Lajme
Maliqi: Demarkacioni e Asociacioni, dy gabimet e “Qeverisë Mustafa”
Sipas analistit Shkëlzen Maliqi, Demarkacioni me Malin e Zi dhe Asociacioni i Komunave Serbe kanë qenë dy gabimet serioze të Qeverisë së Isa Mustafës që i kanë dhënë pretekst opozitës për bllokadën e Kuvendit

Shkelzen Maliqi është analist politik, filozof e kritik arti. Ai studioi dhe u doktorua për filozofi në Beograd. Për disa kohë ai ka qenë i kyçur drejtpërdrejt në politikë, duke qenë njëri ndër themeluesit e Partisë Social-Demokrate të Kosovës ku shërbeu si udhëheqës i kësaj partie gjatë viteve 1991-1993. Pastaj, ai ka mbajtur pozicione drejtuese në organizatat e shoqërisë civile si Fondacioni Kosovar për Shoqërinë Civile (1995-2000) dhe Komiteti i Helsinkit i Kosovës (1990-1997).
Aktualisht ai drejton institutin Gani Bobi. Veç kësaj, Maliqi tani është këshilltar për rajonin i Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.
Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta e Re”, Maliqi ka folur për gjendjen aktuale politike në Kosovë, procesin zgjedhor, marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë e për çështje tjera.
Mes tjerash analisti Maliqi kur fletë për zgjedhjet thotë se “Zgjedhjet tona janë çuditërisht korrekte sa i përket organizimit dhe sjelljes së votuesve”, por shton ai “problemet serioze gjithnjë paraqiten në fazat e jetësimit të vullnetit të sovranit, pra kur duhet të lexohet drejtë ndarja e votës dhe të krijohen institucionet e pushtetit”. Albinfo.Ch e jep të plotë intervistën e Maliqit
Maliqi, politika vendore për një periudhë të gjatë para zgjedhjeve të 11 qershorit, u dominua nga kryesisht dy tema: (Nuk) pranohet Asociacioni e Demarkacioni. Si rrjedhë e kësaj ndodhi bllokimi i punës së Kuvendi e të Qeverisë. A ishin vetëm këto dy tema problemi që sollën zgjedhjet e parakohshme?
Maliqi: Këto dy tema, demarkacioni me Malin e Zi dhe Asociacioni i Komunave Serbe kanë qenë dy gabimet serioze të Qeverisë së Isa Mustafës që i kanë dhënë pretekst opozitës për bllokadën e Kuvendit dhe pastaj, si pasojë, edhe për një imobilitet dhe dështime që shkaktuan vendnumërimin e Kosovës. Kur them se demarkacioni dhe asociacioni kanë qenë dështime, nuk mendoj në përmbajtjen e tyre, në marrëveshjen e nënshkruar me Malin e Zi dhe projektin e asociacionit, por në gabimet në hapa, pasi që Qeveria nuk është kujdesur që paraprakisht ta sigurojë transparencën dhe diskutimin e brendshëm të këtyre dokumenteve.Edhe më pastaj, kur opozita ibëri ato probleme kryesore, i neglizhonte, nuk gjente argumente për t’i mbrojtur vendimet e veta, priste që ato t’i zgjidh autoriteti ndërkombëtar dhe, çka ishte më e patolerushme, nuk arrinte as atë kohezionintë mjaftueshëm brenda koalicionit të madh, që t’i kalojë këto dy çështje në Kuvend, nuk i kishte numrat! Qeveria është dashur të rrëzohet edhe për këtë paaftësi që të menaxhojë dhe tejkalojë problemet me demarkacionin dhe asociacionin. Por, pos kësaj, shtytës për zgjedhje të parakohshme ka qenë edhe ambicia e PDK-së me lidership të ri që të merrë drejtimin e qeverisë duke menduar se ende është partia më e madhe në vend.
Kosova e përmbylli edhe një proces të parakohshëm zgjedhor në nivel vendi, traditë që duket se ka zënë rehati në politikën vendore. Në mendimin tuaj, çka u zgjidh me zgjedhjet e 11 qershorit veç deputetëve, e të konsiderohet e mirë për shtetin e Kosovës?
Maliqi: Zgjedhjet tona janë çuditërisht korrekte sa i përket organizimit dhe sjelljes së votuesve, – kuptohet gjithnjë ka vend për përmirësime dhe sidomos për përshpejtimin e numërimit dhe çertifikimin e rezultateve – por problemet serioze gjithnjë paraqiten në fazat e jetësimit të vullnetit të sovranit, pra kur duhet të lexohet drejtë ndarja e votës dhe të krijohen institucionet e pushtetit. Në këto faza edhe ka më së shumti dyshime për manipulime sepse vendimarrja kalon te politikanët që në mënyra të ndryshme synojnë “korrigjimin” dhe “ndryshimin” e vullnetit të zgjedhësve. Nëse gjatë fushatës zgjedhore janë të kuptueshme akuzat e ndersjella dhe vendosja e vijave të kuqe të bashkëpunimit si një lloj i gjahut të votave kundër subjeketeve dhe liderëve të caktuar politikë, kjo nuk duhet të ndodhë pasi që të deklarohet vota dhe kuptohet se asnjë parti apo koalicion nuk e ka shumicën e pastër për qeverisje. Në këto situata pragmatizmi politik do të duhej t’i kushtëzonte politikanët të ndryshojnë qasjen dhe bëjnë edhe koalicione jopopullore.
Një moment objektiv dhe deri më sot i pandryshuar i zgjedhjeve në Kosovë ka qenë se ndarja e votës pothuajse çdo herë impononte krijimin e pushtetit që lidhte forcat politike historikisht dhe objektivisht të konfrontuara me veti. Konkretisht, përkundër “armiqësisë”, PDK dhe LDK shumicën e kohës e kanë ndarë pushtetin! Nuk është ky ndonjë fenomen i veçantë për demokracinë në Kosovë. Kjo ndodh në çdo vend kur elektorati është i ndarë dhe numrat e partive nuk lejojnë që të bëhen qeveritë e dëshirave, por duhet të bëhen ose koalicione të mëdha, ose të përsëriten zgjedhjet, ku zakonisht edhe nuk mund të pritet që vullneti i elektoratit të ndryshojë, andaj ato shihen si të kota.
Në zgjedhjet e vitit 2014 ne kemi pas një këso situate të numrave dhe disponimeve negativiste të subjekteve politike, ku nuk ka qenë e mundshme krijimi i qeverisë me deputetët e koalicionit opozitar VLAN, ndërkaq që nga fillimi parashikohej domosdoshmëria e koalicionit të madh PDK-LDK.
Për dallim nga zgjedhjet e vitit 2014, këto të sivjetmet i kanë lëvizur numrat, disa subjekte kanë pësuar rrënie (PDK, LDK), disa janë ngritur shumë (LV), dhe tani për dalje nga kriza dhe bllokada ka disa variante koalicionesh qoftë nëse Ramush Haradinaj arrrin që koalicionit PAN t’i shtojë të paktë dy deputetë të shkëputur nga formacionet kundërshtuese, para së gjithash LAA, qoftë nëse në raundin e dytë mandati për krijimin e qeverisë i jipet Albin Kurtit, ose edhe ndonjë kombinimi të ri që do të dilte pas prishjeve të koalicioneve parazgjedhore PAN dhe LAA.
Ndryshimi më i madh që sollën këto zgjedhje ndoshta edhe nuk është te lëvizja e numrave që lehtëson debllokadën, por në tërmetin që ka ndodhur te cilësia e përfaqësimit. E kam parasysh ndëshkimin e madh që i ka ndodhur një pjese të deputetëve të subjekteve historike (LDK, PDK) dhe zgjedhjen e gati 1/3 të deputetëve të ri jo vetëm te Lëvizja Vetëvendosje por edhe te subjektet tjera. Raporti i forcave ndoshta nuk ka ndryshuar vetëm për të mirë, sepse shumica e deputetëve është e formaciionit dhe mendësisë së vjetër, por është zhvillim inkurajues se brezi i ri po kyçet në drejtimin e Kosovës.
Në vlerësimin tuaj, a ka një definicion se cili është problemi i Kosovës, politikanët vendor apo ndërkombëtarët e stacionuar në Prishtinë, apo janë qytetarët përgjegjësit, siç thotë zëvendës-ndihmësi i sekretarit shtetëror të SHBA-së, Brian Hoyt Yee, që i zgjedhin liderët e tyre?
Maliqi: Reduktimi i problemit të Kosovës në një çështje, te lidershipi, nuk sqaron asgjë. Nëse e shikojmë kështu të tri instancat janë problem, edhe liderët që kemi, edhe ndërkombëtarët që zakonisht ua japin përkrahjen atyre politikanëveqë i përkrahë populli, por edhe populli që ua jep votën atyre që nuk e meritojnë. Populli te na del në zgjedhje me menynë e kufizuar të ofertave dhe shpesh detyrohet që të zgjedhë të keqën më të vogël, kështu që nuk mund të akuzohet pse ua vazhdon mandatin edhe liderëve që janë manipulues ose nuk punojnë për interesin e përgjithshëm. Instalimi i demokracisë dhe ndërtimi i shoqërisë moderne është proces i gjatë që te na lidhet edhe me vonesën e madhe në shtetndërtim. Ne sot jetojmë në një periudhë transicionesh të shumta që edhe për shoqëritë më të zhvilluara do të ishin traumatike. Kur e vlerësojmë të sotmën po e harrojmë se nga jemi nisur, çfarë krize paraprake e kemi pasur, – mendoj jo vetëm luftën por edhe sistemin e apartheidit para saj, – gjatë cilës kohë janë shkatërruar shumë inde të kohezionit dhe të qëndresës të shoqërisë, është rrënuar ekonomia, është instaluar një sistem i kapitalizmit të egër që anashkalon interesat publike, janë çrregulluar arsimi dhe kultura etj., etj. Por ajo që konstatova më parë për brezin e ri që po futet në politikë dhe premton se do të jetë më kompetent, më profesional dhe më i ndërgjegjshëm, ndoshta është paralajmërim se kemi gjasa ta kapërcejmë këtë fazë të transicionit të rrëmujshëm…
Kjo edhe mund të përmbysë skemën, që votuesi ynë të vetëdijesohet dhe të kërkojë përgjegjësi prej liderëve duke i ndëshkuar për gabimet, çka do të ndikojë edhe në zvogëlimin ose dhe eliminimin e nevojës që për hallet tona të kujdesen dhe të vendosin diplomatët e huaj.
Tanimë Serbia ka një kryeministre të re e që do të duhej të kishte edhe politika të reja, sidomos karshi vendeve fqinje. Po i afrohemi 11 korrikut kur në Srebrenicë shënohet Gjenocidi i vitit 1995. Cili është vlerësimi juaj, sa është e mundshme një konflikt mes vendeve të Ballkanit, nisur këtu edhe nga ngjarjet e fundit të kohës së trenit që e përfshin rajonin?
Maliqi: Në rrethanat aktuale mendoj se nuk është i mundshëm ndonjë konflikt rajonal çfarë kemi përjetuar në vitet ’90 të shekullit XX. Për të qenë i saktë, nuk e përjashtoj mundësinë e konflikteve të kufizuara, incidenteve në vendet që janë jostabile dhe në krizë, siç i kemi pasur situatat kërcënuese në Mal të Zi dhe Maqedoni, ose edhe në Bosnje dhe Hercegovinë, potencialisht edhe në Kosovë dhe Serbi.Ndërkaq, sivjet e kemi parë këtë se këto kriza janë tejkaluar duke u globalizuar në kuptimin se Mali i Zi është bërë anëtare e NATO-s gjë që edhe Maqedonia është në rrugën e zgjidhjes së krizës së emrit dhe po ashtu të anëtarësimit në NATO.
Gjithandej është përfolur për një rritje të ndikimit rus në Ballkan. Cili është mendimi juaj, ky ndikim a paraqet rrezik për shqiptarët, dhe nëse po cilët mund të ishin mekanizmat mbrojtës?
Maliqi: Rusia ka investuar për rikthimin e krizave në Ballkan pasi që kërkonte një kundërpeshë për lehtësimin e sanksioneve që janë vendosur për shkak të agresioneve të saja në Ukrajinë dhe zonën e Detit të Zi… Me vazhdiminn e dialogut Kosovë – Serbi synohet që të eliminohet edhe një burim i interferimit destabilizues të Rusisë në rajon. Kuptohet, nëse proceset globale do të shkonin drejt një lufte të ftoftë të re mes Perëndimit dhe Rusisë, as rajoni ynë nuk mund të mbetet i qetë dhe pa rreziqe. Por, do të jetë kjo krizë dhe luftë globale, jo thjesht çështje e zënkave lokale.
Dhe për fund, a ka ndonjë datë apo vit që ju mund ta konsideroni si të mundshëm në lidhje me anëtarësimin e Kosovës, Shqipërisë e shqiptarëve në Bashkimin Evropian?
Maliqi: Nuk do të ndodh kjo aq shpejtë, ende nuk i kemi kryer as punët paraprake që BE-ja i jep si detyra për të hapur negociatat e anëtarësimit. Kosova, si edhe Serbia, është e varur nga dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Serbia në dukje është disa hapa para nesh, por nuk mund të shkojë edhe më para pa e çliruar vetën një herë e mirë nga Kosova. Faza e re e dialogut do të duhej të sqaronte se ai nuk mund të jetë më vetëm teknik, por edhe substancial, të çoi në njohje të ndërsjelllë dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, pastaj edhe në NATO, dhe në instancën e ndërlidhur me këto, edhe në BE.
Por, neve nuk duhet të na brengos aq shumë data e anëtarësimeve sa puna e përditshme në avancimin e demokracisë dhe zhvillimin e ekonomisë së Kosovës. Ato detyrat që na i jep BE-ja si kusht për anëtarësim janë vlera që do të duhej t’i arrinim si shoqëri dhe shtet edhe nëse nuk anëtarësohemi në EU.
E-Diaspora
-
Lea Ypi hap festivalin e Vjenës, kërkon të drejtë vote për migrantët Filozofja shqiptare, Lea Ypi, bën thirrje për të drejtën e votës për të gjithë, sepse pjesëmarrja...
-
Kosovari mohon akuzën për tejkalim shpejtësie: “Ka qenë vëllai im binjak”
-
Votat e Diasporës, mbeten edhe 49,448 zarfe të panumëruara
-
Hapet klasa e gjuhës shqipe në Oberriet të Kantonit të St. Gallenit
-
Performanca mahnitëse e Gjon’s Tears në mbrëmjen e dytë të Eurovision 2025
Jeta në Austri
-
630,000 austriakë nuk dinë të notojnë Rreth 630,000 persona të moshës pesë vjeç e lart në Austri nuk dinë të notojnë, njoftoi...
-
Tarifat austriake të strehimit: Cilat janë rregullat kur menaxherët e pronave rrisin kostot?
-
Rritet ndjeshëm numri i britanikëve që marrin shtetësi austriake
-
Austria dhe Gjermania bashkë në masa të reja për migracionin
-
Në cilët sektorë ka më shumë bakshishe në Austri?