E-Diaspora

Bashkëpunimi ndërmjet mësuesve rritë aftësitë e tyre profesionale

7 maj 2016 e kalova në gjirin e mësueseve të Shkollës së mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Gjenevë.

Objekti i këtij bashkëbisedimi kishte të bënte me mësimin e gjuhës e të kulturës shqiptare në shkollat e mësimit plotësues. Qëllimi është të njehsohet mendimi, të unifikohen metodat, të vihen mbi baza më të organizuara problemet e mjetet më efektive mësimore.

Ky takim pune ishte një moment i rëndësishëm jo vetëm thjesht për mësimin e gjuhës shqipe, por dhe një shenjë që ne përpiqemi dhe do ta ruajmë e do ta çmojmë më tej dinjitetin tonë kombëtar edhe tek brezat e rinj që lindin e rriten jashtë atdheut.

LAPSH-i në Zvicër ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të çuar më tej mësimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe, në të ardhmen nevojitet formimi dhe funksionimi një Këshilli Pedagogjik për të lehtësuar punën e mësimdhënies në aspektin metodik – didaktik.

Grupi i mësueseve të pranishme që japin mësimin plotësues shqip në Gjenevë treguan se ketë vit në mungesë të anës financiare kishin mbajtur mësimin pa pagesë. Numri i nxënësve që duan të mësojnë shqip është pak në ulje. Sipas statistikave zyrtare aktualisht janë 1219 fëmijë shqiptarë që i përkasin detyrimit shkollor fillor, ndërsa mësimin plotësues shqip e ndjekin rreth 200 nxënës. Takimi solli në pah përpjekjet e shumta që bëhen nga ana e tyre për të rritur nivelin e mësimdhënies së gjuhës shqipe.

Admiruam  punën e mësueseve Lumnije Emini, përvoja ime në mësimin plotësues fillon  prej vitit 1991 dhe aktualisht kam 63 nxënës, jam e ngarkuar edhe me një numër të vogël orësh të mësimit shqip të integruar në shkollën publike- zvicerane, në mungesë të fondit financiar numri i orëve të integruar ka rënë dukshëm nga 200 orë në vit sa kisha më parë ka rënë në 100. Në mos vijueshmërinë e nxënësve në mësimin shqip: Për mendimin tim nuk është problem fëmija por është prindi. Plaga e shkollimit të fëmijëve janë prindërit.. Varet se sa ai prind arrin ta e edukon fëmijën, të ia nxit dëshirën për të mësuar gjuhën shqipe. Sa i përket mësimdhënies mendoj se mësimdhënia tematike është më e përshtatshmja dhe frytdhënëse për mësimin plotësues.

Mësuesja Aravella Marika, solli punën e bërë nga viti 1994 deri më sot si dhe nevojat për të ardhmen, foli për numrin e nxënësve që ka filluar të ulët pak, jo për fajin dhe pamundësinë e mësimdhënësve, por për indiferentizmin dhe pakujdesin e shtetit shqiptar ndaj institucionalizimit të shkollës me mësim plotësues të gjuhës shqipe. Nga të gjithë faktorët që lidhen me problemin e mësimit plotësues, faktori shtet është më i prapambeturi, më pak i interesuari.  Shteti flet e premton, por nuk zgjidhur asgjë se bën politikë “qiellore”, efektet e së cilës nuk duken. Ai prezantohet sikur është duke punuar dhe i interesuar për mësimin e gjuhës e të kulturës shqipe për fëmijët emigrantë, në të vërtetë është treguar i dobët, pa forcë, duke hedhur fjalë në erë.

Cyme Lokaj, kam 78 nxënës rruga ime drejt mësimit plotësues ka filluar që prej vitit 2000, kjo punë megjithëse jo e lehtë nuk na demoralizon, përkundrazi ndjejmë përkushtim. Ne bëjmë ketë sepse e quajmë detyrë ndaj brezit të ri.

Hyryje Kurteshi, mësuese nga viti 2000, në mungesë të numrit të domosdoshëm të nxënësve na duhet të japim mësimin me klasë me mësim të kombinuar. Puna me këto klasë kërkon përgatitje dhe përgjegjësi të madhe.

Ne vlerësuam edhe punën e mësueseve që nuk qenë të pranishme: Hana Bilalli, Fatime Bllaca, etj.

Duke u bazuar në sukseset e arritura gjatë këtyre viteve mbetem me shpresë se vitin e ardhshëm shkollor në bankat shkollore, të mësimit shqip  do të ulën qindra nxënës të rinj shqiptar.

Në kushtet e larg atdheut bashkëpunimi ndërmjet mësuesve është mjaft i rëndësishëm, rritë aftësitë e tyre profesionale.

Në fund Ne mësueset u bëjmë thirrje të gjithë prindërve, kudo që janë, të mbështesin mësimin plotësues shqip, çoni fëmijët tuaj në shkollë sepse punën që e bënë shkolla nuk e bën dot familja.

Ne u bëjmë thirrje edhe shoqatave, biznesmenëve, të gjithë mërgimtarëve të emancipuar që të mbështesin shkollimin shqip sepse gjuha amtare luan rol të rëndësishëm në zhvillimin gjuhësor të fëmijëve.

Për përballimin e këtyre vështirësive, rol të rëndësishëm presim të luaj Qeveria e Republikës së Kosovës, e Republikës së Shqipërisë  si dhe LAPSH-i, si bartëse organizative, praktike e profesionale e Shkollave Shqipe me mësim plotësues në Zvicër.

Delemont, 13. 5. 2016, Nexhmije Mehmetaj