Trenat zviceranë, me numër rekord udhëtarësh

Çdo i treti i punësuar i Zvicrës shfrytëzon hekurudhën për të shkuar në vendin e punës

Ndërmarrja Federale e Hekurudhave (SBB) gjatë vitit të kaluar ka thyer rekordin, duke arritur në 950`000 mesataren ditore të udhëtarëve që kanë shfrytëzuar shërbimet e saj. Ky numër është për 6 për qind më shumë se një vit më parë.

Sipas një komunikate të SBB-së aktualisht çdo i treti i punësuar shfrytëzon hekurudhën për të shkuar në vendin e punës. 87 për qind e tyre, falë këtij mjeti udhëtimi, mbërrijnë me kohë në vendin e punës.

Edhe sektori i transportit të mallrave SBB Cargo ka shtuar vëllimin e mallrave të transportuara përmes hekurudhës. Gjatë vitit 2010 mbi shina janë bartur nga 200`000 tonë mallra në ditë.

Përkundër kësaj rritjeje të transportit të njerëzve dhe mallrave, gjatë vitit që shkoi, fitimi vjetor i SBB-së ka shënuar zvogëlim për 70 milionë franga, duke rënë në 300 milionë franga.