CH-Ballkani

Imeri kërkon nga mërgata angazhim për “shkapjen” e shtetit në Kosovë

“Prioritet i prioriteteve për momentin aktual në Kosovë është çlirimi i institucioneve shtetërore nga kapja që u është bërë. Pa u hequr nga rendi i ditës ky problem, nuk ka ecje përpara”, ka thënë Visar Imeri para bashkatdhetarëve në Cyrih

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

Domosdoja e luftimit të kapjes së shtetit dhe shfrytëzimit nga ata që po e mbajnë peng, ka qenë në fokus të fjalës së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymerit, të mbajtur mbrëmë në takimin me bashkatdhetarët, të organizuar nga Qendra e Lëvizjes së Vetëvendosjes në Cyrih.

Bashkë me Ymerin në këtë bashkëbisedim morën pjesë edhe Fatmire Kollçaku, nënkryetare e VV dhe Faton Topalli, deputet i po kësaj lëvizjeje në Parlamentin e Kosovës. Ky delegacion ka ardhur në Zvicër si i ftuar nga Partia Socialdemokrate e Zvicrës (SP/PS) për të marrë pjesë në kongresin e kësaj partie që mbahet sot në Thun të Bernës. Delegacioni nga VV do të ketë edhe një takim me mërgatën, të dielën në Bernë.

Debatin e ka drejtuar Njomëza Gutaj nga Qendra e VV për Zvicër.

Duke bërë fjalë lidhur me debatet aktuale për identitetin dhe shtetin e Kosovës, Imeri ka kritikuar ata të cilëve, sipas tij u jepet hapësirë nga segmentet e pushtetit për ta plasuar qëndrimin mbi identitetin kosovar. “Ne jemi me shumicë dërmuese shqiptarë por identitetin shtetëror e kemi kosovar, thonë ata. Kjo i bie që shteti qenka kundër identitetit të kësaj shumice. Atëherë: a është ky shteti ynë? Jo. Ky qenka i ndryshëm prej nesh. Për më tepër ai është në shërbim të interesave të një pjese. Fuqizimi i këtij shteti është fuqizim i atyre që e kanë kapur shtetin dhe jo fuqizim i qytetarëve dhe mirëqenies së tyre”, ka thënë Ymeri para bashkatdhetarëve në Cyrih.

Ai ka folur gjerësisht edhe rreth marrëveshjes së demarkacionit, e cila sipas tij është në vijën politikës së papërgjegjshme të partive në pushtet. “Ne na akuzojnë se po merremi me çështje të politikës së lartë dhe po i neglizhojmë problemet reale të njerëzve. Por demarkacioni është problem real për Kosovën dhe sidomos për popullatën e cila preket nga ky proces. Së pari territori është koncept kushtetues dhe lidhet me sovranitetin e shtetit e pastaj ai është edhe bazë e të mirave materiale për shtetin dhe për njerëzit që jetojnë në atë pjesë të shtetit. Të përmendim këtu lumin Bjelluha, i cili përbën pasuri të madhe për regjionin, dhe i cili mbetet matanë kufirit”, ka argumentuar Ymeri.

  • Prioritet, çlirimi i shtetit nga kapja që i është bërë

“Prioritet i prioriteteve për momentin aktual në Kosovë është çlirimi i institucioneve shtetërore nga kapja që u është bërë. Pa u hequr nga rendi i ditës ky problem, nuk ka ecje përpara”, ka thënë Visar Imeri. “Me kthimin e organeve shtetërore në shërbim të popullit fillon zgjidhja e problemit. Deri sot e kemi shtetin në shërbim të politikanëve të caktuar, afaristëve të caktuar e besa edhe të diplomatëve të caktuar që punojnë në Kosovë. Dialogu me Serbinë, bëhet për t`ia plotësuar dëshirat Serbisë, privatizimi, për interes të disa politikanëve të lidhur me krimin, shpenzim i parasë publike në projekte infrastrukturore për t`i pasuruar kompanitë dhe korporatat e ndryshme por asnjëherë mobilizim të resurseve për zhvillim ekonomik në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kjo nuk bëhet kur politikanët në pushtet, të vetmin synim e kanë interesin e tyre personal dhe të qarqeve në shërbim të tyre.

Ai u është përgjigjur edhe kritikave drejtuar Vetëvendosje se po i sulmon institucionet. “Sipas botëkuptimit të pushtetarëve, institucione janë godinat ku janë të vendosur ata ndërsa në fakt me institucione duhet kuptuar punën që duhet të bëhet brenda atyre godinave. Objekti është ne shërbim të institucionit dhe nuk është vet institucioni. Sulm kundër institucioneve është kur ti i shpërfill procedurat, kur i blen deputetët kur i shantazhon ata për të votuar siç do ti. Ndërsa sulmet kanë qenë kundër objekteve. E ata sulmojnë për ditë shtetin duke shkelur shtetin e së drejtës. VV është angazhuar dhe angazhohet për mbrojtjen e republikës nga këto shkelje që i bëhen.

  • Mërgata shumëfish e shkelur

Kryetari i VV, në fjalën e tij të gjerë është marrë edhe me mërgatën, në veçanti me atë të Zvicrës. Sipas Imerit, Kosova pret nga kjo mërgatë e cila jeton në një shtet me demokraci të avancuar siç është Zvicra, duhet që të angazhohet më tepër dhe që të sjellë përvojat e këtushme në Kosovë. “Ju e dini si ndërtohet një demokraci e tillë, si funksionon ajo, pasi që jeni edhe pjesë e saj, prandaj na nevojitet edhe ndihma juaj për ngritjen e shtetit demokratik në Kosovë”, u është drejtuar kryetari i VV-së bashkatdhetarëve.

“Shteti realisht është treguar i padrejtë edhe ndaj mërgatës. Me vetë dekurajimin që i ka bërë asaj për t`ia vështirësuar pjesëmarrjen në zgjedhje, duke vendosur si kusht dëshminë se kanë jetuar në Kosovë në vitin 1998, kur dihet se nga kjo përfitojnë kolonët serbë të ardhur atëbotë në Kosovë në shërbim të politikës së Millosheviçit  ndërsa përjashtohet mërgata e cila ka ikur nga kjo politikë në vitet 91.92 e tutje. Po ashtu nuk ua mundëson realizimin e asnjë të drejte qytetare që do të ishte minimumi të cilin një shtet e bën për mërgatën. Nga ana tjetër dihet se mërgata jonë ka qenë “e zorit” dhe jo e qejfit dhe ajo sot është kusht për ekzistencën ekonomike të Kosovës. Zyrtarisht thuhet se remitencat nga diaspora janë rreth 600 milionë euto por realisht janë shumë më shumë, janë së paku 1 miliard euro që i bie rreth gjysma e buxhetit të Kosovës. Nëse nuk do të ishin këto para, Kosova do të bankrotonte, më keq se Greqia. E në këto rrethana, shteti i Kosovës në vend se të ndërtoje politika për inkuadrimin e mërgatës në rrjedhat politike dhe ekonomike, ajo i largon ata duke u përpjekur të marrë vetëm paratë e saj përmes policave të sigurimit e formave të ndryshme perfide, duke i futur në xhepat e vet.

  • Imeri: Vetëvendosja, më meritore për vetëdijesimin e shoqërisë kundër kapjes së shtetit

Duke iu përgjigjur shqetësimit të shprehur nga të pranishmit për përhapjen ende të pamjaftueshme të VV-së përkundër faktit se sipas tyre është aktualisht alternativa e vetme reale në Kosovë, Imeri ka folur për rritjen e lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka përmendur rezultatet e sondazheve të muajve të fundit të cilat e nxjerrin atë në vendin e dytë në mesin e forcave politik në Kosovë. Madje, ka thënë ai, edhe nëse nuk do të ishte kjo rritje, mjafton fakti se sot kemi një shtim të madh të atyre që përkrahin kauzat që i shtyn përpara Vetëvendosje. Për shembull kundër demarkacionit janë 75% e shqiptarëve të Kosovës ndërsa kundër “Zajednicës”, 82%. Këto janë edhe rezultat i punës së VV-së, ka thënë Imeri.

Në këtë pikë është ndërlidhur edhe deputeti i Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, Faton Topalli. Ai ka thënë se sensibilizimi dhe arritja e pjekurisë për çështje me rëndësi shoqërore do kohë për t`u realizuar. Ai e ka ilustruar këtë me përvojat nga historia jonë e re: “në vitet `70 të shekullit të kaluar, për Republikën e Kosovës ose për bashkimin me Shqipërinë angazhoheshin vetëm disa dhjetëra veta, në vitin 1981 u bënë disa mijëra ndërsa bë vitet 1989-90 i gjithë populli”, ka thënë veç tjerash Topalli.