Shqipëria

“NZZ”: “A po vjen pranvera ballkanike”, çfarë nënkupon ajo?

"Shtysat janë të ndryshme por ekzistojnë arsye të përbashkëta për pakënaqësi”, shkruan nzz.ch, transmeton albinfo.ch.

Në Serbi, Mal të Zi, Shqipëri dhe Bosnjë qytetarët po protestojnë – “A po vjen “Pranvera Ballkanike?” – Këtë pyetje e shtron gazeta prestigjioze “Neue Zürcher Zeitung” në artikullin e publikuar sot të korrespondentit të saj për Ballkanin, Andreas Ernst. Në këtë tekst, eksperti i rajonit merret me valën e protestave kundër pushtetmbajtësve aktualë, që afërsisht në të njëjtën kohë ka përfshirë katër shtetet e përmendura të Ballkanit. “Shtysat janë të ndryshme, por ekzistojnë arsye të përbashkëta për pakënaqësi”, shkruan nzz.ch, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë që në Beograd të shtunën për të katërmbëdhjetën herë me radhë mijëra veta po kërkonin përfundimin e “Sistemit Vuqiç”, në Malin e Zi po zhvillohej manifestimi i katërt që kërkonte dorëheqjen e presidentit Gjukanoviç. Në Shqipëri me mijëra studentë kishin filluar në muajin dhjetor të protestonin, para se tashti, partitë opozitare të synojnë përfundimin e sundimit të Ramës përmes bojkotimit  të parlamentit, shkruan Ernst. Në Bosnjë e Hercegovinë, në Banja Llukë po vazhdojnë prej afër një viti protestat kundër udhëheqjes policore dhe qeverisë së Milorad Dodiku.

Shkaktarë lokalë të protestave

Disa media po e shohin të afrohet “Pranvera Ballkanike”: një kryengritje popullore që mund të çonte në rrëzimin e sundimtarëve autoritarë në regjion. Kjo është me siguri e ekzagjeruar por ia vlen që të hidhet një shikim mbi dallimet dhe ngjashmeritë në mes të këtyre protestave, shkruan NZZ, transmeton albinfo.ch.

Ajo që është e qartë, është se këtu nuk kemi të bëjmë me ndonjë lëvizje përmasash rajonale. Nuk ka koordinim të qëndrueshëm në mes të aktorëve, ndërsa nuk ekziston as i ashtuquajturi “turizëm demonstruesish” në mes të qendrave të ndryshme. Secili pretekst për të protestuar është me karakter lokal dhe frustrimi që ka në thelb, mund të sqarohet vetëm në nivelin lokal.

Protestat studentore shqiptare janë shkaktuar nga taksat e larta të studimeve, por shpejt ato kanë marrë një fokus më të gjerë dhe u drejtuan kundër arrogancës së ekipit menaxhues rreth Ramës, transmeton albinfo.ch. Fakti se tash opozita po i bashkëngjitet trenit në lëvizje, zemëron shumë studentë.

Në Banja Llukë, shkaktare e protestës ka qenë vdekja e pasqaruar e një të riu, David Dragiqeviç. U krijua një lëvizje e cila kërkon “Drejtësi për Davidin”, të cilin e konsideron si viktimë të brutalitetit të maskuar policor. Ndërkohë bëhet fjalë për më tepër, për Dodikun që ka instrumentalizuar aparatin shtetëror të republikës serbe të Bosnjës për veten dhe për pasuesit e tij.

Ndërsa në Mal të Zi një video ka sjellë gjendjen pothuaj në pikën e vlimit. Ajo tregon një biznesmen i cili në vitin 2016 i kishte dhënë një kryebashkiaku një zarf me 97.000 euro, transmeton albinfo.ch. Demonstruesit kërkojnë dorëheqjen e “hajnit” dhe para së gjithash të Milo Gjukanoviqit. Me 30 vjet në pushtet, ai është rekordmen evropian në kohëzgjatjen e qeverisjes.

Frustrimi ka arsye rajonale të ngjashme

Protestat kanë shumë ngjashmëri nëse shikohet struktura e tyre. Shtysat dhe energjia vijnë jo nga partitë opozitare por nga shoqëria e cila në demonstrata po fillon të identifikohet si “Shoqëri civile”. Imazhet e armikut të cilat mbajnë unike lëvizjet me ideologji heterogjene, janë figurat autoritare udhëheqëse, të cilat në këto vende e domioojnë politikën prej shumë vitesh. Përveç dëshirës për të ndjekur nga pushteti “burrat e fortë” të urryer, këta protestues i lidh pak gjë mes vete.

Lëvizjet sjellin në pah figura të reja, të cilët vërtet që politikisht janë të pa përvojë por fuqia dhe karizma e tyre vjen falë situatës së jashtëzakonshme të protestës. Në Banja Llukë është ky Davor Dragiqeviç, babai i Davidit të vdekur, në Serbi është aktori i njohur Sergej Trifunoviç, për të cilin rruga është shndërruar në skenë. Por, vazhdon NZZ dhe transmeton albinfo.ch, dy të përmendurve u mungon kreativiteti ideologjik dhe kompetenca organizative ose thënë thjesht: vullneti për pushtet, kështu që ata mbeten më shumë si figura simboilike.

Në të gjitha këto shtete, demonstruesit nuk u besojnë partive të etabluara opozitare. Shumë prej tyre nuk besojnë fare se ata përbëjnë një alternativë më të mirë për status quon e tashme. Të pakënaqurit kërkojnë zgjedhje të lira dhe të drejta por e dinë se në kushtet e dhëna, kjo është pothuajse e pamundur.

Terreni që ushqen frustrimin, është shumë i ngjashëm në të gjitha vendet. Ai ka një komponentë ekonomike dhe një politike. Ekonomia po stagnon me një përqindje të lartë të papunësisë dhe të kualifikuarit po ikin me numër të madh jashtë vendit. Sistemi politik është nominalisht demokratik por mungojnë mekanizmat e kontrollit të cilat janë baza e një demokracie liberale. Në vend të kësaj, vendimtare është fuqia e ekzekutivit dhe ajo mishërohet në figurat e autokratëve si Vuqiç, Rama, Gjukanoviç dhe Dodik.

Parlamenti refuzon dhe drejtësia nuk i beson vetes pavarësinë. Shumica e mediave raportojnë sipas dëshirës së qeverisë. Zgjedhjet në këto rrethana janë thjesht plebishite në të cilat udhëheqësit legjitimojnë në mënyrë perioodike pushtetin e tyre.

BE, reagime të vakëta

Të katër vendet janë kandidatë për hyrje në BE dhe kjo është edhe një ngjashmëri mes tyre. Serbia dhe Mali i Zi janë duke udhëhequr tashmë negociatat për hyrje në BE. Brukseli ka reaguar në mënyrë mjaft të pafuqishme ndaj protestave. Kur zëdhënësja e Komisionit në fillim të javës u pyet nëse ajo po identifikon një “pranverë ballkanike” në horizont, ajo e kundüërshtoi fuqimisht këtë.  Protestat “kanë karakteristika plotësisht të ndryshme” dhe nuk bën të krahasohen. Dhe, si gjithmonë kur gjërat ecin keq në Ballkanin Perëndimor, zëdhënsja futi në përdorim mantrën e BE-së sipas së cilës “regjioni ka një perspektivë të qartë evropiane”, vetëm nëse vazhdon reformojë veten.