Integrimi

Liburn Mehmetaj, kryetar i ri i LAPSH-it, zotohet të (ri)bashkojë shkollën shqipe në Zvicër

"Kam ndjenjën se jemi në prag të një momenti historik për gjuhën shqipe në Zvicër, dhe pres nga të gjithë që të jenë të bashkuar dhe që të kaluarën ta lemë prapa"

Ditë më parë, LAPSH “Naim Frashëri” i Zvicrës mbajti kuvendin e rregullt zgjedhor, ku do të zgjidhej kryetari për mandatin në vijim. Dhe, më e veçanta e këtij kuvendi ishte sigurisht zgjedhja për herë të parë e një kryetari të ri edhe në moshë, një pjesëtari të brezit të dytë ose një “secondo”, siç thuhet në Zvicër. Ai është avokati i ri, Liburn Mehmetaj, nga Gjeneva.

Me z. Mehmetaj albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë të zgjeruar, ku rrihen shumë problematika që kanë të bëjnë me LAPSH “Naim Frashëri” dhe me arsimin plotësues në gjuhën shqipe në Zvicër, në përgjithësi.

“Pranim-dorëzimi” i detyrës, nga kryetari i deritashëm, Nexhat Maloku

Albinfo.ch: Ju sapo jeni zgjedhur kryetar i LAPSH “Naim Frashëri” të Zvicrës. Duke qenë se jeni i ri në moshë dhe sigurisht, edhe në profesion, lexuesit tanë nuk kanë njohuri për ju. Na thoni, me pak fjalë: Kush është Liburn Mehmetaj, cili është profesioni juaj, jeni angazhuar më parë në LAPSH dhe çfarë ju lidh me mësimin plotësues në gjuhën shqipe?

Liburn Mehmetaj: Kam lindur në 1991 në Prishtinë dhe jam rritur dhe shkolluar në Zvicër, ku prindërit e mi, Nexhmije dhe Nezir Mehmetaj, kanë ushtruar veprimtari 30-vjeçare në shkollën shqipe në kantonin Jura si dhe në nivel qendror në Zvicër.

Unë ushtroj profesionin e avokatit që nga viti 2016 në Gjenevë dhe kam diplomuar në bachelor dhe master në Universitetin e Friburgut, si dhe kam përfunduar një master të dytë në Universitetin e Los Angeles-it (UCLA) me bursë të shtetit amerikan (Fulbright). Unë jam rritur në frymën e LAPSH-it, në përbërje nga “trekëndëshi pedagogjik” (nxënës, prind, dhe mësues), së pari si nxënës i shkollës shqipe, si djalë i mësueses së gjuhës shqipe në kantonin Jura, dhe tash si prind i një nxënëseje të shkollës shqipe në Gjenevë.

Në vitin 2018 LAPSH-i në Gjenevë ishte në gjendje kritike dhe i jam përgjigjur thirrjes për ndihmë nga kryetari i atëhershëm. Pasi që rregulluam gjendjen, pranova që të vazhdoj në cilësinë e sekretarit dhe pastaj kryetarit, me reformat e ndryshme që janë treguar të suksesshme (rritje e numrit të nxënësve, digjitalizim i administratës, regjistrim i nxënësve përmes internetit, komunikim në rrjete sociale, faturim dhe kontabilitet të automatizuar, zhvillim i një aplikacioni mobil, ku mësimdhënësit mbajnë ditar elektronik, kanë listat e nxënësve për secilën klasë në mënyrë qendrore, kanë qasje automatike në kontaktet e prindërve më pak se 1 minutë pas regjistrimit, dhe i vejnë notat në fund të vitit në këtë aplikacion).

Albinfo.ch: Për ndryshim nga pothuajse të gjithë mësuesit dhe aktivistët e LAPSH-it, të cilët janë të moshuar dhe të rritur e shkolluar në vendet e prejardhjes, ju i takoni brezit të dytë, jeni i lindur dhe rritur këtu. Cili është opinioni i brezit tuaj dhe atij më të ri, për mësimin shqip në Zvicër? A mendoni se ata (ju) e gjejnë veten në një organizim të tillë?

Liburn Mehmetaj: LAPSH-i është ndërtuar nga një gjeneratë atdhedashësish që kanë dhënë kohën dhe energjinë e pafund që të mbajnë gjallë gjuhën dhe shkollën shqipe. Veprimtaria e tyre është e padiskutueshme dhe në vitet 90′ shkolla shqipe ishte në kulmin e suksesit të saj.

Mësimdhënësit dhe aktivistet e asaj kohë sot janë të moshuar. Koha ka kaluar, dhe kohërat kanë ndryshuar. Është fakt se prindërit që sjellin fëmijët e tyre në shkollë shqipe nuk janë prindërit e viteve 90′. Prindërit në vitin 2022 kanë pritje tjera në krahasim me gjeneratën e prindërve të tyre. I përket LAPSH-it që t`i kuptojë këto nevoja, dhe t’i adaptohet LAPSH-i prindërve të gjeneratës së re – dhe jo e kundërta.

Ka ardhur koha që gjeneratat e reja të marrin në dorë fatin e tyre dhe të krijojmë, së bashku me gjeneratat tjera, shkollën shqipe të Shekullit 21.

Albinfo.ch: Në kuvendin zgjedhor të mbajtur në Burgdorf, mësuesit jua kanë dhënë besimin për t`i udhëhequr në këtë mandat. Cila ka qenë rruga e ndjekur për zgjedhjen tuaj, gjegjësisht, nga kush jeni propozuar, a keni pasur kundërkandidat?

Liburn Mehmetaj: Mësuesit, prindërit dhe aktivistët më besuan këtë detyrë në bazë të shpresës se gjërat do të ndryshojnë. Kemi punuar shumë në Gjenevë që të modernizojmë shkollën shqipe dhe jemi ndër kantonet ku numri real i nxënësve është në rritje që nga viti 2018.

Besoj se shembulli i Gjenevës mund të përsëritet edhe në kantonet e tjera. Njëra nga arsyet e besimit të dhënë është se jam tërësisht i pavarur: ngase nuk jam arsimtar, nuk marr asnjë lloj pagese as në kantonin tim në Gjenevë, as në nivel të LAPSH-it qendrore. Po ashtu, nuk kam qenë i implikuar në asnjë konflikt. Neutraliteti im më lejon që to mos anoj dhe të veproj ashtu siç më duket e drejtë.

Për këto arsye u propozova nga shumë delegatë të kantoneve të ndryshme, dhe nuk kishte asnjë kandidat tjetër të propozuar.

Albinfo.ch: A keni paraqitur ndonjë program pune për postin ku jeni zgjedhur?

Liburn Mehmetaj: Po, programin tim e kam paraqitur në Kuvend. Për t`i rënë shkurt, ai përmban 4 pika: Bashkim i shkollave shqipe, Reformë të plotë të statutit dhe të rregullores të LAPSH-it, Strategji për rritjen e numri të nxënësve, Modernizim i arsimit dhe administrimit.

Albinfo.ch: Në kuvendin e fundit të LAPSH-it u larguan demonstrativisht delegatët e Cyrihut. Cila ishte arsyeja?

Liburn Mehmetaj: Largimi i delegatëve të Cyrihut, pas votimit lidhur me çështjen e numrit të delegatëve, tregon për domosdoshmërinë që të aprovojmë statutin e ri, në të cilin rregullat janë të qarta dhe të cilat respektojnë nevojat dhe kërkesat e të gjitha kantoneve. Thelbësisht, kantoni i Cyrihut kërkonte që disa kantone të dorëzojnë listat e nxënësve (me emër, mbiemër, numër kontaktues) që të verifikohet numri i delegatëve (që llogaritet në bazë të numrit të nxënësve). Në anën tjetër, disa kantone e kishin të pamundur këtë gjë, për arsye se listat nuk i mbanin në nivel qendror kantonal apo për arsye të ligjit për mbrojtën e të dhënave personale (që ndalon dërgesa të tilla pa pëlqimin e prindërve).

Në propozimin për statutin e ri, është gjetur zgjidhja për këtë problem, ngase është paraparë një mekanizëm juridik që lejon verifikimin e të dhënave pa e shkelur ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Besoj sinqerisht që statuti i ri do ta mbyllë përgjithmonë këtë kapitull.

Albinfo.ch: Me zgjedhjen e një të riu si ju, mund të konstatohet që LAPSH-i është përcaktuar për sjelljen e një fryme të re në organizimin e saj. Cili është vizioni juaj për LAPSH-in e të ardhmes?

Liburn Mehmetaj: LAPSH-i duhet të ecë në hap me kohën. Prindërit janë të rinj dhe duhet tu përshtatemi atyre. Kjo frymë e re ka filluar në disa kantone ku njerëz të rinj vetëm se janë në kryesi. Dua po ashtu të theksoj se shumica dërmuese e liderëve kantonalë dhe mësimdhënësve janë shumë pozitivë dhe të hapur për ndryshim, dhe kam bindjen që gëzohen kur shohin gjeneratat e reja që duanë ta vazhdojnë punën e tyre. Prandaj i ftoj të gjithë të rinjtë që të na bashkohen. Ka vend për të gjithë ata që duan të ndihmojë: nëse keni kompetenca në informatikë, në ilustrime, në rrjete sociale, apo në çdo fushë tjetër, kemi punë për ju. Përfitime financiare nuk ka, por do të ndiheni krenar që të jeni pjesë e atyre që kanë punuar për shkollën shqipe, dhe kjo nuk mund të paguhet me asnjë çmim.

Albinfo.ch: Keni ndonjë plan konkret për ta ringritur LAPSH-in kur dihet se ai nuk është në “ditët e tij më të mira”. Dihet, veç tjerash, se numri i nxënësve ka vjet që është duke rënë, në një kohë kur numri i fëmijëve të moshës shkollore është rritur…

Liburn Mehmetaj: Plani konkret imi për të rritur numrin e nxënësve përmban 3 pika: Të jemi vetëkritikë dhe të pranojmë se nuk kemi punuar mjaft, apo siç duhet; Të jemi të bashkuar: bashkimi me arsimtarët dhe nxënësit e Shkollës Shqipe në Zvicër duhet të arrihet me çdo kusht. Nuk ka zgjidhje tjetër; Të përpilojmë një strategji për rritjen e numrit të nxënësve, të gjithë së bashku. Rritja e cilësisë; Përmirësim i komunikimit; Rritja e transparencës; Mbështetja e institucioneve të shteteve. Kam një projekt shumë konkret që do të bisedoj me përfaqësuesit e shteteve amë që mund të realizohet shumë lehtë dhe që mund të ketë efekt të madh tek prindërit.

Albinfo.ch: Ku i shihni ju arsyet për rënien e interesimit për t`i dërguar fëmijët në mësimin plotësues në gjuhën shqipe dhe a shihni mundësi që ky interesim të rritet?

Liburn Mehmetaj: Duhet të jemi vetëkritikë. Shpesh herë dëgjojmë arsyetime apo fajësime të prindërve. Kjo qasje është e gabuar. Nëse prindi nuk ka interesim, duhet që ne ta krijojmë interesimin. Nëse prindi nuk ka mundësi financiare, duhet të gjejmë zgjidhje. Nëse prindi e ka harruar rëndësinë e gjuhës shqipe, duhet t`ia rikujtojmë dhe ta bindim. Nëse nuk ja arrijmë, duhet të provojmë sërish apo ndryshe, por mos të ndalemi dhe dëshpërohemi.

Arsyet konkrete për rënien e vijimit e mësimit janë të ndryshme, por faktorët kryesorë, sipas meje janë që LAPSH-i duhet të zgjidhë problemet e brendshme, të komunikojë më shumë dhe më mirë dhe të përshtatë ofertën e saj kushteve të reja që janë krijuar. Jam i sigurt që do të arrijmë rezultate shumë shpejt.

Albinfo.ch: Në disa vjetët e fundit, veç LAPSH-it, në Zvicër kemi edhe një subjekt tjetër që merret me veprimtarinë e njëjtë, “Shkolla Shqipe në Zvicër”. Si e vlerësoni ju ekzistimin e një organizimi të tillë, të themi “paralel” në arsimin shqip në Zvicër? A duhet të ketë, sipas jush, “pluralizëm” në këtë sferë?

Liburn Mehmetaj: Shkolla Shqipe në Zvicër është e përbërë dhe udhëhequr nga arsimdashës që kanë mision të njëjtë me LAPSH-in: të mbajmë gjallë gjuhën tonë të bukur shqipe. Si mund dikush të jetë kundër këtij qëllimi?

Fakti që këta mësimdhënës, prindër dhe nxënës u është dashur të krijojnë një strukturë jashtë LAPSH-it që të ushtrojnë veprimtarinë e tyre është dëm i madh, dhe qëllimi im kryesor është të bashkojmë këto dy struktura. Këtë funksion të Kryetarit të LAPSH-it e kam pranuar vetëm sepse kam bindjen që janë krijuar kushtet për bashkim.

Historia jonë e dhimbshme na ka ndarë në disa shtete, por asgjë nuk arsyeton që të mos jemi të bashkuar në një shtet si Zvicra. Të vetmen pengesë e kemi vetveten, dhe është fakt i lumtur që vetveten mund ta ndryshojmë, dhe do ta ndryshojmë.

Albinfo.ch: A jeni të gatshëm të bashkëpunoni me “Shkollën…” dhe eventualisht të (ri)bashkoheni nën një kulm?

Liburn Mehmetaj: Patjetër dhe me çdo kusht. Në mars të vitit 2022 në një mbledhje të Kryesisë ku ishte prezent edhe z. Ambasador i Republikës së Kosovës Sami Ukelli, kam propozuar që të votojmë për bashkim. Ky propozim kaloi, dhe vendimi zyrtar u mor. LAPSH është e gatshme që të bashkohet me Shkollën Shqipe në Zvicër dhe kemi filluar punët që të krijojmë kushtet konkrete për bashkim: reformë të plotë të LAPSH-it me statut të ri dhe rregullore të re, në bashkëpunim me ambasadat e shteteve amë të cilat mbështesin këtë proces. Hapat e ardhshëm do të jenë bisedime për nevojat e secilës palë, të gjendet një kompromis, dhe të hartohet marrëveshja për bashkim. Kam ndjenjën se jemi në prag të një momenti historik për gjuhën shqipe në Zvicër, dhe pres nga të gjithë që të jenë të bashkuar dhe që të kaluarën ta lemë prapa.

Albinfo.ch: Cili është niveli i bashkëpunimit të LAPSH-it me institucionet arsimore në qytetet dhe kantonet ku keni të hapura pikat shkollore? 

Liburn Mehmetaj: Bashkëpunimi është i mirë. LAPSH-i është e njohur zyrtarisht që nga viti 1995 si bartëse e mësimit të gjuhës dhe kulturës shqipe nga Konferenca zvicerane e drejtorëve kantonal të arsimit publik. Prandaj ka të drejtë të japë mësim në shkollat publike, dhe ka mbështetje në forma të ndryshme varësisht nga kantonet. Siç e dini, me kushtetutë të Zvicrës arsimi është kompetence kantonale, pra ka dallime mes kantoneve se si konkretizohet ky bashkëpunim. Në disa vende, kantonet i bëjnë vetë regjistrimin e nxënësve për shkollë shqipe, në kantone tjera paguhen mësimdhënësit nga burimet publike, dhe shumë kantone e vejnë notën e gjuhë shqipes në librezë të nxënësit.

Albinfo.ch: Më herët ka pasur disa pilot projekte (së paku një në Cyrih dhe një në Gjenevë), përmes të cilëve mësuesit shqiptarë janë paguar nga institucionet vendore. A ka aktualisht diçka të tillë ose, a do të punoni ju që të ketë në të ardhmen?

Liburn Mehmetaj: Në Gjenevë një pjesë e madhe e të hyrave financohen nga Kantoni i Gjenevës dhe nga Komunat në të cilat kemi nxënës. Në vitet e fundit kemi marrë rreth 50’000 franga në vit, që përdoren për të paguar mësimdhënësit. Kjo na lejon të kemi çmime më të ulëta se në vendet e tjera. Mundësitë për financim ekzistojnë, por duhet të gjinden. Do të ndajmë eksperiencat tona edhe me kantonet e tjera që të analizohen opsionet për diçka të tillë varësisht nga kantoni dhe mundësitë që ofron.

Albinfo.ch: Po me institucionet arsimore të vendeve të prejardhjes (Kosovë, Maqedoni, Shqipëri) a planifikoni ngritje të nivelit të bashkëpunimit? Çfarë mund të pritet nga ky bashkëpunim?

Liburn Mehmetaj: Bashkëpunimi me institucionet e shteteve amë janë të domosdoshme, dhe do të sigurohem që të jemi sa më transparentë, që të sigurojmë një bashkëpunim të frytshëm.

Unë nuk pres që institucionet e shteteve amë të marrin tërësisht në dorë këtë mision dhe ne të mos bëjmë asgjë. Pritjet tona duhet të jenë të arsyeshme, pragmatike dhe konkrete. Natyrisht se nuk mund të presim që Republika e Kosovës, e Shqipërisë apo e Maqedonisë të financojë të gjithë mësimdhënësit me paga të Zvicrës. Kjo kërkesë nuk është realiste në kushtet aktuale.

LAPSH-i e ka strukturën dhe i ka njerëzit që mund të bëjnë një punë të shkëlqyer. Për këtë na duhet organizim, vullnet, bashkim dhe bashkëpunim me institucionet. Deri më tani, kontaktet me ambasadorët dhe vullneti i shprehur nga ta ka tejkaluar pritjet e mia dhe do ndërmarrim hapa shumë konkret në afat shumë të shkurtër që të forcojmë bashkëpunimin.

Fushat në të cilat bashkëpunim ka dhe mund të ketë edhe më shumë janë në veçanti: materialet shkollore, aspektet pedagogjike dhe komunikimi me prindër.

(Autor i fotografive: Lulzim Hasi)