CH-Ballkani

Hoxhaj: Në Zvicër ka një zemër kosovare, nga sporti e deri te ndërmarrësia

“Unë edhe kur takova ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës, i thashë që ka një zemër shqiptare, kosovare, e cila çdo herë punon dhe e mbështetë Zvicrën"

“Zvicra është një vend partner i Kosovës dhe raporti ynë me Zvicrën është i veçantë dhe është i determinuar nga situata të ndryshme. Ka qenë një vend i cili ka pranuar shumicë të qytetarëve të Kosovës në një kohë shumë të vështirë, për dekada me radhe dhe shqiptarët që jetojnë në Ballkan dhe ata që jetojnë në Zvicër sot janë të integruar në shoqërinë zvicerane”, thotë veç tjerash ministri i punëve të jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj në intervistën për albinfo.ch

Albinfo.ch: Si ishte viti 2016 për Kosovën në fushën e politikës së Jashtme; dhe për ju si shef i diplomacisë?

Enver Hoxhaj: Viti 2016 për politikën e jashtme të Kosovës ka qenë një vit dinamik ku deri më tash kemi pasur rezultate konkrete por edhe pritje të cilat i kemi ndjekur me një vendosmëri. Natyrisht që çdo herë mund të punohet më shumë, por, qëllimet tona kanë qenë qëllime të matshme dhe shumëçka është varur nga konteksti kombëtar dhe ne jemi duke jetuar në një kohë kur në këto dy tre vitet e fundit, ka pasur një ndryshim të kontekstit ballkanik dhe evropian, pothuajse më të madh sesa në 25 vitet e fundit. Në këtë drejtim edhe suksesi është varur shumë nga zhvillimet ndërkombëtare.

Cilat i konsideroni të arriturat më të mëdha të vitit që po e lëmë pas?

Ka të bëjë me sukseset e mëdha të Kosovës gjatë vitit që po e lëmë pas. Gjatë këtij viti, prioritet kryesor i yni ka qenë se si ta avancojmë agjendën euro-atlantike dhe natyrisht që kjo ka qenë edhe vëmendja ime kryesore nëse shihet për kohën dhe për numrin e vizitave dhe të fokusit që kam pas. Gjatë këtij viti në rrugën tonë evropiane kemi bërë një sukses të madh meqë kemi mbajtur për herë të parë takimin e Këshillit të Stabilizim Asociimit, pas nënshkrimit dhe hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Nga ky vit, mund të themi që Kosova lëviz me një shpejtësi të caktuar drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe këtu Ministria e Punëve të Jashtme e cila e ka përgatitur procesin ka pasur një rol kryesor dhe unë që e drejtoj një këshill kam qenë jashtëzakonisht i angazhuar.

Një sukses tjetër i dytë është hapja e një marrëdhënieje të re me NATO’në, meqë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së ia ka drejtuar Kryeministrit Mustafa një letër ku flet për një marrëdhënie të re me NATO-në, ku Kosova do të ketë qasje në programet e NATO-së, por Kosova do të ketë mundësi edhe që të bashkëpunojë me NATO-në në një plan bilateral dhe ne do ta shfrytëzojmë këtë raport të ri si një mundësi për ta përgatitur vendin për t’u anëtarësuar në partneritetin për paqe.

Natyrisht që ne kemi ndjekur me vendosmëri agjendën tonë të njohjeve. Sikurse kam premtuar në fillim të mandatit tim, në gjysmën e vitit 2016, njohjet do të mbesin prioritet për Kosovën dhe jam i lumtur që Surinami dhe Singapori që është ndër fuqitë e mëdha ekonomike, aziatike, e ka njohur Kosovën. Për njohjen e Singaporit kemi punuar intensivisht në këto pesë vitet e fundit, nga vizita ime e parë në këtë vend.  Kemi marrë anëtarësime në gjykata të ndryshme ndërkombëtare. Ndër to ka qenë Gjykata e Arbitrazhit dhe anëtarësimi në Konventën e Apostiles. Të dy këto anëtarësime kanë të bëjnë me përfitime direkte që mund t’i ketë shteti dhe shoqëria kosovare.

A ka pasur sfida Ministria e Jashtme gjatë vitit 2016? Çka do të donit të kishit bërë ndryshe në procese të caktuara?

Natyrisht që politika e jashtme ka pasur sfidat e veta gjatë vitit 2016. Politika e jashtme është një fushë e cila vepron në dy kontekste. Shpeshherë sukseset varen nga konteksti i brendshëm vendor brenda një shteti të caktuar.

Ne kemi pasur këtë vit dhe vitin e kaluar një jostabilitet, i cili në të kaluarën nuk e ka karakterizuar asnjëherë Kosovën, dhe natyrisht këto ngjarje të brendshme kanë ndikuar në mënyrën se si është perceptuar Kosova jashtë. Por, ka pasur sfida të cilat kanë ardhur për shkak të rrethanave të reja ndërkombëtare. Vëmendja për Ballkanin ka filluar të bie, si rezultat i krizës me të cilin ballafaqohet Bashkimi Evropian. Një bashkësi e cila në këto 10 vitet e fundit është ballafaquar jo vetëm me krizë financiare por ka pasur edhe një krizë institucionale dhe të konkurrencës që BE-ja të jetë konkurrent në botë me të tjerët si dhe në fund vendimi i britanikëve për ta lëshuar Bashkimin Evropian, i njohur si Brexit. Këto ngjarje kanë determinuar edhe sjelljen e politikës së jashtme të Kosovës, por edhe përmbushjen e prioriteteve të cilat do të duhej t’i ketë Kosova.

Si e vlerësoni procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës dhe a pritet ndonjë njohje e re së shpejti?

Njohja ndërkombëtare e Kosovës deri më tash ka qenë një njohje e suksesshme. Mund të them se ka një gjeografi globale dhe shumica e shteteve të zhvilluara që janë me ndikim në botë e kanë njohur republikën e Kosovës. Është shumë me rëndësi që procesi i njohjes ka qenë i pandalshëm. Natyrisht që numri i rritjes së njohjeve ka të bëjë me atë që nëse nuk do t’i kishim dy të tretat e shteteve anëtare të OKB-së të cilat do ta njihnin Kosovën, jo vetëm në raport bilateral, por në raport me pushtetin do të ishin të natyrës krejt tjetër, por nëse Kosova do të aplikonte për anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare atëherë do t’i kishte votat e nevojshme për të ndodhur ky anëtarësim. Në nuk jemi të interesuar që në pafundësi të luftojmë që çdo vend ta njeh Republikën e Kosovës, por është një qartësi strategjike dhe kjo ka të bëjë me njohjen e Kosovës nga dy të tretat e shteteve anëtare të OKB-së, të cilat do të ishin një masë kritike që do ta ndihmonte vendin për çdo kërkesë që mund të ketë shteti, shoqëria dhe pjesë të tjera të shoqërisë kosovare, për t’u anëtarësuar në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Unë kam informata që edhe një vend është në procedurë të njohjes së Republikës së Kosovës, por njohja kalon në disa faza të ndryshme dhe deri më tash kam bërë përpjekje maksimale që ta ruaj kredibilitetin e shtetit të ri, kështu që çdo herë njohjet i kemi shpallur vetëm atëherë kur njohja ka qenë vendim i përfunduar dhe kemi rënë në ujdi që një vend së bashku me Kosovën ta koordinojë shpalljen e njohjes. Të njëjtën gjë e kemi bërë edhe me Singaporin, ku unë në detaje e kam ndjekur përmbylljen e procedurave për njohjen e Kosovës, dhe kemi vendosur së bashku me ministrin e Jashtëm të atjeshëm se kur do të duhej të shpallej kjo njohje.

Cilat janë vështirësitë që keni pasur si kryediplomat gjatë këtij viti, gjatë punës në procesin e integrimeve euro-atlantike të Kosovës?

Vështirësitë të cilat i kam pasur si shef i diplomacisë kosovare në rrugën euro-atlantike, kanë të bëjnë mbi të gjitha me faktin që edhe më tutje janë pesë vende anëtare të BE-së dhe katër vende anëtare të NATO-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën dhe natyrisht raporti ynë me këto vende ka qenë i ndryshëm në nivele. Disa nga këto vende nuk e kanë njohur Kosovën, por sillen në arenën ndërkombëtare sikurse ta kishin njohur Kosovën, ndërsa unë kam bërë përpjekje maksimale që edhe pse pesë vendet e BE-së nuk e kanë njohur Kosovën, ta mbështesin agjendën tonë evropiane dhe kjo ka ndodhur. Po ashtu për neve sfidë kryesore ka qenë se si ti bindim katër vendet anëtare të NATO-së që të mos e bllokojnë procesin e krijimit të një marrëdhënieje të re mes Kosovës dhe NATO-së. Këtu Spanja ka qenë më rigjide sesa vendet e tjera por falë një bashkëpunimi të suksesshëm mes Kosovës dhe partnerëve të saj, në fund kemi marrë edhe letrën nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së për një raport të ri.

Keni hapur konsullata te përbashkëta me Shqipërinë, a do te ketë diçka te ngjashme ne Zvicër?

Me Republikën e Shqipërisë kemi një partneritet të shkëlqyeshëm i cili determinohet qoftë nga historia, gjeografia, kultura dhe identiteti ynë i përbashkët dhe natyrisht që në vazhdën e kësaj kemi bërë përpjekje që edhe të shohim se si të ketë konsullata të përbashkëta të Kosovës me Shqipërinë në vende të ndryshme. Deri më tash kemi hapur një konsullatë të përbashkët në Milano, në Bari dhe në Mynih, ndërsa gjatë këtyre ditëve lajm kryesor do të duhet të jetë hapja e konsullatës sonë të përbashkët në Danimarkë, ku Kosova veçse do ta ketë një konsull, i cili do t’i mbulojë qytetarët e Kosovës që jetojnë në Danimarkë por edhe një pjesë që jetojnë në Gjermani dhe në Suedi. Nuk kemi menduar deri më tash.

Keni pasur një vizitë së fundi në Zvicër. Si i vlerësoni raportet mes shteteve dhe çfarë mund të kontribuoj diaspora e Kosovës në këtë vend?

Zvicra është një vend partner i Kosovës dhe raporti ynë me Zvicrën është i veçantë dhe është i determinuar nga situata të ndryshme. Ka qenë një vend i cili ka pranuar shumicë të qytetarëve të Kosovës në një kohë shumë të vështirë, për dekada me radhe dhe shqiptarët që jetojnë në Ballkan dhe ata që jetojnë në Zvicër sot janë të integruar në shoqërinë zvicerane. Unë edhe kur takova ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës, i thashë që ka një zemër shqiptare, kosovare, e cila çdo herë punon dhe e mbështetë Zvicrën. Këtu e kisha fjalën për rolin e madh që ka diaspora jonë e cila është e integruar atje dhe bën përpjekje maksimale që të kontribuojë për politikën shoqërinë dhe ekonominë zvicerane dhe rastet e shqiptarëve të Kosovës të cilët jetojnë dhe punojnë në Zvicër dhe janë të suksesshëm janë një model inspirimi edhe për zviceranët por edhe për shumë të tjerë në Kosovë dhe rajon. Shembulli konkret është roli që kanë pjesëtarë nga diaspora jonë në ekipin nacional të Zvicrës ku përcaktojnë shpeshherë fatet e këtij ekipi nacional. Shaqiri dhe të tjerët janë ata të cilët e motivojnë çdo qytetar të Kosovës. Por, përtej kësaj, Zvicra në raportet bilaterale ka ndihmuar shtet ndërtimin e Kosovës, përparimin ekonomik, ka kontribuar që Kosova të anëtarësohet në shumë organizata ndërkombëtare dhe raportet tona janë të shkëlqyera. Jam shumë i lumtur që një temë të cilën e kemi ndjekur për një kohë të gjatë, sa i takon qytetarëve të Kosovës që kanë punuar në Zvicër e kemi adresuar dhe kjo ka ndodhur falë një bashkëpunimi të shkëlqyeshëm që kemi pasur me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Zvicrës dhe koha e vizitës sime ka qenë përmbyllje e një procesi. Një javë pas vizitës sime në Zvicër u mor vendimi në Parlamentin Zviceran për ta adresuar çështjen e pensioneve atje.

Synimet e politikës së jashtme të Kosovës për vitin 2017

Synimet tona për politikën e jashtme për vitin 2017 do të përcillen nga koordinimi i brendshëm, nga vazhdimësia e politikës së jashtme dhe nga koherenca, por sapo të fillojë viti 2017 do të bëj përpjekje që t’i prezantoj prioritetet tona për 2017. Aktualisht jemi duke punuar në hartimin e një plani të punës dhe besoj që do të ketë dinamikë, vendosmëri, entuziazëm dhe qartësi strategjike se si ti qasemi politikës së jashtme në vitin 2017.