Shëndetësi

Çfarë duhet të dimë për dhimbjen e shpinës

Në këtë artikull do të shkruajmë për dhimbjen e shpinës apo sindromën lumbale të shkaktuar nga ndryshimet patologjike të disqeve ndërunazore

Përkufizimi: Dhimbja e shpinës apo Sindroma lumbale i referohet dhimbjes që shtrihet në zonën e shpinës nga harku i poshtëm i brinjëve deri në ijet, me ose pa përcjellje në gjymtyrët e poshtme. Dhimbja akute e shpinës i referohet episodeve të dhimbjes që ndodhin për herë të parë ose të paktën pas një kohe të caktuar pa dhimbje dhe që zgjasin më së shumti deri disa javë.

Të dhëna të përgjithshme: 

Dhimbja e shpinës mund të ketë shkaqe të ndryshme. Rreth 70% e popullsisë së rritur në hemisferën perëndimore ka të paktën një episod të dhimbjes së shpinës brenda një viti.

Dhimbja e shpinës nuk është një sëmundje, por është një simptomë e shkaqeve të ndryshme. Lokalizimi kryesor është zona e poshtme e shpinës dhe sakrumit, të përmbledhura si dhimbje shpine, por jo çdo herë ankesat do të kenë shkakun tek unazat. Organet e barkut ose pelvikut gjithashtu mund të shkaktojnë dhimbje në shpinë.

Qëllimi i artikullit për lexuesin:

1.- Të kuptojë dhimbjen e shpinës si simptomë të shkaqeve të ndryshme dhe të bëjë një diferencim praktik si dhe në bazë të këtyre njohurive të vlerësojë momentin se kur duhet të paraqitet te mjeku.

2.- Për të thelluar njohuritë dhe rëndësinë e të dhënave anamnestike, masat diagnostike dhe terapeutike dhe për t’i marrë ato parasysh gjatë ankesave eventuale.

3.- Njohja  dhe evitimi i faktorëve të rrezikut për një kalim të dhimbjes akute të shpinës në një fazë kronike.

Një pjesë e madhe e shkaqeve të dhimbjes së shpinës janë çrregullimet funksionale dhe jo entitetet e sëmundjes që mund të zbulohen vetëm në bazë klinike.

Për shkak të kursit tipik përsëritës të dhimbjes së shpinës dhe karakterit të ndryshëm, ndarja e përkohshme e dhimbjes se shpinës bëhet në:

Dhimbje akute, subakute dhe kronike, me kufizim të dhimbjes akute në një kohëzgjatje prej 6 javësh, subakute në 6 deri në 12 javë dhe kronike mbi 12 javë. Shpesh nuk është e mundur të bëhet në mënyrë adekuate përcaktimi në mes të dhimbjes akute dhe asaj kronike. Përkundrazi, shumëdimensionaliteti në rritje i dhimbjes është karakteristik, dmth humbja e lëvizshmërisë dhe dëmtimi funksional, dëmtimi i sensitivitetit dhe disponimit, sjellja varësisht apo e diktuar nga dhimbja apo edhe pengesat për punë dhe shkallë të ndryshme të paaftësisë dhe invaliditetit.

Anamneza dhe diagnostika:

Një anamnezë e kujdesshme ofron informacione thelbësore për vlerësimin e shfaqjes së dhimbjes së shpinës. Madje mjekët e vjetër thoshin se: anamneza e mirë (dmth biseda me pacientin) është gjysma e diagnozës! Ajo duhet të përmbajë pika të rëndësishme në përshkrimin e dhimbjes, të tilla si fillimi dhe rrjedha, ndoshta edhe episodet e hershme të dhimbjes, lokalizimi dhe rrezatimi, cilësia dhe sasia e dhimbjes, varësia nga pushimi dhe / ose stresi, çrregullimet e gjumit të shkaktuara nga dhimbja, dëmtimi i aktiviteteve të përditshme, si dhe streset e mundshme private ose profesionale. Në kujdesin parësor, qëllimi kryesor është kontrolli i simptomave, së bashku me lehtësimin akut të dhimbjes.

Në këtë artikull ne do të ndalemi vetëm te Hernia diskale si shkak i sindromës lumbale:

Diagnostikimi imazherik: 

Për shkak të efekteve anësore të mundshme dhe caktimit të saktë të diagnozës, procedurat imazherike duhet të përdoren në mënyrë rigoroze. Nëse dyshohet për një frakturë, infeksion ose radikulopati, MRI është metoda më sensitive imazherike dhe me përparësi edhe në krahasim me tomografinë e kompjuterizuar (CT) për shkak të mungesës së ekspozimit ndaj rrezatimit por edhe për saktësinë e lartë diagnostike. Kjo vlen edhe për frakturat, vendndodhjen e saktë, klasifikimin dhe vjetërsinë e frakturës si dhe llojin e frakturës. Ekzaminimet funksionale me Rentgen e mundësojnë një vlerësim dinamik të shtyllës kurrizore pas përjashtimit të ndryshimeve akute traumatike. Përndryshe, zgjedhja e procedurës imazherike bazohet në disponueshmërinë dhe koston e metodës gjegjëse. Në rastin e dhimbjes akute të shpinës pa të dhëna anamnestike ose klinike të shkaqeve specifike, fillimisht nuk kërkohet ekzaminim imazherik. Nëse ka një përkeqësim akut të simptomave ose nëse ka pasur simptoma rezistente ndaj trajtimit terapeutik, etëherë është e nevojshme që të aplikohen ekzaminimet imazherike.

Metodat ekzaminuese imazherike: 

Ekzaminimet me Rentgen:

Zakonisht metoda e parë për ekzaminim të pacientëve me dhimbje të kurrizit është Rentgeni (shiko Fig 1 dhe 2).

Me anë të një fotografimi të Rentgenit do të marrim informacione shumë të rëndësishme për gjendjen e kurrizit, strukturën, gjendjen e unazave, dëmtimet eventuale, ndryshimet degjenerative, frakturat, lezionet e ndryshme të eshtrave, apo raportin e unazave në mes veti në strukturën e përgjithshme të kurrizit.

Ekzaminimet me tomografi të kompjuterizuar (CT): Në rastet kur pas një fotografimi me Rentgen mbesin çështje të paqarta apo të padefinuara apo kuadri klinik na sugjeron se kemi një gjendje ende të paqartë, atëherë metodë e ardhshme ekzaminuese është tomografia e kompjuterizuar (CT-ja), shiko Fig 3a dhe 3b. Me ndihmën e këtij ekzaminimi do të marrim informacione të tjera me rëndësi diagnostike: sqarimi i mëtejmë i lezioneve të vërejtura në Rentgen, prezantimi tredimensional i kurrizit dhe i lezioneve, prezantimi i disqeve ndërunazore (që me Rentgen nuk është i mundur), gjendjen e kanalit të boshtit kurrizor, gjendjen e nyjave ndërunazore dhe raportet e kurrizit me organet tjera.

Ekzaminimet me MRI (imazheri me Rezonancë magnetike): MRI është metoda më e mirë dhe më e saktë për diagnostikim imazherik tek njeriu. Në krahasim me CT-në dhe të gjitha metodat tjera, kemi një metodë në dispozicion, me një rezolucion shumë të lartë të diferencimit të indeve të ndryshme, që nga indet e buta deri te eshtrat: përcaktimi i saktë i diagnozës tek rastet e patologjisë së disqeve ndërunazore me diferencim dhe saktësim të lartë të llojit të patologjisë, shkallës së ngushtimit të kanalit të boshtit kurrizor, raportit të diskut të ndryshuar ndërunazor me strukturat përreth, sidomos me rrënjët e nervave dhe palcën e kurrizit. Diagnostikimi i saktë i ndryshimeve inflamatore, tumorale, sistemike apo post-traumatike. MRI sot është metodë e artë e diagnostikës imazherike. Është me rëndësi të potencohet çdoherë se MRI bazohet në parimet e rezonancës magnetike dhe se nuk ka rrezatim!

Prezantimi i kurrizit me MRI tek diagnostika e disqeve ndërunazore parimisht mund të ketë këto stade:

1.- Pamja normale e disqeve ndërunazore (shiko Fig 6). Në pamjet horizontale disku nderunazor nuk i tejkalon përmasat e korpusit unazor dhe kanali i boshtit kurrizor prezantohet me gjerësi normale ndërsa strukturat e kanalit të boshtit kurrizor, si palca kurrizore, qeska durale me fijet nervore si dhe radixet e nervave prezantohen të lira dhe të rregullta.

2.- Protruzioni i diskut nderunazor (shiko Fig 7): Me protruzion të diskut ndëruanzor kuptojmë zgjerim dorzal të diskut i cili ka forma të ndryshme, por zakonisht në formë koncentrike rrethore apo ovale zgjerohet në kanalin e boshtit kurrizor dhe ne hapësirat neuroforaminale.

3.- Hernia diskale e diskut ndërunazor /shiko Fig 8 dhe 9): Hernia diskale është forma më e komplikuar e zgjerimit të diskut, që si pasojë e çarjes në unazën kërcore prezantohet si një zgjerim ekscentrik, e ngushton në masë të theksuar kanalin e boshtit kurrizor dhe hapësirat neuroforaminale me tangim, impresion apo kompresion të qeskës durale dhe rrënjëve të nervave, varësisht nga madhësia e hernisë. Hernitë diskale për nga madhësia mund të jenë të vogla dhe të mëdha. Për nga manifestimi mund të jenë subligamentare, transligamentare dhe me migrim / sekuestrim te pjesëve te herniuara të diskut.

Rezultatet e ekzaminimeve imazherike kërkojnë një vlerësim të saktë radiologjik si dhe diskutim përfundimtar me pacientin. Në këtë kontekst, informacioni anamnestik dhe gjetjet e ekzaminimit klinik duhet të interpretohen me kompetencë. Varësisht nga të gjitha këto komponentë, mjeku i juaj klinik, dmth. ai qe merret me mjekimin si p.sh.: ortopedi, neurologu, neurokirurgu, kirurgu spinal, fiziatri etj. do të ju ofrojnë metodën e cila premton suksesin më të mirë të mjekimit.

Porosia përfundimtare: Diagnoza e sakte është hapi i parë i drejtë në rrugën e mjekimit të pacientit!

Dr. med. Habib Jakupi