Kosova

Fshatrat e Gjilanit model në mirëmbajtjen e ambientit të jashtëm

Llashtica nga një fshat i shkatërruar nga lufta është rindërtuar nga mërgimtarët në një vendbanim të bukur për të jetuar. Një nga fshatrat më të dëmtuar nga lufta në rajonin e Gjilanit, ka qenë Llashtica. Ushtria dhe paramilitarët serbë kishin vrarë e masakruar 23 civilë shqiptarë të këtij fshati duke i plaçkitur, djegë e shkatërruar rreth 120 shtëpi, shkollën e bibliotekën.

Sot 20 vjet pas tmerrit të përjetuar, bijtë e bijat e Llashticës jo vetëm që kanë ngritur e rindërtuar fshatin, por, përtej kësaj, ata janë organizuar duke ndjekur kështu shembullin e fshatrave tjera të Gjilanit që me vetë iniciativë po modernizojnë e po vënë rregull në ambientët e publike të fshatit. Me këtë ritëm e vullnet pune të rregullimit të infrastrukturës dhe ambientit, shumica e fshatrave të Gjilanit duket se janë më të organizuara se vetë qyteti në mirëmbajtjen dhe rregullimin e ambienteve publike.

Varrezat e dëshmorëve. Foto:Miran Berisha

Në kërë reportazh, Llashtica është shembulli tjetër i radhës së fshatrave të Gjilanit që me ndihmën e bashkatdhetarëve ka modernizuar e kthyer fshatin në vend atraktiv për të jetuar -larg zhurmës e pluhurit të qytetit- në ambiente të qeta e të gjelbëruar me shtëpi luksoze e fqinj që kujdesen për të mos lëne askë pa kulm mbi kokë. Kështu edhe ne Llashticë është bërë më shtëpi të re familja e Sami Canit, na thotë aktivisti i njohur me banim në Bazel të Zvicrës, Enver Hajdari.

„Tjetra shtëpi është në aksion dhe jemi në grumbullimin i mjeteve për t‘i ndërtuar një shtëpi të vogël Ali Sejfiut, i cili jeton i vetmuar në moshën 62 vjeqare, në kushte shumë të vështira“, plotëson mëtutje kryetari shoqatës, <Llashtica vendlindja ime>, Enver Hjadari.

Krahas aksioneve për të mos lënë asnjë bashkëfshatar pa kulm mbi kokë, llashticasit janë kujdesur për rregullimin dhe pastrimin e rrugëve, kanë vendosur shporta për hedhjen e mbeturinave, grumbillimin e plastikës dhe janë në projektim e sipër për vendosjen kabinave për pritjen e autobusëve.

Ky ndryshim ka ardhë falë angazhimit të bijave e djemve të tyre që jetojnë në jashtë vendit. „Shoqata <Llashtica vendlindja ime> ka diçka më tepër se një vit që është themeluar dhe brenda kësaj kohe janë 80 persona që janë anëtarësuar në shoqatë dhe numri i tyre është në rritje”, tregon kryetari i saj.

 

Në këtë periudhë, shoqata ka realizuar edhe projekte të tjera të rëndësishme për përmirësimin e jetës së banorëve, duke pastruar e mirëmbajtur të gjitha 4 vend varresat e fshatit, furnizimin e disa nxënësve me material shkollor dhe duke i siguruar paketa ushqimore për familjet në nevojë.

„Llashtica si shumë fshatra të Gjilanit numëron shumë mërgimtarë, thuaj se gjysma e fshatit jeton jashtë vendit. Mungesa e vendlindjes na ka shtyrë që edhe ne ti kthejmë diçka vendit ku kemi lindur, duke formuar shoqatën ku mund të anëtarësohen të gjithë llashticasit anë e mbanë botës“, tregon Enver Hjadari.

Falë mbështetjes së madhe të bashkatdhetarëve që i kanë dhënë shoqatës <Llashtica vendlindja ime>, ata kanë punësuar një punëtor me orar të plotë pune për mirëmbajtjen e fshatit.

“Jemi në vitin e parë të punës së shoqatë dhe fshati ka marrë një pamje ndryshe si nga pastërtia por edhe nga zbutja e varfërisë. Ndërkohë që punëtorit të angazhuar i kemi siguruar kushte ideale për punë me të gjitha mjetet e punës, veshmbathje dhe një kultivator”, thotë Enver Hajdari.

Llashtica shtrihet 10 kilometra në lindje të Gjilanit dhe numëron rreth 1 mijë e 600 banorë, një numër madh i tyre jeton në perëndim, kryesisht në Zvicër e Gjermani.

Më tepër informacione të interesuarit. Mund te gjejnë në linkun e faqës www.llashtica.com