E-Diaspora

Luani “ju shpall luftë” çmimeve të larta të biletave Cyrih-Prishtinë-Cyrih

Në shënjestër të fushatës së tij Luan Morina ka kompaninë ajrore zvicerane “Swiss”, e cila siç thotë ai, duke pasur monopolin, mban përgjegjësinë për këto çmime të larta

Luan Morina është një i ri shqiptar nga Zvicra. Ai ka inicuar një ndërmarrje interesante: të luftojë kundër çmimeve të larta të biletave të aeroplanëve që qarkullojnë në linjat Cyrih-Prishtinë-Cyrih. Dhe, në shënjestër të fushatës së tij Luani ka kompaninë ajrore zvicerane “Swiss”, e cila siç thotë ai, duke pasur monopolin, mban përgjegjësinë për këto çmime të larta.

“Swiss duhet të ndalë zhvatjen që u bën shqiptarëve” , shkruan blick.ch duke cituar të riun shqiptar me prejardhje nga Kosova, i cili jeton në Winterthur të Kantonit të Cyrihut.

Luani, ashtu sikurse shumica e mërgimtarëve, i kalon pushimet në Kosovë, ku shkon për çdo vjet në fshatin e prindërve të tij. Për këtë, atij i duhet të paguajë shtrenjtë, nëse nuk dëshiron të shkojë me makinë dhe t`i kalojë rrugëve mbi 20 orë të pushimeve të tij, transmeton albinfo.ch.

Puna e çmimeve të larta të fluturimeve “është gjithmonë temë e madhe gjatë pushimeve verore. Ne, shqiptarët e Kosovës kemi përshtypjen se “Swiss” po e përdor pamëshirshëm kuazimonopolin që ka”, thotë Morina.

Ndërkaq, konstatimin se biletat për në Prishtinë nga metropoli zviceran janë më të shtrenjtat, e nxjerr edhe vetë portali. Gazetari e merr një mostër nga njoftimet zyrtare për fluturimet e 14 korrikut, ditës kur konsiderohet se fillojnë pushimet verore në Zvicër. Ata që duan t`i bëjnë pushimet në Kosovë nga 14 deri 28 korriku  duhet të paguajnë 711 franga për person, shkuarje-ardhje!

Në datat e njëjta, një biletë me kthim për Beograd, Romë ose Madrid kushton rreth 50% më pak. Shkurt: te “Swiss”-i, Prishtina është destinacioni dukshëm më i shtrenjtë në Evropë.

Ndërkohë që Morina thotë se ne “shqiptarët e Kosovës jemi të frustruar dhe nuk durojmë më një gjë të tillë”, gazeta konstaton se ata, thjesht, nuk kanë alternativë tjetër. Kjo për faktin se “Swiss” së bshku me partneren e tij “Edelweis” është kompania e vetme që ofron fluturime direkte për në Prishtinë, krahas kompanisë gjermane “Germania”, përcjell albinfo.ch. Por te “Germania” fluturimet mund të sigurohen vetëm indirekt, përmes agjencive turistike (të shqiptarëve, kryesisht) dhe jo në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Ndonëse nga Baseli ka fluturime me “EasyJet”, me çmime më të ulëta, për të rinjtë nga Cyrihu kjo gjë nuk duket shumë e levërdishme.

“Swiss” nuk ka dashur të sqarojë në detaje këtë dallim të madh të çmimeve në mes të biletave për në Prishtinë dhe atyre në qytetet tjera evropiane. Thjesht, çmimet i përcakton oferta dhe kërkesa në treg, thonë nga kompania. Këtu nënkuptohet edhe mungesa e konkurrencës dhe kështu, ngritjen përnjëhershme të çmimeve që bëhet me të filluar sezoni i pushimeve, “s`ka kush që e ndal”.

Për shqiptarët e Kosovës, një fluturim i tillë gjatë sezonit të pushimeve verore është thjesht i pamundur, kur ata janë me familje me mbi 2 fëmijë, thotë Morina, transmeton albinfo.ch. Ndërsa “alternativa”, udhëtimi me veturë për rreth 20 orë në një rrugë të gjatë rreth 1800 kilometra, është e rëndë. Përveç vështirësive për ta përballuar fizikisht, ajo rrugë njihet edhe për maltretimin që përjetojnë udhëtarët kosovarë, në pothuajse të gjitha vendkalimet kufitare në Evropën Juglindore (Ballkan), shkruan portali zviceran.