërore. Krijimi i qendrave kulturore, është më se e domosdoshme.

Kontakt

Association APPARTENANCESRue Terreaux 101003 Lausanne+41 (0)21 341 12 47[email protected]www.appartenances.ch

Sarah Barbara Gretler

Vendlindja : Zürich

Qyteti ku jeton në Zvicër: Zürich 

 

Profili

Përkthyese e pavarur në gjuhët: gjermanisht, shqip dhe frëngjisht, ndër të tjera pranë autoriteteve të drejtësisë dhe institucioneve sociale., nga viti 1986.
Këshilltare për persona me gjuhë amtare të huaj dhe/apo me prejardhje të huaj, në Fachstelle Migration Zug, nga viti 2004.
IBashkëthemeluese dhe udhëheqëse e vendtakimit për gra shqiptare “Foleja” në Cyrih në vitin 2003.
Nga viti 2008 merr pjesë në kryesinë e Shoqatës së Përkthyesve Gjyqësorë të Kantonit të Cyrihut (VZGDÜ).
Prej themelimit, në tetor të vitit 2009, është kryetare e shoqatës albinfo.ch.

 

 

Çmime-vlerësime-botime

Kosova-Schweiz. Die albanische Arbeits- und Asylmigration zwischen Kosovo und der Schweiz (1964-2000). LIT-Verlag, Münster, 2008, 616 faqe, ISBN 978-3-03735-250-2 (publikuar bashkë me Hans-Peter von Aarburg).

Die Albaner in Jugoslawien. Informationen für Hilfswerksvertreterinnen und -vertreter. Schweizerische Flüchtlingshilfe, 1990, rreth 200 faqe (publikuar bashkë me Mahmud Ibrahimin).

Die verbale Kategorie Evidenz im Albanischen und im Türkischen. Punim për marrjen e diplomës pranë Universitetit të Cyrihut, 1987. Arbeiten des Seminars für Allgemeine Sprachwissenschaft (ASAS), 105 faqe, ISBN-10: 3952101001, ISBN-13: 978-3952101001. 

 

Përvojat në lidhje me mergimin/Ballkanin

Falë lidhjeve private dhe profesionale, nga viti 1978 në kontakt të ngushtë me punëtorë shqiptarë dhe më vonë me të ikurit politikë që kanë mërguar nga Kosova dhe Maqedonia (në përgjithësi nga Jugosllavia e atëherëshme).
Mendime dhe nga një herë publikime në lidhje me mërgimin, me përceptimin e popullsisë shqiptare në Zvicër dhe me qëndrime të pjesëve të ndryshme të shoqërisë zvicerane ndaj asaj.

 

Integrimi/zhvillimi : cilat janë prioritetet?

 

Të merret me lidhjet mes edukimit të fëmijëve, punës me rrogë dhe të ashtuquajturës kohë të lirë. Shumë pjesëtarë të popullsisë me prejardhje shqiptare, në këta lëmenj i janë ekspozuar ndryshimeve jashtëzakonisht radikale; por në anën tjetër ato kanë, për shëmbull nëpërmjet traditës së tyre kolektiviste, mundësi për të përfshirë koncepte shumë interesante në diskursin publik përkatës. 

 

Kontakt

Sarah Barbara Gretler
Hofwiesenstrasse 82
8057 Zürich
044 364 56 06
077 441 91 06
[email protected]