Kultura
Festivali “Swikos”, një histori dhjetëvjeçare e pasionit për filmin
Themeluesi dhe drejtori i festivalit “Swikos”, Florim Brajshori në një bisedë për albinfo.ch thekson se edicioni i dhjetë, jubilar i festivalit të filmit “Swikos” është ngritur në krahasim me edicionet e deritashme në disa segmente
Me mbrëmjen e dytë, finale, që është mbajtur të shtunën, ka përfunduar edicioni i dhjetë, jubilar i festivalit të filmit të shkurtër “Swikos” në Bazel. Festivali i këtij viti ka shënuar një ngritje në pothuaj të gjitha aspektet dhe kjo mund të vihej re edhe në prezantimin e jashtëm, frymën më festive që e ka karakterizuar dhe në sallën më adekuate për shfaqjen e filmave. Po ashtu ka pasur edhe program përcjellës, një koreodramë moderne të shfaqur në skenë etj.
Një juri me begraund hollivudian, në përbërje të Michael Flume (kryetar), Eshref Durmishi dhe Tom Gerber ka bërë ndarjen e çmimeve në gjashtë kategori të ndryshme. Kështu, si film më i mirë i festivalit në përgjithësi është zgjedhur filmi francez “Maman`s” i regjisores Maimona Doucoure. Çmimin për regjinë më të mirë e ka fituar regjisorja nga Gjermania Charlotte A. Rolfes për filmin e saj “Samira”. Aktorja më e mirë në këtë festival është zgjedhur bartësja e rolit kryesor në filmin kosovar “1 Euro”, Maylinda Kosumoviç. Për produksionin më të mirë, çmimi ka shkuar te filmi çek “Lesapan” me producent Pavel Soukop. Çmimin për kamerën më të mirë e ka fituar kameramani hungarez Istvan Balasz, i filmit “Boglarka”. Ndërsa çmimin e publikut e ka fituar filmi “Samira”, i cili është shpërblyer edhe për regjinë më të mirë.
Themeluesi dhe drejtori i festivalit “Swikos”, Florim Brajshori në një bisedë për albinfo.ch thekson se edicioni i dhjetë, jubilar i festivalit të filmit “Swikos” është ngritur në krahasim me edicionet e deritashme në disa segmente. Edhe koncepti mbi të cilin është zhvilluar festivali i sivjetmë dallon nga të deritashmit.
“Festivalin e patëm filluar me një buxhet shumë modest dhe tash, në edicionin jubilar kemi një ngritje të theksuar në këtë drejtim. Kjo mund të shihet duke filluar nga cilësia e filmave të shfaqur e deri te nga salla adekuate që kemi marrë për t`i shfaqur filmat”, shprehet Brajshori.
Pjesëmarrja e 14 filmave nga 14 shtete të ndryshme, kjo ishte një risi në konceptin e festivalit dhe tregues i rritës së tij, kur dihet se në vitet e mëparshme pjesëmarrësit kanë qenë kryesisht nga Kosova e Zvicra si dhe nga 2 ose 3 shtete të tjera. Po ashtu motoja e festivalit të sivjetmë, “Face of Cultures” përbën një risi. Por, ajo që sipas Brajshorit e bën më të theksuar ngritjen, është niveli dhe profili i anëtarëve të jurisë së sivjetme. “Të tre anëtarët: Michael Flume, Eshref Durmishit dhe Tom Gerber kanë CV që lidhet me Hollivudin, në kuptimin më të mirë të kësaj fjale. Flume dhe Gerber janë regjisorë zviceranë që kanë punuar në projekte të ndryshme me rëndësi në Hollivud ndërsa Durmishi, siç njihet tashmë nga publiku ynë, është producent i filmit “Shok”, të vetmit film shqiptar që deri tash ka hyrë në rrethin e ngushtë për çmimin “Oscar”, thotë Florim Brajshori për albinfo.ch.
Por në këtë përvjetor ai nuk mund të lë pa falënderuar grupin prej disa dhjetëra vullnetarësh që punojnë me pasion për të mbajtur në këmbë festivalin. “Pa punën e të gjithë atyre Swikos nuk do të ishte ky që është”. Sponsorët janë po ashtu pjesa pa të cilën nuk ecën asnjë festival, prandaj as Swikos-i. Përveç sponsorit kryesor, fondacionit zviceran Christoph Merian Stiftung Brajshori shpreh mirënjohje edhe për ndihmën e ardhur nga dy ministritë e Qeverisë së Kosovës. “Ministria e Kulturës dhe ajo e Diasporës na ofrojnë ndihmë simbolike prej disa vitesh. Ajo konsiston në mbulimin e shpenzimeve për artistët që vijnë këtu nga Kosova. Bëhet fjalë për një shumë modeste por ne e theksojmë me kënaqësi këtë mbështetje, si identifikim me shtetin prej nga vijmë
Por qysh tash, ende pa përfunduar edicioni i dhjetë ne kemi filluar të punojmë edhe për të njëmbëdhjetin. Në atë edicion do të kemi risinë më të madhe, të cilën po e zbulojmë për lexuesit e albinfo.ch: do të kemi nga një film përfaqësues të të gjitha shteteve të Evropës. Kështu, festivali ynë në një mënyrë do të jetë festival evropian i filmit. Po ashtu, për shfaqje të një numri tashmë të shtuar të filmave do të zgjasim kohën e mbajtjes së festivalit nga 2 sa ka qenë deri tash, në 4 ditë”, thotë Florim Brajshori.
Ai thotë se pas kaq vitesh pune me përkushtim dhe me pasion, festivali ka gjetur rrugën e vet dhe me seriozitetin me të cilin është imponuar, ka siguruar edhe burimet e nevojshme për ngritje dhe profilizim në vitet që vijnë.
(Fotot: Armend Berisha)
Të tjera nga Kultura
E-Diaspora
-
Me helikopterë privatë nga Zvicra në Shqipëri dhe Kosovë Pas muajsh përgatitje filloi aventura unike me tre helikopterë privatë, me një synim të veçantë: të...
-
AES fuqizon rolin e diasporës në teknologji dhe siguri
-
Gati 1 milion pasagjerë vetëm në muajin qershor, në Aeroportin e Tiranës
-
VLEN: Deklarata e Ali Ahmetit për regjistrimin është skandal, mërgata meriton përgjigje
-
Gjermani: Mërgimtari keqtrajton 17 vjeçaren nga Kosova
Jeta në Austri
-
Austria pritet të përballet me një valë të nxehti Pasi pjesa më e madhe e Evropës ka qenë në vapë të madhe, Austria është gati...
-
Austri: Prej 1 korrikut, kosto më të larta për këto shërbime
-
Austria do dyfishojë fondet për shëndetin mendor në shkolla pas tragjedisë në Graz
-
Rritje e interesimit për studimet mjekësore në Austri
-
Zjarr i madh në impiantin e riciklimit në Tirolin Lindor