Opinione

Lufta e numrave në Maqedoni

Prapavija e regjistrimit në Maqedoni, shkruan Dr. Bashkim Iseni, themelues i Platformës Albinfo.ch dhe ligjërues në Universitetin e Friburgut

Përbërja etnike e popullsisë së Maqedonisë ka qenë gjithmonë mollë sherri, në njërën anë nga shtetet fqinje që kishin synime territoriale në atë hapësirë gjeografike dhe, nga ana tjetër, mes dy grupeve kombëtare apo etnolinguistike kryesore që e kanë përbërë atë, shqiptarëve dhe popullatës sllave maqedonase.

Në fillim të shekullit XX tabelat e përbërjes së popullsisë së Maqedonisë reflektonin këto synime, duke publikuar shifra që nuk përkonin askund njëra me tjetrën dhe me realitetin demografik. Secili shtet publikonte statistika që iu përshtateshin ambicieve të tyre për të zaptuar atë vend dhe, nga ana tjetër, duke margjinalizuar apo mohuar tërësisht kategoritë statistike, respektivisht grupet etnonacionale në brendi të saj, duke i konsideruar shumicën e shqiptarëve si turq dhe duke konsideruar ekzistencën e popullatës sllave në kategori etnike që atyre iu konvenon.

Për pushtetin osman, në vitin 1906, myslimanët, respektivisht shqiptarët dhe pjesëtarët turq (pushteti osman nuk njihte kategorinë kombëtare shqiptare si të tillë) përbënin 41.71 % e popullatës, e pasuar me grekët (27.3%), bullgarët (18.81), serbët (13,1) dhe të tjerë. Këto të dhëna osmane, pra para dislokimit të Perandorisë Osmane, duken më shumë objektive sa u përket shqiptarëve në relacion me ato të shteteve fqinje.

Kurse, po për të njëjtën periudhë për shtetin serb, mbi 2 milionë banorë të Maqedonisë konsideroheshin serbë, 231 000 „turq“, 201 000 grekë, 165‘000 shqiptarë, kurse për shtetin bullgar ishte e kundërta, me shumicë absolute bullgare (mbi 1.1 milion), e pasuar nga „turq“ dhe shqiptarë, për rreth 600‘000 banorë. E njëjta rregull vlente për të dhënat greke, ku dominonin grekët, «turqit» e serbët.

Këto tabela që ndryshojnë radikalisht njëra me tjetrën dëshmojnë për peshën historike dhe simbolike të përbërjes së këtij territori. Prapa këtyre numrave që ndryshonin fshihen çështje që kanë të bëjnë me legjitimitetit mbi territorin e Maqedonisë. Këto të dhëna i kanë shfrytëzuar për të justifikuar okupimin e këtyre territoreve në vitin 1912.

E njëjta problematikë vlen edhe përbrenda tensioneve historike mes shqiptarëve dhe maqedonasve sllavë. Në kohën e komunizmit regjistrimi i popullsisë shqiptare kalon nga 197’000 (1948 ; 17.1%) në 163’000 (1953; 12.4%) dhe sërish në 280’000 (1971 ; 17%). Paradoskalisht, «turqit» që ishin 98’00 më 1948 rriten me magji në 260’000 më 1953 dhe bien në 183’000 më 1961.  Në fakt, shqiptarët, për të përfituar për visika (viza) turke dhe për të emigruar në Turqi, me inkurajimin e pushtetit maqedonas e jugosllav postrankoviqan, deklaroheshin turq, gjë që edhe e shpjegon rënien drastike të shqiptarëve në statistikat e ish-Jugosllavisë dhe emigrimin e tyre në Turqi.

Duke u nisur nga manipulimet kriminale të pushtetarëve maqedonas të asaj kohe, shqiptarët i kanë bojkotuar ato që nga faza e pavarësimit të Maqedonisë, sidomos atë të viti 1994, me ndërmjetësim të Këshillit të Evropës, sepse qëllimi i mbajtësve të pushtetit maqedonas, me ndihmën e larove shqiptarë,  ka qenë të reduktohet maksimalisht numri i shqiptarëve në Maqedoni për të legjitimuar Maqedoninë si shtet i kombit etnik maqedonas dhe të paraqiten shqiptarët si minoritet etnik krahas turqve, serbëve, romëve etj.

Po në atë vazhdë është punuar me të madhe nga akademikët maqedonas që të paraqiten shqiptarët si ardhacakë nga Kosova dhe jo si popull autokton, kurse paralelisht kanë heshtur me të madhe ardhacakët maqedonas të Greqisë që Lidhja Komuniste maqedonase i solli në Maqedoni përmes tranzitit nga Greqia në Ukrainë. Një numër i konsiderueshëm i maqedonasve të sotshëm janë me prejardhje nga Greqia. Vlen të përmendet se po të njëjtën metodë e kanë përdorur edhe nacionalistët serbë, poltikanë dhe intelektualë, ndaj shqiptarëve në Kosovë, duke i paraqitur ata si ardhacakë nga Shqipëria.

Tani, me regjistrimin e 2022-ës, popullsia e përgjithshme shqiptare në Maqedoninë e Veriut i afrohet 30%-shit. Në shikim të parë kjo duket një progres historik në objektivizimin e pasqyrës etno-demografike në këtë shtet, por në realitet, konfuzioni ende mbretëron, ngase këtij numri iu është ngjitur një bisht: popullatë rezidente dhe jorezidente. Pra, sërish shqiptarët artikulohen në 24%, ngase një numër i madh i tyre jeton jashtë. Këta të fundit zaten nuk janë regjistruar në tërësi dhe u dekurajuan nga manipulimet e mundshme, ngase ndryshuan rregullat e lojës gjatë regjistrimit kur u pa se shqiptarët në diasporë po dalin në realitet shumë më tepër në numër se ç’mendohej.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut përmendi dje se shqiptarët përbëjnë 24% të popullsisë së vendit, gjë që edhe konfirmon se manipulimet me statistika demografike sërish vazhdojnë, duke artikuluar shifra të ndryshme në opinionet publike respektive, sipas nevojave, mes maqedonasve apo shqiptarëve. Ali Ahmeti, me një naivitet të paparë, në qëndrimin publik që mbajti pas publikimit të të dhënave të regjistrimit, relativizon problemet që rrjedhin nga këto shifra që ndryshojnë sipas nevojës. Sigurisht edhe nuk i kupton çështjet qenësore historike, siç është edhe çështja e zyrtarizimit në nivel nacional të gjuhës shqipe, por sigurisht se ka edhe pazarin e vet politik nëntokësor me këso qëndrimesh, për t’ia vënë një kapak kësaj çështjeje.

E tani çka ?

Regjistrimi i fundit nxori një kategori të re personash, ata jorezidentë, që prek esencialisht shqiptarët, ose 173’000 persona. Kush garanton se nesër nuk do t’i nxjerrin ata nga proceset zgjedhore, si vota të jorezidentëve, dhe pse jo duke iu vënë kushte për ta mbajtur pasaportën e atij vendi, ose pronën që e kanë atje. Dihet se pushtetarëve shqiptarë të gardës së vjetër në Maqedoni dhe Kosovë vota e diasporës ua prish lojërat politike, sepse e voton gjithmonë ndryshimin. U pa se ç’ndodhi në Kosovë. A mos është ky rezultat i regjistrimit pikërisht në funksion të largimit të diasporës shqiptare nga rrjedhat politike atje ? Kurse diaspora, edhe sa kohë do të vazhdojë të rrijë duarkryq ?

Dr. Bashkim Iseni, themelues i platformës Albinfo.ch dhe ligjërues në Universitetin e Friburgut

 

 


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI