Lajme

Pavarësisht çmimeve të larta, kosovarët “dynden” për pushime verore

Në një kohë kur inflacioni, rritja e çmimeve dhe pagat e ulëta janë tema të përditshme të diskutimit në Kosovë, qytetarët duket se nuk po heqin dorë nga pushimet verore. Përkundrazi, sipas përfaqësuesve të sektorit të turizmit, kërkesa për udhëtime këtë vit ka arritur nivele record, transmeton albinfo.ch.

Baki Hoti nga “Unioni i Turizmit të Kosovës” thotë se përkundër vështirësive ekonomike, agjencitë turistike po përballen me një fluks të jashtëzakonshëm të rezervimeve për pushime verore.

“Pavarësisht shtrenjtimit të përgjithshëm të çmimeve, agjencitë turistike raportojnë rritje të madhe të kërkesës për pushime në Shqipëri, Turqi, Bullgari e Greqi. Ka shumë punë këtë vit dhe fluksi është më i lartë se zakonisht”, thekson Hoti për KOHA.

Sipas tij, liberalizimi i vizave ka ndikuar që shumë kosovarë të orientohen nga destinacione si Greqia, ndërsa çmimet për pakot turistike janë rritur mbi 20% krahasuar me vitin e kaluar.

“Çmimet janë më të larta, por interesimi nuk ka rënë. Me liberalizimin e vizave, qytetarët po e shfrytëzojnë këtë mundësi për të eksploruar edhe vende të reja si Greqia, përveç Turqisë e Shqipërisë që mbeten zgjedhje tradicionale”, shton ai.

Hoti njëkohësisht apelon që bashkatdhetarët nga diaspora të mos kufizohen vetëm në turizmin bregdetar, por të eksplorojnë edhe bukuritë natyrore të Kosovës.

“Turizmi nuk zhvillohet vetëm në det. Ne përpiqemi të promovojmë edhe atraksionet malore të Kosovës, duke u bërë pritje sa më të mira bashkatdhetarëve që vijnë në verë”, thotë ai, transmeton albinfo.ch.

Por jo të gjithë e shohin këtë prirje me optimizëm. Eksperti i ekonomisë Mustafë Kadriaj thekson se një pjesë e qytetarëve po bëjnë sakrifica të mëdha për të kaluar disa ditë pushimi, duke hyrë në borxhe apo overdraft.

“Është e pakuptimtë të marrësh kredi për të shkuar në pushime. Nëse një qytetar ka mundësi për të bërë turizëm, atëherë nuk mund të konsiderohet që jeton nën mesataren. Realiteti është se shumë prej tyre sakrifikojnë, marrin borxhe, e më pas mezi përballojnë muajin”, thotë Kadriaj për KOHA.

Sipas tij, në kohë krize, pushimet duhet të jenë një luks i arsyeshëm dhe jo barrë financiare që rëndon jetën pas rikthimit.

Ai kritikon edhe cilësinë e shërbimeve në bregdetin shqiptar, për të cilat qytetarët e Kosovës shpesh paguajnë shtrenjtë, por pa marrë komoditetin e merituar.

“Shqiptarët duhet të përmirësojnë mirëpritjen e turistëve. Greqia ofron kushte më të mira për çmim të përafërt dhe prandaj shumë qytetarë po e zgjedhin si alternativë. Në tregun e lirë, pushuesi shkon aty ku trajtohet më mirë”, përfundon Kadriaj, transmeton albinfo.ch.