CH-Ballkani
Një jetë në Zvicër, për vendlindjen

Një dritë jeshile e viteve të 1970-ta për punë në Perëndim kishte lëshuar rreze edhe në Kosovë. Enti i atëhershëm krahinor i punësimit kishte organizuar trajnime tremujore për profile të ndryshme zejesh, sidomos në fushën e ndërtimit të lartë e të ulët. Të trajnuarit u nënshtroheshin edhe provimeve për të marrë një diplomë si murator, moler, axhustator, saldator, kamarier e çka jo. Me mijëra punëtorë, që nuk kishin një perspektivë të sigurt në Kosovë, kishin mësyrë Gjermaninë, Zvicrën, Austrinë dhe Francën.
Në kufijtë respektivë i priste një ekip mjekësh për t’u siguruar që të mos futej në shtetin e tyre ndonjë “gastarbajter” i sëmurë. Disa që më herët kishin punuar në arat e Banatit e të Baçkës, dhe banesat e tyre ishin plemet ose grazhdet e kuajve, në Perëndim po përjetonin një rilindje – me dhoma në baraka, me ujë të nxehtë e me orar të caktuar pune. Të respektuar e të shtrydhur, njëkohësisht, si punëtorë krahu a mjeshtër ata ndjeheshin të privilegjuar, sepse në fund të vitit vërehej rezultati i punës së tyre stinore; një arë e blerë më shumë, një shtëpi e nisur dykatëshe, një veturë e mirë për familje, një mundësi më e madhe për shkollimin e djalit, vajzës, vëllait a motrës.
Ndërkohë ishte shtuar edhe mundësia e punës tremujore për studentë, që, po ashtu, ishte një ndihmesë e madhe për studentët kosovarë, paçka që shumë prej tyre përfunduan në Perëndim, por jo edhe studimet e filluara. Mbi të gjitha, shteti jugosllav kishte zgjidhur përkohësisht problemin e papunësisë, ndërkaq në politikën afatgjatë realizohej një kanal i zbrazjes së Kosovës, tashmë jo në Anadoll, por në shtete të zhvilluara evropiane. Ndërkaq Trepça, me pasuritë nëntokësore të Kosovës, ishte garancioni për kreditë ndërkombëtare që merrte ish-Jugosllavia, për të mos thënë më konkretisht Beogradi, me të cilat ndërtohej Serbia, por jo edhe Kosova. Kështu, vala e “gastarbajterëve” s’kishte të ndalur, fillimisht si vetjakë e më vonë merrnin edhe familjet e veta.
Si shumë të tjerë që synonin “tokën e premtuar”, edhe Hasim Mehmet Kryeziu nga Rogana e Kamenicës kishte ndarë mendjen për në Perëndim. Ishte 15 maji i vitit 1970 kur në Buchs të Zvicrës i nënshtrohet kontrollimit mjekësor, dhe pasi del njëqind për qind i shëndoshë merr vizën për punë në Zvicër. Gjatë viteve në vijim Hasimi nuk kishte qenë kurrë më i shëndoshë se atë ditë të 15 majit, por edhe, me folë kah del shpirti, kurrë më i varfër se ato vite para 15 majit të 1970-ës.
Shtatë vitet e para kishte punuar në kopshtarinë „Sumner“ të St. Gallenit dhe 13 vitet pasuese në Tiefbauamt, po ashtu në St. Gallen. Lufta për ta mbajtur statusin e “gastarbajterit” nuk ishte edhe pa sakrificë, në njërën anë duhej punuar shumë për t’u dëshmunar për garancionin e vitit pasues, dhe në anën tjetër duhej punuar shumë për të merituar ardhjen te familja çdo tre-katër muaj. Gjithsesi ishte një jetë me strese, por edhe me shpresë për një të ardhme më të mirë për atë dhe familjen e tij.
Në vitet e 70-ta gjimnazi i atëhershëm „9 Maji“ në Kamenicë ua mundësonte përfundimin e shkollës së mesme nxënësve, të cilët, për arsye të ndryshme, e kishin ndërprerë shkollimin. Gjatë pushimeve verore dhe dimërore organizoheshin provimeve private. Këtë rast e kishte shfrytëzuar edhe Hasimi. Kështu, gjatë viteve 1973/1974 Hasimi e kishte marrë privatisht gjimnazin në Kamenicë. Diploma e gjimnazit, por edhe angazhimi i Hasimit në Zvicër, ia mundëson që ta bëjë një punë më të lehtë në sektorin e mirëmbajtjes në firmën e shtetit “Tiefbauamt” në St. Gallen. Kjo gjendje kishte ndikuar që ai të angazhohej edhe në Sindikatën e punëtorëve, por edhe të angazhohej si përkthyes për firmat dhe institucionet e interesuara.
Lufta për të mos e lëshuar vendin e kishte mbajtur vazhdueshëm në një distancë dymijë kilometërshe. Hasimi ishte lodhur nga ecejaket Zvicër – Kosovë për pesë vjet radhazi, dhe, sigurisht, do të kishte vazhduar edhe më tutje sikur gruaja e Hasimit, Nexharija të mos kishte komplikime me shtatzënësinë e parë. Para lindjes së fëmijës së parë ajo shtrihet dhe qëndron pesë muaj e gjysmë në spitalin e St. Gallenit. Ishte gëzim i papërshkrueshëm kur më 7 qershor 1976, në jetë erdhi djali i tyre i parë. E pagëzuan me emrin e madh, IBRAHIM. Hasimi ende ishte punëtor stinor, nuk kishte sigurim për bashkëshorten, kështu që të gjitha shpenzimet e spitalit duhej t’i mbulonte vetë. Për nga natyra e karakterit, Hasimi ishte tip energjik dhe tejet ambicioz. Donte të fitonte sa më shumë që ishte e mundur, por edhe punonte pa masë. Ky angazhim me stres do t’i kushtojë Hasimit me përkeqësim të shëndetit, saqë, pas lindjes së Ibrahimit, Hasimi pëson infarkt kardiak, por falë intervenimit të shpejtë mjekët ia shpëtojnë jetën. Dy vjet më vonë Hasimit e Nexharijes u lind edhe vajza – Ibadetja. “Na u mbush shtëpia”, i kishte thënë një mëngjes Hasimi Nexharijes. “Kjo po ma shton edhe më shumë vullnetin për punë”, tha Hasimi dhe i puthi të dy fëmijët në ballë, para se të shkonte në punë.
Tashmë ishin plotësuar edhe muajt e nevojshëm (105 muaj) të punës në Zvicër për të marrë qëndrimin “C”. Ky status kishte privilegjet, por edhe detyrimet e veta. Gjashtë vjet më vonë Hasimi pëson edhe infarktin e dytë, por kjo nuk ishte arsye që ai ta ndërpriste punën (përveç pushimit të domosdoshëm të preferuar nga mjeku – kardiolog).
Me trup në Zvicër, me zemër në Kosovë
Përkundër të gjitha këtyre problemeve, Hasimi donte që fëmijët e tij të shkolloheshin në vendlindje. Nuk parapëlqente që fëmijët e tij të asimiloheshin. As shëndetit të vet nuk i besonte fort. Çdo fitim material në Zvicër e investonte në Roganë (ish- Rogaçicë), sidomos donte të investonte në Ibrahimin, që ai të shkollohej e të mos kishte nevojë të merrte rrugën e gurbetit. Sapo ishte rritur për shkollë, ai e regjistron në klasën e parë, në Roganë. Nga mësuesit nuk kërkonte lëmoshë për suksesin e Ibrahimit, por mësidhënie korrekte. Njësoj vlente edhe për Ibadeten. Falë kushteve materiale që i kishte, priste rezultate të mëdha nga Ibrahimi e Ibadetja.
Pas përfundimit të gjimnazit Ibrahimi kishte regjistruar Fakultetin Filozofik, drejtimi Gjuhë dhe letërsi gjermane, në Universitetin e Prishtinës. Ndonëse Hasimi qëndronte mirë materialisht, ai nuk e kishte llastuar djalin e tij që t’i jepte para xhepi pa nevojë. Dëshironte që Ibra të solidarizohej, deri diku, me standardin e studentëve tjerë. Qysh sa ishte në shkollën e mesme Hasimi ia kishte blerë Ibrahimit një videokamerë që ta regjistronte përditshmërinë në familje e më gjerë, por edhe të familjarizohej me teknologjinë e re. Ai donte që, kur të vinte për pushime në Roganë, ta përjetonte rrjedhën e transformimit të fshatit të vet.
Më 15 shkurt 1990 Hasimi përjeton infarktin e tretë me radhë, i cili i krijon pasoja të mëdha në kokë. Më pas kanë pasuar edhe tetë operacione të lehta e të rënda. Kështu, që nga viti 1991 pensionohet, dhe atij i këshillohet dhe i caktohet edhe një përcjellës. Është vajza e tij, Ibadetja, ajo që do ta shoqëronte dhe përcillte hap pas hapi.
Dhe, kështu Hasimi bënte një jetë pezull, sa në Zvicër, sa në Kosovë. Qysh vitin e parë të punës në Zvicër (1970) ai kishte blerë një truall, në hyrje të Roganës. Të gjithë nga lagjja ia zinin për të madhe se si ai po investonte në një bllacë (truall me ujë e me baltë), por Hasimi kishte krijuar një përvojë të re në Zvicër. Ai e dinte se çfarë mund të arrihet me punë. Dhe vërtet ashtu edhe ndodhi. Ai vend u tha dhe brenda pak vitesh u bë shumë i kërkuar, ndërsa Hasimi aty do të investojë jo më pak se treqind mijë franka zvicerane.
Më 25 maj 1997 Hasimit i vdes djali Ibrahimi në një ndeshje komunikacioni, i cili ka lënë videoxhirime të shumta nga periudha e viteve të 1990-ta e sidomos të periudhës së pajtimeve të gjaqeve në Karaçevë.
Hasimi me bashkëshorten Nexharijen tani jetojnë me një mirëqenie të mirë në Roganë.
E-Diaspora
-
Shkencëtari Ardian Jusufi zbulon se një lloj i “ketrave fluturues” mund të përdoren në robotikë Gjetjet e ekipit të drejtuar nga Prof. Dr. Ardian Jusufi një ditë mund të mundësojnë prodhimin...
-
Mësojmë Shqip në Diasporë me “Metodë praktike për mësimin e gjuhës shqipe”
-
Mbi pozitën e gruas shqiptare, dhunën në familje dhe diversitetin
-
Artisti Sislej Xhafa, sjell ekspozitë të veçantë në Alpet e Zvicrës
-
Gjermani: Shoqatat shqiptare prezantojnë kulturën dhe traditat
Jeta në Austri
-
Kreditë për shtëpi në Vjenë konsumojnë 53% të të ardhurave Blerja e një shtëpie mbetet e papërballueshme për shumë familje. Sipas llogaritjeve të publikuara të mërkurën...
-
Këta emigrantë përfitojnë më së shumti nga “AMS” në Austri
-
Austria pritet të përballet me një valë të nxehti
-
Austri: Prej 1 korrikut, kosto më të larta për këto shërbime
-
Austria do dyfishojë fondet për shëndetin mendor në shkolla pas tragjedisë në Graz