Kosova
Shqiptarët nga Kosova, dikur të zhvendosur nga lufta, sot liderë në skenën biznesore të Zvicrës
Ngjarja, e titulluar "AI und Die Zukunft der Arbeit (AI dhe e ardhmja e punës)", u organizua nga Google dhe swissalbs, një rrjet biznesi që lidh sipërmarrësit shqiptaro- zviceranë në Zvicër
Korridoret dhe zyrat e Google në Cyrih, Zvicër, jehonin nga gumëzhima e muhabetit dhe humorit në gjuhën shqipe dhe në gjermanishten zvicerane, derisa të gjithë shijonin birrën e frymëzuar nga AI ‘Mu’Pi’. Ngjarja, e titulluar “AI und Die Zukunft der Arbeit (AI dhe e ardhmja e punës)”, u organizua nga Google dhe swissalbs, një rrjet biznesi që lidh sipërmarrësit shqiptaro- zviceranë në Zvicër.
Ngjarja, që ishte iniciuar nga sipërmarrësi 42-vjeçar nga Kosova, Kristian Kabashi, mblodhi shumë sipërmarrës të suksesshëm shqiptarë të Kosovës, të cilët përfaqësonin prezencën e komunitetit në skenën biznesore të Zvicrës.
“Punën tuaj do ta marrë dikush që e përdor AI, por jo vetë AI”, tha Kabashi në këtë eveniment.
Në vitin 2020 Kabashi themeloi kompaninë e tij Numarics, e cila përdor AI për të ofruar menaxhim digjital dhe të centralizuar të kontabilitetit, financave, pagave dhe administratës. Aktualisht, Numarics ka 180 punonjës, 40 prej të cilëve janë të vendosur në Prishtinë.
Ai është vetëm njëri nga afërsisht 300,000 shqiptarë që jetojnë dhe punojnë aktualisht në Zvicër, shumë prej të cilëve kanë ardhur në Zvicër si refugjatë pasi u detyruan të largoheshin nga lufta e Kosovës ose trazirat para luftës.
Individë ambiciozë të komunitetit shqiptar të Kosovës në Zvicër i kanë transformuar vështirësitë në mundësi, duke sjellë perspektiva të reja në sektorët si AI, financa, shëndetësi dhe modë, si dhe duke rishkruar narrativën e emigrantëve dhe duke krijuar lidhje më të forta midis Kosovës dhe Zvicrës.
Fillimi i këtij udhëtimi të suksesshëm u zhvillua në rrethana jashtëzakonisht të ndryshme në vitet 1990. Shqiptarët e Kosovës nuk kishin as njohuritë bazike të komunikimit nga ndonjëra prej tri gjuhëve zyrtare: gjermanisht, frëngjisht ose italisht. Ata kishin vetëm bagazhet e tyre të mbushura me shpresa naive dhe dëshirën e madhe për të punuar. Të shtyrë nga domosdoshmëria për të ushqyer dhe edukuar fëmijët e tyre dhe për të mbështetur familjarët e tyre në vendlindje, ata kishin punuar çfarëdo pune që kanë mundur.
Ndërkaq, 30 vjet më vonë, gjenerata e dytë e emigrantëve shqiptarë të Kosovës ka përqafuar përzierjen e kulturave të ndryshme, duke forcuar kështu dhe zgjeruar më tutje rrëfimin e tyre të suksesit.
Lidhja e Kabashit me AI shtrihet përtej interesit personal, pra është një vizion për të gjithë shqiptarët: “Imagjinoni shqiptarët ta dominojnë skenën globale si arkitektë të ndërmarrësisë dhe Kosova të bëhet vendi ku fëmijët e talentuar e menaxhojnë asistencën robotike”, thotë ai për BIRN. Vizioni i tij ambicioz shtrihet më tej, ku ai parashikon komunitetin e tij “duke lënë shenjë në botë si sipërmarrës të zgjuar”.
Përfshirja e tij e guximshme e tregon thelbin e ambicieve dhe zemrës idealiste për një të ardhme të pakufishme, të ndërtuar mbi punën e palodhur të prindërve të këtyre sipërmarrësve.
Nga refugjatë në sipërmarrës: sfidat dhe triumfet
Islam Makica, një imigrant i gjeneratës së parë, la studimet në Ekonomik në Universitetin e Prishtinës për shkak të trazirave financiare dhe politike në Kosovë dhe në vitin 1990 emigroi në Zvicër. Atje ai punoi me orë të gjata në një fermë, i përkushtuar që të sigurojë një të ardhme të ndritur dhe të suksesshme për fëmijët e tij, përfshirë vajzën e tij, Liridona Makica, e cila është sot një sipërmarrëse e fuqishme dhe shumë e suksesshme.
Liridona, tani 31 vjeçe, u lind dhe u rrit në Zvicër. Ajo u gjend e mbërthyer mes dy botëve kulturalisht të ndryshme si dhe zgjedhjes midis jetës familjare apo karrierës, të dyja të ngarkuara me një mal përgjegjësish.
Natyra dashamirëse e Liridonës e afroi atë me mjekësinë dhe e shtyu të merrte fatin në duart e saj. Në vitin 2021 ajo themeloi kompaninë e saj, SpitexDona, e cila fokusohet në mbështetjen mjekësore në shtëpi, përfshirë infermierinë dhe rehabilitimin. Kompania e saj përdor teknologji moderne për të përmirësuar efikasitetin dhe efektivitetin e shërbimeve me theks në plane të kujdesit individual të përshtatura për nevojat unike të secilit klient.
“Duke pasur parasysh orët e gjata të punës të babait tim, faktin që nëna ime nuk ishte tërësisht e integruar dhe familjen tonë të madhe prej gjashtë vëllezërve dhe motrave, me kalimin e kohës unë fillova të merrja gjithnjë e më shumë përgjegjësi. Fillova të kujdesesha për gjërat në shtëpi dhe përfundova duke i menaxhuar ato”, thotë ajo për BIRN.
Zahrije Makica, nëna e Liridonës, ishte amvise dhe kujdesej për gjithë familjen. Ishte e vështirë për Zahrijen dhe Islamin të largoheshin nga Kosova dhe familjet e tyre, veçanërisht sepse atëbotë nuk kishte telefona celularë dhe telefonatat e largëta ishin shumë të shtrenjta. “Për t’i ulur shpenzimet, ata nuk udhëtonin shpesh në Kosovë dhe kështu mbështesnin më shumë familjen në Kosovë”, thotë vajza e tyre për BIRN.
Shumë shqiptarë të Kosovës me diploma të avancuara në sektorë, si bankat, drejtësia dhe të tjera, u detyruan të kërkonin punësim si pastrues, punëtorë ndërtimi dhe staf mirëmbajtjeje për zviceranët me të njëjtin sfond profesional dhe arsimor. Ekzistenca e tyre e përditshme lëngonte nga ndjenja e thellë e pasigurisë dhe paqëndrueshmërisë. Çdo mbrëmje e kalonin duke përthithur me ankth lajmet dhe duke u lutur për sigurinë e të dashurve të tyre në shtëpi, në Kosovën që shkatërrohej nga lufta.
Pas përballjes me shumë vështirësi gjatë të kaluarës së tyre, shqiptarët e Kosovës gjetën rrugëdaljen me zhdërvjelltësinë e tyre, duke punuar shumë dhe duke iu qasur sfidave me mendësi inovative. Shfrytëzimi i këtyre cilësive veçuese e ka transformuar historinë e tyre dhe u ka ofruar të ardhme shpresëdhënëse.
Sipas medias lokale zvicerane SWI, rreth 300,000 folës të gjuhës shqipe jetojnë dhe punojnë aktualisht në Zvicër. Atyre u duhet të kapërcejnë shumë sfida që të arrijnë sukses në një vend me ekonomi të fortë, konkurrencë të madhe dhe në një komb të shpallur si qendra kryesore e talenteve në botë nga Forumi Ekonomik Botëror (World Economic Forum).
Arbela Statovci, anëtare e bordit të swissalbs dhe përfaqësuese e saj për media dhe komunikim, i tha BIRN-it se 650 kompani të zotëruara nga shqiptarët e Kosovës në pjesën gjermanofolëse të Zvicrës janë bërë anëtarë të Swissalbs në vitet e fundit.
Sevdail Tahiri, drejtor i Albinfo.ch, një media që raporton për shqiptarët e Kosovës në Zvicër, vlerëson se rreth 6,000 kompani që operojnë në Zvicër janë në pronësi të komunitetit shqiptar, por aktualisht nuk ka të dhëna zyrtare që e konfirmojnë këtë.
Kapërcimi i barrierave kulturore dhe kthimi në Kosovë
Shumë sipërmarrës shqiptarë të Kosovës, të cilët ose kanë lindur dhe janë rritur në Zvicër ose kanë shkuar atje në moshë shumë të re si refugjatë, e shohin gjuhën jo si pengesë, por si një mjet për t’i lidhur dhe harmonizuar dy kulturat.
Mentor Latifi, ambasador i Kosovës në Zvicër, i tha BIRN-it në një korrespondencë në LinkedIn se “qëllimi kryesor i ambasadës së Kosovës është të inkurajojmë sipërmarrësit e rinj dhe kompanitë në pronësi shqiptare të investojnë gjithashtu në Kosovë. Prandaj, ne vazhdimisht bëjmë lobim për ta —megjithëse vëmendja e tyre është në Kosovë— dhe në rastet kur janë të interesuar, ne përpiqemi t’i lehtësojmë të gjitha procedurat burokratike të mundshme për ta dhe të organizojmë takime rrjetëzimi të frytshme me vendimmarrësit e rëndësishëm”.
Nga ana tjetër, Kabashi gjithashtu ka një vizion për përparimin sipërmarrës të komunitetit të tij në Zvicër dhe Kosovë. Kabashi shkoi përtej normave shoqërore, ai refuzoi pritshmëritë tradicionale të imponuara nga prindërit dhe diaspora shqiptare, që theksonte mirënjohjen për punësimin e sigurt prej orës 9-17. Ai filloi të merrte rreziqe dhe u ngjit dalëngadalë në pozita ekzekutive në Cyrih, Zvicër, Londër, Mbretërinë e Bashkuar dhe madje edhe në New York, SHBA.
Duke shfrytëzuar aftësitë e tij gjuhësore si vendore, ashtu edhe biznesore me besim të madh në fuqinë e AI, Kabashi krijoi termin “Blank Collar” (kollarja boshe) më 2015, të cilin e shpjegoi në librin e tij “The Blank Collar Equation: A manifesto for the future of work,” që avokon për një botë biznesi të lirë nga përkufizimet tradicionale të punëtorëve me kollare të kaltër dhe të bardhë (punëtorë zyrash).
Duke e përshkruar veten si “një gjitholog në botën e specialistëve, duke kaluar nga një vend në tjetrin,” Kabashi beson se e ardhmja nuk do të përfitojë më nga specialistët. Në vend të kësaj, “fuqia punëtore e së ardhmes do të përcaktohet nga adaptueshmëria, inovacioni dhe aftësia për të shfrytëzuar teknologjinë dhe për të krijuar rritje domethënëse dhe të qëndrueshme… dhe kjo do ta vendosë atë fuqi punëtore në një pozitë unike për të naviguar kompleksitetin e mjedisit modern të punës”.
Në sytë e Kabashit, Kosova ka një potencial të madh për të kultivuar një gjeneratë biznesesh “Blank-Collar”.
Pavarësisht luftës së tij kundër normave shoqërore, natyra rrezikuese dhe bujare e Kabashit vjen në masë të madhe nga sfondi i familjes së tij. Prindërit e tij u larguan nga Kosova në fillim të viteve ’90-a për shkak të vështirësive financiare dhe në kërkim të një të ardhme më të mirë. Sapo u vendosën, ata u përkushtuan që të ndihmonin Kosovën dhe më vonë anëtarët e familjes së tyre, të rimëkëmbeshin financiarisht nga lufta.
Ashtu si ata, Kabashi kontribuon për komunitetin duke përgatitur gjeneratat e reja për botën e biznesit dhe duke i ndihmuar ata të kuptojnë dinamikat e saj. Ai thotë me modesti se e bën këtë jo nga detyrimi, por nga motivimi i brendshëm. Si një mendim të dytë, ai e quajti atë ”efekti mikro dhe makro”.
“Po përpiqem të krijoj një markë për Kosovën. Jo vetëm që duhet të krijojmë kompani jashtë dhe t’i vendosim ato këtu, por gjithashtu duhet t’i themelojmë ato në Kosovë dhe t’i bëjmë ato të konkurrojnë me pjesën tjetër të botës. Po përpiqem të jem një ambasador për atë që shqiptarët mund të jenë nëse shfrytëzojnë fuqinë e AI”, tha ai për BIRN.
Udha më e vështirë e grave drejt integrimit dhe qëndrueshmërisë
Nga AI te sektori i kujdesit, sfidat e integrimit morën një formë shumë më të veçantë për gratë imigrante.
Pavarësisht suksesit të saj të tanishëm, udhëtimi profesional i Liridona Makicës filloi me mbështetje minimale. Ajo fillimisht humbi mbështetjen e partnerit, i cili ishte kundër vendimit të saj që t’i përkushtohet arsimimit të lartë dhe më parë të investojë në karrierë sesa në jetën familjare në një fazë kaq të hershme. E perceptuar si një e huaj në komunitetet e ngushta të punës, ajo gjithashtu u përball me kritika edhe aty.
Kur filloi punën në një fshat të vogël zviceran, CEO dhe COO mbështetën suksesin e saj, por ajo nuk mori të njëjtin respekt nga kolegët e saj.
“Në një moment, pas promovimit tim në menaxhim të infermierisë, më thanë drejtpërdrejt, “një grua shqiptare dhe e re në menaxhim, kjo nuk mund të jetë gjë e mirë”, kujton ajo.
“Si rezultat [i promovimit të saj], dy punonjës të tjerë dhanë dorëheqjen menjëherë pas”, shpjegon ajo për BIRN.
Pavarësisht se kishte filluar me një humbje personale, sot ajo është e rrethuar nga një komunitet i fuqishëm dhe ka rreth 56 punonjës zviceranë dhe shqiptarë në kompaninë e saj. Qëndrueshmëria e nxiti të rimodelojë fatin e saj dhe të krijojë një mjedis të balancuar dhe përfshirës, duke promovuar ndërthurjen e dy kulturave.
“Ushqimi është mënyrë e mrekullueshme për t’i lidhur kulturat. Më pëlqen të përgatis pjata tradicionale shqiptare dhe t’i ndaj me miqtë e mi zviceranë”, thotë ajo, duke shtuar: “Unë i integroj vlerat e të dy kulturave në jetën time të përditshme. Nga ndjenja e fortë e komunitetit dhe mikpritjes në kulturën shqiptare te efikasiteti dhe përpikëria në kulturën zvicerane”.
Duke vazhduar të investojë në Zvicër, vendin e saj të rritjes, Makica gjithashtu po punon drejt hapjes së një shtëpie kujdesi në Kosovë dhe po fillon të investojë në atdheun që ka idealizuar që nga lindja.
Sipërmarrëset shqiptare të Kosovës në Zvicër mësuan në mënyrë të ashpër se pranimi dhe integrimi kërkojnë një përqafim të ndërsjellë për të kultivuar jo vetëm harmoninë, por edhe qëndrueshmërinë në botë.
Vlora Rexhepi, 36 vjeçe, u rrit në Gjermani, ku familja e saj kishte shkuar për t’i shpëtuar luftës në Kosovë. Duke u rritur, duke u përpjekur të përshtatej, ajo dhe familja e saj u përpoqën të festonin ditëlindjen e saj në të njëjtën mënyrë si shokët e saj gjermanë. Si e rritur, ajo vë theks të veçantë se nuk duhet kufizuar veten vetëm në një kulturë ose rreth njerëzish.
“Jam mendje hapur dhe e shijoj multikulturalizmin, sepse reflekton atë që unë jam—person me prejardhje të ndryshme kulturore, që flet disa gjuhë dhe person që pëlqen të ndajë vlerat qoftë ato nga trashëgimia ime shqiptare apo nga Gjermania”, tha ajo.
Përvoja profesionale e Rexhepit në Menaxhimin e Kongreseve në Gjermani e bëri atë të zhvendosej në Zug, Zvicër, ku ndoqi studimet master në Administrim Biznesi me degë në Turizëm.
Pas përfundimit të studimeve, ajo punoi si Menaxhere Biznesi për markën luksoze të bizhuterive zvicerane, Gubelin. Duke përqafuar Zug si “shtëpinë e saj të tretë”, ajo nisi të shqetësohet për qëndrueshmërinë dhe të ardhmen e botës. E shtyrë nga pasioni i saj, ajo la punën dhe bashkëthemeloi Lola Tong, një markë veshjesh që kombinon modën e ndërgjegjshme me luksin.
“Ekziston një prirje për t’u mburrur duke blerë produkte luksoze dhe për ta demonstruar se ‘ia kemi dalë’,” i thotë ajo BIRN-it, duke ia atribuuar konsumimin e tepërt të brezit të saj faktin që janë të parët që i përballojnë blerjet e tilla.
Përkrahja e dyfishtë
“Duke u rritur në Gjermani, gjithmonë më duhej të shqiptoja emrin dhe mbiemrin në mënyrë gjermane, pasi kjo ishte krejtësisht normale për një fëmijë me prejardhje të huaj. U habita kur erdha në Zvicër dhe zbulova se zviceranët dinin ta shqiptonin emrin tim. Kjo ishte një përvojë shumë pozitive për mua”, tha ajo.
Sot, mbështetja që merr nga të dy komunitetet është frymëzuese. Emigrantët shqiptarë mbështesin kompaninë e saj, ndërsa komuniteti i Zug-ut e përkrah atë me krenari si një “startup i Zug-ut.” Një ditë, ajo ëndërron të hapë linjën e saj të prodhimit në Kosovë.
Vizitat e shpeshta në Kosovë, ku gratë punojnë pa pushim si rrobaqepëse për një pagë minimale, e kanë shtyrë Rexhepin dhe partnerin e saj, Dennis Tong, të sfidojnë idenë e të bërit më shumë për më pak.
Ata janë të përkushtuar të sigurojnë njohjen e duhur për dizajnerët dhe artizanët, duke përfshirë edhe nënën e saj, Fahrije Rexhepin, e cila emigroi në Gjermani në vitin 1992. Ajo sot është një infermiere që ndan kohën e saj midis spitalit dhe Lola Tong.
“Kur dëgjova për Lola Tong për herë të parë dhe mundësinë për t’u bërë pjesë e këtij projekti, ndjeva sikur zemra ime u ndal për një moment—skicat e mia të modës po bëhen realitet”, thotë Fahrija, krenare për vajzën e saj dhe e emocionuar që më në fund mund ta jetojë ëndrrën e fëmijërisë përmes saj.
Shkruar nga Pritë Bytyçi në gjuhën angleze për Prishtina Insight dhe përkthyer e përshtatur nga Vlora Konushevci në gjuhën shqipe.
E-Diaspora
-
Mbrëmja AlbGala e platformës mediale albinfo.ch, një përjetim i paharrueshëm Në një atmosferë solemne, me ambient të ngrohtë e miqësor, platforma mediale Albinfo.ch ka mbajtur mbrëmë...
-
Zvicër: Shoqata Kulturore Shqiptare Bashkimi feston ditën e flamurit dhe 15-vjetorin e themelimit të shoqatës
-
Luiza Duraku betohet si nënkryetare në Anderlecht
-
Abdixhiku takon bashkatdhetarët në Olten të Zvicrës
-
Habibe Duraki betohet si nënkryetare në komunën Evere të Zvicrës
Jeta në Austri
-
Austri: AMS paralajmëron rritje të papunësisë Drejtorët e Shërbimit Austriak të Punësimit (AMS), Petra Draxl dhe Johannes Kopf, po mbrojnë zgjerimin e...
-
Ditët e pushimit gjatë vitit 2025 në Austri
-
Salzburg: Dënohen 7 të rinj për plagosjen me rrezik jete të kosovarit
-
Shpenzimet e pensioneve në Austri do të rriten ndjeshëm, tregon raporti
-
Çfarë duhet të dinë personat e vetëpunësuar në Austri për përfitimet prindërore