Lajme

Ramë Beqiri, artisti i shquar shqiptar nga Gjeneva, mes aktrimit dhe pikturimit

Ramë Beqiri është artisti i shquar shqiptar, jeton dhe vepron në kantonin e Gjenevës. Ai pikturon dhe njëkohësisht aktron në shumë teatro të botës, është pjesë e shumë projekteve filmike në kinematografinë zvicerane.

Të duash artin, është botë më vete. Arti, në të vërtetë, ështe pasqyrë e jetës, është një dritë e hapur e mendjes që të shërben dhe të plotëson. Në fakt, njeriu e detyron artin të jetojë pranë tij, edhe anasjelltas.

Edhe rasti i Ramë Beqirit është i njëjtë. Siç shprehet ai, është i “infektuar” me artin dhe rrjedhimisht kjo është gjëja më e mirë që i ka ndodhur, sepse e mbush me jetë, me optimizëm dhe qetësi shpirtërore.

Të jesh mes aktrimit dhe pikturimit, është bekim

I riu shqiptar nga Kosova, Ramë Beqiri, jeton dhe vepron në kantonin e Gjenevës. Ai ka një lidhje të veçantë me artin, në kuptimin e plotë të fjalës. Ushtron aktrim dhe pikturon. Pra, është një artist i dyfishtë.

Ai është me prejardhje nga Ferizaji, është lindur dhe rritur në këtë qytet. Ai rrëfen për albinfo.ch jetën e tij, vështirësitë dhe dëshirat që kishte që në moshë të re.

“Jam lindur në fshatin Koshare. Rininë e kam kaluar në qytetin e Ferizajit, ku edhe bëra shkollën e mesme të gjimnazit. Gjatë shkollës së mesme gjithnjë kërkoja mundësi për t’u marrë me pikturë dhe teatër, e doja këtë gjë, pasiqë edhe babi im ishte i “infektuar” nga arti, siç thoshte ai”, tregon Rama.

Dëshira e tij sa vinte dhe shtohej çdo ditë e më shumë për të luajtur aktrim, aq sa edhe një ditë u “zhyt” në atë oqean.

“Unë rastësisht fillova të luaj si aktor në qytetin e Ferizajit, në teatrin që mban emrin e aktores së ndjerë “Adriana Avdullahu”, aty ku edhe babai im e kishte kaluar jetën e tij. Pikërisht edhe unë vendosa të zgjedh të njëjtin fat, të njëjtat sfida, fillova të luaj si aktor në teatrin e qytetit, kështu që shkoja në shkollë dhe bëja teatër, sepse teatri më ndiqte kudo që isha thellë brenda meje. Më e rënda ishte sepse këtë e bëja fshehurazi, sepse babai më thoshte të gjej një profesion që të sjellë një jetë më të qetë dhe, sipas tij, arti është një sëmundje e llojit të vet dhe se është një botë e vështirë brenda saj”, rrëfen Rama.

Ndoshta “presioni” i babait që të mos e ndiqte aktrimin, Ramën e bëri edhe më të dhënë ndaj kësaj fushe. Siç thonë, “molla e ndaluar është më e bukur”, ashtu ishte edhe për të riun kosovar. Ai vendosi ta ndjekë dëshirën e tij, pavarësisht gjërave të tjera.

“Atë kohë nuk e kuptoja, por ndoshta pikërisht ai insistim më ka ndihmuar dhe më ka shtyrë në realizimin e ëndrrës time. Vazhdova të luaj shfaqje në teatër, duke qenë pjesë në festivalin e teatrove të Kosovës, si aktor në disa pjesë teatrale. Kështu duke vazhduar me grupin e teatrit të qytetit, arritëm të ngjitemi në skenën e teatrit të Cyrihut në Zvicër, Munsterit në Gjermani dhe Roterdamit në Holandë. Dhe, pikërisht këtu u hap një dritare e re për mua”, tregon ai për albinfo.ch.

Gjeneva, pikënisja e re e jetesës

Ramës në vitin 2010 iu mundësua të jetojë në Gjenevë të Zvicrës. Si çdo fillim, ambientimi për të, me një shoqëri dhe kulturë tjetër, nuk ishte e lehtë. Ai tregon në një intervistë për albinfo.ch se është detyruar të bëjë punë të ndryshme e të vështira për t’ia dalë mbanë.

I zhytur në bukuritë e Zvicrës, në çeltërsinë e natyrës që ofron, Rama thellë në shpirtin e tij pikturonte ngjyrat më të bukura, që e mbushnin fantazinë e tij. Një mëngjesë ai u zgjua me një qëllim, që ëndrrën e tij ta fillojë në realitet.

“Një ditë vendosa të blej disa ngjyra me aq franga që kisha në xhep, duke mos menduar më shumë që xhepi im do të mbeste i zbrazët. Fillova të pikturoja, i thashë vetes, është momenti i duhur për ëndrrën time që kisha që nga fëmijëria. Inspirimi im ishte shumë i madh, duke parë turma njerëzish, vende të bukura, përmes pikturës mundohesha të luftoja dukuritë negative me të mirën. Kjo më krijonte një energji pavarësisht vështirësive që kisha, e binda veten të jem optimist”, shprehet ai.

I riu shqiptar kohë pas kohe realizonte piktura, duke përdorur ngjyrat karshi mendjes së tij në pikturim dhe për pak kohë punoi 30 piktura.

“Pasi realizova rreth 30 piktura, më rastisi të njihja një person, adhurues i artit, figurë e shquar në Gjenevë, që pikturën e kishte për qejfi. Ishte zotëri Antonio, njeriu i parë që fillimisht pa pikturat e mia, përmes fotografive. Fjalët e tij pozitive i mora me rezervë në fillim. Më tha që të nesërmen t’i dërgoja pikturat në shtëpinë e tij”.

Tutje Rama rrëfen se të nesërmen ai arriti te shtëpia e personit në fjalë.

“Duke i shikuar pikturat, zotëri Antonio mori në telefon motrën e tij dhe disa familjarë të tjerë. ‘Kam një befasi për ju’. Ejani tek unë, është mbushur shtëpia me ngjyra nga punimet e një piktori shqiptar”. Nuk vonoi shumë dhe aty u bë sikur një ekspozitë, me atmosferë të këndshme dhe pikërisht këtu shita pikturën e parë që titulloja ‘Këpucët në trotuar’”, tregon Rama.

Për të, nga kjo ditë filloi t’i bëjë një sërë pikturash të tjera, mori pjesë në shumë ekspozita dhe më pas mori një ftesë nga një bankë në Zvicër që punimet e tij të ekspozoheshin në ambientet e tyre, krahas disa orëve të shtrenjta që ishin të ekspozuara, karshi pikturave.

“Deti i trazuar”, piktura më e pëlqyer nga audienca zvicerane

Rama tregon se një nga pikturat e tij më të pëlqyera nga audienca zvicerane është ‘Deti i trazuar’. Piktura ka të bëjë me një nga udhëtimet e tij, një përvojë jo e këndshme e detit të trazuar, gjersa po lundronte në anije.

Pas një kohe të shkurtër, Rama njohu një firmë transporti për piktura, skulptura dhe vepra artistike. Nga këtu kuptoi se si përcaktohet vlera e çmimit të një pikture.

“Aty ku punoja në orarin e plotë të punës, punëtorët e tjerë më treguan se cili ishte personi kryesor që merrej me shitblerjet e pikturave. Me plot bindje iu afrova dhe i thashë se edhe unë jam piktor. Me një buzëqeshje ironike më tha: ‘Ka piktorë shumë’. Mirëpo nuk u dorëzova, gjatë ditëve që punoja, e lutja ta mirrte një pikturë timen. I thashë po pati ineteresim, mirë, nëse jo, ke lejen time ta hedhësh në shportë të mbeturinave”, rrëfen tutje Rama.

Piktura “Deti i trazuar” u shit për 20 mijë franga

Pikturën që Rama e kishte dorëzuar te personi në fjalë, nuk kishte shumë shpresa se do të arrinte një sukses, pasi kaluan disa muaj kohë, pa asnjë sinjal.

“Mbas tre muajsh mora një telefonatë po nga i njëjti person, më pyeti nëse jam i gatshëm ta shesë pikturën për 20 mijë franga. I gëzuar, përgjigjja ime ishte po. Për pikturën “Deti i Trazuar” kuptova që kishte pasur interesim të madh”, tregoi ai.

Krahas pikturës, Rama ka qenë i angazhuar në disa projekte kinomatografike të filmit të metrazhit të shkurtër, në qytetet e Francës dhe Belgjikës. Ndër to ishin “Don’t Take my chair” në Bruksel, filmi shqiptaro-francez në Belgjikë, në Gjenevë filmi nga regjisori Charles Hieronymi, “La mort de Socrate et mon frere Suisse”, “The Alone Shoes Marseille France”, “Confiance Montpellier France”, “La Fakir Geneve Susisse” etj.

Tani është anëtar i grupit të Festivalit internacional “Figog”. Duke qenë anëtar në këtë grup, qëllimi i Ramës është të promovojë edhe filmat nga Kosova në Zvicër. Çdo vit ai ka sjellë nga një film kosovar në festival. Këtë vit do të sjellë dy filma nga Kosova në festivalin “17 Festival international Du Film Oriental De Geneve”. /Albinfo.ch