Lajme

Aeroporti i Stambollit më i ngarkuari në Evropë

Sipas të dhënave të publikuara nga EUROCONTROL, Aeroporti i Stambollit është shpallur si më i ngarkuari në Evropë për periudhën 21–27 prill, me një mesatare mbresëlënëse prej 1,482 fluturimesh në ditë, përcjell albinfo.ch.

Ky vëllim i lartë i lëvizjeve ajrore përfaqëson një rritje prej 4% krahasuar me vitin e kaluar dhe një kapërcim prej 24% në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Në listën e ngushtë të ndjekësve, renditen aeroportet kryesore si Amsterdam Schiphol (1,419 fluturime), Londra Heathrow (1,357), Parisi Charles de Gaulle (1,344) dhe Frankfurti (1,314).

Një ndër arsyet e këtij suksesi është edhe investimi strategjik i bërë më 17 prill, kur Aeroporti i Stambollit nisi operimin e njëkohshëm në tri pista – duke u bërë i pari i këtij lloji në Evropë dhe i dyti në botë, pas SHBA-së.

Gjatë vitit 2024, ky aeroport mirëpriti rreth 80 milionë pasagjerë, duke e konsoliduar statusin e tij si më i madhi në kontinent. Por jo vetëm për pasagjerët – edhe për ngarkesat ajrore, Aeroporti i Stambollit u pozicionua si qendra më e rëndësishme në Evropë, sipas të dhënave të ACI Europe.