E-Diaspora

Ku nuk bën dot punë shteti, kyçet Toni Vrenezi!

Ariton Vrenezi, ndërmjetësues: Shqiptarët nuk kanë më nevojë për përkthim, por për ndërmjetësim e ndjeshmëri

Shumë të huaj edhe pas shumë vitesh jetë e punë në Zvicër nuk i kuptojnë mjaftueshëm të drejtat e tyre, detyrimet dhe rregullat e këtij vendi. Zyrat e integrimit mbajnë barrën e kryesore për sigurimin e informacionit mbi mënyrën e jetës në Zvicër tek personat e rinj dhe në përgjithësi tek të huajt. Por, kur këto zyra dështojnë, punën e merr në duar njeriu që ata i kanë besuar ndërmjetësimin me shqiptarë. Ata angazhojnë ndërmjetësin e tyre, Ariton Vrenezin, i cili është personi kyç i disa komunave të Zvicrës lindore në ndërmjetësimin mes paleve.

Për ta njohur më mirë Vrenezin dhe punën e tij, gazeta „Rheintaler“ ka portretizuar shqiptarin e Strugës, i cili kujtimet e fëmijërisë së tij i ka nga Veleshta.

Në moshën 15 vjeçare ka emigruar tek babai në Zvicër, dhe sot pas tridhjetë vitesh punë pa ndërprerje në të njejtën firmë të prodhimit të parketit në St. Margrethen, Aritoni punon si  udhëheqës turni. Ai është i martuar dhe ka dy djem, njëri ndjek zanatin në industrinë e tekstilit industrial të quajtur mekatronikë dhe tjetri është student në universitetin HSG, në St. Gallen.

  • Paragjykohej si “spiun i shtetit”

Në këtë qytet Toni jeton si një zviceran. Përpos gjatë pushimeve ai këtë vendbanim nuk e ka braktisur kurrë dhe njeh pothuaj çdo të dytin banor të këtij vendi. Megjithatë, aktivetet e tij në këtë vend i ka në shoqatat shqiptare. Pushimin e bën në pjesën shqiptare të Maqedonisë, dhe njerëzit që i takon janë po ashtu shqiptarë, shkruan gazeta „Rheintaler.ch“.

I paragjykuar si “spiun i pushtetit”, Vrenezi bën një punë shumë të vyer për Zyrën e Integrimit në „St. Galler Rheintal“, thekson zyrtari i integrimit, Hanspeter Wöhrle. „Toni ka ndikim: atij i besojnë bashkëkombësit me tepër se një zvicerani. Ai e kupton kulturën, pranohet dhe gëzon besim“.

Toni Vrenezi punon pjesërisht prej shtatë vitesh si i ashtuquajtur “person kyç” i komunave dhe shkollave mes St. Margrethen dhe Rüthi, i cili thirret gjithmonë kur dështon komunikimi mes autoriteteve dhe migrantëve shqiptarë.

Mesatarisht kjo ndodh një herë në muaj- si për shembull, kur një fëmijë duhet dërgohet në klasat ku nxënësit mësojnë më ngadalë dhe viti shkollor është më i gjatë se një vit, atëherë prindërit nuk bashkëpunojnë. „Shqiptarët apo ish-jugosllavët kanë qëndrim shumë mosbesues ndaj shtetit, ngase janë rritur në një sistem të korruptuar“, thotë Vrenezi.

„Ata besojnë që fëmija i tyre mund të mos merret parasysh për shkak të prejardhjes. Unë ju shpjegoj që kjo nuk qëndron dhe ata qetësohen.“ Një keqkuptim si ky është shpesh lehtë për t’u sqaruar. Por shpesh janë diferencat e lodhshme mes personit të prekur dhe komunës, nga ku Toni gjen një rrugdalje.

  • Në vend të përkthimit, ndërmjetësimi kulturor

Përkthimi nuk është më puna kryesore; ndërmjetësimi, krahasimi dhe ndjeshmëria marrin një rol të rëndësishëm. Siç ishte rasti para disa muajsh me një familje të cilës do t` i shkurtohej ndihma sociale, sepse djali që banonte në po të njejtën shtëpi kishte filluar për herë të parë punën. Babai mbante qëndrim të pafajshëm, deri sa Vrenezi atij i kishte shpjeguar ligjet përkatëse.

Toni ia ka dalë të arrijë pajtimin në rastet në të cilat autoritetet kanë provuar për kohë të gjatë më kot. Suksesi vjen nga qetësia mendore që ai ka, por edhe nga respekti të cilin ai e gëzon. Si president disavjeçar i shoqatës Kulturore Artistike “Shqiponja”, Vrenezi ka krijuar rrjetin e tij. Shpesh ndodhë që ai klientët t`i njohë apo ç`është edhe më e rëndësishme, klientët kanë dëgjuar për të.

  • Nuk mundet ndryshe, pos të ndihmojë

Respektin e shqiptaro-zviceranëve atij i është dashur kohë që ta fitojë, sepse ka pasur një dozë skepticizmi ndaj tij. Nëpërmjet detyrës së tij mbi dhjetë vjetë kryetar i shoqatës atij i është dashur që herë pas here të përkthente dhe të ndërmjetësojnte në organet komunale të shkollës. Ndërkohë ai merr një honorar në bazë të orëve të angazhimit prej zyrës së integrimit; por arsyeja pse ai i merr detyrat, është një tjetër. “Unë gjithnjë kam ndarë drejtësinë, edhe në rrethin tim të ngushtë shoqëror“, thotë 45 vjeçari. Gruas së tij, Loretës, i është bërë i tepërt ky zakon – por ai nuk mundet ndryshe, pos të ndihmojë.

Atë më së shumti e shqetëson imazhi i shqiptarëve, të cilët deri sot vuajnë nga paragjykimet. Ai tenton t`i qetësojë shqiptarët se e keqja nuk u vjen ga zviceranët dhe në anën tjetër tenton t’ua dëshmojë zviceranëve se jo të gjithë shqiptarët janë të papunë dhe kriminelë.

“Nëse një shqiptar ta jep besën, ai e mban atë“

Megjithatë fakti që Rheintalit i nevojitet një person kyç për ndërmjetim sikur është Ariton Vrenezi, tregon që kemi të bëjmë me një tjetër mentalitet. Një shembull për këtë është shqiptari krenar, i cili vite me radhë është shtypur në vendin e tij, thotë Wöhrle. Ai tregohet jo vetëm në kapadaillëk dhe prezantim të veturave, por edhe në situata si ajo që ka përjetuar Toni para ca muajsh. Ai qe ngarkuar për ndërmjetësim, pasi komuna kishte dështuar ta bindte një banor të një ndërtese kolektive banimi për ta hequr flamurin shqiptar, që valonte edhe pas mbarimit të Kampionatit Evropian.

Një burrë, i ri, me tatuazhe dhe muskuloz, i hap Toni Vrenezit derën. „Ai më pyeti, çfarë kërkoja unë këtu“. Toni pas bisedave të gjata me të, e kishte bindur në fund atë që në fundjavë ta largonte flamurin. „Dhe nëse një shqiptar ta jep besën, ai e mban atë“. Flamuri ishte hequr të hënën.