Bizneset

“Spitex plus 24 GmbH”, 24 orë në ditë, në shërbim të pacientëve

“Kur është fjala për ndihmë, jo vetëm brezi i parë, por të gjithë preferojnë të flasin në gjuhën e tyre”, thotë Lendita Bucko Hashani, pronare e një Spitex-i me 15 punëtorë

Shërbimet e Spitex-it në Zvicër në kohët e fundit përballen me një rritje të numrit të pacienteve me prejardhje të huaj. Një pjesë e mirë e popullsisë në Zvicër është me prejardhje të huaj dhe me kalimin e kohës, nevoja për ndihmë po rritet, sidomos për persona që punojnë dhe nuk kanë kohë, dijeni dhe energji të mjaftueshme apo të afërm që mund të kujdesen për ta. Rrethanat e tilla e kanë nxitur shqiptaren me prejardhje nga Prizreni, Lendita Bucko Hashanin, që të hapë një spitex privat, “Spitex plus 24 GmbH”.

Albinfo.ch: Kush është Lendita?

Lendita Bucko Hashani: Jam motër medicinale dhe vij nga Prizreni në Kosovë. Që nga viti 1991 jetoj në Zvicër. Jam pronare e Spitex plus 24. Mund të flas 4 gjuhë: shqip, gjermanisht, turqisht dhe serbisht.

Prej nga ideja që të hapni një Spitex në Cyrih. Mos jeni inspiruar nga familjarët shqiptarë që ndihmojnë të moshuarit në shtëpitë e tyre?

Para se të hapja spitexin tim, isha duke punuar në një shtëpi të pleqve (Pflegeheim ). Gjatë punës aty isha e zhgënjyer dhe e mërzitur për pleqtë dhe me trajtimin e tyre. Ishte jetë robotike dhe monotone për ata. Ora e caktuar për zgjim nga gjumi, mëngjesi apo darka, ora për dush apo ecje, ora e caktuar për gjumë. Të gjitha këto më inspiruan për të hapur një spitex, ku mund të ofroj shërbime më të drejta për pleqtë, po ashtu edhe të gjithë ata që kanë nevojë ndihmë profesionale.

A mund të themi që është tabu dhe a mendoni se ende ekziston mentaliteti te shqiptarët që e konsideron të turpshëm kërkimin e ndihmës profesionale?

Sipas mendimit tim, ende ka hezitim te shqiptarët për kërkimin e ndihmës profesionale. Si popull jemi mësuar të kryejmë të gjitha punët vetë pa ndihmë, kudo që të jemi në botë. Ky mentalitet dhe po ashtu mosbesimi te të tjerët vazhdon.

Sa të punësuar ka Spitexi „Spitex Plus 24 GmbH “ dhe çfarë gjuhe flasin?

Spitex Plus 24 ka 15 punëtorë. Përveç gjuhës gjermane, kemi punëtorë që flasin gjuhën shqipe, turke, italiane, serbe dhe frënge.

Problemi kryesor për trajtimin e pacientëve të moshuar është komunikimi në gjuhën  e tyre. A mendoni që barriera gjuhësore është e theksuar, sidomos me brezin e parë?

Sipas mendimit tim, kur është fjala për ndihmë, jo vetëm brezi i parë, por të gjithë preferojnë të flasin në gjuhën e tyre. Shprehja e kërkesave apo çfarëdo që të jetë, gjithmonë është më e lehtë në gjuhën amtare. Përpos asaj, gjuha e njëjtë krijon një qark besimi më të madh.

Spitexi nuk u dedikohet vetëm pacientëve të moshuar, por edhe të rinjve, të cilët duhet të trajtohen pas spitalit në shtëpi, apo jo?

Siç e përmenda më herët, Spitexi u dedikohet të gjithë atyre që kanë nevojë për ndihmë profesionale, pa dallim moshe.

Spitex, si shërbim i shpërndarë në gjithë Zvicrën, i cili ofron përkujdesje shëndetësore për të moshuarit në shtëpitë e tyre, a mendoni se po përballet me një rritje të numrit të pacientëve me prejardhje të huaj?

Po, mendoj se Spitexi në kohët e fundit përballet me një rritje të numrit të pacienteve me prejardhje të huaj. Një numër i madh i popullsisë në Zvicër është me prejardhje të huaj dhe me kalimin e kohës, nevoja për ndihmë po rritet, sidomos për persona që punojnë dhe nuk kanë kohë, dijeni dhe energji të mjaftueshme apo të afërm që mund të kujdesen për prindërit apo fëmijët që kanë nevojë për përkujdesje shëndetësore profesionale.

Migrantët e ardhur para 30 apo 40 vjetësh, sot e kanë mbërritur moshën e pensionit dhe shumica nuk po kthehen nga kishin ardhur, por kanë marrë vendim për të qëndruar në Zvicër? A mjaftojnë spitexe-t që aktualisht operojnë në Cyrih?

Po, në Cyrih mendoj se ka spitex-e të mjaftueshme shtetërore, po ashtu edhe private, për të gjithë ata që janë në moshën e pensionit. Dhe mendoj se arsyeja që nuk kthehen në vendlindje është se tani kanë krijuar familje në Zvicër dhe nuk mund të shkëputen nga familjet e tyre.

Cili është dallimi i spitexit shtetëror dhe privat?

Dallimi më i madh ndërmjet spitexit shtetëror dhe atij privat është te shërbimi i dhënë. Në spitexin shtetëror çdo ditë ndryshon punëtori apo punëtorja. Ndërsa spitexi privat bazohet në besimin e klientëve, kështu që punëtoret janë të caktuara për klientë. Një apo maksimum dy punëtorë kujdesen për një klient rregullisht. Kështu që te klientët me kohë rritet besimi dhe ndihen më të rehatshëm. Po ashtu dallimi ndërmjet spitexit shtetëror dhe atij privat është se spitexi privat ofron 7/24 (7 ditë, 24 orë) orë shërbim, në anën tjetër në spitexin shtetëror orari i punës është i caktuar.

A janë këto shërbime të shtrenjta, sa kushtojnë, ai mbulojnë të gjitha sigurimet shëndetësore?

Po, të gjitha shërbimet i mbulon sigurimi shëndetësor.

Kush ka të drejtë në Zvicër të bëhet banor i një shtëpie për pleq, apo vetëm të pasurit me pensione të larta, siç mendojnë shumë njerëz?

Të gjithë të moshuarit që janë në kohën e pensionit mund të bëhen banorë të një shtëpie për pleq në Zvicër, pa dallim të gjendjes financiare.

Nuk është turp ta vendosësh një plak shqiptar në një shtëpi të tillë?

Sipas mendimit tim, nuk është turp. Po ashtu edhe ka anën pozitive për të dy anët, prindërit dhe fëmijët. Në një shtëpi të tillë, të gjithë janë përafërsisht në moshën e njëjtë dhe kjo mundëson që të krijojnë një shoqëri të re, ku nuk e kalojnë shumicën e kohës vetë, por janë të rrethuar me persona në gjendje dhe kërkesa të njëjta.

Ja çfarë ofron “Spitex Plus 24 GmbH”

Spitex Plus 24GmbH ofron përkujdesje dhe ndihmë profesionale shëndetësore 7/24 orë (7 ditë, 24 orë) për të moshuarit, por edhe për të rinj që kanë nevojë për ndihmë në shtëpitë e tyre. Në këtë shërbim hyn, si për shembull, ushqimi për ata që janë të paralizuar apo nuk mund të ushqehen vetë, pastrimi i klientit (dush), ilaçet apo gjilpërat etj. Përpos përkujdesjes shëndetësore, po ashtu në rast nevoje bën pastrimin e shtëpisë te klienti/ja, shopping etj. Po ashtu mundohemi që të dërgojmë punëtorë që kanë gjuhën amtare të njëjtë me klientin, kështu që klientët mund të shprehen më lehtë dhe të ndihen më të rehatshëm. Si Spitex Plus 24 GmbH nuk e shikojmë punën tonë si biznes, po si ndihmë dhe trajtim si në familje.

(Foto:Armend Berisha)