Durim Berisha medalja e artë e “Schaffhausen Open 2014”

Garuesi më i suksesshëm i Taekwondo-së në Kosovë, Durim Berisha ka mahnitur publikun zviceran në garën “Schaffhausen Open 2014” që u mbajt në Zvicër, duke rrëmbyer medaljen e artë në kategorinë 80 kilogram. Berisha është anëtari i Reprezentacionit të Kosovës në Taekwondo.

Ndonëse i harruar nga institucionet e Kosovës, Berisha për të disten herë ka shkëlqyer nga garat ndërkombëtare të Taekwondos.

Sipas një njoftimi që lëshoi Zyra për media e Federatës së Taekwondos në Kosovë, kësaj herë Berisha e përfaqësoi Kosovën me vetëfinancim, pasi që institucionet e Kosovës nuk po e financojnë këtë sport.

Sipas FTK-së, kjo është hera e katërt brenda pesë muajve, që Berisha e justifikon me medalje pjesëmarrjen e tij në evenimentet ndërkombëtare. Kësaj here në “Schaffhausen Open 2014” të Zvicrës, në kategorinë 80 Kg, Durim Berisha, sipas FTK-së, e fitoi medaljen e artë.

“Pas kampit 3 javor stërvitor i cili u organizua nga Federata e Taekwondo-së të Kosovës në Prishtinë ai u paraqit në Zvicër. Në finale mposhti kampionin aktual të Gjermanisë Ewald Glessmann në një finale dramatike e cila përfundoj me rezultat 27:23”, thuhet në njoftim.

Sipas FTK-së, kjo është ndër sukseset më të mëdha për Federatën e Taekwondo-së të Kosovës, pasi po “dëshmohet se puna e stafit teknik të kësaj Federate po sjellë fryte të vazhdueshme, ndonëse kushtet në të cilat po punohet nuk plotësojnë as kushtet minimale për të shpresuar në rezultate të tilla”.

Janë 4 medalje ndërkombëtare në 4 muajt e fundit, thuhet në deklaratë.

Kampionia botërore, pa pagë dhe pa shtëpi

Në të gjitha shtetet e Evropës, sportistët që bëhen kampionë botëror nderohen nga shteti, madje atyre u sigurohet edhe pension edhe banesë. Në Shqipëri, ndërkaq ka ndodhur e kundërta. Kampionia shqiptare e peshëngritjes jeton në kushte të renda ekonomike, pa shtëpi, pa pagë mujore madje as pa sigurim shëndetësor.

Kjo quhet Romela Begaj, e lindur më 2 nëntor 1986, vajza kampione e cila është sportistja e dytë në gjithë historinë, pas Ilir Sulit, që ia ka sjellë Shqipërisë medaljen botore të peshëngritjes. Është femra e vetme që përfaqëson denjësisht Shqipërinë në aktivitetet ndërkombëtare të shtangës.

Romela e ka një jetë të vështirë, krejtësisht ndryshe prej kampioneve të shteteve tjera të botës. Ajo nuk ka as shtëpi, nuk merr as pagë mujore, por nuk ka as sigurim shëndetësor, derisa lëndimet që i pëson, ato mezi i trajton nga xhepi i saj.

“Unë kam kohë që kurohem nga një lëndim. Dhe ka qenë një kohë plot me sakrifica si për mua, ashtu edhe për familjen time që po më ndihmon, madje edhe financiarisht. Pak përpara Evropianit, e kam kuruar gjurin në Greqi. Dhe të gjitha shpenzimet i kam përballuar vetë, me shumë ndihmë nga familja dhe miq që vërtet janë të çmuar për mua”, shprehet ajo.

Të gjitha kontrollet mjekësore, sipas saj, janë mbuluar financiarisht nga familjarët e saj.

“Mjekimin do ta vazhdoj dhe kam përshtypjen se shpenzimet sërish më duhet t’i mbuloj vetë. Kështu që është e vështirë të besoj se dikush do të më ndihmojë”, ka thënë Begaj, sipas të cilës, deri më tani asnjë institucion shqiptar nuk e ka kontaktuar për ta pyetur nëse është më mirë nga lëndimi.

Ajo poa ashtu thotë se nuk ka as shtëpi.

“Jam një kampione, një nga ato që kam ngritur flamurin shqiptar, dhe sot jam pa shtëpi, pa rrogë, pa punë dhe pa sigurim shëndetësor. Sigurimi është shumë i rëndësishëm për një sportist, e për më tepër për një femër sportiste. Jam femër dhe e vetmja që e përfaqësoj Shqipërinë dhe e ndiej veten keq moralisht për situatën në të cilën ndodhem”, ka theksuar ajo.

Pavarësisht kushteve të rënda që po e preokupojnë, Begaj thotë se do të vazhdojë të merret edhe në të ardhmen me peshëngritje.

“Unë dua të lë gjurmë në këtë jetë. Përpos të gjitha vështirësive unë refuzoj të dorëzohem. Dua të shpërndaj kulturën time, të përfaqësoj vendin tim dhe t’i prezantoj gjithë botës traditat e mia. Më vjen mirë që të gjithë konkurrentët, nga e gjithë bota, në fund të një gare vijnë të më përshëndesin.“Bravo Romela”, shprehet ajo.

Artani dhe Arbeni nga Zvicra, medalje të arta në Kosovë

Në Kampionatin botëror të sportit të karatesë, të mbajtur për herë të parë në Prishtinë prej 4-6 prill 2014, karateistët e Juras Artan dhe Arben Pjetraj fituan tri medalje të arta. Vëllezërit Pjetraj kanë qenë garues të ekipit zviceran (Switzerlant Karate Team). Artani garoi në kategorinë e 12-14 vjeçareve, fitues i medaljes së artë në kata.

Ndërsa Arbeni garoi në kategorinë 10-12 vjeçarëve, fitues i katër medalje: dy të arta, një të agjentë dhe një të bronzit. Medaljet e arta të fituara në Prishtinë paraqesin një mirënjohje për klubin sportiv në Porrentruy aty ku ata u përgatitën për garë, dhe arritën kulmin e sukseseve të tyre të sivjetshme. Me ketë arritje të mrekullueshme ata dy arritën të bëhen kampionë botërorë duke përfaqësuar Zvicrën në federatën ndërkombëtare të karatesë WSKU.

Nxënësit Artani dhe Arbeni stilin e sportit e karatesë e kanë dashuri të madhe por jo të vetmen. Artani në nivelin e mjeshtërisë mban brezin ngjyrë kafe d.m.th.të tretin dhe Arbeni mbanë brezin ngjyrë kafe të dytin. Krahas këtij arti ata më me përkushtim të madh i kanë mësimet. Janë të shkëlqyer në shkollën zvicerane dhe po ashtu në shkollën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe.

Me t’u kthyer nga kampionati midis shokëve dhe shoqeve të tyre të shkollës, tek bisedonin dhe qeshnin me atë çiltërsi që e gjen vetëm tek fëmijët, i pyes: si keni kaluar në Kosovë? Moment i paharrueshëm mbetet fitorja në Prishtinë. Deri me tani kanë marrë pjesë kryesisht në gara rajonale, federale dhe në dy kampionate botërore (vitin e kaluar në Japoni kanë zënë vendin e katërt)dhe këtë vit në Kosovë arritën mjaft suksese.

Kjo është vetëm një faqe e biografisë sportive të karateistëve Artan dhe Arben Pjetraj. Faqet e tjera, urojmë edhe më të arritshme se kjo, do të shkruhen në të ardhmen.

Nexhmije Mehmetaj

Fidan Aliti, preshevari i skuadrës Kuq e Zi

“Raiffeisen Super League” është liga më e fortë dhe më cilësore në Zvicër, prandaj pak kush ka besuar që preshevari Aliti, kaq shpejt mund të bëhet shtyllë kyçe e mbrojtjes së Luzernit.

Fidani shtatgjatë në radhët e Luzern-it erdhi  nga skuadra “Basel Sport Club Old Boys” që zhvillon gara në “Premiere League Promotion” një Ligë kjo dy-tre shkallë më ultë dhe dukshëm më e dobët se Liga,ku  luan tani Fidan Aliti.

Aliti i vetëdijshëm se vetëm me punë mund të arrihet suksesi u tregua i përpiktë në ushtrime, gjë të cilën e diktoi argjentinasi Carlos Bernegger trajner i Luzernit, dhe menjëherë e aktivizoi në njëmbëdhjetëshin e parë. Aliti plot vullnet dhe mjaft energjik që në debutimin e parë në fanellën e Luzernit ka shkëlqyer duke kënaqur të gjithë sportdashësit e klubit të tij të ri.

Preshevari Aliti dallohet edhe me krosimet e tij te bukura . Ai përveç evitimit të rrezikut para portës së Luzernit, shpeshherë e furnizon me topa edhe sulmin. Falë lojës së bukur të Fidanit dhe të bashkë lojtarëve  të tij FC Luzerni aktualisht është  pozicionuar në vendin e katërt me 51 pikë të tubuara.
Mediet e këtushme qofshin vizive apo të shkruara e veçanërisht ato të sportit duke parë lojën e shkëlqyer të Alitit, dhe top formën e tij po e vërshojnë atë, duke e vendosur në ballinat e tyre.

Duhet theksuar se në këtë Klub të Zvicrës, gjermanishtfolëse luajnë edhe tre bashkëkombës të Fidanit. E, ata janë: Jahmir Hyka, Hekuran Kryeziu dhe Haxhi Neziraj.

Përzgjedhësi i kombëtares së Shqipërisë, Gianni De Biasi, e ka nuhatur shpejt formën e mrekullueshme të Fidan Alitit, dhe me të drejtë e ka orientuar busullën nga ai për ta inkuadruar në skuadrën përfaqësuese të Shqipërisë.

Arif Ejupi

Nikçi huazohet në Young Boys të Bernës

Adrian Nikçi, ish lojtar i përfaqësueses U21 të Zvicrës, në sezonin e kaluar ishte huazuar për një vit nga Hannoveri i Bundesligës gjermane në FC Thun të superligës së Zvicrës. Por, ndërkohë merret vesh se Nikçi edhe këtë vit do të “dimërojë” në Zvicër. Kësaj here ai do ta ndërrojë klubin, gjegjësisht do të luajë për FC Young Boys, duke mbetur në kantonin e njëjtë, Bernë.

Sa ka qëndruar në FC Thun, 24 vjeçari nga Cyrihu ka luajtur në 16 ndeshje dhe ka shënuar 3 gola.

Në FC Young Boys Nikçi do të zëvendësojë Matas Vitkieviz-in e lënduar, i cili nuk do të jetë në gjendje të luajë më gjatë tërë vitit 2014.

Adriani do të paraqitet nesër në stërvitje me ekipin e tij të ri, në Bernë.

Shkodran Mustafi bëhet shqiptari i parë kampion bote

Me 23 djemtë e tjerë të Joachim Low, edhe shqiptari me origjinë nga Gostivari i Maqedonisë ka parakaluar në tribunën e stadiumit “Maracana” në mbrëmjen e madhe finale të Rio de Janeiros.

Shkodran Mustafi po bëhet shqiptari i parë që ngjitet në majën e botës në futboll.

Por, futbollisti shqiptar nuk kishte edhe shumë fat në garën më të madhe të futbollit në botë.

Ai ishte në bankën rezervë në ndeshjen finale dhe ato në çerekfinale e gjysmëfinale për shkak të një lëndimi që pësoi në ndeshjen kundër Algjerisë.

Paraqitjet e Mustafit janë vlerësuar mjaft të mira në ndeshjet që i zhvilloi me Gjermaninë.

Shkodran Mustafi ishte shqiptari i shtatë në botërorin „Brazili 2014“.

Ai bashkë me pesë shqiptarët që luajtën për Zvicrën, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Granit Xhaka, Admir Mehmedi e Blerim Xhemajli, si dhe Adnan Januzaj për Belgjikën kanë regjistruar numrin më të madh të shqiptarëve që kanë marrë pjesë në një kampionat të futbollit.

Mustafi ka lindur më 17 prill 1992 në Bad Hersfeld të Gjermanisë, në një familje shqiptare, me origjinë nga Gostivari i Maqedonisë. Ai është rritur në akademitë e skuadrave amatore të FV Bebra dhe SV Rotenburg, para se të kalonte te Hamburgu. Por në 2009-ën Shkodran Mustafi u pikas nga vëzhguesit e Evertonit, të cilët e afruan fillimisht te skuadra e të rinjve dhe më pas edhe në skuadrën e parë. Mirëpo, këtu nuk pati mundësi aktivizimi, ndaj në 2012-ën pranoi ofertën e Sampdorias, duke u bërë dalëngadalë një lojtar i formacionit titullar. Ndërkohë kujtojmë se ai është aktivizuar rregullisht me të gjitha kombëtaret e moshave të Gjermanisë, duke filluar që nga U-16, U-17, U-18, U-19, U- 20 dhe U-21.

Futbollisti shqiptar i shpëton jetën kolegut të tij të ri

Një përplasje e dy futbollisteve të rinj në një turne futbolli në Wels të Austrisë  ka mundur të merrte përfundim fatal për të riun shqiptar nga Maqedonia Zubeir Neziri, i cili luan për skuadrën U-17 të kombëtares së Maqedonisë. Ai po merrte pjesë në turneun “Upper Austria Cup” në stadiumin e futbollit të WSC Hertha, në Wels. Ndeshja u ndërpre në minutën e 20 kur Maqedonia po udhëhiqte me rezultat 1:0 ndaj skuadrës LASK.Nga goditja e paqëllimshme me gju në kokë e lojtarit të skuadrës tjetër, Zubeiri u rrëzua dhe nuk po tregonte shenja jete. Kjo shqetësoi të gjithë të pranishmit, edhe ish futbollistin profesionist  Emin Sulimanin, i cili ka luajtur për SV-Ried, Austria Wien. LASK dhe Admira Müodling. Ai dhe disa të tjerë, për fat reaguan në mënyrë spontane dhe të mençur.“Unë e pata menjëherë të qartë se djaloshi nuk mund të merrte frymë dhe ndodhej në rrezik akut për jetën”, tregon Emini. Pastaj ai së bashku me miq dhe të afërm u kujdes për Zubeirin që kishte humbur vetëdijen, deri sa erdhi mjeku i emergjencës.

“Mehmet Aliji ia ka hapur gojën ndërsa unë ia kam nxjerrë gjuhën jashtë, duke ia çliruar kështu rrugët e frymëmarrjes”, thotë ai. Si pasojë e tronditjes së trurit dhe humbjes së vetëdijes, të riut 17 vjeçar i kishte rrëshqitur gjuha drejt fytit.

Situata ishte dramatike, para së gjithash për faktin se në të njëjtë kohë edhe një i ri tjetër, 16 vjeç, koleg i Nezirit, mbase nga shqetësimi, po përjetonte një tronditje dhe po e humbte vetëdijen, tregon Sulimani.

Kur më në fund mjeku erdhi, gjendja e Nezirit, falë përkujdesjes profesionale, ishte përmirësuar deri diku. “Atë pastaj e transportuan me helikopter në klinikën e Welsit ndërsa të riun tjetër e kanë dërguar në spital me makinën e Kryqit të Kuq”, shkruan nachrichten. at.

Ngjarja ka ndodhur të mërkurën ndërsa të enjten Sulimani bashkë me ndihmësit tjerë u  kanë bërë të dyve një vizitë në spital. “Ata ndërkohë e kanë kaluar më të keqen dhe janë shprehur shumë të gëzuar që na shihnin. Ndërkohë janë liruar edhe nga spitali dhe janë në gjendje të mirë.
16.07.2014

Shemsi Beqiri, bartës i mazhit të kompanisë “Boxer des Rues”

Thai boksieri i njohur shqiptar i Zvicrës, Shemsi Beqiri, kampion i shumëfishtë botëror qe bërë edhe më i njohur si “Trajner personal” i Carlos-it, një të riu me prejardhje latinaomerikane, të dënuar të shumëfishtë. Si masë për risocializimin e tij, autoritetet e burgut i kishin paguar Carlos-it trajnerin personal, banesën luksoze etj. duke shkaktuar kështu kritika nga të gjitha anët.

Më vonë, pas presionit të opinionit, ky trajtim luksoz u ndërpre. Por, Shemsi Beqiri sidoqoftë ia ka parë hairin gjithë kësaj. Labeli italian i veshjeve sportive “Boxer des Rues” e ka shpallur Shemsiun bartës ë imazhit të tij dhe madje ka xhiruar një videoklip me të, gjatë ushtrimeve. Klipi i cili është xhiruar në Holandë dhe në Bazel, emetohet në faqen e facebook-ut të kompanisë në fjalë dhe në ekranet e shitoreve të saj, shkruan 20min.ch. Po ashtu shqiptari 28 vjeçar nga Kosova shihet në të gjithë katalogët e Boxeur des Rues.

Është shumë e mundur që kompanisë “Boxeur des Rues” t`i kem rënë në sy falë prezencës sime në medie, në lidhje me rastin Carlos. Por në radhë të parë ata kanë pasur potencialin tim si sportist”, thotë Beqiri. Ai i gëzohet shumë këtij sponsorimi. “Nuk kam pasur kurrë deri më tash një sponsor kaq të madh dhe interesant nga ana financiare”, thotë ai.

Shemsi Beqiri ka lidhur një kontratë trevjeçare, e cila i sjell atij një shumë gjashtëshifrore. Veç që është boksieri i parë zviceran që ka lidhur kontratë me Boxer des Rues, ai ndodhet në një shoqëri të mirë aty: Mjafton të thuhet se Mike Tyson ka qenë më parë bartës i imazhit të kompanisë së përmendur.

Ndër obligimet që dalin nga kjo kontratë është që Beqiri në veshjet e tij sportive të bartë shenjën e Boxeur des Rues.

Sinan Bytyqi

Andreas Heraf, menaxher i ekipit U-19 të ekipit të kombëtares së Austrisë, flet për talentin nga Kosova, Sinan Bytyqi.

“Ai posedon një entuziazëm të pazakontë. Këto ditë Bytyqi është shumë i nevojshëm për U-19 në Kampionatit evropian në Hungari”, tha Heraf.

Bytyqi kishte shënuar gol në fitoren 3:0 që austriakët e rinj e shënuan në takimin kundër Hungarisë U19, duke qenë një nga lojtarët më të mirë në fushë. Ai ka lënë të kuptohet se nuk do ta lërë Austrinë për Kosovën.

“Gjaku im është kosovar, por unë e kam shqiponjën në gjoks”, tha Bytyqi për mediat austriake, duke menduar për shqiponjën tradicionale të austriakëve.

Bytyqi u rrit në Klagenfurt dhe talentin e tij e ka treguar me FC Kärnten. Që nga prill 2012 ai kishte veshur fanellën e Manchester City.

Milan, Juventus, Bremen janë bindur me cilësitë e të riut nga Kosova.

Sinan Bytyqi ka lindur më 15 janar 1995 në Prizren të Kosovës. Nga mosha 13 vjeçe është zbuluar nga Manchester City dhe ka nënshkruar kontratën deri në vitin 2015.

Me ekipin kombëtar U-19 të Austrisë Bytyqi aktualisht është duke luajtur në finalet e Kampionatit evropian në Hungari.

Sot është radha e Naimit –ekzoti i vetëm kundër 119 zviceranëve?

Gara e madhe e mundjës zvicerane e njohur si „Schwingen“ do të mbahet nesër, te dielën, në Schwägalp të kantonit Appenzell. Në mesin e dhjetëra zviceranëve që do të luftojnë për kurorë, është edhe i riu me prejardhje shqiptare, Naim Fejzaj.

Ai tashmë ka bërë emër në mbarë Zvicrën si një ekzot i këtij sporti të mundjës që mbledhë rreth vete kryesisht zviceranë.

Popullariteti i këtij sporti është gjithnjë e në rritje, kurse Naimi nga njohësit e këtij sporti konsiderohet si një talent që mund të mat forcën edhe me mundësitë më të mëdhenjë të mbarë Zvicrës.

Ky spektakël ku matën forcat e gjigandëve ka shikues të shumtë zviceranë dhe njihet si mundja më madhe e maleve të Zvicrës.

„Janë 120 kolosët  më të fortë të Zvicrës që synojnë të fitojnë kurorën“, thotë për albinfo.ch djaloshi nga Peja.

Në Schwägalp biletat ka kohë që janë shitur, njoftojnë organizatorët. Vitet e kaluar këtë garë e kanë përcjellë mbi 12 mijë shikues zviceranë.

Për të riun shqiptar, kjo është hera e parë që ka arritur të kualifikohet për këtë finale që mbledhë 120 finalistët më të fortë të mbarë Zvicrës.

Ai është në mesin e dhjetë finalisteve të kantonit të Appenzellit që ka arritur të kualifikohet në këtë mes.

Organizatorët shpresojnë që edhe sivjet, sikur vitin e kaluar, në këtë spektakël të marrë pjesë ministri në Qeverinë e Zvicrës, Ueli Maurer.

Me 19 vjeç Naimi peshon 110 kg dhe është 182cm i madh. Ai thotë për albinfo.ch se synon të dalë nga kjo garë në top 20 e parë.

Bekim Dalipi

 

17.08.2014

Donis Avdijaj për Gjermaninë refuzon Shqipërinë dhe Kosovën

Talenti shqiptar i Schalkes, Donis Avdijaj, ka vendosur të luajë për kombëtaren gjermane U-19. Para një viti 18-vjeçari luante për kombëtaren U-17, me të cilën ka shënuar 10 gola në 13 ndeshje.
Ai ka nisur stërvitjen me ekipin gjerman për dy ndeshjet e radhës ndaj Holandës më 5 shtator dhe Anglisë më 8 shtator. Gjithsesi, kjo nuk i heq shpresat Shqipërisë për ta pasur në radhët e veta Avdijajn. Në rast se Avdijaj do të luajë me U-21 e Gjermanisë, atëherë do të jetë e pamundur që më pas ai të përfaqësojë Shqipërinë.
Edhe përzgjedhësi kosovar, Albert Bunjaku, kishte shprehur interesim për talentin Avdijaj. Por, duket se Avdijaj vështirë se do të pranojë të luajë për vendlindjen e tij. Sulmuesi i ri ishte në planet e përzgjedhësit edhe për miqësoren me Omanin.

Gjergj Haxhiu: Piloti shqiptar që synon Formulën 1

Gjergj Haxhiu është piloti i parë shqiptar që synon të prekë pistat e Formulës 1. Vetëm 15- vjeçar ai është kampion i Zvicrës i Formulave për të rinj, ndërsa mban vendin e dytë në botë. Piloti shqiptar i Formulës 4 në helmetën e tij mban shqiponjën dhe simbolin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Shqiptarët në Zvicër çdo ditë e më shumë po tregojnë talentin e tyre në fusha të ndryshme, veçmas në ato sportive. Pas sukseseve të mëdha që të rinjtë tanë  po e shfaqin në fushën e futbollit, një talent tjetër po bën bujë me ngasjen e Formulave. Gjergj Haxhiu është emri më i përfolur në mediat zvicerane për sukseset e tij në Karting, (lloj garimi me Formula të vogla në pistë).  Haxhiu, i cili është i lindur në Zvicër, por me prejardhje nga Prishtina,  është shpallur disa herë kampion i Zvicrës në kategorinë 125 kubikë, ndërsa në vitin 2011 zuri vendin e dytë në kampionatin botëror. Për albinfo.ch djaloshi kosovar tregon për fillimet e tij në këtë sport.

“Ishim në një shëtitje me familje në një karting. Babai im e ngiste një veturë bashkë me shokët e tij dhe unë insistoja gjithashtu ta provoja. I kisha vetëm 6 vjet. Pas disa gjirove shumë shpejt kam shënuar suksese të mëdha për moshën time dhe duke parë rezultatet e mia, fillova të merrem më seriozisht me këtë sport”, kujton ai fillimet e para, ndërsa shton se babai i tij, Shkumbini, përveç se është përkrahësi i madh, njëherësh është edhe automekaniku personal. Gjergji tregon edhe për sukseset e tij në karrierë.

“Që nga viti 2007 e këndej jam thuajse në të gjitha garat kampion i Zvicrës i Formulave për të rinj. Viti 2011 ishte viti i sukseseve të mia më të mëdha. Mora pjesë në kampionatin ndërkombëtar “WSK Maister Series”, ku garonin pilotët më të zgjedhur të botës. Gara mbahej në Itali, ndërsa fitova dy gara të kampionatit dhe zura vendin e dytë në botë. Në të njëjtin vit mora pjesë në kampionatin nacional të Zvicrës dhe të Bridestone Cup, si dhe në garat e terura, ashtu edhe në ato të lagura me shi, fitova dy garat dhe zura vendin e parë, duke qenë i pamposhtur në Zvicër. Në vitin 2013 e mbroj sërish titullin në Zvicër dhe përfundoj garën në shkallën më të lartë. Ndërsa këtë vit vendosa që të vazhdoj rrugëtimin tim në Formula 4, duke qenë piloti më i ri i kësaj gare”, u shpreh ai për albinfo.ch.

Mban helmetë me shqiponjë

Ndonëse është i lindur dhe i rritur në Zvicër, 15-vjeçari Haxhiu nuk i harron rrënjët e tij shqiptare. Në helmetën e tij ai mban shqiponjën e flamurit dhe simbolet e Gjergj Kastritotit – Skenderbeu. “Nuk më vjen turp të tregoj për rrënjët e mia. Më kënaqësi i mbaj dhe do t’i mbaj gjithmonë këto simbole”, shprehet ai për gazetën tonë.
Si çdo pilot i ri, edhe Gjergji ëndrron Formulën 1. Por, për të arritur deri tek elita e këtij sporti atij i duhet të kalojë kategoritë e tjera, si Formula 3, GP3, GP2 e më pas Formula 1. “Tash jam ngasesës i Formulës 4, ndërsa garoj kundër pilotëve të moshave nga 16 – 20 vjeçar. Unë jam më i riu. Kam potencial të madh për të arritur dhe për të ecur përpara, por për këtë sport kërkohet buxhet i madh dhe duhet të kemi spozorë të ndryshëm. Synimet e mia natyrisht që janë të bëhem pilot i Formulës 1 dhe të garoj për titull bote”, thotë piloti shqiptar, i cili pëlqen shumë Luis Hamilton për shkak të stilit të tij dhe për shkak që nuk dorëzohet asnjëherë.

Edhe në shkollë kanë konsideratë për Gjergjin

Gjergj Haxhiu është nxënës i vitit të fundit të shkollës fillore. Edhe pse i angazhuar me gara sportive, ai mundohet që të mos i lërë anash mësimet dhe të këtë rezultate të suksesshme. “Të jesh pilot shpesh obligohesh t’ i lësh mësimet, megjithatë unë mundohem të jam sa më shumë i rregullt edhe në shkollë. Sa herë që më duhet të mungoj, e lajmëroj Drejtorin e shkollës, të cilin e falënderoj për konsideratën që ka ndaj meje”, shprehet Gjergji, duke treguar se të gjithë nxënësit dhe stafi i shkollës janë të gëzuar dhe të lumtur për suksesin e tij.

Arben Gjinaj

Klinaku – Kampion i boksit në Nordrhein-Westfalen

Salla e sporteve në Köln Süd ishte arena e lufërave të vlefshme për kampionatin e Republikës  Gjermane të Nordrhein-Westfalen që u mbajt në fundjavën që shkoi. Protagonisti kryesor i një nder meçeve më të mira në këtë ditë ishte Liridon Klinaku që mbron ngjyrat e klubit të boksit ATV Selhof Bad Honnef.

Finalja në kategorinë gjysëmwelter deri në peshën 64 Kg. ndërmjet 20-vjeçarit nga Kosova dhe kundërshtarit Malke Buyyukayya, u vlerësua si meç i nivelit të lartë ku të dy boksierët nuk i dhuruan njëri tjerit asgjë dhe luftuan guximshëm deri në sekondën e fundit të meçit. Me rezultatin 3:2 sipas vlerësimit të referëve, Liridon Klinaku shpallet kampion i kësaj Republike dhe kualifikohet për Kampionatin Gjerman për seniorë por edhe për Kampionatin Gjerman të moshave U21 që mbahet në fundjavën e parë të Tetorit në Moers..

„Në këtë kategori konkurrenca ndër boksierë është shumë e madhe. Prandaj jemi shumë të lumtur që në klub kemi një talent kaq të madh si Liridoni i cili na solli këtë titull“ flasin të entuziazmuar trajnerët e tij Anke Müller dhe Eberhardt Zibart.

Por pjesëmarrja në këtë Kampionat nuk ishte edhe aq e sigurtë për Liridonin. Gjatë meçit final të Kampionatit të regjionit Mittelrhein në Maj të këtij viti, ai pëson një lëndim në kokë. Jo nga goditjet e kundërshtarit por nga litari që rrethon ringun. Mjeku i pranishëm i ndalon atij vazhdimin e meçit për shkak të lëndimit serioz. Meçi përfundoi para kohe por Federata regjionale e boksit, duke njohur talentin e tij, i dha mundësinë atij të marrë pjesë në Kampionatin e Nordrhein-Westfalenit. Besimi që ju dha atij edhe u shpagua dhe Liridoni i solli këtë titull Federatës së Mittelrheinit.

„Jam duke u përgaditur për Kampionatin U21 të Gjermanisë por nuk është e sigurtë pjesëmarrja sepse e kam një lëndim në dorë“ shpreh brengosjen e tij djaloshi nga Vushtrria i cili mirret me boks qe gjashtë vite.

„Ky kampionat mbahet në fundjavën e parë të Tetorit në Moers por edhepse është një kohë e shkurtë, shpresoj të shëroj lëndimin e të marrë pjesë“ vazhdon Liridoni i cili të sigurtë e ka pjesëmarrjen në Kampionatin Gjerman për seniorë që mbahet prej 15-21 Tetor në qytetin bavarez Straubing.

Aty Liridoni do të ketë për kundërshtarë boksierë të fortë dhe me përvojë nga gjithë Gjermania por ai nuk e fsheh optimizmin e tij për sukses në këtë turnir. „Kam fituar disa tituj per juniorë por jam optimist se edhe në kategorinë e seniorëve do të kam suksese. Për këtë qëllim stërvitem rregullisht me trajnerët e mi“ përfundon boksieri i talentuar dhe ambicioz.

liridon klinaku1

Arnold Gjergjaj: Tani dua të bëhem kampion bote

Menjëherë pas mbarimit të luftës për titullin evropian të boksit në kategorinë EBU-EE, shqiptaro-zvicerani Arnold Gjergjaj deklaroi për albinfo.ch se ëndrra e tij e radhës është të jetë numri 1 i boksit në botë.

Titullin e Kampionit Evropian ai e fitoi me K.o. në rundin e nëntë kundër boksierit Adnan Rexhovic, të shtunën në mesnatë, në palestrën sportive St. Jakob në Bazel, para më shumë se dy mijë adhuruesve të boksit, shumica prej tyre shqiptarë që brohorisnin pas çdo goditjeje që jepte boksieri me origjinë nga Gjakova, i njohur ndryshe me nofkën “Kobra”.

Arnold Gjergjaj u dha adhuruesve një spektakël boksi zviceran të paparë deri më tani. “Kobra” shqiptare e rrahu keq Luanin boshnjak, i cili ndonëse mori disa herë goditje të fuqishme, arrinte të këndellej e të sfidonte seriozisht Gjergjajn, 8 vjet me të ri se ai, duke e shtyrë në limitet e forcës së tij. Veçmas në rundet e pestë, të gjashtë dhe të shtatë “Kobra” tregoi shenja dobësie dhe lodhjeje që vënin në pikëpyetje synimet e tij.

Zvicra priti 100 vjet titullin e Kampionit Evropian

Të dy boksierët zhvilluan një meq të pakompromis deri në rundin e nëntë, kur 37-vjeçari Adnan Rexhovic, me një epërsi të dukshme teknike, nuk iu shmang dot goditjes së hekurt të Arnoldit, së pari me të djathtën dhe nokautin shkatërrues me të majtën. Me kaq gjyqtari mbylli luftën, duke e shpallur fitues Arnold Gjergjajn, i cili pritjet 100- vjeçare të boksit profesionist me licencë zvicerane i kurorëzon me titullin e Kampionit Evropian. Një titull ky që ka fituar vëmendjen e madhe të mediave vendëse dhe atyre nga Kosova, ndonëse siç vlerësojnë analistë të boksit, ky është vetëm një hap i vogël drejt rrugës së vështirë për titullin e Kampionit Botëror.

I pyetur nga albinfo.ch për hapin e ardhshëm pas kësaj fitoreje të rëndësishme në karrierën e tij, Gjergjaj u shpreh:

„Meqë tashmë jam Kampion Evropian, hapi im i ardhshëm është të fitoj titullin e Kampionit Botëror. Kjo është dëshira ime, unë gjithmonë kam thënë se dua të bëhem kampion bote, të jem numër 1“.

Ai është i vetëdijshëm që ky titull kërkon shumë punë dhe disiplinë, nuk është i lehtë, pasi që kundërshtarët e tjerë do të jenë shumë më të njohur në arenën e boksit profesionist. Megjithatë për “Kobrën” titulli i Kampionit Evropian EBU-EE, që ndryshe njihet si titull i rezervuar për boksierët më të mirë nga një vend evropian joanëtar i BE-së, është një vizitëkartë e rëndësishme që i hap atij rrugën për të realizuar ëndrrën e tij.

Boksieri shqiptar, Nuri Seferi, e porosit Arnoldin të ndryshojë radikalisht në aspektin teknik.

Me asnjë humbje dhe me 26 fitore në karrierën e boksit profesionist, ku 20 prej tyre i ka fituar me K.o. Arnold Gjergjaj është një boksier interesant nëse punon në aspektin teknik, pasi që goditjet e tij janë shumë të fuqishme, madje edhe më të fuqishme se të vetë boksierëve kampion bote, siç janë Klitschkot.

Vetë miku i tij dhe boksieri tjetër i njohur shqiptar, Nuri Seferi, e vlerëson Arnoldin si një boksier të fortë e që premton shumë nëse punon në aspektin teknik. „Për t’u ngjitur në një shkallë më lart është mirë, por ka akoma shumë punë për t’u bërë, në fakt për të konkurruar vëllezërit Klitschko ai duhet të punojë shumë. Sepse ndaj një kundërshtari si ky nuk guxon të tregosh shenja dobësie, siç i pamë mes rundit pesë e shtatë. Arnoldi ka madhësinë, ka fuqinë, por i duhet të punojë në anën teknike. Në këtë pikë ai duhet të ndryshojë radikalisht“, vlerëson boksieri shqiptar, Nuri Seferi, i cili tha se ka shumë besim në aftësitë e Arnoldit që të arrijë aty ku ai dëshiron.

Bekim Dalipi

 

Vazhdon shkëlqimi i futbollistit Drilon Paçarizi

Sulmuesi i FC Lugano, Drilon Paçarizi ka vazhduar shkëlqimin me skuadrën e tij edhe në ketë javë duke rrezikuar 2 hyrë radhazi portën e FC Servet të Gjenevës. ndeshje e cila u zhvillua dje më 19 tetor para një numri të madhë të spektatorëve në stadionin e qytetit të bukur të Luganos, sidomos gjuajtja e fortë nga 30 metërshi e cila tronditi shtyllën, por për fat për klubin e Servetit Topi nuk u fut në rrjet.nuk hyri në portë.

Megjithate pas kombinmit të bukur dhe pasimit të qëlluar bashkëlojtari i Drilonit Cortelezzi shenon në minutën e 82, e si me porosi për të mos kalua radhën pa gola, Drilon Paçarizi, dy minuta më vonë me një rikombinim të shpejt me po me Cortelezzin e tundi rrjetën e Servetit duke e ngritur avantazhin në 2 :0 në të mirë të FC Lugano, ishte ky goli i pestë i Drilonit gjatë këtij sezoni.

Gazetat Corriere del Ticino dhe La Regione dell Ticino sot i dhanë një hapsirë sulmuesit Drilon Paçarizi, me foto e fjalë admiruese për lojën e shkëlqyar dhe të sukseshme, fal ësë cilës skuadra e Luganos tani radhitet e dyta në rang listën e Chalenge Ligue të Zvicrrës duke synuar super ligën zvicerane.

21.10.2014

Shaqiri: “Jam shumë i lidhur me familjen”

Sot gazeta e përditshme “Le Matin” i kushton një intervistë ekskluzive (dy faqe të tëra) futbollistit më të famshëm në Zvicër, Xherdan Shaqiri.

Ndër të tjera ai shpreh modestinë e tij, duke theksuar rëndësinë që kanë lidhjet e ngushta familjare. Ai tregon se është shumë i afërt me familjen e tij, gjë që e vlerëson shumë.

Edhe pse suksesi i lartë dhe pasuria e madhe kanë bërë që përditshmëria e Shaqirit ka lëvizur në shumë aspekte, prapëseprapë, ai dhe familja e tij nuk kanë ndryshuar në brendi.

A është bërë Familja Shaqiri një organizatë private që i shërben Xherdanit?  (Ai buzëqesh)

Jo, kursesi. Vëllai im, Erdini, është këshilltar, për ndryshe, jo. Thjesht, ne jemi të gjithë shumë të lidhur familjarisht.

A shpjegohet kjo nga fakti se familja juaj është kosovare?

Ndoshta, unë nuk e di saktësisht. Ne kemi jetuar gjithmonë në një mënyrë të caktuar dhe, edhe pse gjërat po ndryshojnë për disa kohë, në brendinë tonë ne nuk kemi ndryshuar, as unë personalisht.

Pa dyshim se Ju jeni duke iu referuar statusit tuaj të ri. A ndiheni në lëkurën e një të pasuri të ri?

Jo! Sapo pata mundësitë kam blerë një shtëpi për familjen time, sepse e ndjeja atë si një detyrim ndaj prindërve. Por, pasuria nuk ishte qëllim në vetvete. Kur vijmë nga Kosova nuk mund të supozojmë se pas pak viteve do të bëhemi të pasur.

Arnold Gjergjaj nderohet me çmimin e integrimit

Arnold Gjergjaj, pas shumë trofeve në ring, së fundi ka marrë edhe një trofe tëe llojit tjetër. Komuna Pratteln në kantonin Baselland, në të cilën jeton boksieri i shquar, e ka nderuar atë me çmimin për integrim. Për rezultatet e tij të jashtëzakonshme dhe për integrimin e tij shembullor, atij i është dhuruar ylli i Prattelnit (Prattler Stern).

Ky çmim jepet një herë në dy vite dhe ka vlerë monetare prej 10 mijë frangash.

Boksieri 29 vjeçar, i njohur edhe si “Kobra”, ka ardhur në Zvicër si 14 vjeçar. Në karrierën e deritashme të boksit, si profesionist Gjergjaj ka një bilanc të jashtëzakonshëm: 24 luftëra, 24 fitore, shkruan sn.ch.

Por, krahas boksit ai është dalluar me angazhimin e tij për integrim. “Si 14 vjeçar kam ardhur nga Kosova në Pratteln, pa ditur asnjë fjalë gjermanisht. Dhe sot po nderohem. Është çmimi i parë  që më është ndarë ndonjëherë këtu. Ky është një nderim i madh për mua”, ka thënë shqiptari nga Kosova.

Boksieri i cili ka ushtruar edhe me Vladimir Kliçkon, ka shtuar se po përpiqet t`i mësojë të rinjtë se me motivacion dhe me punë të rëndë mund t`i arrijnë qëllimet e tyre.