Shqipëria

Pse ndodh ikja nga Ballkani

Nga fundi i vitit 2013, 5.7 milionë njerëz me origjinë nga Ballkani Perëndimor jetonin jashtë vendeve të tyre, duke e çuar normën mesatare të emigrimit në rajon në 31.2%

Debati për largimin e profesionistëve jashtë Shqipërisë dhe efektet e emigracionit po bëhen gjithmonë e më të shpeshta.

Qeveria shqiptare ka nxjerrë për konsultim strategjinë kombëtare për qeverisjen e migracionit dhe planin e veprimit, duke parashikuar një seri masash.

Duke analizuar disa prej tyre, strategjia çon vëmendjen edhe te ndryshimi i qëndrimit që Shqipëria ka ndaj të punësuarve të huaj.

Madje, strategjia nënvizon se qasja në të ardhmen e afërt duhet të jetë e ngjashme me vendet fqinje, sot pjesë e BE-së që, për sektorë të caktuar dhe në bazë të kërkesës së tregut, bëjnë punësime me kontrata afatgjata për të huajt.

“Shqipëria ka një sistem kuotash për menaxhimin e imigracionit të punës, i cili synon të përcaktojë aktivitetet dhe profesionet për të cilat lejohet punësimi, si dhe numri i lejeve të punës. Procesi i përcaktimit të kuotave vjetore për punësimin e imigrantëve varet shumë nga prioritetet e politikave të migracionit dhe nga situata e ndryshueshme në tregun e punës (sidomos në lidhje me punësimin sezonal). Ky proces ka pasur efekt të kufizuar dhe duhet të rishikohet për të reaguar më mirë ndaj nevojave të tregut të punës, sidomos në sektorët me mungesë të aftësive.

Për më tepër, në të ardhmen e afërt, Shqipëria, njësoj si shumë vende fqinje të BE-së, do të duhet të marrë në konsideratë ofrimin e skemave specifike për tërheqjen e profesionistëve të huaj dhe punëtorëve të kualifikuar në sektorët me kërkesë të lartë, përfshi këtu edhe kombinimin e lejes afatgjatë të qëndrimit dhe të punësimit”, thuhet në strategji, transmeton Monitor.

Dokumenti vlerëson se duhet të ketë një analizë më të mirë të migracionit për të parë ndikimin në tregun e punës të tij, flukset migratore, si dhe vëllimin dhe strukturën e fuqisë punëtore, që më pas do të përcaktojë nevojën për fuqi punëtore të huaj, përcjell albinfo.ch.

“Një politikë e ardhshme e mirë për migracionin për motive punësimi do të kërkojë që nevojat e migracionit për punë të monitorohen dhe të parashikohen rregullisht. Vlerësimet e rregullta të ndikimit aktual dhe të ardhshëm të flukseve migratore mbi vëllimin dhe strukturën e fuqisë punëtore kombëtare, së bashku me vlerësimet e ndikimit të migracionit në tregjet kombëtare dhe rajonale të punës, do të duhen për të përcaktuar politikën e migracionit për motive punësimi dhe nevojën për fuqi punëtore të huaj. Njësoj si në vendet e BE-së, ky proces do të kërkojë kapacitete të mira nga institucionet përkatëse të Qeverisë Shqiptare, për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave për migracionin për motive punësimi dhe përdorimin e projeksioneve të migracionit, për të zhvilluar politika afatgjata të migracionit për motive punësimi”, nënvizon strategjia.

Një tjetër masë e propozuar sjell në vëmendje identifikimin, përmes anketimeve për aftësitë dhe kualifikimet, të disa prej barrierave dhe mundësive për integrimin e migrantëve të mundshëm dhe të të kthyerve në tregun e punës në Shqipëri. Po kështu, dhënien e stimujve si përjashtimi nga taksat e përkohshme, si dhe krijimi i një fondi bursash për studime të mëtejshme jashtë vendit dhe pjesëmarrja në programet e shkëmbimit, me kusht detyrimin e kthimit.

Ballkani, eksportues neto i kapitalit njerëzor

Dikur pjesë e Jugosllavisë, Ballkani Perëndimor tradicionalisht ka përjetuar nivele të larta emigracioni. Largimi i qytetarëve nga rajoni u rrit në fillim të viteve 1960, një periudhë në të cilën Jugosllavia kishte të njëjtat nivele papunësie me ato nivele që ka rajoni sot. Me shpresën për të lehtësuar presionin në tregun e punës dhe në ekonominë më të gjerë, si dhe duke njohur mundësitë që paraqiten jashtë kufijve të saj, qeveria jugosllave preferoi t’i lejonte punonjësit e papunë të lëviznin jashtë vendit, me mundësinë që ata të fitonin aftësi të reja, të dërgonin remitanca në shtëpitë e tyre, si dhe të ndihmonin në fuqizimin e investimeve vendase.

Në pikun më të lartë, në mesin e viteve 1970, rreth 1.1 milionë punëtorë, shumica e të cilëve nga mosha 20 deri në 45 vjeç, u larguan nga Jugosllavia. Kjo ishte një shifër domethënëse për një komb me rreth 20 milionë banorë. Midis këtyre emigrantëve, pjesa më e madhe e të cilëve burra, kishte shumë fermerë me fare pak arsim, por edhe banorë nga qytetet. Por emigracioni nuk i zgjidhi problemet e qeverisë. Edhe pse punëtorët emigrantë dërgonin remitanca në vendin e tyre, paratë kishin pak ndikim në investime dhe në faktorë të tjerë, të cilët mbështesnin strukturën e ekonomisë. Shumica e parave financonin blerje të mallrave të konsumit. Megjithatë, rrjedhja masive e njerëzve ndryshoi qëndrimet publike ndaj emigracionit, duke hapur dyert për shumë të tjerë të bënin të njëjtën gjë.

Shpërbërja e Jugosllavisë në fillim të viteve 1990, konfliktet e dhunshme dhe një tranzicion i ngadaltë nga një ekonomi e centralizuar te tregjet e hapura nxitën edhe një herë një emigrimin masiv nga Ballkani Perëndimor, duke zgjeruar komunitetet tashmë të mëdha në diasporë.

Nga fundi i vitit 2013, 5.7 milionë njerëz me origjinë nga Ballkani Perëndimor jetonin jashtë vendeve të tyre, duke e çuar normën mesatare të emigrimit në rajon në 31.2%.

Gjatë periudhës 1990 – 2010 nga Shqipëria janë larguar mbi 1.4 milionë persona, sa 45% e popullsisë rezidente. Ndërsa në periudhën 2014 – tremujori i parë 2019, kanë aplikuar për azil 155,803 shqiptarë, ndërkohë mijëra tjerë kanë emigruar në SHBA, Kanada, Turqi për arsye emigrimi, me lotari apo aplikime të tjera. Emigrimi i shqiptarëve shtrihet deri në Zelandën e Re.

Megjithatë, në pesë vitet e fundit, rritja e ngadaltë, si dhe kushtet e këqija socio-ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor, të ndërthurura me perspektivat në rënie që këto vende do të bëhen pjesë e Bashkimit Europian, kanë krijuar një zhgënjim, i cili ka rezultuar në një valë të re emigrimi.

Shpresa e vendeve të Ballkanit Perëndimor për konvergjencë me Bashkimin Europian, një tranzicion, i cili do të krijonte kushte ligjore, ekonomike dhe sociale të krahasueshme me ato në vendet anëtare, nuk u bë kurrë realitet. Nëse Ballkani Perëndimor ruan një normë rritje mesatare me rreth 3%, sipas parashikimit të projektimit të Bankës Botërore, rajonit mund t’i duhen gjashtë dekada që të mund të arrijë aspektin ekonomik të kësaj konvergjence.

Në vitin 2014, normat e papunësisë varionin nga 12.4% në Shqipëri deri në një përshkallëzim prej 31% në Maqedoni, me nivele papunësie veçanërisht të larta midis të rinjve – 62.3% në Bosnjë-Hercegovinë. Në vitin 2008, kriza globale ekonomike dëmtoi ekonominë e rajonit, duke i detyruar qeveritë atje të merrnin masa të ashpra, të cilat pengonin rritjen, nga ana tjetër

Sipas konstatimit të Njësisë së Inteligjencës Ekonomiste, “në vitin 2012, PBB në vendet e Ballkanit Perëndimor ishte pothuajse 10% nën nivelin e saj të vitit 1989, ndërkohë që ishte mesatarisht 60% më e lartë në vendet, të cilat iu bashkuan BE-së në vitet 2004-2007.”